Çlirimtarët e harruar!

Opinione

Çlirimtarët e harruar!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 5 shkurt 2021 Në ora: 12:43
UÇK

Edhe pas 21 vjet nga çlirimi i Kosovës, pas luftës me shtetin fashist serbë, akoma po manipulohet me çlirimtarët e vërtetë të UÇK-së.

Në secilën herë, kur në Kosovë mbahen zgjedhjet, partitë politike të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdojnë të bëjnë manipulimet e tyre me ushtarët e vërtetë.

Vetëm para zgjedhjeve, pra në fushata zgjedhore mendohet për luftëtarët e UÇK-së.

Vetëm në këtë kohë politikanët, ose më mirë të themi, ish-komandantët e UÇK-së që krijuan parti politike mburren me ushtarët e tyre, që dikur ishin në luftë.

Shumë ushtarëve të UÇK-së ranë heroikisht duke luftuar përballë armikut serbë, ndërsa sot një numër i madh i familjeve të tyre jetojnë në skamje.

Qindra – mijëra të tjerë, të cilët luftuan pa hile në Kosovë, paslufte u anashkaluan dhe u harruan nga ata që dikur i urdhëruan të dalin në vijën e parë të frontit.

Sot kemi një numër të madh të vetëvrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë. Kryesisht një numër i madh i pjesëtarëve të UÇK-së që nga jeta e vështirë dhe kushtet e rënda ekonomike bënë këtë akt të rëndë, ku lanë pas familjet e tyre.

Ata u vetëvranë pasi shteti i harroi. Jo vetëm shteti, por edhe komandantët e tyre të luftës, e që u shndërruan në ‘heronj’ të paqes – në milionerë!

Gjatë kësaj fushate, ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, u kujtua për ushtarët e UÇK-së, ku edhe e bëri sloganin “Me çlirimtarët”.

Por, lirisht mund të pyesim, ku ishin këta çlirimtarë deri më tani? Pse nuk u kujtuan për këtë çlirimtarë, por për të luajtur me ta, e rritën edhe numrin e veteranëve në 50 mijë?

A u kujtuan këta komandantë që akoma kemi gjallë plotë invalid të UÇK-së, por që janë harruar nga shteti dhe nuk kanë mundësi t’i shkollojnë fëmijët e tyre sikurse shokët e tyre të luftës, që ishin komandantë e që krijuan pasuri, pallate me pishina e vetura të shtrenjta, dhe bëjnë jetë mbretërore, kurse fëmijët e tyre shkollohen në Evropë e Botë.

Është interesant fakti se asnjë ushtarë që luftoi për Kosovën me mish e shpirt, nuk u pasurua, nuk krijoi pallate dhe nuk jeton sikurse eprorët e tyre të luftës sot.

Gjaku i dëshmorëve, gjymtyrët e luftëtarëve që humbën për Kosovën që sot e gëzojmë – do t’i mallkoj ata që po luajnë me çlirimtarët.

Nuk kanë të drejt askush, madje as ata që jeton në hotelet e Evropës dhe Shqipërisë, të kërkojnë votën e çlirimtarëve, për të cilët nuk u kujdesen asnjëherë pas çlirimit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat