Partia Socialiste e Shqipërisë para vendimit historik!

Opinione

Partia Socialiste e Shqipërisë para vendimit historik!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 31 korrik 2021 Në ora: 13:14
Sherif Ramabaja

Me nënshkrimin e marrëveshjes “ Ballkani i Hapur “ nga kryeministri Rama, Vuçiq dhe Zaev filluan edhe lëvizjet e para.

Partia Socialiste e Shqipërisë, po e mendon edhe hapin tjetër radikal: të shpall shkrirjen me partinë simotër, Partia Socialiste e Serbisë, për të garuar sëbashku në zgjedhjet e parapara për Unionin Ballkanik.

Ky entuziazëm dhe hap i tillë, shpresohet se do të gjejë përkrahje në anëtarësinë e gjërë të partisë.

Me këtë rast u sensibilizua anëtarësia duke e rikujtuar ndihmën e madhe që i kishte afruar, Partia Komuniste e Jugosllavisë, në themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Me këtë rast u përkujtuan sidomos figurat e ndritura, siç ishin Mugosa dhe Miladin Popoviç.

Sidomos u cek puna e tyre vëllazërore në Shqipëri, organizimi i celulave të para të partisë, masovizimi dhe organizimi i Luftës Nacional Çlirimtare.

Pa përkrahjen e tyre vëllazërore ne nuk do të arrinim që me kaq sukses t´i përballonim luftës okupuese, e sidomos nuk do të arrinim që me sukses ta luftonim armikun tonë të brendshëm, Ballin Kombëtar të Mit´hat Frashërit, Abas Ermenjit, Xhafer Devës etj. të cilët si synim kishin bashkëpunimin me forcat fashiste me të vetmin qëllim, t´ia bashkonin Kosovën trungut kombëtar.

 Ne shpejt e fituam besimin nga shokët Mugosa dhe Miladini, zbatuam urdhërat e tyre dhe e çliruam Shqipërinë nga pushtuesit fashist dhe armiqtë e brenshëm.

Duke mos e harruar ndihmën e çmuar që kishim marr nga vëllezërit tanë serb, ne sot në shenjë falenderimi për ta, në Shkup e obliguam kryeministrin tonë shokun Rama që ta firmosë marrëveshjen e Ballkanisë apo, Open Ballkan.

Ne Partia Socialiste e Shqipërisë të ngazëllyer nga ky besim i dhënë nga Serbia dhe presidenti Vuçiq, vendosëm që të ndërmarrim edhe hapin tjetër që t´i bashkojmë partitë tona për të mirën e fëmijëve tanë dhe rajonit.

Për ta ndjekur rrugën ligjore ne do ta mbajmë Kongresin e Partisë dhe aty do të dalim me rezultatin zyrtarë, në mënyrë që opozitës dhe kundërshtarëve të kësaj nisme t´ua mbyllim gojën.

Ne nuk i kemi harruar përpjekjet e vëllezërve tanë menjëherë pas çlirimit, për përfshirjen e Shqipërisë si republikë e shtatë e Jugosllavisë.

 Rrethanat në atë kohë u acaruan dhe nuk mundëm që ta realizonim këtë dëshirë tonën, po sot jemi mëse të lumtur që sërish për këtë çështje po na jipet rasti.

Tash për tash askush nuk do të mund që të na pengoj në këtë hap gjigant tonin, sepse ne kemi kryeministrin Rama që askush nuk arrin t´ia tejkaloi me asgjë.

 Derën nuk do ta mbyllim për askend. Kosova momentalisht po reagon, po ajo skishte kah t´ia mbante as me 1912, skishte kah t´ia mbante as me 1945, prandaj ska kah ia mban as tash me 2021.

Ne jemi shteti amë dhe ashtu siç kemi vendosur deri më tash për Kosovën, do të vendosim edhe tash e tutje. Rrofshin dy vendet tona të vëllazëruara Serbia dhe Shqipëria.

Shkrim i botuar në Mars - Rover

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat