Pozita që përfaqësohet - Bota Sot
Pozita që përfaqësohet

Opinione

Pozita që përfaqësohet

Nga: Bajram Selmani Më: 12 korrik 2020 Në ora: 12:20
Bajram Selmani

Kurdoherë kur flitet për pozitën shoqërore të individit, pjesëtarë i ndonjë etnikumi të caktuar, zakonisht mendohet për vendin që dikush e zë ndërmjet të tjerëve ose në detyrën me përgjegjësi brenda një institucioni shoqërorë ose shtetëror. Shtete demokratike në periudha të caktuara kohore organizojnë zgjedhje përmes të cilave i legjitimojnë njerëzit në pozita të caktuara në institucionet e shtetit. Legjitimimi bëhet në mënyra të ndryshme: përmes zgjedhjeve, emërimeve dhe hapjes së konkurseve ku kërkohet profesionalizëm për ushtrimin e profesionit.

Ndërkaq, ka shtete përbërja etnike e të cilave është shumë heterogjene ose në të shumtën dominon një grup etnik ndaj grupeve të tjera që janë më të vogla e të papërfillshme; dominon  një grup më i madh ndërmjet grupeve gati po aq të mëdha, por për rrethana historike e kulturore janë më të nënshtruara; grupet e ndryshme etnike janë në rivalitet të përhershëm, për pasoj shtetet e tilla janë më pak stabile e më pak të qëndrueshme, përkatësisht stabiliteti i tyre varet shumë prej ekuilibrit të tyre si dhe shtete ku grupi bazë etnik është aq i madh sa jo vetëm nuk cenohet prej grupeve të tjera etnike por e afirmon kulturën e tyre si pasuri kombëtare. Në shtetet demokratike me traditë, ky ekuilibër ndërmjet grupeve të ndryshme etnike gati se është i padukshëm dhe i papërfillshëm, ndërsa te ato me më pak traditë e më pak kulturë për ekuilibrimin ndërmjet grupeve etnike kemi më shumë përplasje, më shumë paqëndrueshmëri shoqërore deri edhe në konflikte të hapura ndërmjet tyre. 

Zanafilla e përplasjeve ndërmjet grupeve të ndryshme etnike rrjedh mu prej pozitës së individëve të caktuar nëpër institucionet e shtetit e të shoqërisë. Grupi më i madh etnik më shumë e imponon vullnetin e vet politik që individët nga origjina e tij të jenë në pozita shoqërore më me përgjegjësi për shoqërinë-shtetin dhe zgjedhje e tyre bëhet përmes një procesi seleksionimi pozitiv, ku më të aftit më shumë do të vijnë në shprehje. Ndërsa te grupet tjera etnike, duket se më pak e imponon vullnetin e vet politik për zgjedhjen në pozita më të ulëta shoqërore-shtetërore dhe zgjedhjet bëhen nëpërmjet një procesi seleksionimi negativ, mundësisht ai që është më pak i aftë më shumë të vij në shprehje. Me këtë imponon kompleksin e vlerës më të ulët ose më pak vlerë, që pjesëtarët e grupit këtë ta përjetojnë si nënçmim e ofendim dhe konfliktin prej jashtë ta bartin brenda grupit. Grupi etnik, në vend që të zhvillohet baras grupit-ve tjera, ai vazhdimisht përballet me konflikte të brendshme, më së shumti me dukuri psiko-patologjike si dhunë në familje, alkoolizëm, tregti të palejueshme, kleptomani, prostitucion, migrim të palejueshëm, narkomani, ekstremizëm fetare etj.

Pozita shoqërore-shtetërore, është shumë me rëndësi si për barazinë, jo diskriminimin e komprometimin e grupit tjetër etnik, për arsyen e thjesht: njeriu me pozitë me përgjegjësi është ndihmesë dhe zgjidhje e shum problemeve të ndryshme të qytetarëve, është krijim i dinjitetit njerëzor që duket ndaj palëve të qytetarëve kur ju drejtohet, është kulmi i humanizmit ndaj halleve të qytetarëve. Po nëse pozita “zihet” e pamerituar, atëherë bëhet burim i të gjitha të këqijave të mundshme. Fatkeqësisht grupi etnik dominues në shtet shpesh herë imponon te grupi i tjetër më pak i “imponueshëm” e me shkallë më të ulët të vetëdijes e kulturës, që njerëzit në pozitë me përgjegjësi shoqërore-shtetërore të jenë sa më të pakualifikuar, të inkriminuar, të dyshimtë për vetëdijen e tyre etnike dhe të gatshëm të koketojnë me grupet rivale etnike e me grupe të ndryshme kriminogjene që mund të ju ofrohen.

Individët e emëruar në pozitë të caktuar, që janë rezultat i kompromiseve etnike, por që njëra etni dominuese më shumë ndikon në mënyrë të “dukshme ose të padukshme” në përzgjedhjen e tij, ai do të jetë pastaj pengesë për shumë të tjerë që varen prej tij, duke penguar avancimin e detyrave që varen me pozitën por edhe vartësit e tij do ti burokratizoj deri në nivele banale të mundshme. Ai do të humbë kontaktin me realitetin, i vetëdijshëm ose i nen-vetëdijshëm, pozita e tij do të bëhet qëllimi më i lart i tij, e jo të mbetët me përgjegjësi shoqërore, e çështje mandati.

Të dy grupet etnike rivale me njëra tjetrën udhëtojnë në mënyrë paralele me vetëdije të ndryshme për shtetin dhe pozitën e individit në të. Ndërsa kur janë në pyetje interesat e biznesit dhe grupet e njerëzve që përfaqësojnë ato, dallimet fshihen!

Ne jemi dëshmitarë, të shpeshtë, të kësaj dukurie aspak fatlume për etnikumin të cilit i takojmë. E përjetojmë më shumë se fatkeqësi, por individët me përgjegjësi në të shumtën e rasteve bëhen të papërgjegjshëm dhe lejojnë të kalojnë edhe kësi anomalish, dike u dukur se nuk hetohen prej opinionit dhe favoret e tyre të duken si të drejta.  

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat