Kush janë problemi sot në Kosovë dhe Shqipëri?! - Bota Sot
Kush janë problemi sot në Kosovë dhe Shqipëri?!

Opinione

Kush janë problemi sot në Kosovë dhe Shqipëri?!

Skënder Sadri Kapiti Nga Skënder Sadri Kapiti Më 26 shkurt 2020 Në ora: 21:56
Hashim Thaçi, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë e mbrojti minishengenin edhe në vijimësi, edhe në Samitin e BERZH-it, të cilën ai e quan të sukseshem. Po kuptohet tashmë përfundimisht se “suksesin” e tij politik personal Kryeministri i Shqipërisë e ka të lidhur me interesat e Serbisë, sepse si minishengeni ashtu si dhe ndarja e Kosovës janë  qëllime dhe projekte serbe dhe që u shërbejnë interesave të Serbisë. Ka ardhur koha që politika kosovare të deklarohet drejtpërdrejtë se është kundër minishengenit dhe të marrë shëmbullin e kryeministrit të Shqipërisë i cili drejtpërdrejt e akuzon kryeministrin e Shqipërisë edhe për rastin e ndarjes së Kosovës kur ai deklaron se:

Më pas u ka mbetur edhe hapi final: “shkarkimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me porosi të UDB-së, për të zgjedhur një President me “Etikë” që të lobojë dhe të firmosë për ndarjen e Kosovës dhe për çdo projekt tjetër anti-kombëtar".

Më qartë për politikën kosovare nuk ka se ku të shkojë kjo akuzë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për Kryeministrin e Shqipërisë, kur Z. Meta përmend, del  dhe shprehet se, Presidenti Meta  është në mbrojtje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe kundër çdo projekti tjetër antikombëtar,ku edhe coptimi apo korigjimi i kufijve mes Kosovës e Serbisë, si edhe minishengeni Rama-Vuçiç-Zaev janë projekte antikombëtare e thellësisht antiKosovë.

Pra  politika e Kosovës sot është në përballje me qëndrimin politik antiKosovë të Qeverisë aktuale të Tiranës. Plani serb për minishengenin ballkanik është në kundërshti edhe me vizionin politik të BE-së, është kundër linjës dhe vijës politike të saj, pasi ajo është një alternativë kundërintegruese për në BE. Kjo është një strategji e njohur serbe për ta mbajtur peng integrimin e Ballkanit në BE dhe për ta orientuar atë, pra edhe Shqipërinë dhe Kosovën nga Beogradi dhe indirekt nga Rusia. Asnjë prej vëndeve të BE-së as që e përmend minishengenin përveçse Rama e Vuçiçi.Është për t’u habitur se si ka mundësi që Bosnja dhe Mali i Zi, dy ish republika të ishJugosllavisë janë kundër minishengenit dhe e konsiderojnë atë si përpjekje për Serbinë e Madhe, apo per neoJugosllavinë dhe na del mbështetësi kryesor i saj Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, qëndrimi i të cilit është krejtësisht kundër orientimit të shqiptarëve nga BE-ja?!

Pra në këto kushte duhet të deklarohen hapur por edhe fuqishëm qeveria dhe politika, Kryeministri dhe Kryeparlamentarja e Kosovës kundër minishengenit të Ramës ashtu si Presidenti i Shqipërisë,Ilir Meta.

Pra Kryemistri i Shqipërisë përvecse është problem në Shqipëri, ku Shqipëia është futur në një krizë shtetërore, dhe se plani minishengen  është një plan antiShqipëri dhe antiKosovë , ashtu sikurse është edhe mbështetës i ndarjes së Kosovës.

Mirëpo Kosova, Qeveria Kurti dhe Parlamenti i pas 6 Tetorit 2019 ka edhe një  problem tjetër akoma më të madh, atë të përballjes me dëmet dhe pasojat që i kanë ardhur Shtetit të Kosovës nga ishkryeministri dhe presidenti i sotëm Thaçi, që me  Fusnotën e Janarit të vitit 2012 e cila faktikisht ishte një regres i madh kundër politikës së reciprocitetit me Serbinë,pasi ajo Fusnotë  i vendosi “kushte” Pavarësisë së shpallur me 17 Shkurt të vitit 2008.

Kosova, politika dhe qeverisja e sotme e Kosovës pashmangshmërisht do të përballet me pasojat e kësaj Fusnote, dhe  me marrëveshjet “sekrete” apo edhe me  ato të hapura si me Marrëveshjen për krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe, me pasojat e idesë së ndarjes së Kosovës, autor dhe përgjegjsi kryesor i tyre është ishkryeministri dhe  Presidenti aktual, ashtu sikurse po ky është përgjegjsi kryesor  edhe për Demarkacionin me Malin e Zi dhe me Maqedoninë.Pra kuptohet që edhe për Hashim Thaçin parësore e mbi të gjitha është vetëm pushteti, interesi i tij personal mbi dhe kundër atij kombëtar, por që çuditërisht Kosova akoma e mban Presidentin, këtë keqbërës kombëtar.

Por që me siguri shqiptarët besojnë të Kurti dhe Osmani, pasi si Kryeministri Kurti dhe Kryeparlamentarja Osmani kanë qenë zërat më të fuqishëm kundër veprimeve e sjelljeve të Presidentit aktual të Kosovës; kanë qenë kritikët dhe opozitarizmi i vërtetë kundër të këqijave të pushtetit, korrupsionit e të tradhtisë. Opozitarizmi i tyre ka qenë një shërbim i madh  demokratik  e kombetar në mbrojtje të shtetit e të sovranitetit të Kosovës si dhe për faktin se që të dy janë të pastër, të pakorruptuar dhe as me rekorde korrupsioni e krimi, dhe as nuk mundet që askush t’i shantazhojë e as t’u bëjë presion sot, kur  ata janë në krye të Qeverisë dhe të Parlamentin si zgjedhja më e mirë që bëri verdikti i popullit me 6 Tetor 2019.

Populli heroik i Kosovës mbi 100 vite nuk iu nënshtrua kurrë krimit, barbarisë dhe genocidit serb, dhe sot popullin e Kosovës, shtetin Kosovar, integrimin e Kosovës dhe progresin e saj i mban peng Presidenti i saj?Por qytetarët e Kosovës presin por edhe pyesin se përse akoma të mos të deklarohen Albini dhe Vjosa për Presidentin e Kosovës ashtu sikurse veproi Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta për Kryeministrin Edi Rama? Pse nuk vepron akoma as Parlamenti që të marrë nismën për shkarkimin e tij, kur tashmë politikisht, publikisht e mediatikisht ai akuzohet për shkelje të Kushtetutës ne jo pak raste?

Duhet vepruar pasi shikoni se si Pesidenti i Shqipërisë i del në mbrojtje Kushtetutës duke ftuar popullin shqiptar në një protestë kundër tendencës për “grusht” shteti të Kryeministrit të Shqipërisë për kapjen e Gjykates Kushtetuese.Por me siguri që koha  është gjykatësi më i mirë, dhe koha patjetër që do t’ia bëjë gjyqin të pavërtetave, spekulimeve, korrupsionit por edhe pabesisë e tradhtisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat