Hera e parë që Vjosa Osmani e nderon LDK-në

Opinione

Hera e parë që Vjosa Osmani e nderon LDK-në

Nga: Mero Baze Më: 14 janar 2021 Në ora: 23:36
Mero Baze

Argumenti më i fortë që ka pasur deri më sot Vjosa Osmani kundrejt LDK-së, është fakti që ata e përzgjodhën si udhëheqëse të listës dhe më pas kur prishën Qeverinë, vendimet i mori LDK. Kjo është ligjore, por nuk është morale. Falë këtij defekti moral në raportet e saj me LDK, ajo është mburrur dhe vazhdon të mburret në çdo takim se është një person i votuar në Kosovë dhe numëron votat që ka marrë si udhëheqëse e listës së LDK-së.

Marrëveshja e sotme e saj për të hyrë në listën e Albin Kurtit më në fund e zhbën këtë spekullim dhe i jep të drejtë LDK-së.

Së pari, Vjosa Osmani pranoi publikisht se ato nuk kanë qenë votat e saj dhe nuk kanë për të qenë votat e saj.

Ajo dëshmoi se është një politikane frikacake dhe arriviste, që përpiqet të fshihet pas partive të mëdha dhe jo një udhëheqëse e madhe, që mund të marrë votat e saj.

Nëse ajo do të kishte guximin real për të sfiduar LDK-në, ajo duhet të dilte me partinë e saj dhe të bënte betejë për të parë se sa vota mund t’i ndante LDK-së. Dhe kishte shanse t’i merrte plot vota, duke qenë se po e paraqiste veten si e viktimizuar nga LDK.

Sot është e kundërta. Ajo sot ka provuar se s’ka qenë kurrë një udhëheqëse e LDK-së, por dikush që Isa Mustafa e përdori si kukull.

Sot ajo e konfirmoi këtë duke vendosur  të jetë sërish një kukull e një liste tjetër, por jo një politikane që udhëheq. Dhe si kukull nuk është keq, ja ka marrë dorën.

Së dyti, koalicioni parazgjedhor me Albin Kurtin i zhduk asaj çdo të drejtë për përfaqësim politik të ngjyrave të LDK-së.

Partitë, përfshi dhe LDK, mund të bashkojnë votat me njëra- tjetrën pas zgjedhjeve për të formuar Qeveri, por kur shkrihesh në një listë ti i nënshtrohesh një programi ideologjik.

Vjosa Osmani tani ka humbur çdo të drejtë politike nga domeni i LDK-së dhe i historisë së saj, pasi ka hyrë në listën e një partie që ka mbajtur gjallë urrejtjen dhe përbuzjen ndaj LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, për të mos thënë më shumë.

Nga kjo pikëpamje, LDK me gjithë mëkatet e veta, është sot moralisht e larë me Vjosa Osmanin, pasi nuk ka humbur mbartësen e listës së saj, por vartësen e Albin Kurtit.

Kjo i jep asaj partie të drejtën morale për çdo akt që ka bërë për prishjen e Qeverisë, pasi siç u provua, ka qenë para një skenari të keqpërdorimit të LDK-së nga Vetëvendosja.

Sot realisht Vjosa Osmani i ka bërë nder për herë të parë në jetë të saj LDK-së, pasi për herë të parë e ka nderuar atë si kundërshtare.

Së treti, që ka dhe shumë rëndësi, ajo po humb identitetin  saj politik, nën premtimin e Albin Kurtit se ajo do të jetë kandidatja  e tij për presidente të Kosovës. Kjo e bën atë dhe më të vogël si politikane dhe më qesharake, dhe mbi të gjitha të padenjë për presidente.

Presidenti i Kosovës mund të bëhet çdo politikan i Kosovës, që e dimë se sa vota ka dhe kush është. Vjosa Osmani është politikania tashmë më e paverifikuar e Kosovës.

Herën e parë ajo është votuar si mbartëse e listës së LDK-së dhe tani si vartëse e Albin Kurtit. Ajo nuk ka bërë asnjë betejë personale zgjedhore, asnjë garë personale, përveç luftës për pushtet.

Nuk e di se sa mundësi do të ketë Albin Kurti ta bëjë presidente pas zgjedhjeve, por ndasitë që ajo ka krijuar qysh tani, do të prodhojnë kundërshtarë të fortë të saj për ta votuar për presidente. Pasi të gjithë do ta shikojnë jo si president, por si vartëse të Albinit.

Dhe siç e pat thënë dikur Fatos Nano për një politikan të tij,  “ajo është njësh, për të qenë dysh”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat