Vazhdon gjuetia mizore e tuxharo-pançinjve kundër qeverisë

Opinione

Vazhdon gjuetia mizore e tuxharo-pançinjve kundër qeverisë

Nga: RUSHIT RAMABAJA Më: 19 prill 2020 Në ora: 17:43
Kuvendi i Kosovës

Grushtshteti i 25 marsit 2020 është po aq i paligjshëm sa ai i Serbisë fashiste më 23 mars 1989, kur suprimoi statusin e atëhershëm autonom të Kosovës

Këtu po ndodh një fenomen i rrallë pikërisht në muajt e dergjës globale: populli i Kosovës  (pa përjashtim statusi, gjinie e ideologjie) dhe Qeveria legjitime e saj po vihen në rezik serioz nga gjuetia mizore e mafisë së Lidhjes së Tuxharëve të Isa Mustafës (LDK) dhe mafisë së pançinjve (PAN-it).Të koordinuar mirë, ata po sulmojnë në të djathtë e në të mëngjër, në institucione e jashtë institucioneve me të njëjtën  pashpirtësi që i sulmonte shqiptarët fashizmi serb në vitet tetëdhjetë e nëntëdhjetë. E vetmi mëkat i shqiptarëve ishte pse ishin gjallë. Dhe i vetmi mëkat i qeveritarëve të tashëm është pse duan ta nxjerrin shtetin nga kthetrat makute të tuxharëve e pançinjve. Kur e dëgjon zhganin e gjuetisë tuxharo-pançiste, do të bësh be se do të ketë dalë nga kuzhina e Akademisë serbe. Ngaqë egërsia është po aq barbare dhe mëkati  i shqiptarve është pse po e mbeshtetin masivisht këtë qeveri, e cila, për herë të parë pas 20 vjetësh po flet me zërin e tyre kolektiv.  Kush kish mundur ta imagjinonte se në një rrethak të tillë tragjik do të na mbyllnin njerëzit tanë? Por ata na futën në rrethakun e dyfishtë – të pandemisë dhe të gjuetisë së pamëshirshme. Ende po mungojnë vetëm vrasjet dhe dëbimi i organizuar nëpër botë, që në këto akoma s’po mund t’i bëjnë. Tuxharët e Isës dhe pançistët grushtin e shtetit e bënë njëlloi si Serbia fashiste më 23 mars 1989, kur, po në këtë parlament, me votat e deputetëve, suprimoi autonominë e  atëhrshme të Kosovës. Edhe atëherë i mëshonin zërit se kishin bërë ndryshimet kushtetuese me votat e shumicës. Madje edhe atëhere kish pasur deputetë shqiptarë qe thoshin se pas ketyre ndryshimeve, do te vinte parajsa e vertete. Tridhjetë e një vjet e dy ditë më vonë, më 25 mars 2020, 82 deputetë, servilë, mercenarë e shërbëtorë të mjerë të tuxharëve të Isës, të oligarkëve e të pançinjve egërshanë,  votuan për rrëzimin e qeverisë më popullore dhe më të dashur për të gjitha shtresat në krejt historinë e dy shteteve shqiptare, pra që nga 28 Nëntori 1912. Këtë, përveç shumë sondazheve të tjera të deritashme, e dëshmoi edhe sondazhi i RTV Dukagjinit (emisioni DEBAT) në mbrëmjen e 17 prillit 2020, ku morën pjesë mbi 160 mijë shikues, prej të cilëve për qeverisë Kurti votuan 91 për qind, ndërsa për Mustafë kryetuxharin bashkë me të gjitha partitë pançesha - vetëm 9 për qind. E votuesit me siguri nuk ishin vetëm të LVV-së. Ishte pothuajse i gjithë populli. Kur do të binden deputetët, që ia shitën shpirtin Luciferit, se me këtë akt bënë veprimin më të turpshëm ndaj kombit, atdheut dhe shtetit?

Na sulmuat pabesisht, kur ishim me kufomat nëpër këmbë

Prandaj ky parlament qysh atë ditë e ka deligjitimuar vetveten jo vetem moralisht. Deputeti që voton kundër vullnetit të 90 për qind të votuesve të vet, herëdokur duhet të përgjigjet para gjyqit. Ky mocion, sado që nga ana formale mund të duket në rregull (siç u duk grushtshteti i Sebisë më 23 mars 1989, de fakto është jo vetëm bullizëm politik, por është dhunë e pastër, është puç parlamentar. Ndrushon nga ai i 23 marsit 1989, me të vetmin dallim se atë e kish bërë fashisti Milosheviç, këtë të 25 marsit 2020 e bëri Isë tuxhari, që e pati mësuar diktaturën më të sofistikuar në Shkollën e Kumrovcit dhe krerët primitivë të PAN-it, që kishin pas kujtuar se pas luftës do të duhej vetëm  të plaçkisnin dhe kurrkush të mos ua  prishte tymin e duhanit. Një aleancë e turpit, që nuk do të harrohet kurrë, ngaqë na sulmuan pabesisht në kohë dergje, kur ishim me lot nëpër fytyrë dhe me kufoma nëpër këmbë. Këtë nuk do ta bënte as armiku, po të qëllonte vetëm një çikë i fismë. E doli se tuxharët “akademikë”  s’e kishin lexuaru as Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe as librat e bazave elementare të qytetërimit. Nga pançinjtë as që ka pritur njeri sjellje të fisme. Kundër grusht shtetit të 23 marsit 1989 luftuam 10 vjet, por nuk iu shtruam zgjedhës. As këtë zgjedhë të tuxharëve e pançinjve populli nuk do ta pranojë, pavarësisht sa vjet luftë politike do t’i duhet për t’i mundur puçistët.Paçka se ata do t’i rrëzojë mëkati i vet.    

Të shkojmë me radhë. Këta (Isa me pançinjtë), pasi kishin bërë skenarin e përbashkët që menjëherë pasi të merrej vesh se LVV doli e para, t’i lejonte Vetëvendosjes ta bënte Qeverinë sa për të thënë bota “sa demokrat ky presidenti, që e thërret veten Gjarpër” dhe pastaj, pa i dhënë kohë t’i çilte as sytë mirë, ta rrëzonin. Megjithatë presidentit nuk i bënte goja t’i thoshte po, prandaj e zvarrisi kryetuxharin rreth katër muaj.

 Tashmë është e sigur se ky tuxhar i rrëgjuar këmbë e krye është në shërbim të Hashimit. Njëlloj si më 2014 kur i la në lloç dhe në gjysmë të natës iku te Thaçi. Në këtë pikë është fajtor edhe Albini, që ka mundur t’i besojë njeriut që njëherë e kish prerë në besë. Madje pa u skuqur fare. A është i shantazhuar për, siç flitet, 50 milionët e trepërqindëshit, që i paskan zhvatur me Bujar Bukoshin dhe ua paskan humbur gjurmët? A është për shkak të presionit nga disa prej tufës së tij të tuxharëve,  që me fije të padukshme janë të lidhur me hajdutët e mëdhenj të PAN-it? A është në shërbim të Thaçit thjeshtë nga instikti i moçëm i deles së plagosur? Jam i prirur të besoj më shumë në këtë të fundit. Megjithatë, kurrgjë nuk e arsyeton barrën e mëkatit, që ia ka hedhur vetes ne shpinë. Nuk guxon të flijohet e ardhmja e fëmijëve tanë për ambiciet e sëmura të një tuxhari.

Më në fund i dha leje që ta bënte formalisht Qeverinë, por me një kusht – që menjëherë pashpirtësisht ta rrëzonte. Gjatë atyre katër muajve zvarritës, herët në mëngjes kryetuxhari i gjorë nisej çalë-çalë drejt selisë së presidentit, i binte në gjunjë dhe i lutej duke iu përgjëruar deri në qiell që të lejonte ta bënin njëfarë Qeverie vetëm sa  për t’u hedhur hi syve votuesve të vet se “qe e bëmë ashtu siç keni kërkuar, por po na vjen turp të na shohë dikush me këta batakçinj, me këta banditë, me këta rrugaçë, me këta konfliktuozë, që nuk i do kurrkush nga bota demokratike dhe nuk besojmë se do të mund ta shtyjmë larg bashkë.” Gjatë  atyre muajve zvarritës përpara se të  nënshkruhej koalicioni, krerët tuxharë të LT-së së Isës nxirrnin gjithfarë proçkash që të shtyhej sa më shumë krijimi i Qeverisë, prej asaj se Albini asnjëherë nuk ishte parë i pëulur te varri i presidentit historik (që ishte shumë fyese, veç të tjerash, për nivelin intelektual të tuxharëve “akademikë”), e deri te herezia tjetër se askush prej këtyre të LVV-së nuk kish denjuar t’ia mbante zhagun Vjosës, së paku sa për të dëshmuar se ishin xhentëlmenë, se ishin modernë. E do të duhej, në qoftë se jo vetë Albini, bile Xhelal Sveçla! “Mylleni gojën e mos flisni më në emër të Vjosës!” – kish bërtitur ajo. Atëherë i doli përpara Agim Veliu, i kërleshur si të kthehej ato çaste nga  byrlykja lëndinave të Bradashit. “Dëgjo grua, i tha, këtu ka burra dhe fjala e tyre është ligj. Pra, as burrat me një barrë mustaqe s’do të guxojnë ta shkelin atë fjale, e lëre më gratë. Dhe dëgjo! Nuk do të guxosh të pështillesh më kafeneve me burrat e tyre terroristë e antiameikanë!” Vjollca e pa me ngulm dhe ia dha një të qeshure në kupë të qiellit. Pastaj i ktheu krahët dhe iku pa u përshëndetur. Ky, që tufa e tuxharëve ia kishin mbushur mendjen se ishte i fuqishëm sa Demi i Përrallës, që mbante Tokën në brirë, ende po jetuaka në mesjetë! Nëna ime!- tha vetmevete ajo. Më nuk u përshëndetën, ndonëse ai vazhdoi ta kërcënonte pas krahëve.

Të dëgjohet zëri i Akademisë dhe i ambasadorëve të QUIN-it

Pas mocionit, gjuetia e tuxharo- pançinjve vazhdoi edhe më barbarisht. E akuzuan qeverinë për gjithçka, veçan që s’po dinte ta menaxhonte këtë dergjë të madhe. Kur endeishin vetëm 19 të infektuar dhe asnjë të vdekur, presidenti vetë kërkonte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa vetëm disa orë më vonë, pas shpalljes së masave mbrojtëse nga ana e qeverisë, po ky dinjitar  me zë të lartë, madje duke përsëritur nga dy herë, u thërriste qytetarëve e policisë që të mos i respektonin këto masa. (Në mes rreshtave të kësaj thirrjeje kemi mundur të lexojmë: Vraponi sa më shumë, bridhni, shëtisni, përqafoni njëi-tjetrin, pra infektohuni sa më masivisht, madje dhe vdisnin heroikisht, vetëm mos ja dëgjoni fjalën Albin Kurtit!) Gjykata Kushtetuese (që në të shumtën e rasteve punon sipas diktatit të Thaçit), pas ankesës së presidentit, Qeverinë edhe e nxori, edhe nuk e nxori fajtore. Tha se këto masa ishin antikushtetuese ( që të mos hidhërohej presidenti), jo pse shkilte të drejtat e njeriut, por ngaqë do të duhej të bëhej sipas një ligji të miratuar në Kuvend. Dhe u dha kohë deri më 13 prill që ta bënin këtë. Vjosa Osmani, kryetarja, u përpoq që ta procedonte në Kuvend menjëherë, por ishte e pamundur. Atje ia kishin zënë pritën vetë deputet puçistë të partisë së saj. Ishin agresivë sidomos Driton Delmanaj e Arben Gashi. Ata ishin të egër, me gojën plot shpifje e kërcënime. Madje, nuk e lanë ta procedonte as herën e dytë. Ndërsa për derën tjetër kish dalë Abdullah Hoti dhe thërriste në kup të qiellit se kjo Qeveri po shkilte të drejtat e njeriut, këtë Qeveri duket hequr nga froni sa me shpejt që të jetë e mundur, duhet ta shpëtojmë popullin nga diktatura e saj. Dhe PDK, kryepançesha, u ngut ta dërgonte në Kushtetuese.Lidhur me këtë diplomati shqiptar Islam Lauka shkroi: “...Kleptokracia (hajnokracia) e Kosovёs ёshtё ngritur nё kёmbё kundёr vendimit tё qeverisё nё detyrё pёr kufizimin e lёvizjes, nё kuadёr tё masave pёr parandalimin e pёrhapjes sё COVID-19, duke e quajtur atё si antikushtetues, shkelje flagrante e tё drejtave tё njeriut, ndёrsa Albin Kurtin si xhelat dhe diktator. Na u shqetёsuakan pёr tё drejtat e njeriut ata qё dyshohen se i kanё duart e lyera me gjakun e Astrit Deharit; ata qё ditёn pёr diell, nё kundёrshtim me kushtetutёn dhe konventat ndёrkombёtare, i rrёmbyen 6 shtetas turq nё Kosovё, pёr t’ia dorёzuar autokratit Erdogan (nё kundёrshtim mё kёshillёn e Uashingtonit)...”

Këta që qe një muaj e gjysmë s’kanë bërë gjë të dobishme për këtë popull të mjerë,, vetëm janë marrë me linçime e shpifje, në mos askush tjetër do t’i rrëzojë mëkati i vet. Këta e kanë humbur të drejtën të flasin për humanizëm, për moral, për patriotizëm, për atdhe. Çdo fjalë e dalë nga goja e tyre është vetëm hipokrizi.

Kundër kësaj gjuetie të egër të tuxharo-pançinjve duhet të ngriten më zëshëm në radhë të parë Akademia e Shkencave dhe Arteve, intelektualët, shoqëria civile, asociacionet e shkencës e te krijuesve të artit dhe gjithë shoqëria. Gjuetarëve të egër të Isës e te PAN-it presim t’ua tërheqin vërejtjen edhe ambasadorët e QUINT-it, t’u tregojnë me hapur e më konkretisht se t’i hapen popullit plagë të dyfishta në kohë të pandemisë, është e dëmueshme me të gjitha ligjet dhe në gjithë botën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat