Gjithçka filloi me gjarpërin - Bota Sot
Gjithçka filloi me gjarpërin

Opinione

Gjithçka filloi me gjarpërin

Fadil Lepaja Nga Fadil Lepaja Më 25 mars 2020 Në ora: 12:25
Hashim Thaçi

Kinezët thuhet se e hangrën gjarpërin, dhe kështu, filloi gjithçka. Gjarpëri e helmoi Kinën, Kina Italinë. Kështu, mbërrijti edhe te ne, me shumë gjasë,përmes rrugës së kombit.

Mund edhe të mos jetë ashtu, në fund të fundit kush e di të vërtetën sot me median virtuale kur secili është ekspert për gjithçka, kur menquria mbatet me numrin e pëlqimeve. Përkundrejtë shumë paqartësive po pajtohemi me presidentin, se virusi në mënyrë krejtësisht anti kushtetuese ka cënuar të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve në mbarë botën. Njerëzit kanë të drejtë të lëvizin derisa presidenti të mos e ndalojë me ushtri. Qeveria nuk mundet të marrë merita.

Tash, dilema jonë qytetare është: Të dalësh, apo të mos dalësh, dhe kjo e merr kuptimin e asaj dilemës së famshme hamletiane: “ to be or not to be”. Po dole të “ha” virusi, e po nuk dole ka rrezik të të hajë “gjarpëri”.

“Dilni, ose mos dilni si të doni. Unë jam këtu”, paska thënë virusi. Thuhet se ky ishte reagimi i tij, spontan, në kërkesat e institucioneve, presidentit dhe qeverisë, drejtuar qytetarëve të Kosovës. Kërkesat përjashtojnë njëra tjetrën dhe si pasojë dilema e qytetarëve është e madhe. Si të veprojnë?

Aktualisht, nëse i thjeshtëzojmë gjërat, qeveria, me masat që po i merr po pretendon se po kujdeset në radhë të parë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, ndërkohë që presidenti deklarohet i shqetësuar për të drejtat dhe liritë e qytetarëve, në këtë rast për të drejtën e qarkullimit të tyre, duke e shpallur ndalesën e qeverisë si kundër kushtetuese dhe ftoi qytetarët të mos e repsektojnë atë. Ky i fundit paralajmëroi edhe ankesë të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese, përfshi edhe kërkesën për pezullimin e kësaj mase të qeverisë. Nëse mblidhet, përgjigjja e Gjykatës pritet shpejtë dhe ajo është e obligueshme për të gjithë. Në mungesë të parlamentit, edhe Gjykata Kushtetuese pritet të japë një vendim me të cilin do të tejkalohej kriza politike në vend. Por, parlamenti do të vendosë se me kë është Kosova: me Evropën apo me SHBA. Konjukturat globale po i masin forcat në sallën e vogël të parlamentit të Kosovës.

Natyrisht, situata nuk është aspak përtë qeshur, edhe pse pak humor nuk bënë dëmë, në këtë atmosferë të acaruar të luftës me virusin dhe luftës politike për pushtet në vend. Të gjithë e dijmë se virusi nuk flet, por e kemi pa se ky virus po merr jetëra njerëzish. E dimë se është barsoletë, por e dimë se është edhe epidemi. Pandemi, më saktë. Është globale. Qysh me ja ba? Me dalë, apo mos me dalë? Me Qeverinë apo me Presidentin? Me Evropën apo me SHBA? Dikurë ishin bashkë. Presidenti Rugova për të ruajtur miqtë dhe unitetin e brendshëm, bënte kompromise të brendshme të mëdha.

Pra, ishte vetëm barsoletë, se virusi nuk flet. Nëse virusi nuk flet, presidenti flet. Prej konference për shtyp në tjetrën. Para do ditësh kërkoi gjendjen e jashtëzakonshme, që nënkupton kufizimin e lirisë së qarkullimit, dhe kërkoi që ushtria të marr në dorë menaxhimin e krizës. Problemi me kërkesën e Pesidentit lidhet me marrëveshjet të cilat ai i ka nënshkruar në cilësi të ndryshme, që nga viti 1999 e këtej. Gjendja e jashtëzakonshme, në Kosovë nuk mund të menagjohet pa KFOR-in dhe KFOR-i nuk i përgjigjet presidentit të Vendit.

Si rezultat i kësaj përpjekje të Presidentit për me e marrë përsipër menaxhimin e krizës me virusin, u krijua një krizë e dyt, një krizë politike dhe institucionale. Tash, derisa kohëzgjatja e krizës me virusin parashikohet të jetë fillimi i verës, kohëzgjatja e krizës politike nuk po mund të parashikohet.

Kur të mblidhet Gjykata Kushtetuese për të vendosur për kërkesën e Presidentit, apo parlamenti, për të vendosur për mocionin e Isës, do të kemi më të kapshëm edhe epilogun e kësaj krize të dyfisht. Ndërkohë mund edhe të ndryshojnë rrethanat. Pa virusin gjithçka mund të jetë ndryshe, sikur pas çdo lufte të madhe. Mund të ndryshojnë, edhe heronjët edhe komandantët!

Pra, dilema qytetare pas kërkesës së presidentit që të mos respektohet vendimi i qeverisë, është serioze. Epilog do të ketë, por a do të ketë edhe përgjegjësi? Pra, me dalë apo mos me dalë? Virusi po thotë, “qysh të doni, Këtu jam”! Gjarpëri rrëshqet skenës politike të Kosovës...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat