Lumir, a je me Rugovën a me Isën?

Opinione

Lumir, a je me Rugovën a me Isën?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 15 mars 2021 Në ora: 20:00
Lumir Abdixhiku

Ashtu siç edhe pritej, Lumir Abdixhiku është kryetari i ri i LDK-së. Ndonëse premtoi se do ta kthente LDK e dikurshme, nuk shpalosi asgjë konkrete, përveç retorikës së njohur politike. Lumiri e ka gjetur partinë në gjendjen më të vështirë të saj jetësore, me detyrën e tij të madhe për të ndalur degradimin e saj, si dhe pjesa tjetër të rris atë sa më shumë që mundet. Ndonëse kam dyshimet e mia për guximin e tij si parametër për të kthyer partinë në rrugën e duhur, gjithsesi duhet t’i jepet kohë kryetarit të ri, për të parë gjykuar sa më drejtë, gjithnjë në bazë të punës së tij.

Nuk duhet të jesh shumë i mençur për të ditur rrugën që duhet ndjekur, rrugën tashmë të trasuar nga Presidenti Rugova. Lumiri e ka të trasuar rrugën, mjafton ta ndjek atë. Para kryetarit të ri të LDK-së janë dy modele: modeli i Rugovës dhe modeli i Isës.

Modeli i Rugovës bazohet në këto parime: guxim, pathyeshmëri, mosnënshtrim, përulësi, mbajtja e premtimeve. Ndërsa modeli i Isa Mustafës ka këto elemente: arrogancë, koalicion me PDK-në, mospërfillje e qytetarëve, mos mbajtja e fjalës, injorimi etj. Nuk mjafton vetëm të thirresh në emër të Rugovës por duhet të punosh në ato ideale, në ato parime. Edhe Isa u thirr në Rugovën por i bëri të kundërtat që i kishte bërë dr.Rugova, prandaj edhe mori ndëshkimin nga qytetarët me 14 shkurt.

Një veprim aspak për t’u duartrokitur nga kryetari i ri i LDK-së me shpalljen e Isës “kryetar nderi” është në kundërshtim me rrugën që duhet të ndjek ai. Për ta nderuar dikë, duhet që ai praktikisht të kishte bërë punë të ndershme, rrjedhimisht të favorshme për partinë. Isa, nuk ka bërë asgjë të mirë për partinë, ka bërë të kundërtën e të mirë, e asaj për të cilën LDK u themelua. Për më tepër, Isa u detyrua të largohet nga ndëshkimi qytetar, nuk u ndëshkua se punoi mirë, pikërisht se bëri veprime jo të mira. Andaj, logjika nuk e kap që të nderosh dike të pandershëm. Veprim i pakuptueshëm dhe krejtësisht i panevojshëm dhe që bie ndesh me synimet, rrugën që duhet të ndjek kryetari i ri.

Siç e thamë edhe më lart, Lumri i ka dy modele, njërin të suksesshëm dhe tjetrin të dështuar, mbetet të shihet cilin do e zgjedh. Nëse e zgjedh modelin e Isës, që sot e ka të garantuar dështimin, jashtë logjikës që një njeri i shkolluar të zgjedh të keqen përpara të mirës. Gabimet e Isës nuk duhet të përsëriten, koha e tij në LDK duhet të largohet, të shfaroset dhe jo të nderohet, se nuk ka për çfarë të nderohet, dikush që i ka bërë dëmin më të madh LDK-së që nga krijimi i saj.

Kosova ka nevojë për një LDK të fortë, një LDK të suksesshëm, mbi të gjitha një LDK që zgjedh dhe ndjek modelin e Rugovës, si alternativa e vetme për të quar përpara jo vetëm LDK, por edhe Kosovën. Lumiri e ka shansin historik për të bërë ndryshimin e madh, këtë mund të arrijë duke mos ndjekur modelin e Isës, aq më tepër për ta lavdëruar. Me këtë logjikë, Lumiri e ka të garantuar dështimin, të cilin nuk ia dëshiroj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat