Letër e hapur për hoxhë Shefqet Krasniqi

Opinione

Letër e hapur për hoxhë Shefqet Krasniqi

Nga: Dr. Sc. Salihe Salihu Më: 14 prill 2021 Në ora: 15:50
Dr. Sc. Salihe Salihu

I nderuari hoxhe Shefqet Krasniqi,

I nderuari hoxhë Krasniqi, pas debatit rreth rolit të femrës në shoqëri po të drejtohemi me letër të hapur meqë konsideroj se disa prononcime tua janë në kundërshtim me sistemin demokratik që e kemi instalue në Kosovë.

I nderuari hoxhë Krasniqi, ne jemi të një trualli dhe flasim të njëtën gjuhë dhe konsideroj që kemi mundësi që me kuptue mire me njëri tjetrin përmes një qasje konstruktive sepse debati rreth të drejtave të femrave ka devijuar dhe është stërkeq.

Unë, që po ju drejtohem juve, jam politikologe me profesion por para se të arrija këtë grade kam qenë një aktiviste që nga mosha 15 vjeçare bile qysh në vitin 1981 kam qenë e organizuar në grupin Shotë Galica të Ferizajt. Unë si femër në grupin tone të ilegales (që përbëhej nga shumë meshkuj dhe femra) patëm votue dhe zgjodhëm një femër kryetare të grupit. Pra, të gjithë meshkujt anëtarë të grupit, vëllezërit tanë, pranua që femra të jetë prijëse e tyre meqë ne luftonim dhe ishim të përbetuara që në mënyrë të barabartë me meshkujt të kontribonim për lirinë e këtij vendi.

I nderuari hoxhë Krasniqi, sa e sa femra janë burgosur e maltretuar e vrarë sikurse vëllezërit tanë pa dallim gjinor për të kontribuar për liri. Lista me emra të të burgosurave femra është shumë i gjatë. Përpos kësaj, femrat shqiptare, kudo që ishte, me fëmijë për gjiri dhe shtatëzëna e barkun e fryer deri te gusha nuk kanë ndejtë te shtëpia e me lanë burrin vetë por janë organizuar krah përkrah me vëllezërit dhe nuk janë ankuar për stërngarkesa në luftën tone për liri. Këtë gatishmëri për luftë femra shqiptare në mënyrë të vetëdijshme e morri mbi supe dhe nuk lejoj që vëllezërit shqiptarë të mbesin kaçak të maleve, siç mbetën shumë trima. Me involvimin e femrës në kauzën për liri u përkrah edhe lufta jonë nga bota demokratike se përndryshe mund të zbehej dhe të shuhej rezistenca jonë, siç ka ndodhur gjatë historisë sepse vetëm me një Shotë nuk mobilizohet e gjithë popullata. Pra, edhe lista me luftetare femra fletë se femra shqiptare nuk e prit lirinë që ti servohet në pjatë por kapi armën edhe luftoj. Bile, po që se do kishte armatim të mjaftueshëm lista e vullnetareve femra për të luftuar do ishte edhe më e gjatë sepse femrat në mënyrë të vetëdijshme ishin të gatshme të sakrifikohen dhe priheheshin me slloganin: ja vdekje ja liri. Femrat gjatë luftës jo vetëm që ishin të devotshme por u dalluan edhe si prijëse në beteja.

I nderuari hoxhë Krasniqi, pas mbarimit të luftës shpresoja që tani barazia gjinore do të mirëpritet dhe përqafohet edhe nga njerëz që kishin hezitim për të drejta të barabarta në mes gjinive. Me këtë besim dhe me këtë vrull, erdha nga shtetet skandinave, në vitin 2004 përmes World University Service, dhe morra përsipër që teoritë e barazisë gjinore t’i zbërthej para studentëve të Universitetit Prishtinës.

I nderuari hoxhë Krasniqi, në teoritë e barazisë gjinore që janë pjesë e qenësishme e vlerave demokratike nuk ka ndarje të drejtave mes njerëzve por kërkohet që çdo njeri pavarësisht përkatësisë gjinore të kontriboj pa u kursyer në të gjitha lëmitë, si në sferën private ashtu dhe atë publike. Mbi këtë bazament është ndërtuar bota demokratike sepse femra është gjysma e popullatës së çdo shteti dhe fuqia e saj duhet të mirret në konsideratë dhe të respektohet.

I nderuari hoxhë Krasniqi, kontributi i femrës si në sferën private dhe publike duhet të përkahet edhe nga ju sepse është në dobi të familjes suaj, është në dobi të shoqërisë tënde, respektivisht shoqërisë tonë.

I nderuari hoxhë Krasniqi, ju bëjë apel të hapur, ty dhe gjithë atyre që mbajnë ligjërata para popullit, që t’i pranoni vlerat e demokracisë dhe përpiqeni që t’a kuptoni feminizmin demoratik të shëndoshë e jo atyre që në emër të feminizmit kanë cënuar vlerat më të çmuara të barazisë. Asgjë të përbashkët nuk ka feminizmi me devijimet që ndodhin, në shoqërinë tone apo gjetiu, në emër të feminizmit. Devijimet të këtilla janë të ngjajshme si me devijimet tjera, për shembull si përdorimi i drogës apo stërkeqieve të ngjajshme. Duhet t’a kuptojmë dhe të sqarohemi një here e mirë se demokracia nuk ushqen asnjë lloj stërkeqie. Demokracia është në përkrahje të lirisë së çdo individi i cili në mënyrë të vetëdijshme dhe me ndërgjegjie duhet të ketë përgjegjësive për veprimet e veta individuale. Liria dhe barazia kërkon përgjegjësi dhe arsyeshmëri për çdo veprim individual.

I nderuari hoxhë Krasniqi, barazia gjinore është vlerë e pa kontestueshme dhe ne së bashku pa dallime të grupimeve religjoze duhet t’a mbështesim këtë vlerë të shoqërisë tonë. Nuk duhet lejuar të trubullohet mendja asnjë predikanti të asnjë feje që të ngatërron vlerat e demokracisë me devijimet nga rrymat e fenomenet e ndryshme që mund të shfaqen në shoqëri. Sikurse në konfeksionet religjioze që ekzistojnë sekte të ndryshme që ju sigurisht nuk pajtoheni ashtu edhe në idologjitë feminist ekzisotjnë rryma të ndryshme që tentojnë të fragementarizojnë feminizmin demoratik.

I nderuari hoxhë Krasniqi, një gjë është e kristaltë si loti që me barazi gjinore rritet e mira e shoqërisë sepse edhe femra jep maksimumin e vet për ta ndërtuar dhe mirëmbajtë familjen e shoqërinë.

I nderuari hoxhë Krasniqi, bindja e çdo individ apo prijësi për një fushë të caktuar duhet të ushqehet me njohuri të thella e argumente të fuqishme për t’a kuptuar drejt çdo fenomen shoqëror. Në predikimiet e juaja do të dëshiroja që të ndëgjoj komentime e interpretime që i shërbejnë zhvillimit shoqëror për t’a fuqizuar demokracinë në shoqëri dhe për t’I mbrojtur vlerat e shëndosha të shoqërisë. Ju mund të shërbeni si një hoxhë duke përpjekur që t’a interpretoni kuranin për t’a përshtatur për jetesën bashkohore. Për t’a marrë një hap të këtillë nevojitet guxim dhe përkrahje gjë që nuk do ju mungoj sepse do gjeni nëse angazhoheni për këtë mision. Në të vërtetë ju vetë duheni të merrni iniciativë për ri-vlerësimin e barazisë gjinore sepse paqja, mirëkuptimi, respekti dhe vlerat në mes barazisë gjinore janë të domosdoshme për një shoqëri demokratike.

Ne, me shumë gjak e me sakrifica të panumërta kemi luftue për me sjell demokracinë në këto troje dhe mos të lejomë, as unë si politikologe por as ju si hoxhë, shkatërrimin e këtyre të arriturave, që ende janë të brishta në vendin tone.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat