Pse aq alergji ndaj Diasporës dhe kujt iu bë halë në sy?!

Opinione

Pse aq alergji ndaj Diasporës dhe kujt iu bë halë në sy?!

Nga: Hafiz Shala Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 09:10
Hafiz Shala

Termi Diaspora rrjedh nga greqishtja e lashtë, që nënkupton shkapërderdhje apo largim nga vendlindja nëpër botë, duke e shpërndarë kulturën e tyre. Sipas Biblës e cila i referohet termit të Diasporës, merr shembullin e Hebrejve të cilët shkojnë në ekzil drejtë Babilonisë.

Pra, që nënkupton shpërndarje, eksodus, evakuim, deportim largimi nga vendlindja për motive të ndryshme të cilat dallojnë nga vendet, njerëzit, pozitat e tyre politike, ekonomike apo trysni dhe mohim të drejtave të tyre elementare, njerëzore, politike e racore.

Deri sot askush nuk na e dha ndonjë arsye bindëse se kujt ia ka zënë rrugën Diaspora dhe ku qëndron arsyeja sepse ende po mbahet si target dhe “fajtore” për çdo gjë të keqe që po i ndodhë Kosovës për hir “të përzierjeve të saj në punët tona”, pra siç mendojnë disa të shtetit te Kosovës.

Nuk jam i sigurt së një mendim dhe qëndrim të tillë e ka edhe sovrani. Ky është narracion i pushtetarëve dhe politikanëve, pasi nuk po jenë në gjendje t’i kontrollojnë ata posaçërisht në kohën e zgjedhjeve nacionale.

Po, kush jeni ju zonja e zotëri në punët në cilat po ua “zë” rrugën Diaspora?!

Nëse do të hyja në kontributin dhe veprimtarinë historike të Diasporës në botën e jashtme kudo që ata punojnë, veprojnë e jetojnë, do të jetë shkrim i gjatë.

Por, megjithatë është e pamundur të anashkalohet vlera dhe kontributi të cilin e ka dhënë në të gjitha etapat e historisë sonë kombëtare, qysh nga koha e Nolit dhe Konicës, duke mos harruar edhe kontributin e At Gjergj Fishtës kur krijon lidhje më me përfaqësues të legjislaturës së atëhershme amerikane, për të lobuar për çështjen shqiptare

Prandaj, Diaspora shqiptare e ka historinë e saj, edhe të dhimbshme por edhe të bujshme.

Nuk ka asnjë dilemë së, është e dhimbshme dhe rëndë kur ia kthen shpinën vendlindjes pa marrë parasysh arsyet të cilat çdo mërgimtar i ka dhe ato varen, nga sistemi, shoqëria, padrejtësitë, pabarazia, presionet politike e pushtetare, poshtërimet nga pushtuesit, cilido qoftë ai i cili përmes represionit sistematik, i ka detyruar njerëzit e devotshëm për atdhe, nacionalistë e intelektualë që për synim e kishin t’i kundërvihen atyre pushteteve okupuese deri të çlirimi definitiv.

Ndërsa, Diaspora e viteve ‘80-ta e deri te çlirimi nga okupatori serb, ishin kryesisht për shkak të lëvizjeve politike dhe bashkimi për t’i rezistuar armikut, i cili për qëllim e kishte spastrimin e Kosovës më metoda gjenocidale deri shfarosja si racizëm i llojit të vetë në shekullin 19-të.

Popullsia e një vendi e shpërndarë nëpër botë përbën atë që quhet Diasporë.

Lirisht mund të thuhet se në historinë moderne të saj, që Diaspora mos të ketë ndikuar, nuk gabohet nëse thuhet se në disa raste ka qenë vendimtar.

Sepse ajo e deponojë përgjegjësinë e sajë para atij vendi ku jetojnë ata, situata në vendlindjen e tyre jo që ishte e rëndë nën okupimin klasik nga regjimi serb, më parë ish Jugosllave, gjithnjë duke ofruar fakte e dëshmi që vërtetë përmes demonstratave masive e mirë të organizuara, sensibilizojnë popullin demokrat e liridashës amerikan e përmes tyre edhe Administratat e shtetit pa marrë parasysh se cili krah partiak ishte në pushtet.

Krijimi i shteti të ri të Kosovës, nuk do të mund të arrihej pa ndihmën edhe të Diasporës, sidomos të asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Diaspora e Evropës, gjithashtu e ka luajtur rolin e saj vendimtar pasi ishte ma afër shtetit amë që mundësoi përmes kontakteve direkte më qytetarët dhe ndihmat të cilat ishin më se të nevojshme, jo vetëm ekonomike por edhe politike përmes lëvizjeve nacionaliste të atdhetarëve të shquar të përndjekur nga regjimet e atëhershme deri të organizimi i rezistencës luftarake përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje për të krijuar lidhjet më Diasporën përmes formimit enkas të Ministrisë e Diasporës si dhe organizmat tjerë për ta forcuar këtë lidhje më atdheun.

Diaspora shqiptare sidomos ajo e re, është padyshim pasuria ma e madhe e shqiptarëve.

Suksesi i tyre dhe integrimi në vendet ku jetojnë, eksperienca e tyre është tërheqëse për çdo shoqëri civile, për përparimin politik, ekonomik e shoqëror.

Në këtë drejtim, në vend se të hapet një fushatë denigruese e refuzuese, është e udhës që të organizohet një debat i hapur, i sinqertë, më qëllim që Diaspora të jetë pjesë e jetës politike, pra, të këtë të drejtë votimi.

Kjo, megjithatë u lejua në Kosovë por për hir të organizimit të dobët, më plot pengesa e paqartësi, ndodhi edhe refuzimi i një numri të madh të votave, anipse me “arsyetime” për neve të paargumentuara, për çka dyshojmë edhe në manipulimet dhe kalkulimet e partive politike në luftë për pushtet, posaçërisht partitë të atyre që pushtetin e shijuan që 20 vite, sikur e nuhatën së Diaspora do t’ua prishë matematikat e tyre e që rezultojë me debakël.

Debatet duhet të zhvillohen lidhur më atë se a duhet Diaspora shqiptare të jetë pjesëmarrëse në jetën politike por, gjithnjë që ajo të jetë opozitë e jo pjesë e partive politike shqiptare sepse aty qëndron edhe esenca e saj në ndikimin në proceset zgjedhore sikur partitë e Pavarura këtu në SHBA që e kontrollojnë balancin politik duke mos qenë të ndikuara dhe të dirigjuara nga forcat e ndryshme politike (Fjala e Lirë).

Në një kohë, politikat qeveritare ndaj Diasporës, orientoheshin kryesisht tek afaristët e fuqishëm me qëllim të joshjes së tyre për të investuar në vendlindje ndërsa, në anën tjetër, mosfunksionimi i ligjeve, mos siguria e kapitalit që do ta investonin, i ka dekurajuar jo vetëm këta por edhe investitorët e huaj.

Diaspora në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka luajtur rol substancial në formimin e shtetit të Kosovës përmes lobimit, duke i hapur dyert e Uashingtonit fuqia e vendimmarrjeve politike në nivel botërorë që më angazhimin e Diasporës, çështjen e Kosovës e sollëm në agjendat prioritare të politikës së jashtme në favor të shtetit tonë.

Përsëri pyetja: pse e tërë kjo alergji ndaj Diasporës dhe a është kjo njëherësh edhe mendësia e sovranit?

Përgjigja ime do të ishte, jo e sovranit por e disa partive politike. Këtë “antipati” ndaj Diasporës, e kanë krijuar qarqet politike klanore më qëllim që t’i pamundësohet asaj që të “diktojë” përmes votës së lirë të saj se kush duhet të vijë në Qeveri, Presidencë e në Parlament.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë treguan mosgatishmërinë dhe respektin ndaj Diasporës duke u sjell në mënyrë arrogante sikur këta qytetarë të ishin i ndonjë vendi tjetër, e jo pjesë e trungut të atdheut të tyre.

Nuk treguan mirëkuptim as tolerancën më të vogël ndaj fletëvotimeve të rregullta. Nuk patën gatishmëri që afatin e pranimit të dokumenteve nga Diaspora të shtyhet për një apo dy ditë, duke e pasur parasysh funksionimin e dërgesave postare në kohë pandemie, të cilat për hir të kufizimeve të mjeteve transportuese dhe personelit, kanë mundë të krijojnë vonesa.

Mërgimtarëve tanë, përpos kohës së humbur, rrezikimit të vendeve të punës, kostoja e dërgesave ishte marramendëse, varësisht nga përzgjedhja e kompanive transportuese.

Një gjë është më se e vërtetë se Diaspora është pasuria më vlefshme për shtetin dhe atdheun të cilit i përkasin ata.

Nga modestia, nuk desha t’i përmendi kontributet e saj politike, ekonomike gjatë gjithë periudhës së, para lufte, gjatë lufte dhe tani pas lufte.

Është e pandershme që nga individë, parti politike e pushtetarë, të tentojnë ta denigrojnë, mosrespektojnë dhe injorojnë atë e cila çdo gjë e dha dhe do ta jap për të mirën e shtetit dhe qytetarëve të saj.

Një Diasporë e organizuar mirë në bashkëpunim me shtetin amë, është fuqi ekonomike, politike e demokratike, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Diaspora shqiptare, është urë-lidhësja më e mirë me ato shtete ku ata jetojnë, punojnë e veprojnë, për ne SHBA-të janë ekzistenciale sepse kemi krijuar një mirëkuptim dhe besim reciprok gjë që pozitivisht reflektohet në marrëdhëniet miqësore të përhershme tradicionale.

Në këtë aspekt, kontributi i Diasporës është i pamohueshëm dhe i pakontestueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat