Lulzim Basha nuk është engjëll, por Edi Rama është vetë djalli!

Opinione

Lulzim Basha nuk është engjëll, por Edi Rama është vetë djalli!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 26 janar 2021 Në ora: 07:53
Lulzim Basha, Edi Rama

Pasuria më e madhe e njerëzimit dhe e natyrës është diversiteti. Asgjë në këtë botë nuk është njësoj. As njerëzit, as kafshët, as bimët dhe as sendet e objektet e tjera që njohim. Gjithçka është e ndryshme dhe gjithçka ndryshon sipas kushteve të natyrës, klimës, rrezatimit të diellit ose ndikimit të faktorëve të tjerë atmosferikë, sipas gjenetikës, ligjeve të filozofisë, fizikës, kimisë, biologjisë, zoologjisë e kështu me radhë. Ky është rregulli i përgjithshëm.

Megjithatë "rilindasit" e sotëm në qeverisjen e Shqipërisë kanë mundur deri në një farë mase që këtë rregull ta përmbysin. Propaganda që ata bëjnë prej vitesh ka atakuar edhe ligjësitë e zhvillimit në diversitet të botës njerëzore. Deri këtu ka mbërritur efekti  opiumit të strategëve të mashtrimit dhe rrenës së kulluar, për të cilën veçmas Immanuel Kant ka elaboruar me aq mprehtësi filozofike kur flet për logjizmin dhe jologjiken, për racionalen dhe iracionalitetin.

Maksima rilindase, sipas së cilës "Të gjithë në politikën shqiptare janë njësoj" erdhi pas dështimeve të një pas njëshme të qeverisë së sotme të Edi Ramës. Rilindja, në pamundësi për ta justifikuar dështimin, përdori rrengun e "të qenit njësoj" të kreut të opozitës me kreun e mazhorancës, pra të Lulzim Bashës me Edi Ramën. Qëllimi ishte dhe mbetet që të jepet mesazhi: "Derisa të dy këta janë njësoj, pse doni të votoni kopjen, kur keni origjinalin në pushtet"?! Deri diku kjo formulë hileqare e rilindasve ka funksionuar kur është artikuluar drejt për drejt prej kreut të ekzekutivit me formulën "Nuk ka më të mirë se sa unë"!  Ka funksionuar gjithashtu përmes patericave që Edi Rama sponsorizoi te të ashtuquajturat parti të dala nga Partia Demokratike. Funksioni kryesor i këtyre partive, dy, tri apo katër, s'ka më rëndësi, është pikërisht ngjizja e përcëptimit në publik se "Të dy palët janë njësoj"! Pra edhe Rama, edhe Basha janë e njëjta gjë, nuk kanë ndryshime, për pasojë nuk sjellin ndryshimin. Por sa e vërtetë është kjo shpikje jo racionale dhe jo shkencore e Rilindjes?

Në përgjigjen e kësaj paradigme nuk do të ndalem më shumë te filozofia e diversitetit dhe e ndryshimit. Do të marr dy aktorët politikë, objekt e subjekte të kësaj fabule dhe do të ve në dukje diversitetin midis tyre. Lexuesi do të më justifikojë për krahasimin subjektiv të karaktereve, eksperiencës, qasjes, mendimit të të dy personazheve të vënë në provën e pamundur të të qenit njësoj.

1. Lulzim Basha është i vetmi politikan që për shkak të moshës nuk ka asnjë lidhje me diktaturën. Eshtë shkolluar në demokraci e për më tepër jashtë vendit në Europën Perendimore. Atje ka kryer studimet dhe është formuar nga pikëpamja shkencore. Ndërsa Edi Rama ka jetuar në bllok. Edhe nëse ka mundur t'i ngrejë në mit disa episode bisedash anti-regjim, ai ishte dhe mbetet pjesë e formimit të bllokut. Përveç kësaj është arsimuar jo plotësisht në kohën e diktaturës, ka marrë mësimedhe modelin enjë anetari të KQ (babait) dhe një anëtari të Byrosë Politike të KQ të PPSH-së (dajës). Ka shijuar favoret që këta ia kanë krijuar dhe për pasojë sot shfaqet si përfaqësues i Klanit Hoxha në Partinë Socialiste, klan i cili i kundërvihet gjithkujt, përfshirë dhe atij Kpo e Shehu brenda kësaj partie. Lulzim Basha nuk është përfaqësues klanesh e kulisash!

2. Si karakter, Edi Rama është arrogant, bullist, pa principe e rregulla për familjen, shoqërinë, atdheun, kombin dhe madje as ideologjinë, një autokrat tipik autoritar. Eshtë një karakter mix arrivistësh e anarkistësh i tipit Fidel Kastro. Ndërkaq Lulzim Basha është e kundërta e tij. Respekton familjen, nderon principet e mirësjelljes, komunikimit dhe raportet korrekte me shoqërinë, bashkëpunëtorët, vartësit dhe kolegët. Nuk më ka takuar ndonjë rast i dytë politikanësh si Lulzim Basha, që të ketë aq të zhvilluar elementin e të dëgjuarit në komunikim. Nuk gjen politikan që ka durim deri në fund të presë përfundimin e bashkëbiseduesit e më pas ta marrë fjalën për ta dhënë mendimin e tij. Që këtu merr fund propaganda rilindase, sipas së cilës "Të gjithë politikanët janë njësoj"! Thelbi i politikanit është komunikimi! Arma e politikanëve është raporti i komunikimit me publikun. Nëse njerëzit duan të dallojnë se ku është njeriu normal dhe ku fshihet djalli, atë e gjejnë te komunikimi i politikanëve.

3. Nuk them se Lulzim Basha është engjëlli i politikës. Por ai nuk është as djalli i saj. Eshtë politikani niormal në një vend në anormalitet për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës. Djalli politik dallon nga politikani normal në atë se për djajtë politikë shqetësimi kryesor është si të "mbyllin" skandalet e dështimet. Ndërsa për politikanin normal është shqetësim i madh ndodhia e një skandal e jo mekanizmi se si të mbulohet ai.

Kjo diferencë vihet re në të gjitha etapat. Edhe Lulzim Basha ka pasur pushtet. Ka qenë ministër i Transportit, ministër i Jashtëm dhe ministër i Brendshëm. Ka qenë dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ka patur dështime dhe suksese! Por nuk ka ndodhur ndonjëherë të dalë me zë e me figurë i përfshirë në afera të caktuara. Eshtë akuzuar politikisht, por pa prova! Edi Rama nuk ka aferë politike, ekonomike, financiare, të lidhjeve me kriminelët e deri me mafien italiane, që të mos jetë përfshirë personalisht në të.Përgjimet telefonike të publikuara në BILD e gjetkë e bëjnë atë aktor të skandaleve të shumta në vend. A nuk mjafton kjo diferenencë dalluese e shefit të opozitës për ta klasifikuar atë si politikan krejt ndryshe nga shefi i mazhorancës?!

4. Diferenca midis Ramës dhe Bashës gjendet gjithashtu te reagimi ndaj të keqes. Kryeministri në detyrë, Rama, nuk ka dhënë asnjë shenjë reagimi ndaj skandaleve të Rilindjes që ai drejton. Asnjë skandal nuk ka përfunduar në duart e drejtësisë dhe nuk është definuar saktë me fajtorë dhe faj të përcaktuar. Kjo sepse kryeministri gjithnjë ka dalë në mbrojtje të aferave korruptive e politike të bashkëpunëtorëve të tij. Ndërkaq Basha është bërë gjithnjë iniciator i parandalimit të elementëve kriminalë dhe me afera për t'u marrë me politikë. Ligji i dekriminalizimit ishte produkt I këmbënguljes së tij. Ndërsa ligji i vetingut politik u refuzua pa asnjë arsye nga ana e kreut të mazhorancës. Iniciativat ligjore për ta pastruar politikën nga subjektet e skandaleve politike e financiare ishin dhe mbeten atribute të Lulzim Bashës. Ndërkohë që mbrojtja e keqbërësve në politikë dhe refuzimi i këtyre iniciativave ishte dhe mbetet atribut i kreut të mazhorancës, Edi Ramës.

Nëse do të vijonim me karakteritika të tjera të ndryshme midis joengjëllit Lulzim Basha dhe djallit Edi Rama, lista do të ishte e pafund. Por këto që parashtruam më lart besoj se mjaftojnë për të kuptuar thelbin e mesazhit: Asgjë nuk është njësoj, asgjë nuk është e njëjtë, gjithçka është e ndryshme. Bota është diversive. Të ndryshëm janë edhe Lulzim Basha me Edi Ramën. Çdo përpjjekje për t'i njejtësuar është përpjekje djallëzore e pa bazuar në shkencën shoqërore dhe në realitetin politik shqiptar!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat