Perfeksionizmi dhe “Demagogjia politike”

Opinione

Perfeksionizmi dhe “Demagogjia politike”

Nga: Arbnor Sadiku Më: 26 maj 2020 Në ora: 10:07
Arbnor Sadiku

Perfeksionizmi është i mundur apo jo, kjo ka qenë dilemë e vjetër e shumë studiuesve të politikës, por sipas Hëlderlinit, “Ajo që e bën shtetin një ferr mbi tokë, është pikërisht përpjekja e njeriut për ta shndërruar shtetin në parajsë”.

Andaj, edhe unë në këtë shkrim do mundohem sadopak të trajtoj në aspektin teorik, perfeksionimin dhe demagogjinë e politikës, sepse siç dihet në praktik mund të jetë e vështirë të gjendet kufiri në mes të demagogut dhe perfeksionistit. Por, dallimi teorik në mes të këtyre dy teorive sipas politologut Xh.Sartori qëndron se perfeksionizmi është gabim i një intelektuali i kryer nga intelektual, kurse, demagogjia është një llogari e leverdishme. Pra, teoria mund të luftoj teorinë e keqe por jo praktikën e keqe, d.m.th demagogjinë.

Pra, me fjalën demagogji nënkuptojmë, mashtrimin e popullit nga politikanët, duke i joshur me fjalë të bukura e me premtime të rreme për t'i bërë për vete për qëllime e synime të caktuara politike, apo thënë më saktë qëndrim i politikanëve me dy fëtyra, që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë, me fjalë të bukura e të zbrazëta që kanë për qëllim të mbulojnë e të shtrembërojnë të vërtetën.

Demagogu është një kafshë natyrore, e cili mashtrimin e ka profesion, dhe që do të ekzistoj gjithmonë por, nëse i hiqen alibitë perfeksioniste, apo thënë ndryshe prapavijat intelektuale, ai bën më pak dëm shoqërisë.

Para së gjithash, duhet cekur se sipas shumë studiueseve të shkencave politike, demokracia funksionon mbi konkurrencën e partive politike, sikurse ekonomia e tregut në konkurrencën e prodhueseve, por, duhet cekur edhe anën tjetër se analogjia në mes të tregut politik dhe ekonomik nuk qëndron aq shumë, pra, një krahasim i tillë mund të bëhet si formë, por jo edhe si koncept. Ndryshimi ekziston në faktin se konkurrenca në mes të prodhueseve ekonomik i nënshtrohet kontrollit të konsumatorëve, që i konsumojnë ato produkte, dhe se pra, janë në gjendje të bëjnë kontrollin në mënyrë të prekshme mallrat që ju ofrohen.

Kurse, konkurrenca midis partive politike i nënshtrohet një shoshitje shumë më pak të efektshme, sepse në këtë rast mallrat nuk janë aq të prekshme dhe të gatshme për përdorim.

Shto këtu edhe faktin që konkurrenca ekonomike i nënshtrohet edhe ligjit, dhe se mashtrimi në tregti ndëshkohet, ndërsa, mashtrimi politik ligjërisht mbetet i pa ndëshkuar. Tregtari që shet produkte të prishura apo pa afat, do të ndëshkohet nga kontrolli ligjor, kurse, politikani që shet tym, gënjeshtra, si dhe propagandë, shpesh arrin ta shes atë si të vërtet, dhe me burg nuk dënohet.

Në kontekstin që po flasim, dallimi është se në politik konkurrenca e pandershme dhe mashtruese, si dhe demagogjike, mbetet e pa ndëshkuar, dhe shpesh është dobiprurëse për demagogun. Ligjërisht ne si shtet dhe shoqëri jemi ta pafuqishëm ta pengojmë, dhe ndëshkojmë atë. E vetmja mundësi për të korrigjuar është të kemi një publik që nuk lejon të mashtrohet, të paktën jo në shumicë, dhe jo tërë kohën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat