Shteti shqiptar për gjuhën standarde

Opinione

Shteti shqiptar për gjuhën standarde

Nga: Zymer Mehani Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 07:13
Zymer Mehani

1.Hyrje

Ajo çfarë vihet re këto 20 vjetët e fundit është fakti për një kujdes të shtuar ndaj gjuhës standarde shqipe.Një kujdes të tillë nuk duhet ta kenë vetëm institucionet që merren me studimin e saj, por edhe shteti.Duhet të ketë strategji të institucioneve për mbrojtjen e gjuhës, pastaj duhet të ketë redaktorë në shtëpitë botuese që të kujdesen për botimet që vijnë në gjuhën shqipe, duhet të kenë kujdes të gjithë ata që flasin publikisht në përdorimin e gjuhës standarde dhe të mos përdorin vend e pavend fjalë të huaja.

‘’Të gjitha institucionet e shtetit janë të obliguara të përdorin drejt gjuhën standarde.Madje kjo kërkesë është edhe detyrim ligjor në shumë shtete të zhvilluara.’’

Për vetë faktin se gjuha është pjesë përbërëse e kulturës dhe me që ajo është formim arsimor dhe qytetërues, kombëtar e institucional, shtetëror dhe ligjor, është tregues i identitetit dhe i formimit kulturor të individit, ajo duhet të mbrohet nga shteti me dispozita ligjore, siç ndodhë në shumë shtete perëndimore.Madje me këtë çështje merren institucionet më të larta shtetërore.

Për ne shqiptarët, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, zhvillimet dhe rrethanat politike, është e kuptueshme se kanë ndikuar në krijimin e dallimeve gjuhësore e kulturore.Gjithmonë është punuar për t’i kultivuar divergjencat dhe për t’i penguar konvergjencat e ndërlidhjeve brendashqiptare.Sepse duke e mbajtur gjuhën të ndarë, synohej të mbahej i ndarë kombi, që njëkohësisht nënkuptonte dezintegrimin gradual të së përbashkëtës gjithëkombëtare.

‘’ Nga ky këndvështrim, studiuesit dhe intelektualët kosovarë e kishin parë qysh me kohë këtë tendencë, sidomos të Beogradit zyrtar, andaj të nxitur edhe nga shtysa e interesit gjithëkombëtar, ndonëse në rrethana të ndera politike për shqiptarët në ish-Jugosllavi, më 22 e 23 prill 1968, mbajtën Konsultën Gjuhësore, e cila solli një arritje shumë të madhe jo vetëm në aspektin e zhvillimit shkencor të gjuhës, por edhe në pikëpamjen e ndërlidhjeve të mëtejshme dhe të integrimit gjithëkombëtar.’’

Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (prill 1968), e udhëhequr nga motoja “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare”, vendosi zbatimin e projektit të shtetit amë në gjithë veprimtarinë botuese, shkollore, administrative etj.të shqiptarëve në ish- Jugosllavi, ku deri atëherë përdorej një variant i mesëm i gegërishtes letrare. Ky vendim pati si pasojë ndërprerjen e botimeve në gegërishten letrare edhe në Shqipëri, pa ndonjë ndërhyrje të drejpërdrejtë administrative. Përparimet në përvetësimin dhe zbatimin e normës letrare në vitet në vijim dhe përmasa e gjerë shoqërore e mbarëkombëtare që mori çështja e gjuhës letrare të njësuar i hapën rrugën Kongresit të Drejtshkrimit (nëntor 1972), i cili në Rezolutën e vet përcaktoi se “gjuha letrare shqipe ka arritur në një fazë të tillë zhvillimi, që na lejon të pohojmë shkencërisht se populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar.”

Tashmë kishte një platformë të përpunuar pas një diskutimi jo të vogël, duke e integruar përvojën e mëparshme, dhe me miratim të një opinioni të gjerë, i cili e priste këtë zgjidhje edhe për arsye të nevojave të jetës reale. Mbi bazën e kësaj platforme, që u mbështet pastaj me vepra konkrete gjuhësore, shteti e quajti të zgjidhur problemin e kodifikimit të statusit dhe e ktheu këtë në politikën e vet. Pas botimit të “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973), të hartuar në pajtim me Rezolutën e Kongresit, Këshilli i Ministrave nxori vendimin “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe” (nr. 50, dt. 8.3.1974). Vendimi ishte hapi i parë serioz i shtetit shqiptar për vendosjen e një disipline gjuhësore në gjithë veprimtarinë administrative e shoqërore.

Nëse përdoruesit e sotëm të ligjërimit publik nuk arrijnë ta përdorin shqipen e njësuar në pajtim me rregullat e miratuara, kjo nuk ka të bëjë aq me mangësitë strukturore dhe lëndore të standardit vetë, sesa me shkaqe dhe rrethana jashtëgjuhësore.
Mes këtyre vlejnë të përmenden, para së gjithash, mungesa e një zotimi të qëndrueshëm institucional për ta mbrojtur standardin; mangësitë serioze në mësimin e shqipes së njësuar në shkollat; dhe rënien e prestigjit të standardit vetë në publik, për shkak të përshoqërimit që i bëhet me regjimin komunist, monizmin kulturor dhe politikat gjuhësore totalitare.

2. Zbatimi i standardit në përdorimin zyrtar e publik

Çfarë mungon sot është para së gjithash vullneti për ta imponuar standardin në tekstet publike, vullnet i cili, në rrethana normale, do të manifestohej me pjesëmarrjen aktive të redaktorëve gjuhësorë ose të korrektorëve teknikë, në përgatitjen e teksteve për botim. Siç dihet, dhe siç e tregon përvoja e trajtimit të ligjërimit publik në anglishte, frëngjishte, gjermanishte, rusishte, italishte dhe në çdo gjuhë tjetër që mëton t’i japë formë një kulture qytetare të organizuar, janë pikërisht këta filtra, së bashku me vullnetin institucional në mbështetje të formave gjuhësore të rregullta që sigurojnë mirëmbajtjen e standardit në kohë dhe në hapësirë.P.sh., në Francë përdorimi i standardit mbrohet me ligj.

Për zbatimin e drejtë të gjuhës standarde në përdorimin zyrtar e publik është me interes të ndërmerren nismat vijuese:
t’i kushtohet vëmendje më e madhe edukimit gjuhësor të nxënësve e studentëve në të gjitha institucionet arsimore dhe të ngritet cilësia në këtë veprimtari;
të vihet bashkëpunim i ngushtë midis institucioneve shtetërore dhe institucioneve shkencore, mediale e arsimore për çështjen e përdorimit të drejtë të gjuhës standard;
të ngrihen komisione të veçanta gjuhësore-profesionale në shkallë komunash dhe në shkallë vendi, në ministri të ndryshme etj.;
këto komisione te kenë mbështetjen e institucioneve shtetërore jo vetëm morale, por edhe ligjore;
të kërkohet që asambletë komunale ta fusin në rregulloret e punës përdorimin e drejtë të gjuhës standarde në vendet publike, prandaj edhe përmirësimin e shumë mbishkrimeve të gabueshme në vendet publike;
të kërkohet nga ministria përkatëse që të përgatisë ligjin për përdorimin e drejtë të gjuhës standarde në të gjitha fushat ku do të parashihej edhe sanksionimi ligjor për papërgjegjësitë dhe për shkarjet gjuhësore;
të kërkohet nga Kuvendi i Kosovës që të miratojë ligjin për gjuhën standarde, siç veprohet në shumë vende të tjera;

Lidhur më këtë problematikë prof. dr. Hasan Mujaj mendon ‘‘ vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndryshojë gjendja e tashme e përdorimit të gabueshëm të gjuhës standard në paraqitjet publike.’’

3. Çështja e gjuhës në qendër të programit të Rilindjes

Krijimi i një gjuhe letrare të përbashkët për gjithë shqiptarët, me rregulla gramatikore e drejtshkrimore të përcaktuara, u shtrua si një ndër kërkesat kryesore të programit kulturor të Rilindjes.Veprimtarët e Rilindjes krahas ndjenjave atdhetare dhe bindjes se edhe shqiptarët meritojnë të jenë një ndër popujt e ndriçuar e të zhvilluar, ishin edhe njerëz të ditur, me njohuri të gjera kulturore për kohën. Rilindësit, të mbledhur në ‘’Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip’’, përcaktuan më 1879, përbërjen fonematike të shqipes së shkruar: 36 fonemat që ka edhe sot shqipja standarde, dhe krijuan alfabetin e njohur si i Stambollit, i cili pas Kongresit të Manastirit (nëntor 1908) u zëvendësua me një alfabet krejtësisht latin, por duke ruajtur po atë renditje shkronjash.

Rilindja Kombëtare çështjen e gjuhës e vuri në qendër të programit të vet jo vetëm sepse ajo ishte simboli madhor i identitetit dhe lashtësisë së kombit, por edhe sepse vendosja e shqipes si gjuhë zyrtare ishte hapi i parë dhe shenja vendimtare e pavarësisë. Kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit nisi luftën për një shtet shqiptar, problemi i gjuhës për këtë shtet doli që në hapat e parë të saj. Në Programin e botuar më 15 shtator 1878, ndër të tjera thuhej: “ Gjuha osmane të mbetet si gjuhë zyrtare në letërkëmbimin e vilajetit me Portën e Lartë. Me gjithë këtë në këshillat e gjykatave të përdoret gjuha shqipe dhe diskutimet të zhvillohen në këtë gjuhë.” Aktet e Rilindjes e shtrojnë qartë problemin e njohjes së shqipes si gjuhë kombëtare.Për të gjithë nëpunësit në Shqipëri quhet e detyrueshme të dinë gjuhën e vendit.Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen me këtë rast, se nevoja e një alfabeti të vetëm të shqipes, e cila si zgjidhje historike u arrit në Kongresin e Manastirit, nuk u shtrua me forcë në fund të shek.XIX vetëm për shkak të shqetësimit që sillte prania e shumë alfabeteve, por në radhë të parë sepse shteti shqiptar, që tashmë po projektohej në horizont, nuk mund të konceptohej pa një alfabet të vetëm.Nuk mund të përfytyrohet një shtet, dokumentacioni i të cilit të përpilohet në alfabete të ndryshme.Me fjalë të tjera, ishte shtysa imperative për një gjuhë zyrtare, që përcaktoi edhe njësimin e alfabetit. Madje pas Kongresit të Manastirit shtohet kushti, që të zbatohet alfabeti i tij, siç thuhet në një memorandum të majit 1912: “Gjuha zyrtare të jetë shqipja me shkrimin kombëtar.”

Shqipja u shpall gjuhë zyrtare më 23 shtator 1913, pra thuaja një vit pas shpalljes së pavarësisë.Akti i parë legjislativ në fushën e organizimit gjyqësor kombëtar ishte Kanuni i Zhurisë (13.V.1913), ndërsa akti më i rëndësishëm ishte Kanuni i Përtashëm i administratës civile të Shqipërisë (nëntor 1913).I pari proces gjyqësor në gjuhën shqipe është shkruar në fund të vitit 1912 nga Kristo Floqi, i cili ka hartuar disa vëllime me shkrime juridike dhe tek “E drejta kushtetuese” ka një fjalorth në katër gjuhë.Kadilerët u hoqën menjëherë nga funksioni.

Sado jetëshkurtër që qe Qeveria e Vlorës, menjëherë pasi shpalli shqipen si gjuhë zyrtare të shtetit shqiptar, e nisi punën me krijimin e disa komisioneve për njësimin e terminologjisë ushtarake, të shërbimit postar etj.

Gjatë dy viteve të fundit të Luftës së Parë Botërore (dhjetor 1916 – nëntor 1918) në Shkodër, qendra e zonës austrohungareze të pushtimit që përfshinte pjesën më të madhe të territorit shqiptar, u mblodh Komisia Letrare, e cila synonte caktimin e një gjuhe të njësuar të shkrimit mbi bazën e dialektit të Elbasanit.

Ajo caktoi disa rregulla drejtshkrimore që afronin shkrimin e gegërishtes me të toskërishtes dhe vendosi një numër termash për administratën dhe gjyqet. Praktika dyvjeçare e përdorimit të elbasanishtes letrare si gjuhë e admistratës në zonën austro-hungareze të pushtimit, e cila përfshinte pjesën më të madhe të trojeve shqiptare, shërbeu si mbështetje për dekretin kryeministror të janarit 1923, që caktonte dialektin e Elbasanit si dialekt zyrtar të administratës së shtetit shqiptar. Ndërkaq letërsia artistike, përkthimet, shtypi jo vetëm në vend, po edhe në diasporë, vijuan zhvillimin e tyre sipas varianteve letrare të mëparshme. Madje edhe tekstet shkollore të gjuhës e të letërsisë hartoheshin sipas përkatësisë dialektore të autorit (toskërisht I. D. Sheperi, E. Çabej, N. Resuli; gegërisht A. Xhuvani, J. Rrota, O. Myderrizi etj.).

Ndërkaq Kongresi Pedagogjik i Lushnjes (shkurt 1921) vendosi pranimin e dialektit të Elbasanit në shtypjen e teksteve shkollore.
Gjuhëtarët, vazhdues të drejtpërdrejtë të traditave të Rilindjes, dhanë ndihmesë të çmueshme për një shqipe të përpunuar në ligjet, në dokumentet administrative, në ushtri e në shkollë.Më 1932 u botua i pari fjalor terminologjik ushtarak i gjerë, me rreth 900 terma.

4. Politika liberale e shtetit shqiptar kundrejt gjuhës standarde

Pasi e shpalli veten mbret më 1928, Ahmet Zogu e detyroi Asamblenë Kushtetuese të miratonte edhe Statutin themeltar të mbretërisë dhe kështu në sferën shtetërore u përfshi terminologjia e regjimit monarkist.U vazhdua po ajo traditë e gjuhës zyrtare mbi bazën e elbasanishtes sipas rekomandimeve të Komisisë Letrare. Përfundimisht, do të nënvizonim se në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore shteti shqiptar ndoqi një politikë elastike, madje liberale kundrejt gjuhës standarde. Pavarësisht se atëherë nuk kishim specialistë për planifikimin gjuhësor dhe për proceset e kodifikimt, gjëra të cilat edhe në shkencën botërore janë përpunuar më vonë e prej gjuhëtarëve të sotmë gjithashtu u mësuan më vonë, nuk e teprojmë po të themi se shteti praktikisht u kujdes për shqipen standarde të sferës zyrtare, domethënë në një sferë të ngushtë, por kjo do vështruar jo si e metë, përkundrazi, ishte arritje e dobishme për kohën, madje u ka shërbyer zhvillimeve të mëvonshme si për planifikimin, ashtu edhe për kodifikimin. Dëshmia më bindëse është ndikimi që pati kjo zgjidhje te shqiptarët në Kosovë si një frymë, që erdhi deri në vitet 1960.

Politizimi edhe i çështjes gjuhësore u bë fakt në vitet e Luftës II Botërore. Nuk ka filluar “lufta për pushtet brenda gjuhës” pas Luftës II Botërore, por përkundrazi, gjatë asaj lufte nisi përdorimi i zgjidhjeve gjuhësore në shërbim të luftës për pushtet. Dhe kjo nuk është ndërprerë as në ditët tona.

Me çlirimin e vendit dhe vendosjen e qeverisë së re në Tiranë në nëntor 1944 dekreti kryeministror i vitit 1923 nuk u përfill më dhe në organet e larta të shtetit e të PKSH u përdor kryesisht varianti letrar jugor, ashtu si dhe gjatë viteve të LANÇ. Kjo ishte pasojë e dy faktorëve: së pari, e epërsisë së zhvillimit, të përhapjes e të kodifikimit të këtij varianti letrar; së dyti, e prejardhjes krahinore të shumicës dërrmuese (rreth ¾) të njerëzve të shkolluar në atë kohë, çka pasqyrohej edhe në përbërjen e drejtuesve të dy forcave politike kryesore gjatë viteve të luftës, Partia Komuniste dhe Balli Kombëtar. Akti më i rëndësishëm, që tregonte se kishte nisur një etapë e re ishte vendimi, sipas të cilit nga viti 1950 do të botohej një abetare e njësuar.

Nuk ka nevojë të përmenden gjithë fazat, se si nga terminologjia demokratike e viteve menjëherë pas Luftës II Botërore u kalua te shpallja e hapur e shtetit të diktaturës. Kushtetutës së vitit 1946 iu bënë disa ndryshime më 1950 (botuar në gazetën “Bashkimi’ më 28 korrik) dhe ajo u zëvendësua në dhjetor 1976 me atë që tashmë u quajt Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Vendosja e një shteti ideologjik solli ndryshime të gjera në leksikun e gjuhës zyrtare, të bëra qëllimisht për t’u dalluar nga “regjimi i vjetër” e sidomos për të mënjanuar gjithçka që quhej se i përkiste “rendit kapitalist-borgjez.” U ndoqën të gjitha format sovjetike të organizmit shtetëror, ekonomik, arsimor, kulturor e ushtarak dhe, për pasojë u kalkuan gjerësisht mjetet leksikore përkatëse të rusishtes, ndërsa huazimet si njësi nga rusishtja qenë fare të pakta.

Por, për zgjidhjen e çështjes gjuhësore nuk u ndërmor ndonjë veprim vendimtar. Institutit të Shkencave iu vu detyrë të punonte në atë drejtim. Rregullat drejtshkrimore (1948, 1951) dhe Fjalori i gjuhës shqipe (1954) të punuara nga Instituti i Shkencave merrnin parasysh të dyja variantet letrare, ndërsa prof. K. Cipo si për gramatikën shkencore, ashtu dhe për gramatikën shkollore (të dyja 1949) zgjodhi toskërishten letrare, duke e argumentuar këtë me arsye gjuhësore e kulturore-historike. Gjithsesi, këto vepra ishin fryt i një periudhe përpara se të përvijohej një kthesë e fortë në qëndrimin e shtetit kundrejt gjuhës letrare.

5. Përfundimi

Kthesa për ta përshpejtuar vendosjen e një forme gjuhësore të njësuar ishin dy sesionet shkencore të Institutit të Shkencave të vitit 1952. Nuk ka kuptim ta mohojmë sot se kështu zu fill një politikë gjuhësore e importuar nga gjuhësia sovjetike. Shteti shqiptar e pranoi atë pa asnjë qëndrim kritik jo vetëm se kjo ishte qasja e përgjithshme kundrejt gjithçkaje të lidhur me ideologjinë sovjetike, por edhe sepse nuk kishte rezultate të punës së studiuesve shqiptarë në këto drejtime të ndryshuara.

Rrjedhimisht, më tej gjuhësia u orientua më fort drejt studimeve në kuadrin e institucioneve, sesa në caktimin e menjëhershëm të një norme letrare të njësuar nëpërmjet ndonjë forumi shkencor. Lëvrimi i të dy varianteve në letërsinë artistike, në botimet shkencore, pjesërisht në përkthime e në publicistikë vijoi si më parë. Kësaj gjendjeje i përgjigjen edhe rregullat drejtshkrimore të vitit 1956, të cilat përmbajnë në rastet e nevojshme, edhe udhëzime për format e gegërishtes, ripunimi i këtyre rregullave në vitet ’60 dhe hartimi i projektit të ri të drejtshkrimit (1967), të synuar si drejtshkrim i një forme gjuhësore të njësuar.

Literatura:

Hasan Mujaj, Kërkime sociolinguistike, Faik Konica, Prishtinë, 2012;
Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe, IAP, Prishtinë, 1973;
Dokumente të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Prishtinë, 1978;
Fjalor enciklopedik shqiptar, 2, Botimet Toena, Tiranë, 2008.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat