Mini Shengeni Ballkanik-Ballkani i Hapur, Ali Hoxha, Hoxhë Alia

Opinione

Mini Shengeni Ballkanik-Ballkani i Hapur, Ali Hoxha, Hoxhë Alia

Nga: Prof. Dr Musa Limani Më: 2 gusht 2021 Në ora: 22:49
Prof. Dr Musa Limani

Siç dihet, më 29.07.2021 në Shkup u mbajtë i ashtu quajtur “Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal”, apo më mirë me thënë Mini Shengeni Ballkanik, ku morën pjesë nismëtarit e tij në Novi Sad: Presidenti i Serbisë z. Vuçiq, Kryeministri i Maqedonisë Veriore z. Zaev dhe Kryeministri i Shqipërisë z. Rama. Propozues dhe “babai” i kësaj nisme ishte z. Vuçiq, si person i “moderuar” dhe përkrahës i “demokracisë” dhe lëvizjes së “lirë” në mes vendeve të Ballkanit, pa kurrfarë barrierash kufitare dhe të politikës fiskale. Këta tre lider të vendeve në fjalë, ftojnë edhe vendet e tjera t’i bashkohen këtij asociacioni se është edhe në interesin e tyre, i cili duhet të startojë më një janar të vitit 2023.

Me këtë rast, organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij tubimi, me qëllim që të fshehin përmbajtjen dhe qëllimin e Mini Shengenit Ballkanik, atë e riemërtuan “Ballkani i Hapur”, që në vete do të përfshijë lirinë e transaksioneve ekonomike, të njerëzve, kapitalit etj., me qëllim të formimit të tregut të përbashkët (unik) në këtë nën qiell të botës. Pavarësisht nga riemërtimi, qëllimi dhe përmbajtja e tij mbetet e njëjtë, fuqizimi politik dhe ekonomik i Serbisë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nëpërmjet saj edhe të Rusisë. Andaj, duke pasur parasysh këto qëllime, nuk duhet të ketë e as të lejohet kurrfarë nismash rajonale të këtyre vendeve, sepse rruga e vetme e tyre është që sa më parë të anëtarësohen në organizma dhe institucionet Veri Atlantike, siç është NATO, BE-ja etj. Së pari, nuk mund të quhet kurrfarë iniciative apo marrëveshje Ballkanike, kur aty nuk janë të përfshira të gjitha vendet e Ballkanit, si: Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Greqia, Turqia, e as tri vendet e Ballkanit Perëndimor: Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Së dyti, që në fillim, duhet potencuar se cilat janë katër parimet kryesore të tregut unik, që po tentojnë këta zotëri ta formojnë në kuadër të vendeve të tyre, duke e kopjuar tregun unik të BE-së, e që janë: Liria e qarkullimit të mallrave, liria e ofrimit të shërbimeve dhe i themelimit të ndërmarrjeve, liria e qarkullimit të kapitalit dhe liria e qarkullimit të njerëzve. Nëse marrëveshja e nënshkruar më 29.07.2021, do të jetësohet më një janar 2023 si parashihet në dokumentin e Shkupit, atëherë në Shqipëri do të shpërlahen parat e mafive serbe e ruse, më mbështetje të shteteve të tyre, duke ndërtuar objekte ndërtimi, vila, ngritur uzina e fabrike, si dhe do ta pushtojnë bregdetin shqiptar turistët serb, maqedonas, rus etj. Kuptohet, nuk jam kundër zhvillimit të turizmit në Shqipëri, përkundrazi unë si ekonomist e konsiderojë lëmin e turizmit si pol të zhvillimit ekonomik të shteti amë. Mirëpo, ruset dhe serbët nuk vin vetëm për turizëm, këtë duhet ta dijë z. Rama dhe kushdo që vjen në krye të Shqipërisë. Ata tentojnë ta sllavizojnë strukturën ekonomike dhe në një formë të ndryshojnë strukturën e popullsisë në Shqipëri, siç bërën gjatë shek. XIX dhe XX ndaj Kosovës, e si tentojnë ta bëjnë edhe tani. Me këtë marrëveshje futet ekonomia dhe elementi serb (sllav) në Shqipëri me qëllime të caktuara politike dhe ekonomike për ta gllabëruar atë në periudhë afatgjate, sepse “kalaja merret për brenda” dhe daljen në detin Adriatik, duke i siguruar vetes daljen në ujërat ndërkombëtare. Andaj, duke parë se kjo marrëveshje nuk është në interes të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në fillim nuk e pranuan që të jenë pjesë e saj Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, si më parë edhe tani edhe Kosova. Andaj, këtë mundësi Vuçiqit (Serbisë), nuk ia dhanë as Bosnjë-Hercegovina ku ka rreth 50% serb, e as Mali i Zi ku ka mbi 40% serb, po ia ofroi Edi Rama (Shqipëria) ku nuk ka thuaja se aspak serb (ndoshta 1,0%). Bojkotimi ndaj kësaj marrëveshjeje i këtyre tri vendeve, më së miri tregon se “Mini-Shengeni”, apo “Ballkani i Hapur”, nuk është në interes të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, por paraqet projekt që në një formë të mundësohet jetësimi i synimeve të Serbisë e nëpërmjet saj edhe i Rusisë për dalje në det. Atë që në kohën e tij e thonte Nikolla Pashiqi: “Od Dunava do Skadra-Nga Danubi në Shkodër”. Është për të ardhur keq që Shqipëria (lexo: Edi Rama), bashkëpunon me Serbinë dhe Maqedoninë Veriore, duke e anashkaluar Kosovën. Kjo, thënë në mënyrën më të butë, paraqet fatkeqësi gjithëkombëtare. Edi Rama, duke përkrahur dhe mbështetur Vuçiqin me ketë marrëveshjeje, e cila ka për synim kthimin e Kosovës në krahinë të Serbisë, po e ripërtërinë historinë dhe po sillet si Esat Pasha dhe Ahmet Zogu me Nikolla Pashiqin, për krijimin e federatës Shqipëri-Serbi, si Enver Hoxha me Dushan Mugoshën dhe Milladin Popoviqin, për të bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë së Titos. Kryeministri Rama, duhet ta dijë se nëse ndonjë iniciativë, siç është kjo e Mini Shengenit, apo Ballkani i Hapur, vjen dhe përkrahet nga Serbia, patjetër se është për herë në dëm të shqiptarëve si komb, dhe e kundërta, atë nismë apo projekt që e kundërshton Serbia, është për herë në dobi të kombit tonë. Këtë më së miri e vërteton deklarimi i Vuçiqit në këtë tubim në Shkup kur thotë: “e mbështes Edin 100% çka do që thotë”, sepse e din qëndrimin dhe lojalitetin ndaj tij dhe Serbisë.

Çdo shtet i pavarur, ka të drejtë të bëjë koalicion bilateral dhe multilateral politik, ekonomik, arsimor, shëndetësor, kulturore etj. me cilindo vend tjetër të botës, në dobi dhe për interes të vendit dhe kombit të tij. Tani vetvetiu shtrohet pyetja. Cili na qenka interesi i Shqipërisë dhe i kombit tonë në tërësi, të jetë pjesë e kësaj marrëveshje, kur dihet se as politikisht, ekonomikisht, e as në pikëpamje gjithë kombëtare nuk është në favor të shqiptarëve, as andej e as këndej “gardhit”. Kjo marrëveshje, në pikëpamje politike, për Shqipërinë del se i kundërvihet anëtarësimit në BE, në pikëpamje ekonomike prodhuesit vendor do të konkurrohen nga mallrat e Serbisë dhe në pikëpamje kombëtare, pjesa veriore e Shqipërisë gjeografike-natyrore (Kosova) sfidohet, duke e lënë të izoluar. Andaj, z. Rama si Kryeministër i Shqipërisë, në rend të parë duhet të mbrojë interesin e vendit të vet, e nëse në damarët e tij rrjedh gjak shqiptari, duhet t’i mbrojë edhe interesat gjithëkombëtare, përkatësisht të gjithë shqiptarëve kudo që janë e jetojnë, aq më parë kur dihet se Shqipëria është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Z. Rama, një gjë duhet ditur se nuk ka ju dhe ne, por ka vetëm ne. Edhe sot Ribashkimi kombëtar nuk është tabu temë. Andaj, z. Rama duke pasur parasysh pjesëmarrjen e tij dhe nënshkrimin e marrëveshje në Shkup, vetvetiu shtrohen disa pyetje:

- si mund të bashkëpunohet e të bëhet mik personi, përkatësisht një ish ministër i informatave i njohur si anti shqiptar, në kohën e kasapit të Ballkanit Millosheviqit, i cili në luftën e fundit (1998-99), me ushtri, polici, paramilitar etj., bëri masakër dhe gjenocid në popullatën e pa fajshme civile të vëllezërve nga Kosova (nëse Z. Rama na konsideron si vëllezër edhe ne në Kosovë e gjetiu);

- të përkujtojmë se “shkit” e mikut të Z. Ramës, Vuçiqit, të cilin ai e quan mik, populli i të cilit gjatë luftës së fundit në Kosovë, kur ai ishte ministër i informatave, masakruan mbi 15 mijë civil të pa mbrojtur e të pa fajshëm, duke vra burra, gra, pleq, nga të cilët mbi 1.400 fëmijë në moshën një javore e deri në moshë 7 vjeçare, dhunuan mbi 20 mijë femra (edhe meshkuj), bile edhe shtatzëne, me mija kufoma u dërguan dhe u djegën në shkritoret e Serbisë, mbi 1.600 trupa ende të pa gjetur, e djegën shtëpi, objekte fetare, plaçkitje të ekonomive familjare e të subjekteve ekonomike etj, edhe atë vetëm pse ishin shqiptarë;

- Z. Rama e quan mik Vuçiqin, kurse në Kushtetutën e shtetit të tij në preambulë shkruhet “Kosova është Serbi, bile në enklavat serbe edhe anglisht: Kosovo is Serbia”, e i cili edhe botërisht në çdo takim edhe para ndërkombëtarëve edhe në deklaratat e tij, përherë përsërit slloganin e tij “Serbia kurrë nuk do ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur”, si dhe në çdo negociatë Kosovë-Serbi kërkon kompromis duke thënë “edhe ne duhet të marrim diçka”. Duhet të dihet se çdo pëllëmbë e trevave shqiptare, kudo që shkëputet, hiqet një pjesë e Shqipërisë gjeografike-etnike. Për këtë Kryeministri i Shqipërisë është dashur të reagojë, e jo të jetë bashkëveprues me Vuçiqin për ndryshimin apo korrigjimin e kufijve Kosovë Serbi. Andaj, miku i Z. Rama edhe tani nuk heq dorë nga hegjemonizmi dhe rikolonizimi i Kosovës. I qoftë për hair ky mik i tij, armik i përbetuar i kombit të cilit ai i takon (normalisht, nëse e konsideron veten shqipëtar!?);

- pse asnjë herë nuk e ngriti zërin si Kryeministër i Shqipërisë kundër dhunës ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Kosovës, ku me dhunë u shpërngulën me mija e mija shqiptarë nga shtëpitë dhe pronat e tyre, ku Serbia po ngritë koloni te vendi i quajtur “Lugina e Diellit”, me synim që të sjellë mbi 300 familje serbe nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia etj., e që kurrë nuk ishin banor të Kosovës, edhe atë me urdhër dhe ndihmën e mikut të Kryeministrit të Shqipërisë, z. Vuçiq;

- a e din z. Rama se në Serbi vijnë në pushtet vetëm ato parti dhe politikan që janë shovinist dhe antishqiptar, e që kanë pretendime hegjemoniste, e uzurpuese ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, duke u mbështetur edhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe të kishës, të cilët si të tillë kurrë nuk guxojnë ta pranojnë pavarësinë e Kosovës;

- asnjëherë nuk u ngrit zëri nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, edhe atëherë kur nga bandat serbe të mbështetur nga miku i tij Vuçiq, vranë disa policë shqiptar të cilët mbronin sovranitetin, territorialitetin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës, kur dihej se ajo ishte përzierje në punë të brendshme të një vendi të pavarur, siç është Kosova të cilën, ndër të parët e pranoi Shqipëria (gjë normale) dhe mbi 116 vende të botës, duke përfshirë edhe vendet më të zhvilluara, siç janë SHBA, vendet e Evropës Perëndimore etj.

- Z. Rama, si Kryeministër i Shqipërisë, nuk reagojë kur miku i tij si president i Serbisë, me gjithë arsenalin e tij shtetëror, lobon cep më cep botës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Andaj, duke pasur parasysh atë që u cek më sipër, e shumë gjëra tjera të pa thëna, Kryeministri i Shtetit amë të shqiptarëve, gjenë forcën të miqësohet me personin që mban qëndrime anti shqiptare, duke e mbështetur atë në realizimin e synimeve të tij (lexo: Serbisë dhe Rusisë), për ta rikolonizuar Kosovën dhe futjen e Ballkanit në zonën e interesit sllavo-ortodoks dhe të Rusisë, që ishte dhe është program nacional dhe ëndërr e tyre shekullore. Madje, Z. Rama e quan mik z. Vuçiq, kur dihet se populli i tij (serbet) me shekuj ka bërë gjenocid pas gjenocidi, spastrim territoresh etnike shqiptare (1878), kolonizimi të Kosovës (1913-1941), dhe aneksimin me dhunë të Kosovës (1945), si dhe synimet edhe të tanishme për rikolonizimin e këtyre tokave shqiptare dhe gllabërimin e Shqipërisë, duke izoluar dhe mënjanuar vëllezërit e tij të një gjaku-Kosovën. Çka është edhe më e keqja e krejt kësaj, Z. Rama ka edhe mbështetës dhe përkrahës të idesë dhe qëndrimeve të tij në formimin e “Ballkanit të Hapur”. Kështu, z. Nexhmedin Saqipi, në shkrimin e tij “Ballkani i Hapur”, rruga drejtë integrimeve evropiane, të botuar në “Bota sot”, më 31 korrik 2021, ndër të tjera shkruante: “Politikan e vizionar si Edi Rama, duhet mbështetur dhe të inkurajohen për punën që bëjnë në dobi të qytetarëve mes kufijve të ndarë në shumë shtete”. Andaj, z. Nexhmedin që po e quan Kryeministrin e Shqipërisë politikan dhe vizionar, është duke i bërë një shërbim të mirë Serbisë, kundër interesave të Kosovës, do të thoja edhe kombit në tërësi. Nëse, z. Vuçiq në këtë program Ballkani i Hapur, paraqitet si politikan i moderuar dhe luftëtar i paqes dhe stabilitetit në rajon, për z. Rama dhe z. Nexhmedin shtrohet pyetja. Pse atëherë, z. Vuçiq nuk e pranoi të firmos marrëveshjen e paqes që në takimin e fundit në Bruksel ofroi Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti. Ai në mënyrë cinike e arrogante e refuzoi edhe atë para përfaqësuesve të BE-së për ndërmjetësimin e negociatave Kosovë-Serbi. Atëherë, edhe për rreth kësaj z. Nexhmedin po e arsyeton projektin e kësaj treshe, duke përfshirë edhe Kryeministrin e Shqipërisë si politikan e vizionar, që marrëveshja tri-palëshe është në interes të Kosovës dhe Shqipërisë!!

Z. Kryeministër i Shqipërisë, në vend që të angazhohet për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizma dhe institucione ndërkombëtar dhe për të drejtat e shqiptarëve në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi, po pse jo edhe në Greqi e Turqi, si dhe lobimin që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, Ai po e bën të kundërtën, sepse, është duke bërë marrëveshje dhe aleanca me armikun tonë shekullor dhe të tanishëm, jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj kombit shqiptarë në tërësi, dhe me ketë po e dëmton dhe po e përdhos historinë tonë kombëtare. Andaj, z. Kryeministër, ne duhet të veprojmë si komb, kurse Lidershipi shqiptar kudo që gjendet në funksion dhe detyrë, me çdo kusht duhet të luftojë e të ruaj identitetin dhe interesat tona gjithëkombëtare. Në këtë drejtim ne shqiptarëve na mungon Platforma gjithëkombëtare, ku do të formoheshin organizma mbishtetërore (gjithëkombëtar), dhe nuk do të lejohej kurrfarë sjelljesh avanturistike të askujt në dëm të interesit gjithëkombëtar, kudo që të ndodhë në trojet etnike shqiptare. Kështu, Kryeministri i Shqipërisë me koalicione me Serbinë si armike shekullore e kombit shqiptar, po firmos marrëveshje me interes antikombëtar, duke i bërë Serbisë favore në dëmë të interesit të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe kombit në tërësi, duke i ofruar korridore për dalje në det, bile dhe portin e Durrësit, të Vlorës, e nesër ku dihet se çka do t’i ofrohet! Këtu me të drejtë duhet të citohet, i madhi Faik Konica kur thotë “O Zot ruaje Shqipërinë prej shqiptarëve”. Ky trio-grup, paraqet rrezik, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, NATO-në dhe Bashkimin Evropian e Ballkanin Perëndimor.

tjerash, z. Vuçiq (Serbia) nëpërmjet kësaj marrëveshjeje dhe në mbështetje të Kryeministrit të Shqipërisë z. Rama, tenton që “e kaluara të lihet pas”, të ecim përpara, që në vete nënkupton të mos përmenden spastrimet territoriale, uzurpimet e trojeve etnike dhe gjenocidet e Serbisë ndaj shqiptarëve, si dhe mos të kërkohen reparacione të dëmeve të luftës së fundit dhe mos të përmendet gjenocidi i bërë në Kosovë nga ana e Serbisë më 1998-1999. Mirëpo, kjo ide falë reagimit të opinionit dhe tri vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të mbesin në harres sikur ideja për korrigjimin apo këmbimin e kufijve. Interesi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është që sa më parë të anëtarësohen në BE dhe NATO, si dhe në organizma e institucione ndërkombëtare, e jo të bëhen asociacione me grup shtetesh, duke fuqizuar interesin e Serbisë dhe të Rusisë në depërtimin në Ballkan. Me interes të veçantë është reagimi i SHBA dhe të BE-së, që të pengojnë këtë nismë dhe këtë program, me ç’rast do të pengojnë depërtimin e Rusisë në Ballkan nëpërmjet Serbisë, si vend gjeostrategjik dhe zonë e tyre e interesit. Serbia e kupton vetëm gjuhen e forcës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat