Brenda 48 viteve, Kosova nga viruset e përjetoi dy herë karantinën

Opinione

Brenda 48 viteve, Kosova nga viruset e përjetoi dy herë karantinën

Nga: Murat V. Gashi Më: 2 prill 2020 Në ora: 16:54
Murat V. Gashi

Ishte viti 1971 kur ne filluam mësimin në klasën e tetë, në shkollën fillore në vendlindje Hoçë të qytetit, që ndodhej në jug - perëndim, me rrugë të vjetër 4.5 kilometra larg Prizrenit. Atyre viteve, mësuesit ishin shumë të kujdesshëm për nxënësit dhe arsimin në përgjithësi. Edhe ne nxënësit kishim shumë respekt për mësimdhënësit. Pas dy muaj mësimi, unë e ndija vetën të lodhur. Shenjat e para ishin mungesa e apetitit, herë herë me ngritje të temperaturës, kollitje etj. Nuk kishte kush të kujdeset për mua pos babait tim që ishte ende gjallë. Mirëpo, ai u merrte me punët e bujqësisë ag e terr. Ishte fundi i nëntorit. Një ditë që e kish përfshi moti i keq, babai nuk doli në ara, në fushë. Atë ditë isha shumë i lodhur nga këto shenja të sëmundjes. Nuk shkova në shkollë. Kur më pa babai, menjëherë më mori dhe më dërgoi në Prizren te mjeku i mushkërive, te dr. Daut Mustafa. Babai e dinte mirë, mbase edhe viteve tjera isha në spital nga sëmundja e TBC -ja, ose siç i thoshin atëherë veremi, sëmundje ngjitëse, të kallurit e mushkërive. Dr. Dauti e kishte biografin time, me këtë sëmundje dhe menjëherë më ndali në spital. Babai u mërzit. Mos u bë merak Veli tha dr. Mustafa. Djali do të shërohet, por duhet një kohë deri në gjashtë muaj të qëndroj në spital për kurim. Kjo sëmundje kërkon kohë. E din.... Babai kishte besim te dr. Mustafa. Më la dhe u kthye në shtëpi. Në spitalin e vjetër buzë lumbardhit, punonin motrat dhe teknik medicional të të gjitha nacionaliteteve. U kujdesën shumë për mua. E mbaj në mend motrën Hajrie Berisha dhe teknikun Mitatin. A më njihnin prej si kam lindur, atëherë kur nëna ime ishte e sëmur prej TBC - së, Veremit, dhe vdiq, duke më lë jetim në moshë gjashtë vjeçar. Viti 1971 iku erdhi viti i ri 1972. Unë fillova të forcohem. Por, mësimet më kishin mbet mbrapa. Atë vit, dimri ishte i fortë. Ne nuk dilnim përjashta nga të ftohtit. Erdhi marsi. Toka kish filluar të marrë ngjyrë blerimit. Pranvera kish shtri shtat në gjithë natyrën e saj, ndërsa bujqit endeshin poshtë e lartë, arave të tyre për mbjell. Por fati i bujqve mbeti në "mëshirën e Zotit". Unë, ndonëse rrija shumë me motrat medicionale, dëgjova për një sëmundje që ish përhap në tërë Kosovën dhe ish.....I thoshin Lija, ndryshe Colera vera. Atëherë sa mbaj në mend ishte edhe dr. Xhelal Xhibo, Salajdin Jagxhiu, Durmish Celina etj. Ata, pandërprerë lëviznin poshtë e lartë spitalit. Na thoshin mos dilni jashtë, mos rrini bashkë me të sëmurit, mos u grumbullohuni. Ishte zhurmë frike. Sepse nuk kishin mjek të mjaftueshëm për t'i përballuar kësaj sëmundje, në Prizren me rrethinë, nëse do t'i prek shumë qytetar. Në muajin mars të vitit 1972 (atëherë) u përhap me të madhe Variola Vera. Mjete të informimit nuk kishte. Të rrallët kishin televizor. Përmes njerëzve ose këshillit të fshatit na informonin, askush nuk guxon ta lëshon shtëpinë dhe as fshatin. Të izolohen. As të mos marrë rrugë për në qytet. Unë s'guxoja të dalë në oborrë të spitalit. Përmes dritares e thithja rrezen e diellit pranveror. E ndjeja ëmbël ngrohtësinë e tij. Nga dritarja i shihja rrugët e zbrazta, madje as ditën e mërkurë, ditën e pazarit, të cilën, fshatarët e pritnin këtë ditë për t'i mbush me zëra dhe për të blerë gjërat e domosdoshme për përditshmërinë familjare dhe të tregtojnë. Edhe të gjitha lokalet, shitoret ishin të mbyllura. Urdhri ishte urdhër dhe ai respektohej me një disiplinë të veçantë. Rrugët rrinin të bllokuara. Sëmundja Variola Vera përhapej me shpejtësi dhe mbolli frikë te secili qytetar dhe me shpejtësi. Nëpër fshatra shkonin mjekët të cilët, duke shkuar nëpër familjar t'i kontrolloj qytetarët, dhe t'i vaksinonin të gjithë Por, kudo vërehej zymtësi.

Por, kudo vërehej heshtje, zymtësi si në qytet ashtu dhe në fshatra.. U vyshk buzëqeshje pranverore. Të gjithë kishin dhimbje por solidarizim të madh për të prekurit nga kjo sëmundje nëpër Kosovë. Mësimi ishte ndërprerë në të gjitha nivelet arsimore. U ndaluan gazmendet familjare. Të gjithë u mbyllëm në Karantinë. Edhe nëse dikush do të vdes, s'guxonin të bëjnë vizita ngushëllimi. Punët pranverore u harruan. Mjekët apelonin të kenë kujdes, të mbanin pastërti. Rekomandonin të lajnë duart me sapun, pastaj muret e shtëpisë t'i gëlqerosin, që ishte e vetmja preparat për dezinfektim. Nata kalohej me akth duke pritur mëngjesin e nesërme për ndonjë risi të mirë.. Frika kishte kapluar secilin qytetar. I frikësoheshin vdekjes " masive " Mbase marsi bënte ftohtë, familjeve u ndihmonin me miell e dru. Falë solidaritetit qytetarët nuk vuanin për gjërat më elementare ushqimore si: Qumësht, miell, kripë, vaj etj. Por, u mungonte siguria psikologjike: do të shpëtojnë apo jo?! Secili fliste në heshtje sepse, frikësoheshin mos ndoshta me zë do të trazonin sëmundjen që kërcënonte për vdekje. Plotë dy muaj zgjati ky ankth nga variola vera e zbuluar nga ajo kohë Dr. Xhelal Xhibo, nga e cila, mori me vete 26 persona ndërsa 123 u infektuan në Kosovë, por u shëruan. Erdhi fundi i prillit 1972. Zërat ndryshuan për të mirë. U Tretë Variola Vera fal angazhimit të mjekëve. Unë u lëshova nga spitali. U ktheva në shkollë. Ditari më kish mbet pa nota. Çfarë të bëjë tash ? Nga t'ia nisi. Kish edhe një muaj e gjysmë qē do të përfundon viti. Më duhet t'a kem suksesin e fortë për t'u regjistruar në Gjimnaz që aq shumë e doja. U mbylla në shtëpi, të mësoja. E arrita suksesin thuaja shkëlqyeshëm. Por biologjia ma prishi suksesin.....mos ta zgjasë më shumë. Tani, pas 48 vite, sërish u përhap virusi COVID - 19, coronavirusi. Tash po e përjetoj, në shtëpi. Jam karantinuar.

Kjo më ktheu 48 vite prapa. Më kujtoi marsin e vitit 1972 kur qytetarët ishin futën në karantinë nga variola vera, ndërsa unë në spital. Në 2020 - tën, gati tri javë jemi në karantinë. Heshtje, prej Coronavirusit. Përjashta as një zë nuk dëgjohet. As në fusha, as në qytete, përveq disa makina që kanë punë. As shitoret nuk janë të hapura, pos barnatoreve dhe marketeve. Bujqit nuk guxojnë të dalin në fusha, ndërsa mjekët i kanë shpall luftë Coronavirusit. Nga viti 1972 e deri më sot, 2020 Kosova, bashkë me mua dhe qytetarët e sajë përjeton dy herë karantinimin. Një prej Variola Vera mars 1972 dhe Coronavirusit mars 2020. Shumë vende të botës po marrin vendime të ashpra për ta ndal sa ma parë Coronavirusin, vdekjenprurëse. Mjeket botëror dhe të Kosovës, duke sakrifikuar edhe veten, bëjnë punën më të madhe, sepse e donë qytetarin. Elanor Ruzvelt thot: "Bëje atë që e ndien në zemrën tënde se është gjëja ma e shenjtë për ty dhe njerëzimin”.

Mjekët e Kosovës, po e bëjnë këtë me gjithë zemër e shpirt për t'i shpëtuar qytetarët nga ky virus i zi, Koronavirusi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat