Çfarë po ndodh me SPAK dhe a është ky vetëm fillimi?

Opinione

Çfarë po ndodh me SPAK dhe a është ky vetëm fillimi?

Nga: Spartak Ngjela Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 10:19
Spartak Ngjela

Mbas sekuestrimit të pasurisë së ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, SPAK filloi arrestimin e krerëve të krimit të organizuar ordiner, që, në vite, kanë blerë drejtësinë e korruptuar.

Çfarë po ndodh?

l.

Asgjë që nuk pritej, gjithçka, që pas ngritjes së SPAK-ut, ishte e pritshme në hapësirën antikrim në Shqipëri.

Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën e Posaçme, i parashikon si struktura kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kurse, vetë korrupsionin e lartë politik dhe krimin e organizuar, ajo e paravendos juridikisht si një strukturë të veçantë kriminale.

Askush nuk e kuptoi qartë kur SPAK-u u ngrit, dhe, edhe deri tani kishte dyshim se përse duheshin lidhur bashkë institucionalisht këta dy aspekte të strukturës antikrim në Shqipëri.

Në çdo shoqëri, të pushtuar me sundim nga krimi, funksionon fuqishëm një strukturë kriminale. Kështu funksionon edhe në Shqipërinë e sotme: Shqipëria sot, është e provuar që rezulton si një shtet me strukturë kriminale.

Tani, gjithsecili beson, se e kupton qartë këtë gjykim: krimi i organizuar, si ai i krerëve të këtij krimi që u arrestuan dje, është i lidhur me politikln e lartë shqiptare.

Dhe arsyeja del shumë thjeshtë nga kjo pyetje: pse nuk janë akuzuar për krime konkrete deri më sot këta individë, por është bërë gjithmonë sikur?

Dhe përgjigjja është e thjeshtë: kjo tegon që këta kanë qenë të mbrojtur nga dy kolona të tjera: nga korrupsioni masiv në pushtetin gjyqësor; dhe nga korrupsioni i lartë shtetëror.

Atëherë, shumë e thjeshte: kjo tregon se këto tri kolona kanë qenë dhe janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Në fakt, ky është realisht vetë spektri i krimi shqiptar, dhe kjo është edhe struktura e tij esenciale.

Si është e sistemuar kjo strukturë kriminale ?

Struktura kriminale në Shqipëri ka pasur dhe ka këtë sistem: Prokuroria nuk hetonte, gjykata e lironte edhe ndonjë të kapur në flagrancë, kurse politika e lartë e korruptuar, ndihmësja e përgjithshme e krimit, punonte me krimin e organizuar për të pastruar rrugën, sepse e ka pasur dhe dhe e ka krahun e vet të forcës, ngaqë, po këtë, korrupsioni e mban edhe si klientelën e vet ekonomike.

Me këtë klientelë kriminale,  korrupsioni i lartë shtetëror pushton territoret, pastron paranë që e kalon në bankat ofshore, vret kundërshtarët në treg që janë biznesmenë të pavarur dhe, kërcënon policinë e ndjekjes penale, gjithmonë në mbrojtje të të tria kolonave kriminale.

Atëherë gjykimi është ky: krimi i organizuar, si falangë force me eksponentët e terrorit, në mbi 20 vjet, ishte dhe është krahu i forcës i korrupsionit të lartë shtetëror.

Ja, këtë krah force kriminal ka goditur SPAK dje.

ll.

Në fakt, arsyeja e re antikrim, nuk kishte mundësi tjetër: goditja antikrim duhej të fillonte kundrejt krahut të forcës që përdor korrupsioni i lartë shtetërorë  në Shqipëri.

Dhe kjo tregon se vetë SPAK-u po drejtohet realisht nga ekspertë perëndimorë që sot kuptohet se janë prezent në Shqipëri. Kjo u pa qartë pikërisht dje që, menjëherë pas goditjes antikrim, doli në media dhe u shpreh ambadadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.

Dhe, në funksion të kësaj daljeje, arsyeja sigurisht që mbështet po me një fakt: dalja e ambasadores aty për aty në mbështetje të arrestimit të krerëve kriminalë në Shqipëri, sigurisht që e provon mendimin se, në këtë çështje shumë delikate, ekspertiza drejtohet nga ndërkombëtarët e rëndësishëm.

Sipas kësaj, na duhet të presim çdo ditë goditje të reja në krahun e forcës së korrupsionit të lartë shtetëror.

Nuk kam dyshim se, ky krah force i korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri duhet të eliminohet përpara se sa të fillojë goditja penale kundër të korruptuarve të mëdhenj, sepse kështu neutralizohet çdo orvatje për terror kundër SPAK-ut. Duhet të theksojmë se, falanga goditëse e krimit të organizuar, këtë lloj terrori e ka natyrën e saj parësore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat