Nuk është marre me thënë jo

Opinione

Nuk është marre me thënë jo

Gëzim Muçolli Nga Gëzim Muçolli Më 22 prill 2020 Në ora: 18:11
Richard Grenell

Sot është një mjegull e madhe para syve tonë në emër të miqësisë. Neve gjithmonë na kanë thënë se jemi mikpritës dhe nga studiuesët vlerësohet shumë neni 602 i Kanunit të Lekë Dukagjinit mbi shenjtërinë e mikpritjes shqiptare. Edhe në kohë lufte e kemi ndjekur zakonin e lashtë të mikpritjes edhe në kullat antike të Junikut kur u ul amerikani i madh Holbruk edhe foli gju më gju me trimat e UÇK-së. Pamjet e odës dhe fytyrat e djemve kosovarë përcollën mesazhin e një lufte të drejtë për mbrojtjen e tokave stërgjyshore me çmimin e jetës.

Edhe në zyrat e LDK-së e patën pritur mirë e më mirë në Prishtinë amerikanin tjetër Gelbard i cili sikur ta kishte ngrënë një çorbë me pasul të prishur doli dhe foli çka deshi e nuk pati kush t'ia prishë muhabetin derisa pasojat e deklaratës së tij i pa krejt bota me pamjet e viktimave të masakruara ku cuclla mashtruese e bebes disamuajshe të masakruar shkundi ndërgjegjjet e asaj bote që betohet në demokraci dhe liri njerzore. U desh që Amerika të ndërronte njeriun e terrenit dhe politikën e vet.

Rasti (më i pavolitshëm) historik i takoi një njeriu me pamje elegante prej zotëriu të shkolluar me syza që të krijonte përshtypjen se me siguri kishte studiuar shumë. Nuk u desh shumë per t'ia mësuar emrin Kris-it të quajtur Christopher Hill dhe të familjarizohemi me fytyrën e tij të një diplomati që as kur lodhet tmerrësisht nga historia dhe urrejtja ballkanike nuk e ka vështirë ta fshehë bezdinë me buzëqeshjen e ngrirë diplomatike.

Natyrisht se e kishte lehtë sepse vinte nga shtëpia e madhe e demokracisë e quajtur USA dhe kishte Billin e madh që ia rrahte shpatullat. Besoj se nuk e keni harruar se sa herë ai ngjitej rrugëve të gurta të maleve të Kosovës së përflakur dhe ulej në odat e Dragobilit e të fshatrave të tjera të Zonës së Lirë të çliruar nga ushtarët trima të Uçk-së. Jo vetëm protagonistëve që uleshin me të sidomos Z.Jakupit dhe Z. Hashimit me fletore në dorë po edhe neve na kujtohet ende sa herë e patën kthyer me duar thatë Krisin e dashur e të paepur. Hill-in e vyer e shihnim pas disa kohësh të shkonte përsëri në odat tona dhe kishim përshtypjen se e kishte mësuar përmendësh rrugën e Dragobilit. Sa herë e ndërroi Kristofer Hilli tekstin e propozimeve per Kosovën e pasluftës? Sa herë thuhej se mos ishte tepruar dhe ndoshta Amerika do të na kthente shpinën? Por një dihej e sigurtë: askush nuk mund ta vinte në pikëpyetje se Kosova pas luftës duhet të ishte e lire dhe e pavarur. Edhe me çmimin e gjakut e të sakrificës . Tash pas 12 vitesh të pavarsisë Amerika prap na dërgoi një njeri të vetin. Përsëri ne e dimë se USA është roje dhe simbol i demokracisë në botë. Po e shohim por nuk e kuptojmë saktësisht pse po i ngutet këtij zotëri Grenell-it dhe nuk është se Amerikës i ka ngelur qerrja me kashtë në therra pikërisht në Kosovë.

Derisa Kristofer Hill i shtorri disa palë këpucë udhëve të Dragobilit në zjarrin e luftës , pse ky tjetri tash mos të endet më shpesh e ta mësojë pak më shumë gjeografinë e bukur të Kosovës. Na dijmë të jemi mikpritës por edhe na kanë mësuar jeta dhe pikërisht miqtë historikë amerikanë se nuk është marre me thanë Jo kur e do puna.

Image
Kristofer Hill

Grenelli është bir i Amerikës e nuk është se pas tij nuk do të lind më dielli. tekefundit e kemi pasur edhe një ambasador amerikan që quhej D(i)ell dhe zgjidhte edhe kryetarë të Republikës në emër tonin. Kushedi se ku është Delli sot. Nesër ndoshta edhe Grenelli nuk do të na kujtohet per kushedi se çka. Sepse ne Grenellin e japim po Amerikën s'e japim kurrë. As pas zgjedhjeve të vjeshtës në Amerikë. Mos të ngutemi tash se kush ngutet perm...tet. Ta ruajmë të pastër historinë dhe ambientin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat