Debat mes miqsh për shtrirjen gjeografike të ilirëve

Opinione

Debat mes miqsh për shtrirjen gjeografike të ilirëve

Nga: Merxhan JAKUPI Më: 1 shtator 2020 Në ora: 11:02
Merxhan JAKUPI

Sa herë që nisesha për  pushime në vendlindje, shumë vite më parë, duke udhëtuar me tren apo me makinë, që nga kufiri në hyrje të ish-Jugosllavisë, tash në Republikën e Sllovenisë, vështroja me emocione dhe me interesim të madh gjithë ato emërtime gjeografike gjatë rrugës, që mbanin prefiksin ilir: "Ilirska Bistrica", "Ilirska Reka", "Ilirsko Jezero" etj. Në atë periudhë kam qenë i frymëzuar dhe i indoktrinuar me romantizëm dhe nacional-patriotizëm. Kisha të ngarkuar kokën me do mendime hipotetike, që po qe se s'do të pushtoheshin këto toka ilire nga sllavët, duke filluar nga kufiri austriak, e deri në Sarandë e Çamëri, fiset ilire: albanët, ardianët, dalmatët, dardanët etj., si paraardhës të shqiptarëve, do të përbënin kombin shqiptar në këtë hapësirë kolosale gjeografike, me demografi të rëndësishme në kuadër të kombeve evropiane, si Gjermania, Anglia dhe Italia. Me kalimin e moshës, dalëngadalë u shkëputa nga këto hipoteza, mite dhe versione historike. Në fund, në kontekst historik, sipas shumë hipotezave dhe versioneve që i kam lexuar nga studiues të Evropës juglindore, si nga historiani e publicisti kroat, Pero Zlatar, i cili pohon se po të mos pushtonin sllavët bregdetin Adriatik dhe pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik, fiset ilire do të ndaheshin në disa shtete, në etnitete ose në një shtet-komb, i hapur që nga veriu deri në jug të Bregdetit Adriatik, duke përfshirë gjithë sipërfaqen që kishte ish-Jugosllavia, pastaj të Shqipërisë dhe një pjesë të veriut të Greqisë dhe Bullgarisë.

DIVERSITETI ETNIK E KULTUROR NË BALLKAN

Para një dekade, me familjen isha në pushime në rivierën turke, në Antali. Në dalje të aeroportit të Shkupit, duke i dhënë pasaportën policit të doganës, kolegu i tij tha: "Ja, këta me xhepa të thellë po shkojnë në pushim në Antali!" Në hotelin ku u vendosëm, më se gjysma e turistëve ishin rusë, ndërsa një numër edhe nga shtetet perëndimore. Në hotel kishte edhe serbë, boshnjakë dhe turistë nga Shqipëria. Turistët nga Perëndimi, numri më i madh i të cilëve ishin gjermanë, mendonin se turistët nga ish-Jugosllavia janë rusë.

Një çift gjerman që ishte i pakënaqur, kërkonte që të transferohej në ndonjë hotel tjetër. Në hotel dhe në plazh vëreja diversitetin kulturor, disiplinën, edukatën dalluese të turistëve perëndimorë, nga ata  rusë dhe ballkanas. Tek perëndimorët vëreja se gjithnjë përshëndetnin dhe në fund falënderonin. Në mëngjes, para kafjallit, pinin kafe, merrnin gazetën dhe flisnin me zë të ulët. Pasi largoheshin, gazetën e kthenin te vendi dhe karrigen e shtynin rreth tavolinës. Pastaj pashë dy tavolina, prej nga u ngritën dy rusë. Tavolina ishte lënë në rrëmujë të vërtetë: pas ngrënies së shujtës, gotat me pije dhe filxhanët ishin lënë gjysmë të pirë e të shpërndarë andej-këndej, gazetat e grisura dhe karriget e kthyera mbrapsht. Kontrast i madh mes sjelljes së perëndimorëve dhe të këtyre nga lindja. Rusët dhe ballkanasit mbushnin pjatat sa s'bëhet me gjellë, desert e pemë dhe pastaj i lenin për gjysmë.

Duke ecur shtegut për në plazh, një burrë hodhi lëvoren e bananes në tokë. Një zonjë e moshuar mori lëvoren dhe e hodhi në shportë. Unë me një koleg maqedonas ishim në plazh bashkë me dy djem anglezë, duke luajtur bilardo. Në fund, ne fituam sfidën e lojës. Rivalët tanë me buzëqeshje dhe humor na e dhanë dorën dhe na sollën nja dy birra. Kolegu maqedonas, i fascinuar, më tha se ata ishin fitues dhe jo ne. "Unë bëra një djallëzi, fshehur hodha topin në vrimë!" Unë i thash kolegut se ata e kanë hetuar këtë mashtrim. "Punoj e jetoj në Perëndim dhe e njoh mirë qytetërimin, kulturën dhe emancipimin perëndimor. Ata me siguri kanë thënë mes vete: O, ju të marrë, o ju mjeranë, ne ju njohim, por ju nuk e njihni as veten!" Një profesor nga Shkupi, dukshëm i befasuar, u shpreh se është dëshpëruar nga qytetërimi, edukata dhe emancipimi i rusëve, për të cilët kishte mendim të mirë.

KONTRADIKTA MES PJESËTARËVE TË ETNIVE TË NDRYSHME

Shpesh herë, në mëngjes, me ata që u njoftuam në pushime, dilnim në plazh dhe pinim kafenë bashkë. Një burrë i moshuar nga Beogradi hapi muhabetin: "Kemi jetuar në vëllazërim-bashkim dhe në fund luftuam mes vete, duke u bërë armiq". Ky zotëria ishte shtatlartë, me flokë të thinjur dhe fliste anglishten me aksentin rus. "Kam qenë drejtor i fabrikës së çimentos në Elez-Han të Kosovës, ndërsa pesë vjet kam punuar në fabrikën e çimentos në Shkup". Njëri prej nesh, dukshëm i emocionuar, iu drejtua zotërisë: "Vëllazërim-bashkimi ishte për ju sllavët, zoti Mihajloviq!" Ai u përgjigj: "Shumica e popujve që kanë qenë të afërt ose kanë pasur të njëjtin etnitet, gjuhë dhe kulturë, po ashtu kanë bërë luftëra si ne sllavët", pastaj me një sens humori, m'u drejtua mua: "Edhe me ju shqiptarët jemi të afërt dhe kemi lidhje gjaku. Për shembull, po të bënim një test ADN-je, unë mbase dal me 70 për qind me origjinë shqiptare dhe 30 për qind sllave!" Unë, duke buzëqeshur i ktheva: "Më falni që ju ndërpres, ne shqiptarët nuk jemi një etnogjen me sllavët, si të një toke dhe gjaku, s'jemi as fis as farë!"

Z. Mihajloviq vazhdoi debatin: "Në mesjetë, popujt ballkanas kanë qenë më komunikues. Ka pasur martesa të përziera, nuk ka ekzistuar nacionalizëm. Unë kam lindur në Kosovë dhe po të gjurmojmë origjinën e familjes sime të epokës para osmane, nuk do ta zbulonim gjenin". Duke shijuar rakinë turke, me një pallomë fshiu djersën e ballit: "Me depërtimin e sllavëve në fillim të shekullit shtatë, nga Karpatet për në jug, ata si ardhacakë u bënë pushtues dhe dalëngadalë ua imponuan vendësve gjuhën dhe kulturën, por në fund edhe i asimiluan fiset ilire.

Profesori nga Universiteti i Shkupit tha se fiset ilire kanë jetuar në periferi, në pjesët rurale. "Kjo ka ndodh për shkak se ata çdo herë kanë qenë të kërcënuar nga pushtuesit dhe armiqtë e huaj, sidomos nga romakët. Fiset Iliri kanë qenë të shpërndarë në Gadishullin Ballkanik dhe nuk kanë pasur mbretëri në kohën kur kanë depërtuar sllavët në Ballkan", shtoi profesori. Ndërhyri z. Mihajloviq: "Rastësia është mbretëria! Fiset ilire po të kishin hegjemoni, të ishin dominues, do t'i asimilonin ardhacakët sllavë. Po të dilnin triumfues, fiset ilire do të pësonin të njëjtin episod peripecish. Nën sundimin e romakëve, bizantinëve dhe osmanëve, fiset ilire do të ndaheshin në disa etnitete dhe qytetërime: perëndimore, lindore, bizantine dhe islame, siç ndodhi me sllavët. Pasardhësit e ilirëve ndoshta do të pësonin të njëjtën tragjedi sikurse ne sllavët".

Njëri nga bashkëbiseduesit, zv. ministër i arsimit në kohën e monizmit në Maqedoni, tha se ai është skeptik se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. "Sipas historianëve dhe arkeologëve nuk dihet nëse vërtet kanë ekzistuar ilirët, pasi që nuk ka fakte për këtë!" Në këtë konstatim ndërhyri miku im që ishte në bashkëbisedim: "Është vërtetuar nga historianë, ekspertë dhe studiues se kanë ekzistuar ilirët dhe se pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë janë shqiptarët". Miku im i tha kolegut maqedonas, "Më vjen keq që ju keni krizë të identitetit dhe nuk di edhe sa herë do ta ndryshoni emrin e shtetit, që është atdheu dhe shteti im". Në fund, miku im, dukshëm i shqetësuar u largua pa një përshëndetje, duke përfunduar kështu edhe debatin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat