Lëvizja e fundit e dështuar e Thaçit para se të nisej në Hagë

Opinione

Lëvizja e fundit e dështuar e Thaçit para se të nisej në Hagë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 18 dhjetor 2020 Në ora: 13:19
Vlora Çitaku dhe Hashim Thaçi

“Gjarpri” para se ta merrte Gjykata Speciale, bëri një lëvizje të paramenduar e jo shumë të rrallë, duke kthyer nga Uashingtoni ambasadoren Vlora Çitaku, në kohën kur e dinte se PDK-ja po mbetet pa kryetar dhe posti i presidentit po kërkonte kryetar të ri.

Hashim Thaçi e nënshkroi dekretin për tërheqjen e Vlora Çitakut nga pozita e ambasadores në SHBA, në tetor të këtij viti, një muaj para se ai të shkonte në Hagë.

Vlora Çitaku brenda pak muajsh u shkarkua dy herë, dhe tani prapë dy herë u rivendos në atë post.

Fillimisht ish ministri i jashtëm, Glauk Konjufca e shkarkoi Çitakun, por me ardhjen e qeverisë së re, ajo u kthye prapë në atë pozitë.

Hashim Thaçi bëri llogari në Vlora Çitakun kur urdhëroi që ajo të kthehet në Kosovë. Fillimisht ai mendoi se Çitaku mund ta zinte vendin e Kadri Veselit si e para e PDK-së, e gjithashtu llogariti edhe në postin e presidentit, ku dëshira e tij ishte që Çitaku të jetë pasardhëse e tij.

Pavarësisht që Çitaku kishte organizuar edhe takime lamtumirëse në Uashington dhe ishte kthyer në Prishtinë, ajo prapë mori valixhen për të vazhduar postin e ambasadores atje, pasi që hasi në një situatë të trazuar politike këtu në Prishtinë, e që s’kishte as pse ta mendonte postin e presidentes.

Kjo për shkak se vendi po rrëshqet drejtë zgjedhjeve, për shkak të kokëfortësisë së Ramush Haradinajt, i cili nuk lëviz nga qëndrimi që o ai president, o vendi në zgjedhje.

Partnerët e koalicionit qeveritar e përdorën pretekstin se për shkak që nuk kanë e kanë gjetur zëvendësuesin e Çitakut, ajo duhet të kthehet prapë në Uashington që ta vazhdojë detyrën.

Në fakt, plani i Thaçit nuk eci.

Lëvizja e tij “taktike” me vizion të largët, kësaj radhe i dështoi, ashtu siç po i dështon edhe karriera politike me shkuarjen e tij në Hagë dhe qëndrimin në paraburgim.

Vet fakti se gjykimi i tij përfundimtar do të ndodh pas një kohe relativisht të gjatë, do të thotë se Hashim Thaçi do të “harrohet” nga qytetarët dhe skena politike në vend. Mos të flasim nëse ai dënohet.

Gjithsesi, PDK-së i është “thyer krahu” me shkuarjen e Thaçit dhe Veselit në Hagë, pavarësisht negativitetit dhe bëmave të tyre ndaj shtetit, e rikonstruktimi i PDK-së nuk mund të ndodh për momentin për shkak që edhe disa emra të tjerë brenda kësaj partie, janë potencialisht të ftuarit e radhës në Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat