Me vdekje, në emër të nderit

Sociale

Me vdekje, në emër të nderit

Nga: Lekë Imeraj Më: 25 shtator 2020 Në ora: 15:11
Lekë Imeraj

Nga të gjitha veprimet që njerëzit i kryejnë në emër të nderit, më barbari është, vrasja e një vajze në natën e martesës, nëse ajo nuk ka lënë njollën e gjakut në çarçaf. Për shumë religjione dhe kultura në gjithë botën, cipa e virgjërisë së femrës ka mbetur një gjë e fetishizuar, simboli më i lartë i nderit. Vlerësohet shumë më tepër se sa vet jeta e femrës. Ky kult ka prejardhje të lashtë. Në Testamentin e Vjetër thuhej: -Vajzat e reja duhet të vriten me gurë nëse nuk lënë gjak në çarçaf, në natën e martesës.

Soloni (640-561), si ligjvënës i Athinës së lashtë, thoshte: -Asnjë qytetar i Athinës nuk do të mund të shitet si skllav me përjashtim të grave që e kanë prishur virgjërinë e tyre para natës së martesës.

LEXO EDHE: Gruaja-viktimë e traditave të përligjura

Në Kinë, në një dogmë neokonfuziane, të kohës së dinastisë Song, thuhet: -Nëse një femër vdes nga uria, për atë është një fatkeqësi e vogël por, nëse ajo humb virgjërinë para natës së martesës, kjo është një mynxyrë.  

Këto teori brutale, të mbështetura fuqimisht nga fanatikët, fundamentalistët, profetët e gabuar dhe besimtarët e rremë, u shpërndanë si një virus epidemie në të gjithë botën, duke u kthyer kështu në motivin kryesor të dhunës mashkullore mbi femrën, në emër të nderit.

Sipas OKB, në gjithë botën, çdo vit vriten 5000 gra dhe vajza, në emër të nderit, të paktën në 14 vende.

Sipas Myria Boehmecke, shifra është shumë më e lartë pasi, në disa vende, organet shtetërorë nuk merren fare me evidentimin e vrasjeve të vajzave dhe grave, në emër të nderit.

Ekzekutimi i vendimeve mashkullore me vdekje, kryhet nga meshkujt e familjes, më së shumti nga vëllezërit dhe etërit, me mjete të ndryshme, jo vetëm vdekjeprurëse por edhe poshtëruese dhe torturuese. Dhe e gjithë kjo, vetëm për faktin se femra, me sjelljet dhe veprimet e saj, ka njollosur nderin e familjes ose të burrit.

Për shumë kultura dhe nacionalitete, nderi i familjes dhe i burrit mendohet femra. Nëse një familje do të jetë e ndershme ose jo, kjo përcaktohet nga sjelljet e femrave, në familje dhe tek burri. Nëse femra guxon të sillet dhe veprojë në kundërshtim me moralin, kulturën, traditën, doket, zakonet dhe besimin e familjes apo mjedisit të cilit ajo i përket, njollos nderin, dhe derës i vihet njolla e turpit. Dhe i vetmi mjet që mund të fshijë njollën e turpit dhe të rikthejë nderin, është vrasja e femrës së “përdalë”. Këto lloje kulturash nuk njohin alternativë tjetër.

Rastet të cilat mendohen, krime në emër të nderit, janë të shumta dhe të ndryshme. Një buzëqeshje e vajzës apo gruas me një mashkull të huaj, edhe atëherë kur nuk e ka parë askush por qarkullon si thash e them, mendohet krim kundër nderit dhe dënohet me vdekje. Të akuzuarës nuk i jepet asnjë shans për të sqaruar pozicionin e saj dhe as për t‘u mbrojtur në lidhje me akuzën.

Shpeshherë ndodh që, thjeshtë për një hamendeshim, të ekzekutohet femra, para se ta marrin vesh të tjerët. Po sikur ta ketë bërë vërtetë? Jeta e femrës nuk është gjë fare në krahasim me nderin e familjes dhe të burrit, prandaj dyshimi mendohet provë e mjaftueshme për ekzekutimin e femrës.

Mashkulli, me të cilin mendohet se femra ka konsumuar figurën e krimit ndaj nderit, në të gjitha rastet mendohet i pafajshëm, me argumentin se, femra është ajo që do ta ketë provokuar atë.

Sipas këtij kodi të moralit të shoqërive dhe popujve patriarkalë, meshkujt janë pronarë të femrave dhe femrat, prona të tyre. Pra kemi të bëjmë me pronarin mashkull dhe femrën send. Dhe pronari ka të drejtë të sillet si të dojë dhe të bëjë çfarë të dojë me sendet e veta. Pronari është gjithçka dhe sendi, vetëm send.

Në familjet patriarkale, nderi i familjes është mbi gjithçka, edhe mbi jetën. Për ruajtjen dhe mbrojtjen e nderit, në këto lloje shoqërisë, janë të ndara detyrat midis meshkujve dhe femrave. Femrat duhet të lindin fëmijë, të mbajnë burrin dhe shtëpinë, dhe të zbatojnë me fanatizëm kodin e moralit. Meshkujt, si pronarë të femrave send, duhet të kujdesen dhe të jenë vigjilentë ndaj tradhtisë së mundshme të gruas apo vajzës. Nëse atyre ju shpëton diçka, goditjen e parë të turpit e marrin ata. Larja e njollës së turpit, me çdo mënyrë dhe mjet, është detyrë e tyre. Presioni i shoqërisë patriarkale mbi burrin, deri në pastrimin e njollës së turpit, është aq i madh sa ai nuk guxon dhe nuk ka se ku të fshihet. Nëse mashkulli nuk vepron për fshirjen e vulës së turpit në derën e shtëpisë, atëherë e gjithë familja dhe fisi leçiten (ndahen nga luga dhe bluda), nga shoqëria. Kjo e bën atë, njëkohësisht, edhe viktimë por edhe kriminel.

Shpesh gratë marrin pjesë në vendimmarrjen me vdekje në këshillin familjar, për femrën që do të ekzekutohet në emër të nderit. Ekzekutimin, gjithnjë e kryejnë meshkujt.

Edhe burrat, teorikisht, mendohen kriminelë të nderit, nëse e shkelin kurorën duke shkuar me femra të huaja. Por, as që mund të mendohet që një mashkull të dënohet me vdekje për gjëra të tilla.

Ajo që e pëson në të gjitha rastet, është femra me të cilën ai kapet, dhe asnjëherë burri. Në kultura të tilla, jeta e femrës mendohet dhe çmohet e pavlerë në krahasim me atë të mashkullit. Arsyeja tjetër është se, vrasja e një mashkulli, sjell gjakun në derë, i cili duhet marrë nga pala e viktimës ndërsa gjaku i gruas, shkon i humbur.

Format e dhunës në emër të nderit, janë të ndryshme. Përveç vrasjes, janë të njohura dhuna psikike dhe fizike. Në dhunën psikike përfshihen, ndrydhja, kërcënimi, presioni, ndjekja, izolimi, kufizimi dhe detyrimi. Dhuna fizike, përveç keqtrajtimit, torturës dhe vrasjes, përbëhet edhe nga dëbimi dhe martesa e detyruar, masa këto ndëshkuese të cilat mund të mendohen dhunë fizike dhe psikike.

Format, mënyrat dhe mjetet që përdoren për ekzekutimin e vendimeve me vdekje, të femrave, në emër të nderit, janë të ndryshme, sipas kulturave të vendeve që i kryejnë ato. Në disa kultura, femra vritet me armë luftarake, diku tjetër, varet ndërsa diku theret me thikë ose mbytet si egërsirat me goditje me sende të forta në kokë. Në disa vende të botës islame, si Afganistan, Iran, Anadoll, etj, femra ekzekutohet me gurë, në një rreth burrash, ku secili e qëllon femrën e mbuluar me një thes derisa ajo vdes. Ekzekutimi bëhet i hapur, me njoftim dhe pjesëmarrje sa më të madhe të banorëve të zonës dhe mendohet ditë feste.

Rasti i ekzekutimit të Shemsies, 35 vjeçare, në Afganistan, me burrin e saj, Halilin, pushtoi mediat nacionale dhe internacionale. Ajo dhe burri i saj, u dënuan me vdekje nga familja e saj për arsye se ajo, para se të martohej, kishte mbetur shtatzënë, me burrin e saj. Shtatzënia e saj para martesës, i kishte vënë vulën e turpit derës së babait dhe kjo lahej vetëm me dënimin me vdekje të asaj dhe burrit të saj. Ky ishte krimi për të cilin të dy u dënuan me vdekje dhe ekzekutimi do të bëhej me gurë. Burri i saj mbeti i vdekur në vendin e ekzekutimit ndërsa Shemsia, me bebin e saj pesë muajsh në bark, e plagosur rëndë dhe e braktisur nga të gjithë. Për shtatë muaj të luftës së saj me vdekjen, në krevat, askush nga familja dhe të afërmit e saj nuk i shkoi pranë shtratit të vdekjes. Ajo nuk guxonte të kërkonte ndihmë mjekësore dhe as mjekët nuk guxonin ta ndihmonin atë. Edhe kur vdiq, si pasojë e plagëve të rënda në vendin e ekzekutimit, u varros nga njerëz humanë, në mungesë të plotë të familjes dhe të të afërmeve të saj.

Një formë tjetër e dhunës kundër femrave në botën islame, në emër të nderit, janë atentatet me acid. Kjo është e njohur në Bangladesh dhe Pakistan. Atentatet me acid nuk kryhen vetëm nga burrat mbi gratë për rikthimin e nderit por, edhe nga gratë, si hakmarrje ndaj atyre grave që kanë guxuar të futen në jetën e tyre private. Në Indi, është i njohur ekzekutimi i grave për shkak të pajës, nëse ajo nuk i përmbahet traditave.

Në vendet me kulturë patriarkale, kujdesi shtetëror për femrën është aq i ulët, sa mund të mendohet i padukshëm dhe i pandjeshëm.

Në nacionalitetet patriarkale, politika, shteti dhe shoqëria, thuajse nuk janë aspak të interesuara për ndëshkimin e kriminelëve, për krimet e kryera mbi gratë. Dëmtimet fizike të grave dhe zhdukja e tyre, nëse dikush pyet, njoftohen si aksidente, vetëvrasje dhe largime në drejtim të panjohur. Në të tilla kultura, ”hygjenizimi” i nderit të familjes nga rreziku femër, është i legjitimuar nga shoqëria, çka do të thotë se, çdo sjellje brenda familjes, me gjininë femër, është thjesht e drejtë dhe kompetencë e meshkujve të familjes, dhe e askujt tjetër. Policia nuk ka shumë për të thënë. Edhe në rastet kur femrat kërkojnë ndihmën e policisë, policia i rikthen ato në familjen e tyre dhe, sapo largohet polici i fundit, ato ekzekutohen.

Njëra ndër arsyet e territ informativ mbi numrin e femrave të vrara për çështje nderi, është fakti se, shumë vajza nuk regjistrohen fare në gjendjen civile si të lindura dhe zhduken si mall pa inventar.

Edhe në ato vende ku ekzistojnë ligje për mbrojtjen e femrës nga dhuna, familjet nxisin djemtë e mitur për të kryer krimin e vrasjes ndaj femrës, për arsye se, për shkak të moshës, ata mund të dënohen pak ose aspak për krimin e kryer.

Dhuna ndaj gruas është shkelje e të drejtave të njeriut, gjë kjo që nuk është parashikuar në asnjë vepër të shenjtë. Megjithëse shumë kultura dhe veçanërisht ato të botës islame, mundohen ta justifikojnë dhunën mbi gruan si diçka qiellore, në asnjë vepër të shenjtë nuk thuhet se, jeta dhe nderi i burrit, janë më të shtrenjta se jeta e gruas.

Vendet me potencial të lartë të dhunës mashkullore mbi femrën njihen botërisht, Pakistani, Jordania, Turqia, Siria, Afganistani dhe Libani. Vrasje në emër të nderit ndodhin edhe në Brazil, Itali, Ekuador dhe Indi, madje, brenda familjeve të emigrantëve, ndodhin edhe në Gjermani dhe vende të tjera Evropiane.

Kultura jonë në trojet shqipfolëse, lidhur me qëndrimin ndaj gruas, është shumë e ngjashme me atë të vendeve islame. Edhe ne i vrasim gratë në emër të nderit.

 

Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat