Kush po manipulon me votën?

Opinione

Kush po manipulon me votën?

Nga: Skender Musliu Më: 24 maj 2020 Në ora: 20:15
Skender Musliu

Insistimi që me çdo kusht të formohet një Qeveri tjetër, ajo e Avdullah Hotit duke anashkaluar partinë fituese e në shkelje të Kushtetutës, e ka rënduar situatën politike dhe sigurinë në Kosovë. Kjo situatë u krijua pas rrëzimit të Qeverisë Kurti kur me iniciativën e LDK-ës në Kuvendin e Kosovës,  PAN-i dhe vet LDK-ja votuan Micionin për mosbesimin e Qeverisë. Duhet theksuar se gjatë fushatës parazgjedhore LDK-ja kishte propozuar Zonjën Vjosa Osmani si  kandidat  për kryeministër, kurse tani ajo anashkalohet dhe për këtë post LDK-ja ka nominuar Avdullah Hotin.

Parashtrohet pyetja, a thua u tradhëtua vota e sovranit ?

Përgjigja është po, sepse Isa Mustafa dhe klika e tij tradhtuan sovranin duke grabitur dhe manipuluar votën për pazare të pista politike. Kurse zonja Osmani i qënroi besnike premtimeve të saja duke lidhur besën me votuesit se do të punojë për një qeverisje ndryshe, për një Qeveri të shpresës që do t’a luftojë  korrupcionin dhe krimin e organizuar. Madje zonja Osmani me veprimet dhe qëndrimet e saja nxorri në shesh skenaret dhe prapaskenat e errëta mes LDK-ës dhe PDK-ës për kidnapimin e pushtetit dhe uzurpiminn e qeverisjes duke shkaktuar pasiguri dhe destabilitet, për interesa personale dhe klanore në korriz të popullit.

Tani a duhet të fajsohet klani Mustafa që bënë pazare për të shpëtuar nga drejtësia bashkë me klanin e Thaqit, apo zonja Osmani që deri në fund po tregohet koherente dhe besnike e premtimeve dhe parimeve në mbrojtje të qytetarit.

Kjo Zonjë, intelektuale, e pashantazhuar, politikisht e moralshme dhe e pakapur nga sistemi, është kundër atyre që nënshkruan « Zajednicën », që votuan Ligjin për Demarkacinon, që mundësuan dhe lejuan formimin e partisë politike e Listës srpska, që është një filialë e Beogradit, kundër atyre që po kërkojnë shkëmbim territoresh dhe ndryshim të kufirit, atyre që instaluan nepotizmin, korrupciuonin dhe krimin e organizuar, atyre që shpërngulën 250 mijë qytetarë, atyre që shkatrruan ekonominë, që privatizuan – plaçkitën pasuritë e Kosovës, kundër atyre që vjedhën Fondin Vendlindja Thërret dhe Fondin e 3%, kundër atyre që punësuan familiarët e tyre duke anashkaluar luftarët e vërtetë që u detyruan t’a braktisin Kosovën për të cilën luftuan, kundër atyre që me politikat e gabuara kontribuan për vetvrasjen e veteranëve të luftës nga zhgënjimi dhe varfëria, kundër atyre...

Deri sa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk lirohet nga uzurpatorët, të korruptuarit dhe të inkriminuarit, ajo asnjëherë nuk do t’a merr të mbarën. Lideri i një partie që me injorancë dhe demagogji thot se qytetari nuk vendosë se kush do të qeverisë me vendin, duke harruar se në demokracinë perëndimore  qytetari është sovrani i cili me votë përcakton qeverisjen kurse Kuvendi me vota e materializon apo konfirmon vullnetin e populliut, sepse gjatë fushatës parazgjedhore çdo parti politike del me kandidatin për kryeministër të ardhshëm dhe mirëfilli dihet se ai si kryeministër formon Qeverinë.

Deri sa në krye të kësaj partie është personi që injoron dhe keqpërdorë votën e qytetarit, njeriu i cili shqiptarët i ka quajtur separatist dhe irredentist, njeriu që me vazalët e tij e kanë rrëmbyer, uzurpuar dhe kidnapuar LDK-ën duke e shëndrruar në një Kompani private për përfitime personale, familiare dhe grupeve të interesit, nuk ka më kredibilitet të udhëheqë me këtë parti.

Prandaj është obligim i gjeneratës së re të bëjë ndryshime rrënjësore dhe t’i kthehet parimeve rugoviane.

Nuk janë korrekt personat që mashtrojnë popullin duke thënë se Bashkimi Europian n’a ka tradhëtur me mosliberalizimin e vezave, sepse Kosova paska përmbushur të gjitha kushtet. E vërteta është ndryshe, BE nuk gënjeu, por politikanët tanë po manipulojnë e sidomos z. Thaqi dhe z.Mustafa me deklaratat e tyre të fundit. Bashkimi Europian Kosovës ia kishte paraqitur dy kushte e jo një, respektivisht Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, dhe kushti i dytë, që politikanët tanë vazhdimisht e kanë heshtur para opinionit, është lufta kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar. Kjo është e vërteta për mosliberalizimlin e vizave, d.m.th. se politikanët e korruptuar mbajnë peng qytetarër e Kosovës. Klasës politike nuk i shpejtohet për këtë proçes, sepse ata udhëtojnë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, kurse populli ngelë viktime e papërgjegjësive të tyre. Deri sa nuk plotësohet ky kushti i dytë, BE nuk do t’a bëjë liberalizimin e vizave, se paku jo para vitit të ardhshëm.

Veprimet e papërgjegjshme dhe antikushtetuese të politikanëve tanë kanë sjellë në vështirësi dhe po sfidojnë  edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Një veprim të tillë antikushtetues ka bërë presidenti Thaqi kur dekretoi Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Kosovës duke anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve të fundit. Kundër këtij dekreti Lëvizja Vetvendosje ushtroi ankesë, dhe Gjukata Kushtetuese, si masë të përkohshme, vendosi t’a pezullojë Dekretin e presidentit.

Nëpër televizione të ndryshme po flitet se Gjykata Kushtetuese mund të përcaktojë një afat për propozimin e mandatarit nga partia fituese.

Duhet theksuar se kjo zgjidhje nuk është zgjedhje, sepse gjyqtarët do të dalin jashta kompetencave të tyre, ngase Gjykata Kushtetuese nuk mund t’a amandamentojë Kushtetutën me aktgjykimet e saja, por ajo mund dhe duhet të bëje interpretimin e Kushtetutës në frymën e saj, e jo t’a plotësoje ate, sepse ndryshimet dhe plotësimet e Kushtetutës kanë një procedure krejtësisht tjetër.

Sido që të jet Dekreti i z.Thaqi është akt antikushtetues, sepse ai nuk ka të drejtë t’a interpretojë,  por vetëm t’a zbatojë Kushtetutën, nga se Kushtetuta nuk ka përcaktuar afatin për propozimin e mandatarit pas rrëzimit të Qeverisë. Konkretisht,  presidenti nuk mund t’a prejudikojë apo t’a përcaktojë në mënyrë arbitrare këtë afat, siç ka vepruar.

Gjykata Kushtetuese, nëse nuk bie nën ndikimin dhe shantazhet e politikanëve, e ka shumë lehtë të vendos këtë çështje juridike mbase ka dy praktika apo raste të njejta, respektivisht janë Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që pas rrëzimit të Qeverisë vendi ka shkuar në zgjedhje të parakohshme. Prandaj edhe në këtë rast Gjykata Kushtetuese, pa hezituar,  duhert të veprojë në të njejtën mënyrë, sepse nuk ka kurfar arsye tjetër të veprojë ndryshe, perpos shantazheve dhe presioneve politike, ndaj të cilave kjo gjykatë në mënyrë imperative duhet t’u rrezistojë.  Çdo Aktgjykim ndryshe do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Aktgjykimet e vet kësaj Gjykate.

Zgjidhje e kësaj çështje për Gjykatën Kushtetuese duhet të jetë edhe më relaksuese sepse kemi dy ekspertë juridik, dy profesorë univerzitar të fakultretit juridik, një nga dy hartuesit e Kushtetutës të Republikës së Kosovës, Zotin Riza Smaka i cili që nga fillimi i kësaj krize në mënyrë eksplicite ka thëne se pas votimit të mosbesimit të Qeverisë Kurti, vendi duhet shkojë në zgjedhje të parakohshme, po ashtu edhe Zoti Arsim Bajrami, i cili është anëtarë i PDK-ës publikisht është shprehur se nuk ka alternativë tjetër  përveç zgjedhjeve të parakohshme.

Fatkeqësisht në Kosovë janë krijuar dy mazhoranca, mazhoranca parlamentare, e politizuar, e cila përmes pazareve të politike duan t’a dhunojnë votën e qytetarit për të shpëtuar nga drejtësia, dhe mazhorance popullore, e cila votoi për ndryshime dhe një qeverisje të re.

Prandaj veprimi më real do të ishin zgjedhjet e reja, me ç’rast sovrani do të vendosë se kush ka të drejtë, mazhoranca parlamentare apo mazhoranca popullore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat