Fatkeqësia tragjike në Kroaci

Opinione

Fatkeqësia tragjike në Kroaci

Ismail Muçiqi Nga Ismail Muçiqi Më 25 korrik 2021 Në ora: 14:05
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ishte i tmerrshëm lajmi tragjik, i cili erdhi sot nga Kroacia, ku humbën jetën një numër i bashkatdhetarëve tanë të cilët po ktheheshin në atdhe. Shtrohet pyetja?.. Deri kur nëpër rrugët e Evropës do të ndodhin fatkeqësitë e kobshme ku viktimat janë shqiptarët të cilët, po e kërkojnë fatin e punës dhe jetës nëpër shtetet e ndryshme për ekzistencën e tyre dhe për ta ndihmuar familjen.

Golgota shqiptare është e dhimbshme shekuj me radhë. Gjenerata të tëra për shkak të rrethanave politike me motive fashiste nga anemikët shekullor dhe regjimet e ndryshme të shekullit të kaluar i detyruan shqiptarët që të bredhin gjithandej metropoleve botërore për ekzistencën dhe mbijetesën e tyre.

Sot në Kosovë është një ditë e dhimbshme ku në të gjitha familjet shqiptare lajmi për këtë fatkeqësi tragjike depërtoi thellë në zemrat tona. Shqiptarët vuajtën shumë nga regjimet e njëpasnjëshme, të cilat bënë eksperimente gjeopolitike në dëm të tyre. Sot ndoshta për ne kjo tragjedi që ndodhi në Kroaci është një lajm i dhimbshëm, por shumë i dhimbshëm dhe më fatal është për familjet dhe për të afërmit e tyre, të cilët me padurim prisnin kthimin e më të dashurve të tyre për pushime në Kosovë.

Prandaj, ky lajm i kobshëm duhet të troket në ndërgjegjen dhe moralin të çdo njeriut i cili mban apo ka pasur përgjegjësi politike institucionale dhe shtetërore për krijimin e një jete normale për të punuar dhe jetuar në Kosovë. Mjaft më! Me lajme dhe kronika të zeza në dëm të shqiptarëve.

Dhimbjen e familjeve që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi në Kroaci me shpirt dhe zemër duhet ta ndajmë të gjithë në mënyrën më të sinqertë. Institucionet e shtetit përpos që duhet të veprojnë në afrimin e ndihmës institucionale, ato duhet marr mësim dhe të veprojnë për ndërtimin dhe funksionalizimin e gjithmbarshëm të Shtetit të Kosovës duke i dhënë prioritet zhvillimit ekonomik dhe punësimit të gjeneratës së re, e cila për shkak të papërgjegjësisë dhe dështimeve të institucioneve të shtetit është detyruar të emigrojë nëpër shtetet e botës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat