Opozita e konsumuar po merret me politikë të mëhallës

Opinione

Opozita e konsumuar po merret me politikë të mëhallës

Nga: Ismail Muçiqi Më: 23 korrik 2021 Në ora: 22:40
Ismail Muçiqi

Shoqëria kosovare është në krizë të thellë të identitetit politik, kulturor dhe intelektual. Klasa politike nuk arriti asnjëherë të formësohet si strukturë e njëmend politike për ta zhvilluar demokracinë dhe për ti çuar përpara vlerat humane dhe njerëzore si vizion për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Është shqetësues niveli i kulturës politike i komunikimit ndërmjet liderëve partiak dhe të strukturave politike, të cilat kanë mbetur me mendësinë e vjetër të pa reformuara asnjëherë sa duhet.

Akuzat e pamatura dhe jo reale kundër Qeverisë aktuale tregojnë më së miri papjekurinë totale të partive opozitare, të cilat morën goditjen më të rëndë në zgjedhjet e fundit nacionale. Ata të cilët plot 20 vite ishin në qeverisje të institucioneve të vendit, të cilët dështuan në të gjitha segmentet e zhvillimit të shtetit tani janë shndërruar në agjendë të kritikave të pa matura dhe të vrazhda kundër Qeverisë së Albin Kurtit. Ata të cilët qytetarët e Kosovës i varfëruan vite me radhë, ata të cilët gjatë qeverisjes së tyre i detyruan 100 mijë të rinj të ikin nga Kosova, ata të cilët punuan për interesat personale duke krijuar favore për veti dhe familjarët e tyre, ata të cilët nepotizmin e shndërruan në agjendë të përditshme, ata të cilët pronën publike e përvetësuan dhe e shfrytëzuan në mënyrë të paligjshme, ata të cilët me qindra mija hektarë tokë të shtetit të Kosovës i privatizuan për veti, ata të cilët arsimin dhe shëndetësinë e masakruan vite me radhë, ata të cilët privatizimin e keqpërdorën skajshmërisht, ata të cilët tani janë bërë milionerë duke përfituar nga të gjitha anët në kurriz të popullit dhe shtetit tani kanë ngritë kokën duke u munduar të shndërrohen në patriot dhe shpëtimtar të këtij vendi.

Derisa popujt dhe shtetet e rajonit po punojnë pa ndërprerë për t’u integruar në mekanizmat e Bashkimit Evropian për ta zënë hapin në drejtim të ngritjes të shkallës së zhvillimit ekonomik, Kosova për shkak të papërgjegjësisë të udhëheqjeve të njëpasnjëshme ka mbetur i vetmi vend i izoluar në Evropë. Opozita e papërgjegjshme e ndihmuar nga disa grupe pseodo-partiake, të cilët kanë dështuar në karrierën e tyre politike, tani të ndihmuar nga disa pseodo-analistë të padenjë të përkrahur nga disa televizione private, të cilat përmes politikës programore dhe joprofesionale janë shumë të dyshimta për misionin që kryejnë.

Derisa bota demokratike po punon në drejtim të progresit, klasa politike përkatësisht opozita e dështuar në këtë kohë, në këtë shekull po merret me fustanin e vajzës së Albin Kurtit. Po merret me faturat e hotelit grek, në të cilin u akomodua disa ditë Kryeministri Kurti. Politika primitive dhe e mjerë u pa këto ditë në Parlamentin e Kosovës kur disa deputetë të opozitës, të cilët as që meritojnë të ulën në bankat e Parlamentit akuzuan Qeverinë aktuale dhe Kryeministrin për fatkeqësitë natyrore, të cilat këto ditë e goditën tërë kontinentin evropian. Kjo opozitë ende është në lajthitje me një fjalë nuk është e vetëdijshme se sa më shumë që po e kritikon Qeverinë aktuale, aq më shumë po e humbë përkrahjen e qytetareve të Kosovës dhe të anëtarësisë së vet.

Me të vërtetë opozita e plagosur politikisht është në qorrsokak dhe jashtë vizionit dhe mendimit të qytetareve, kjo do të shihet së shpejti në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin lokal, të cilat do të mbahen në Tetor të këtij viti. I nënvizuam vetëm disa karakteristika të gjendjes aktuale në politikën kosovare, e cila është shndërruar në një karavan duke rrëshqitur në një humnerë të thellë. Këta njerëz janë larg realitetit në të cilën po jetojmë. Kosova është në pozitë shumë të palakmueshme mu për shkak të papërgjegjësisë të liderëve dhe të klaneve partiake, të cilët 8000 mijë hektarë tokë të shtetit të Kosovës ia dhanë Malit të Zi. Përditë e më shumë po dalin në shesh edhe kalkulimet tjera rreth korrigjimit të kufijve duke bërë fjalë edhe për pjesën veriore të Republikën të Kosovës. Prandaj, situata dhe raportet me Serbi janë shumë më serioze, të rrezikshme për sigurinë nacionale të shtetit të Kosovës. Koha do të tregojë se kjo klasë politike, e cila është shndërruar në sfera të interesave regjionale dhe rajonale i ka sjell dëme të pariparueshme qytetareve të Kosovës dhe të ardhmes së këtij vendi. Sa më parë që këta individ të lëshojnë rrugë dhe të largohen, aq më shumë populli do tua di për nder.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat