Një 11 Mars pak më ndryshe

Opinione

Një 11 Mars pak më ndryshe

Nga: Genc Xerxa Më: 11 mars 2021 Në ora: 23:34
Genc Xerxa

Isha shtatë vjeç sapo kisha filluar klasën e parë në një shkollë fillore mbi lumin Ibër të Mitrovicës. Më kujtohet ajo ditë kur në mes të orës hyri një fqinje për të na marr nga mësimi, pasi veçse kishin filluar protestat anekënd vendit. Nuk dija se çfarë ishte duke ndodh fare, truri i fëmijës nuk perceptonte dot me rrethanat ekzistuese. Fqinja që na morri mua dhe shokun e bankës nga klasa, na tha që do shkojm për vizitë tek gjyshja. Kuptova se ishte diçka jo e arsyeshme, gjesti ku mes orës nga mësimi të na marrin, nuk u binda fortë, por nuk bëra zë. Shkolla dhe banesa ku banonim ishte pranë fakultetit Xehtaro-Metalurgjik të Mitrovicës në kuadër të Universitetit të Prishtinës, rrugës takova turmat, por edhe nga dritarja e dhomës, kur nëna mbulonte fytyrën nga ngjarjet që shihte, më dha të kuptoj se diçka jo e mirë po ngjet.

Grumbulli i njerëzve, studentëve duke brohoritur parrulla të ndryshme për Republikën e Kosovës, përndejkja nga policia më bënë të kuptoj se kjo mund të ishte arsyeja e nxjerrjes nga mësimi të fqinjës sonë. Nëna sapo kishte lindur vëllaun e vogël dy muaj më parë, ndërsa babai si mësimdhënës ishte përkujdesur që disi ti bënë nxënësit e tij të dëgjueshëm mos ekspozoheshin dhunës që i priste sapo shfaqeshin në rrugë formë turmash. Zgjidhja për mua që të arrijë në shtëpi i sigurtë ishte bërë fqinja e pjekur në moshë, pasi nëna kishte të posalindurin në përkujdesje.

11 Mars 2021, Prishtinë

Tani dyzet vite më vonë këto kujtime apo mbresa të ngjashme e të përjetuara më përcillën thuaja tanë jetën time tejmase të politizuar. Rrethanat ekzistuese ipnin përshtypje apo përfoleshin se përpjekjet për autonomi, protestat për flamur të vitit 1968, levizje studentore që kishin përshkruar shumë vende të botës kishin ndikuar nga intelektualë të kohës që edhe shqiptarët në Jugosllavi të luftojnë për drejtat e tyre si komb. Ishin vite përplot me përndjekje dhe sakrifica të dala rishtas nga regjimi i ashtuquajtur i Rankoviqit që e kishte bërë edhe Titon ta ndjejë në lëkurën e vet nga sabotimet e shovenëve serb. Krijimi i Universitetit të Prishtinës nga udhëheqësia e kohës në krye me Fadil Hoxhën dhe shokët, e kishin shpier këtë avansim drejtë një autonomie kushtetuese nga Serbia të vitit 1974, të kurorëzuar në njësi federale në kuadër të Jugosllavisë s’bashku me gjashtë Republikat tjera, si dhe Vojvodinën shpërblim ndarë nga Serbia me status të njejtë autonom sikurse Kosova.

Serbia në krejt këtë avansim kushtetues mbeti e paknaqur, kur u fuqizua juridiko-politikisht Kosova dhe Vojvodina deri dikur pjesë të saj kushtetuese. Ju hoqën, i ndanë dy pjesët e saja duke u bërë kushtetueshmërisht autonome, deri në njëfarë forme të pamvarura. Këtë avansim të madh viteve 70’ të Kosovës nga aspekti kulturor, arsimor dhe juridik duhet mveshur përpjekjeve të intelektualëve të kohës dhe klasës politike që arriti me kuadro të arsimuara në mënyrë juridike ti artikulojn kërkesat e e tyre në bashkërenditje me Titon asokohe. Me vdekjen e tij në vitin 1980, filluan përllogaritjet e një Jugosllavie tjetër apo kërkesa serbe për një Serbi të fortë përbrenda shtetit ekzistues. Nevojiteshin ndërhyrjet kushtetuese dhe krijimi i aleancave bindëse me Republikat tjera për të arritur kordinimin dhe përkrahje në jetësim të planit. Nga një paknaqësi studentore më pak se një viti nga vdekja e Titos në Prishtinë këto protesta u shëndruan në ato politike gjithëpërfshirëse, duke marr jetëra njerëzish në ditët pasuese. Këto demonstrata siç i quante Serbia e atëhershme ishin masovike nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Këto duket se nuk ishin në kordinim me strukturat politike të kohës në Kosovë. “Birra e miut shtatëqind qese” ishin fjalët e Fadil Hoxhës aso kohe një burrështetas të atij vendi. U kritikua për atë çfarë tha, por ai e dinte bukur mirë çfarë mund të pasonte apo pasojat që mund të vinin pas revoltës apo protestave në ato kohëra mjaftë të ndieshme për Kosovën. Nga revolta politike e shqiptarëve u krijuan predispozita për tu zbrapsur dhe ndalur lëvizjet siç i quante Beogradi, ato separatiste apo iredentiste që i trumbetonte në drejtim të Prishtinës. Kosovën e panë kinse si shkak që dëshironte të prishte rendin ekzistues kushtetues të shtetit dhe duhej disi të “qetësohej”. Ai qetësim në vete barte presion që duhet të marr mësim e mos të ngre kokë prapë. Nga kjo epokë filluan propaganda e jo-telarnacës etnike, duke u mvesh procese e incidente nga shteti serb se po kërcënohej një etni, pakicë serbe në atë pjesë dhe duhet ndërmarr masa për ta vënë në kontroll këtë pjesë. Pra, agjendat e gaditura për apartheid veçse filluan të inicohen në emër të ruajtjës së vllazërim-bashkimit mes popujve apo në mbrojtje të rendit kushtetues. Filluan izolimet, proceset politike të montuara ndaj shqiptarëve dhe kërkesat nga qarqe të ndryshme të Beogradit që duhej ndruar ky rend ekzistues në tentim që të futej në rend Kosova, aty ku ishin planet e kurdisura me kohë nga vetë Serbia.

Tani a ishte thirrje e kohës për ngritje të kosovës në aspektin juridiko-politik në ato rrethana dhe në atë mënyrë data e 11 Marsit, apo ishte orkestrim i agjencive të ndryshme, qoftë edhe ajo serbe, e për të pasuar gjithë ajo e keqe çfarë ndodhi më vonë, mbetet të studiohet, vërtetohet dhe ipet kuptim apo përmbyllje, pasi ka shumë paqartësi dhe jokordinim me gjitha forcat progresive shqiptare brenda Kosovës atë kohë. Pasi filloi vetëm si një incident i izoluar e më vonë eskaloj në protesta që morren përmasa dhe ngjyrime politike e pastaj edhe jetë njerëzish. Kjo protestë dha në njëfarë forme “alibi” gjitha të këqijave që pasuan më vonë, duke e artikuluar këtë propagandë edhe mes Republikave tjera që ta përkrahin iniciativat e ndryshimeve kushtetuese që Serbia ndërmori për ti bërë, duke i suprimuar autonomitë (Kosovës e Vojvodinës) që dikur kishin qenë njësi federale apo kushtetuese juridike.

Tani në një 11 mars pandemik pas dyzet viteve kohë, që nga ajo datë ende nuk po arrijë të kuptoj çfarë ndodhi kurr më morrën nga shkolla. Duket se ende kam mbet i vogël si atëherë për ti kuptuar gjërat të cilat artikulohen njëdrejtimësh pa ndonjë studim apo kritikë të mirrëfilltë. Nëse hipotetikisht do mendojm se ndoshta do bëhej më ndryshe apo më mire në kërkesat legjitime të Kosovës seç u bë, atë nuk do e dijm dhe nuk mund ta themi, gjithnjë për të arritur tek një cak i dëshiruar, Kosova shtet. Për ngjarjet e vitit 68’ kërkesat për flamur dhe ngritjen kulturore mund të them se gjërat që pasuan më vonë ishin progresive dhe mirë të artikuluara e të suksesshme duke nënkuptuar themelimin e universitetit dhe kushtetueshmërinë autonome të Kosovës. Por që nga viti 80’ filluan degradimet e mëdha dhe shpesh lidhen ngjarjet e rënda me atë datë e që quan më vonë deri tek suprimimi i autonomisë udhëhequra nga propaganda separatiste e kohës me të cilën ishte mveshur Kosova e “egër”.

Pikëpyetjet e mia bazohen mbi efektin që sollën këto zhvillime të kohës post-Tito deri tek epoka e pluralizmit të ish shtetit jugosllav dhe kërkesat reale të intelektualëve shqiptarë të kohës për barazi në kuadër të shtetit apo shpërbërjës së saj, gjithnjë duke u llogaritur juridikisht si pjesë konstituive e dikurshme e shtetit. Ky duhet të jetë njëkohësisht bazamenti i shtetësisë së Kosovës, si e dal nga ajo shpërbërje juridike, e asesi e mveshur në petkun kulturor duke anashkaluar atë juridiko-politik që e kishte në kushtetueshmëri në raport me Serbinë dikur, dhe e dal më vonë nga ajo shpërbërje. Njëra nga argumentet e shtetësisë që Kosova përdorte gjatë lëvizjes paqësore në krye me Dr. Rugovën, e që besoj e përsërit sërish gjatë dialogut me Serbinë për normalizim, mes dy vendeve, obliguese nga faktori euro-atlantik.

Nga epilogu i atyre ngjarjeve të marsit 11 vazhdoj të mbes me shumë paqartësi të cilat ndoshta ishte dashur të sqarohen sinqerisht nga “shtytësit” e kohës. Pra kanë ekzistuar forca që kanë shtyrë këto protesta të kohës dhe në anën tjetër kanë qenë disa zëra ndoshta më pak të dëgjueshëm që kanë thënë se rrethanat ekzistuese s’kanë qenë premtuese për avansim kombëtar si Kosovë në Jugosllavi apo s’ka ekzistuar kordinim i mirëfilltë me gjitha forcat relevante progresive të kohës për të avansuar si shtet. Kanë paralajmëruar për viktima dhe regres në jetën politike, e që edhe ashtu ndodhën më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat