Pse ende jemi larg prej Bashkimit Evropian?

Opinione

Pse ende jemi larg prej Bashkimit Evropian?

Nga: Spartak Ngjela Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 14:47
Spartak Ngjela

Sepse Shqipëria ende është një shtet i zakonshëm, i qeverisur pa ligj dhe me korrupsion.

l.

Të gjithë shqiptarët duan ta shohin shtetin e tyre të jetë brenda spektrit juridik të Bashkimit Evropian.

Deri njëqind vjet përpara, nuk ishin të pakët ata që donin të bashkonin Shqipërinë sërish me Turqinë. Sot këta janë shuar, edhe pse ca hoxhallarë të paguar nga Beogeadi dhe Moska, flasin në tym dhe në mënyrë groteske kundër shqiptarisë dhe Perëndimit. Por shqiptarët qeshin me ta.

Pavarësisht gjithçkaje: Bashkimi Evropian është sot motiv i kulluar për shqiptarët.

Por, pse gjithmonë kemi ngecur? Pse gjithmonë na ka vënë kushte Brukseli në afër 30 vjet?

Ka mendime që thonë se shqiptatët nuk janë të qytetëruar. Kjo nuk është e vërtetë; qytetërimi evropian ka dalë në trojet iliro-arbërore dhe provat janë nga Durrazio në Skutari, e që këndej në Apollini, në Bylis, në Skampa, etj.

Ka mendime që na akuzojnë si shtet islamik. As kjo nuk është e vërtetë: shqiptarët janë modernë në qetësinë e tyre super-tolerante, sepse e dinë që substrati kristian i shqiptatëve është 900 vjet para sllavëve dhe rreth 400 vjet para grekeve. Dështimin sllav dhe francez në këtë çështe, në 20 vjet, e solli politika dhe aleanca shqiptaro-amerikane, ngushtësisht historike dhe konkretisht proalbaneze në Ballkanin Perëndimor.

Ka mendim që Shqipëria nuk u bë asnjëherë një shtet imponues në qytetërimin modern me shtetasit e saj. Këtu ka diçka që i afrohet së vërtetës, sepse e vërteta historike na thotë se: Shqipëria, në njëqind e tetë vjet, ka mbetur një shtet i zakonshëm, i drejtuar pa ligj, pa drejtësi dhe me korrupsion .

Kjo është dobësia: Shqipëria është ende një shtet i zakonshëm.

Dhe kjo ka qenë humbja jonë në 100 vjet.

Po pse Shqipëria, në njëqind vjet, ka mbetur një shtet i zakonshëm?

Po shtetet e tjerë të Ballkanit Perëndimor, si janë: a janë edhe ata shtete të zakonshëm?

Ja, kjo është një çështje që do trajtohet më poshtë.

ll.

Le ta përcaktojmë se çfarë kuptohet me termin "shtet i zakonshëm" në qytetërimin modern.

Shtet i zakonshëm quhet ai shtet që nuk ka fare zë në rrafshin ndërkombëtar; ai shtet i cili nuk ka në shoqërinë e tij pulsacione në arenën ndërkommbëtare: në shkencë, në letërsi, në filozofi, në arsim, në prodhim industrial; në pikturë, në teatër, në kinematografi, në muzikë, në sport etj.

Ky shtet, të cilit i mungojnë të gjitha këto vlera, sigurisht që është një shtet i zakonshëm.

Si i till ky lloj shteti nuk ka personalitet ndërkombëtar. Një shtet i tillë ka qenë dhe mbetet ende dhe sot Shqipëria. Domethënë, konkretisht, në rastin e Shqipërisë, kuptohet se ajo nuk ka lidhje normale vletash intelektuale me qytetërimin perëndimor, edhe pse është një shtet evropian.

Nëse tani do të qëndronim për të analizuar shkaqet, nuk se do të thoshim ndonjë gjë të re, sepse do të theksonim të vërtetën absolute: shqiptarët, në njëqind vjet, janë qeverisur nga një mediokritet historik që ka shkatërruar të ardhmen e Shqipërisë, për të krijuar me dhunë apo korrupsion pushtetin, mirëqenien dhe pasurinë e mediokritetit qeverisës.

Kjo është Shqipëria në periudhën e saj indipendente, 1912-2020.

Atëherë?

E pra, edhe për sa kohë Shqipëria do të mbetet një shtet i zakonshëm?

lll.

Fatkeqësia primare e Shqipërisë ishte fakti historik se, fuqitë e mëdha nuk iu lanë shqiptatëve një shtet më të madh se 28 mijë km2, në një kohë që në vitin 1912 territoret me shqiptarë në Ballkanin Perëndimor i kalonin të 120 mijë km2.

Kjo gjëmë antishqiptare, që u luajt kryesisht nga Franca dhe Rusia, krijoi në shtetin e ri shqiptar tregun e madh në favor të individëve të parisë shoqërore, që këta të shisnin e të shesin interesin kombëtar.

Ende nuk ka një shembull kaq negativ midis shteteve evropiane ku, 99 përqind e lidërshipit të tyre politik, të ketë shitur te fqinjët interesin kombëtar, ashtu siç ka ndodhur me shtetin shqiptar.

Sot askush nuk është dot në gjendje ta nxjerrë shkakun e këtij degradimi moral që e ka çuar Shqipërinë tri herë drejt shpërbërjes së saj kombëtare.

Deri në vitin 1940, kuptohet si fakt se diktatorët, tiranët apo të korruptuarit që drejtuan shtetin shqiptar, ishin me prejardhje të psikikës osmane, dhe prandaj iu dukej Shqipëria një vogëlsirë që duhej zhdukur. Këta vetëm shitën interesin kombëtar te fqinjët pushtues, dhe vodhën popullin.

Po tirania e Enver Hoxhës?

Edhe kjo një tirani osmane ishe, dhe, me të Shqipëria, në 45 vjet, ndërtoi një shtet osman me një Sulltan( Enver Hoxha) dhe me pashallarë (sekretarët e parë të retheve) që i zinin vendin njëri-tjetrit, sipas fermanit që lëshonte Enver Hoxha në emërimin e tyre.

Shqipëria kishte 23 rrethe si qëndra administrative dhe 23 pashallarë si sekretarë të parë të Partisë së Punës.

Kjo krijoi një izolim tipik osman dhe gjithçka degradoi brenda normave të sundimit osman, deri në vitin 1991.

lV.

Po që nga viti 1990 e deri më sot, çfarë ka ndodhur?

Sërish e njëjta gjë. Beogradi, Moska dhe Athina kanë blerë kryeministra, ministra e presidentë shqiptarë, të cilët, kanë bllokuar me skemë zhvillimin shqiptar, dhe kanë grabitur shqiptarët. Mungesa e imponuar e zhvillimit, edhe në këta tridhjet vjet, e ka lënë Shqipërinë të jetë ende një shtet i zakonshëm. Dhe, për më tepër, sepse, edhe pas komunizmit, Shqipëria u drejtua nga njerëz më se të zakonshëm.

Nuk i dëgjoni nëpër programet televizive si flasin? Akoma nuk i keni kuptuar që këta drejtohen nga antishqiptarizmi?

Por, tani këta janë të trembur.

Dihet!

Historia e gjatë e korrupsionit dhe grabitjes së popullit, gjithmonë ka pasur një fund. Edhe këta tanët, tani janë në segmentin e fundit të "mbretërimit" të tyre të pështirë. Janë të humbur. Mbajeni mend këtë.

Po ku janë provat? më pyesin.

Pse, ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka ndonjë interes personal kur iu thotë shqiptarëve: "korrupsioni dhe padrejtësia shqiptare do të shkatërrohet shumë shpejt"?

Pse, ju mendoni se politika amerikane do të dështojë në vendosjen e drejtësisë, dhe në eliminimin me rrënjë të korrupsionit të lartë shtetëror, në Shqipëri?

Këto dy pyetje, që e kanë përgjigjen brenda tyre, janë të mjaftueshme për atë që di të mendojë.

Por, pyetja më themelore është kjo: kush na siguron se edhe ata që do të vijnë në pushtet pas tyre, nuk do të jenë si këta?

Kjo është pyetja që e ngrenë të gjithë, dhe, duke qenë skeptikë, ata nuk besojnë se mund të ndryshojë ndonjë gjë në Shqipëri.

V.

Në konkluzionin e mësipërm ka një defekt kontradiktor logjik. Sepse, pasi pranohet se të korruptuarit e sotëm do të shkatërrohen, dyshimi vjen e qëndron tek ata që do të vijnë, dhe ata prezumohen se do të jenë sërish hajdutë si edhe të parët.

Por, edhe këtu ka një pyetje: pse, ato organe të reja gjyqësore dhe hetimore që do të hetojnë dhe do të shtetëzojnë pronat e korrupsionit të sotëm; dhe organet gjyqësorë që do t'i dënojnë, pse do të duhet të lejojnë që të krijohet një klasë e re të korruptuarish?

Kjo pyetje sigurisht që zgjidh gjithçka.

Kurse, epiqendra e analizës për sistemin e ri, qëndron te strukturimi real i vetë sistemit.

Ky sistem i ri, duke ngritur në krye botën akademike shqiprare, që aktualisht është në Shqipëri dhe jashtë saj, duke krijuar vlera të reja në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, do të hapë udhen drejt daljes së Shqipërisë nga pozicioni ndërkombëtar i "shtetit të zakonshëm"

Sigurisht, kjo është domosdoshmërisht një çështje themelore për të ardhmen e Shqipërisë, dhe garanti ndërkombëtar, këtë risi, do ta garantojë për të krijuar intelektin antikorruptiv në Shqipëri, dhe njëherësh, edhe eliminimin e mediokritetit që ka drejtuar dhe po drejton vendin...

Po, si do të zgjidhet kjo çështje që realisht është një çështje e strukturës politike dhe institucionale të Shqipërisë?

Sigurisht, brenda saj, qëndrojnë të lidhura: struktura politike, struktura institucionale dhe struktura juridike që duhet t'i mbajë të lidhura këto në funksion të drejtësisë.

Në fakt, për historinë e sotme të Shqipërisë, këto që vijnë më poshtë, janë tri pyetjet që kërkojnë përgjigje të saktë, dhe që drejtpërdrejt kanë të bëjnë me arsyetimin për zgjidhjen e re institucionale të strukturës shtetërore.

1. Me sa ndikim real do të jetë zëri i popullit në politikën shqiptare, e cila do të drejtojë institucionalisht në Tiranë?

2. Kush do ta kontrollojë qeverinë shqiptare; dhe kush do të jetë garanti ligjor i zgjedhjeve politike në Shqipëri?

3. Si duhet ta karakterizojë garanti ndërkombëtar- Uashingtoni, Berlini - sistemin politik në Tiranë?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat