Kryetari z.Isa Mustafa bashkë me kryesinë e LDK-së duhet të japin llogari deri më një

Opinione

Kryetari z.Isa Mustafa bashkë me kryesinë e LDK-së duhet të japin llogari deri më një

Nga: Haki Latifi Më: 5 mars 2021 Në ora: 10:38
Haki Latifi

Dihet se Lëvizjet e mëdha politike lindin në momente historike, andaj edhe LDK lindi në një moment të rëndësishëm historik, me mision të shenjtë. Kjo është arsyeja pse LDK qendroi si kështjellë e pamposhtur në të gjitha periudhat e rrugtimit të saj historik.

Gjatë aktivitetit tim politik në kuadër të LDK-së, unë i kam respektuar strukturat udhëheqëse të LDK-së që nga koha kur kryetar ishte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, pastaj z. Fatmir Sejdiu dhe së fundmi edhe z.Isa Mustafën për një kohë të gjatë kundër Klanit „Pronto“ dhe kunder demagogjisë populiste të Albin Kurtit. Por këtu nuk ka më vend për Alibi. Z. Isa Mustafa me dorëheqjen e ofruar duhet të mbajë edhe këtë përgjegjësi historike. Si duket z. Isa Mustafës pasi që ishte edhe kryetar i LDK-së, disfatën në këto zgjedhje ia dha lista e kandidatëve në të cilën kishte nevojë për një rinovim cilësor dhe që nuk e bëri. Ata që duhet të sillte në skenë duhet të ishin personalitete të konfirmuara dhe jo të ricikluar dhe një numër prej tyre pas dështimeve në zgjedhjet e kaluara përsëri u kandiduan ndërsa disa as vendbanimi i tyre nuk i nihte.

Pas kësaj humbje të thellë të LDK-së, z. Isa Mustafa me dorëheqjen e ofruar , për mendimin tim do të ishte mirë që ti lërë partinë në dorë të sekretarit të përgjithshëm për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Shkundja e Lidhjës Demokratike të Kosovës duhet të fillojë nga dorëheqja e Isa Mustafa, sepse është drejtpërdrejtë përgjegjës pse anëtarësia besnike e LDK-së është sot kokulur para qytetarëve për pushtetin e pakufizuar që mori një njeri i rrezikshëm për Kosovën si Albin Kurti me tarafin e tij dhe dezertorët e LDK-së.

Arsyet më mirë se kushdo i di vetë lidershipi i LDK-së, por ajo që është e qartë është se nuk ka qenë një mosdalje apo neglizhencë ndaj zgjedhjeve, por një bojkot, një protestë e heshtur dhe spontane. Pak rëndësi kanë gabimet në fushatë. Ata që nuk e votuan LDK -në, kanë votuar kundër një qëndrimi politik dhe unë dyshoj se kjo braktisje ka qenë një protestë ndaj qëndrimit flirtues me VV-në në zgjedhjet e vitit 2019.

Në këtë gjendje ç’farë tani është LDK, ka edhe shumë hijena politike që do donin të mos egzistonte më LDK, e shpresojnë dhe urojnë fragmentimin e saj. Por LDK ka ka kaluar momente shumë të vështira dhe ka dalë në anën tjetër të dallgëve.

LDK ka statut dhe institucione, por duhet që këto institucione të jenë në gjendje ‎të absorbojnë tensionet, të valorizojnë kritikën e brendëshme, t’u japin udhë shqetësimeve. Unë besoj që procesi që do të nisë, më 14 mars do të nisë reflektimi për dobësitë dhe gabimet që janë berë, për të rimarrë veten dhe të filloj forcimi i organizimit të LDK-së. Kjo është një detyrë që nuk mund t’i bishtnohet dot dhe kohë për të humbur nuk ka.

Kuvendi i LDK-së i caktuar, më 14 mars, do të duhet të fillonte menjëherë me një analizë të matur, konstruktive të shkaqeve të kesaj humbje të LDK-së. Duhet qartësi maksimale që të mos bësh gabim në ato kushte. Ndoshta, kur jo vetëm pasionet e paszgjedhjeve janë fashitur disi e të lejojnë ‎për një gjykim të kthjellët, por edhe mbledhur e identifikuar shkaqet dhe faktet, është i drejti. Gjithësesi ky është vendim që merret nga Kuvendi i LDK-së dhe vendimet të respektohen maksimalisht.

Sepse, analiza e kësaj humbje të radhës nuk është demonizim dhe as gjueti shtrigash. Por përgjegjësitë duhet të dalin dhe masa duhet të merren për këto përgjegjësi.

Sigurisht që rezultati tregon që përtej shkaqeve të jashtëme, ka shkaqe të rëndësishme të brendshme që nuk i dhanë mundësi të fitonte LDK aty ku kishte mundësi, sidomos në bastionet e LDK-së dhe komunat që udhëheq LDK, apo të humbnim dukshëm në vende të tjera. Këto ishin zgjedhje parlamentare dhe shpesh janë faktorë lokalë që ndikojë në rezultatin e nivelit qendror. Si duket ka drejtues degësh apo edhe struktura që nuk kanë funksionuar si duhet. Për këtë qëllim duhet bërë një analizë e mirë dhe e thellë, jo për të kaluar radhën dhe jo empirike, për të kuptuar shkaqet‎ në nivel lokal por edhe qëndror të këtij rezultati jo pozitiv.

Nga suksesi i analizës, të kuptuarit‎ e problemeve dhe zgjidhjet që do të jepen, fillon edhe fitorja e zgjedhjeve lokale që pritët të mbahen së shpejti.

Me 14 mars, 355 delegatë nga 38 degë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga të gjitha komunat në Kuvend zgjedhor do të mblidhen për të dhënë votën e tyre dhe do të vendosin se kush do të udhëheq me këtë parti për dy vitet e ardhshme. Lidershipi i Ri, duhet të jetë unifikues ashtu siç vepronte lideri historik Dr. Ibrahim Rugova dhe bashkë me ekipin e tij duhet të marrë përsipër procesin e ngritjës së LDK-së. Nuk është proces i lehtë , por me një vullnet të mirë, pa hile dhe me maturi mund të dilet nga kjo gjendje. Votuesit dhe anëtarësia besnike e LDK-së , me 14 shkurt e dhanë porosinë e qartë dhe duan ndryshime në të gjitha nivelet e organizimit të LDK-së. Zëri i anëtarësisë dhe i votuesve të LDK-së duhet të dëgjohet në kërkesën e tyre legjitime për ndryshime.

Nuk mund të vazhdohet me falje individësh përgjegjës nga paftësia apo që kanë qëllim vetëm pushtetin e tyre meskin, se kështu thyhet besimi i bazës. Baza e LDK-së e di se ç’ka është bërë, ajo sheh në sy dhe është shumë e vëmendëshme për ato që duhet bërë. Humbja është vërtet humbje atëherë kur nuk mëson gjë prej saj. Shpresoj personalisht të mos jetë kështu.

Sepse LDK i duhet demokracisë së Kosovës .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat