Vota dhe republika e katërt

Opinione

Vota dhe republika e katërt

Nga: Gëzim Muçolli Më: 25 janar 2021 Në ora: 07:21
Gëzim Muçolli

Dalëngadalë u shua veprimtaria e legjislaturës së fundit në Kuvendin e Kosovës. Deputetët dolën nga Parlamenti dhe u kthyen secili te Zoti i vet partiak, duke konsideruar në mentalitetin gjysmëballkanik - gjysmë europjan se vetëm Lideri i Partisë e ka hisen e Popullit votues. 

Dikush u kthye te lavdia e dikurshme, dikush te albumet fotografike me personazhet historike që tani pushojnë në botën e amshimit, dikush te kujtimet e një jete të dikurshme ilegale, dikush në çifligjet e veta që nuk ia kanë lanë amanet as baba e as babgjyshi, etj., secili duke kërkuar atë që kishte humbur gjatë kohës.

Koha është e drejtë por e pamëshirshme. Politikani mund të harrojë diçka apo shumëçka por koha e ka memorjen e vet selektive që nuk fshin krejtësisht asgjë. 

Image

Koha sjell edhe rreziqe. Dikur neve që e kemi përjetuar kohën e Luftës së ftohtë, na ka rënë të shohim se si shteti ndërtonte edhe strehimore ku do të strukeshin njerëzit në rast bombardimi, sulmi me armë atomike, kimike e bakteriologjike.

Sot pjesa tashmë e ndodhur jashtë parlamentit bashkë me kolegët kandidatë në listat e votimeve kanë angazhuar “njësitë elite” të propagandës mediatike, të cilat duke llogaritur që jemi në kohë të pandemisë virale (Luftës më të madhe botërore bakteriologjike), dhe qytetarët janë të lodhur e të stërmunduar nga efektet biologjike dhe sociale të Covid-19, po thyejnë edhe barrierat e fundit të ekuilibrit psikologjik te votuesit.

Kam miq, shokë e familjarë që tregojnë se në çdo mbrëmje në televizor shohin analistë militantë dhe përballen me dhunën verbale e mediatike që kultivojnë në debatet e porositura ku patjetër shihet se ai (i ashtuquajtur analist) që merr pjesë në debat pos honorarit që dikur ishte 50 euro( tash nuk e di sa euro marrin për një natë), bëjnë përpjekje për të ndryshuar vetëdijen duke luftuar për secilën votë të mundshme. 

Kërkohet mobilizim i përgjithshëm sepse demokracia (lexo sistemi i vlerave të aleancave dhe partive - shtet) është në pikë udhëkryqi me pjesëmarrjen masive të votuesve nga mërgata e Kosovës.

Tash duket se nuk vlen më thënia se çdo çudi (dhe mrekulli) zgjat vetëm tri ditë sepse efektet e pjesëmarrjes themelore në demokraci nëpërmes realizimit të së drejtës kushtetuese për të votuar zgjasim më shumë.

Personalisht jam imun ndaj TV- Kroacisë, e si reagim rrethanor ka dy javë që në mbrëmje nuk shikoj asnjë televizion. Zgjedhjet e tanishme nuk janë të parat (e as të fundit) e nuk është se për një muaj kanë ndryshuar karakterin apo qëndrimet e tyre kandidatët për parlament.

Më mjafton ajo çfarë kanë bërë përpara e jo ajo çka premtojnë sot. 

Koha e premtimeve, zhgënjimeve dhe absurdeve ka kaluar. Është koha e ndërgjegjësimit dhe punëve që presin. 

Shkolla do njerëz të aftë për të nxjerrë dije, Qytetet duan spitale për të mjekuar sëmundjet dhe ruajtur shëndetin,  Industria do fabrika e Toka do punë e shkencë për një bujqësi të përparuar dhe prodhime të shëndosha Bio. Universiteti shtetëror dhe ato private nuk mund të pranojnë studentët e rinj me idenë se në fund do të marrin diploma të njohura ndërkombtarisht! Rinia nuk duhet ta ketë vizionin e saj projektin e migrimit dhe vizat e premtuara si ëmbëlsirë në çdo fushatë të kaluar zgjedhore të partive kosovare.

Analizat bëhen në punë e në shtëpi, kurse analistat tele-kratikë ta prishin edhe natën me injorancën (arrogancën) njëdrejtimshe në militantizmin e tyre antihistorik.

Partitë politike dhe kandidatët e listave zgjedhore të tyre duhet të mos harrojnë Galileun se “megjithatë rrotullohet” e as idenë e mbretit Karli V, mbret i Spanjës dhe Imperator i romakëve (1500-1588) i cili thoshte: “ En mi imperio non se pone el sol”! ( “Në perandorinē time dielli nuk perendon kurrë!”).

Pra, ka ardhur koha kur dielli i politikës dhe demokracisë kosovare nuk lind e perendon me fushata e ngjyra militantësh por nuk do të perendojë kurrë duke ju falenderuar qytetarëve të mërguar në të gjithë meridianet e globit që nuk ia kthejnë shpinën e as nuk e heqin nga mendja fatin e Kosovës si amanet i shenjtë i identitetit dhe ekzistencës shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat