Qëndrimi i ndërkombëtarëve ndaj konfliktit

Opinione

Qëndrimi i ndërkombëtarëve ndaj konfliktit

Nga: Muhamed Halili Më: 6 gusht 2021 Në ora: 11:32
Muhamed Halili

Fillimi i konfliktit të vitit 2001, gjykuar sipas komunikatave të para të UÇK-së, synonte bashkimin e tokave shqiptare. Gazetari Dejvid Bajnder, në të famshmen “Newsweek” të 22 marsit 2001, e citon Ali Ahmetin të ketë thënë: “Qëllimi ynë I vetëm  është t’i largojmë forcat sllave nga territori që historikisht është shqiptar”.

Kjo platformë e shpallur fillimisht  nuk hasi në mbështetje të asnjë force politike të asaj kohe brendapërbrenda shtetit, as në Kosovë, as në Shqipëri dhe në komunitetin ndërkombëtar. Presidenti Trajkovski reagoi duke thënë se bëhet fjalë për një grup “terroristësh” të infiltruar nga jashtë, se partite politike kanë kapacitet që mosmarrëveshtjet t’I zgjidhin vetë. Kryeministri i atëhershëm Lupço Georgievski deklaroi se agresioni vjen nga jashtë, gjegjësisht Kosova . Qëndrimi i PDSH në atë kohë shprehur nga goja e zavendëskryetarit të saj Menduh Thaçi dhe gati krejt udhëheqjes partiake ishte se bëhej fjalë për "një grup të vogël njerëzish të falimentuar, që e kishin humbur rrrugën e tyre me të cilët duhej të ndeshej shteti ligjor" të cilët, sipas tyre, synonin largimin nga skena politike të kësaj partie politike, gjegjësisht PDSH-në.

Reagimi më I ashpër erdhi nga diplomati I madh amerikan Richard Holbrook I cili negocoi me Milosheviqin për statusin e Kosovës dhe Bosnjës. Ai I dënoi aksionet ushtarake të UÇK-së se vinin nga jashtë duke theksuar se Maqedonia u sulmua nga ata të cilët I ushqeu me bukë gjatë luftës së Kosovës.

Një reagim të ashpër pati  Sekretari I atëhershëm I NATO-s Xhorxh Robertson.
 “….Të hënën që shkoi, në Shkup, qartë dhe me fjalë të ashpra ata thanë se janë kriminelë, vrasin njerëz të cilët  i shërbejnë vendit të tyre, nuk meritojnë përkrahje, dhe ata që I përkrahin duhet të ndalen ta bëjnë këtë” pate deklaruar  Xhorxh Robertson, Sekretar I përgjithsëm I NATO-s në Bruksel, në maj 2001…” (Dnevnik 17 maj 2001).

Me eskalimin e mëtejmë të konfliktit bëheshin edhe më të ashpra reagimet e komunitetit ndërkombëtar, si reagimet nga Departamenti i Shtetit, EU, Franca. Kështu gjatë ngjarjeve në Haraqinë State Departamenti amerikan lëshon një komunikatë ku thuhej se “SHBA ashpër I dënon akcionet ekstremiste të së ashtuquajturës UÇK dhe e kundërshton taktitën e saj ushtarake e cila synon ta rrënojë demokracinë maqedonase dhe rrezikojë stabilitetin regjional. Ne i ftojmë t’i japin fund dhunës dhe UÇK të tërhiqet menjëherë, duke filluar nga Haraqina. Me okupimin e Haraqinës, ekstremistës e kanë eskaluar konfliktin dhe paraqesin rrezik potencial dhe kërcënim për furnizimet e NATO-s. Aksionet e UÇK-së shkojnë drejtëpërsëdrejti kundër reformave politike duke i cënuar interesat e shqiptarëve etnik në tërë regjionin”, shkruente në komunikatë.

Por kështu nuk mendonte Ali Ahmeti . Në tekstin e saj botuar në “The New York Times” të 19 marsit 2001, të titulluar “Në front në Maqedoni: shou I rebelëve, Carlotta Gall ka cituar Ali Ahmetin të ketë thënë: “Personalisht unë jam për atë të gjithë shqiptarët të jetojnë sëbashku, por ne nuk jemi kundër institucioneve ndërkombëtare, siç është NATO; ne nuk duam të luftojmë kundër tyre dhe nuk duam t’i humbim aleatët tanë”. Ne duam që forcat maqedonase t’i lëshojnë territoret tona. Unë nuk e urrej askend, unë jam duke luftuar për çlirimin e territorit tim”.

Kur filloi konflikti diplomati I njohur amerikan Richard Holbrook, në një kolumnë të tij në “The New York Times” të 8 prillit 2001 shkruan: “...Poqese SHBA-të nuk u prijnë ngjarjeve atëherë ngjarjet do t’i prijnë asaj...Lufta e pestë Ballkanike ka filluar në Maqedoni dhe Washingtoni do të përballet me sfidat si ato në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë...”

Sfida më urgjente është Maqedonia. Më së shumti ngelin vetëm javë për ndërmjetsim të pengohet lufta civile mes maqedonasve sllavë dhe anëtarëve radikalë të minoritetit shqiptar. SHBA duhet të ketë emruar një emisar të rangut të lartë qartazi ta përfaqsojë administratën e Bushit krahas përfaqsuesit të BE-së Havier Solana...” 

Analisti politik i CNN Robin Oakley në vështrimin e tij citon përfaqsuesin e BE-së për Maqedoni  François Leotard, para nisjes së misionit të tij ndëlrmjetsues të ketë thënë: “ Maqedonia është domino e fundit në krizën jugosllave. Nëse ajo ndjek rrugën falso domino tjera mund ta ndjekin. Dështimi në Maqedoni, e ka tërhjekur vëmendjen ai, mund ta vëjë në pikëpyetje gjithë atë që është arritur në Bosnjë dhe Kosovë”
Duke folur në selinë e NATO-s në Bruksel, më 13 qershor 2001, presidenti amerikan George w. Bush ka theksuar: “Ne pajtohemi se duhet t’i mposhtim ekstremistët në Maqedoni dhe gjithkund ata të cilët kërkojnë të përdorin dhunën, t’i ndryshojnë kufinjtë dhe përmbysin proceset demokratike”.

“Unë dua t’ju përkujtojë, vazhdon Bush, se KFOR ka trupa në kufi dhe ne duhet ta vazhdojmë praninë e tyre në kufi të  pengojmë kryengritësit dhe armët të mos bien në duart e ekstremistëve shqiptarë, por ndjenja që unë e hetova këtu është se ende ka mundësi për marrëveshtje politike, një mundësi e mirë, dhe ne duhet të punojmë për këtë zgjidhje”.

Qëndrimi i presidentit amerikan George W. Bush i cituar më lartë si dhe ai i George Robertson ish Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, i cili citohet të ketë thënë se “rebelët shqiptarë duhet të binden se procesi i reformave që ata thonë se i synojnë, mund të arrihen vetëm me mjete demokratike”  është pasqyruar në parimet themelore në pikat 1.1 dhe 1.2 të Marrëveshtjes së Ohrit ku shkruhet:
1.1    Përdorimi i dhunës për arritjen e qëllimeve politike hudhet poshtë plotësisht dhe është i pakushtëzuar. Vetëm zgjidhjet politike mund të sigurojnë ardhmëri stabile dhe të ardhme demokratike për Maqedoninë.
1.2    Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pacënueshëm dhe duhet të rruhen. Nuk ka zgjidhje territoriale për çështjtet etnike.

Me 26 qershor 2001 Anna Lindh, Javier Solana dhe Chris Patten dalin me qëndrim të përbashkët për zhvillimet në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ku thuhet: “ Ne ashpër dënojmë dhunën e shprehur mbrëmë në Shkup. Ne nuk do të tërhiqemi nga përcaktimi ynë të bëjmë gjithë atë që është në fuqinë tonë-të punojmë ngushtë me NATO-n dhe organizatat ndërkombëtare, ta ndihmojmë qeverinë e zgjedhur demokratike në Ish Republikën jugosllave të Maqedonisë të arrijmë zgjidhje në kët krizë nëpërmjet dialogut dhe ta rikthejmë paqën dhe qetësinë për të gjithë qytetarët. 

Ngjarjet e natës së kaluar nënvizojnë thellësinë e situatës duke e konfrontuar çdo qytetar të IRJM. Konflikti nuk përcakton fitues por vetëm vuajtje dhe ditë zie. Ende ka gjasa për rikthimin e paqës dhe stabilitetit…”
Diplomacia Preventive: SHBA, BE, OSBE,NATO

Qartë shihet se rekomandimi I diplomatit Holbrook që SHBA-të të angazhohen në zgjidhjen e krizës i pati efektet e veta, aq më tepër kur janë në pyetje rekomandimet e një diplomati të rangut të tij botëror.

Diku në 11 mars 2001 nga Ambasada amerikane në Shkup në zyrën e PPD-së na njoftuan se zyrtarë të lartë amerikanë duan të takohen në Rezidencën e ambasadorit amerikan Mike Einik në Shkup në lidhje me luftën. Ambasadën e informuam se kryetari i PPD-së Dr. Imer Imeri dhe unë në cilësinë e Sekretarit të përgjithshëm të PPD-së do të takohemi me delegacionin amerikan. Më 12 mars 2001 diku prej orës 20 në Rezidencën e Ambasadorit Mike Einik (në mungesë të ambasadorit i cili rinte në një dhomë tjetër) patëm takime të ndara së pari unë e pas meje Imer Imeri me një delegacion të lartë ekspertësh politik e ushtarak amerikanë kryesuar nga James Pardew, i emruar i dërguar special i presidentit Bush për ndërmjetësim në konflikt. Pardew kishte pasur një eksperiencë të madhe në shërbimet intelegjente amerikane dhe interesohej të dijë çdo detaj. 

Unë atëherë kisha fare pak informacione se kush ishin ata që bënin luftë ndërsa mendoj se Dr. Imeri posedonte informacione më të mëdha sepse kishte lidhje të ngushta me lëvizjet leniniste-enveriste por frikohej t’i shpalos nga përvoja e idhët që e pati në Aferën e armëve disa vite më parë. Në pyetjen e Pardew se kush janë ata që bëjnë luftë unë u pëgjigja se nuk kam informacione të sakta por rebelët thirren se kanë përkrahjen e NATO-s dhe Amerikës. Ndoshta më tepër do të mësoni nga Emrush Xhemaili, vazhdova unë, një leninist-enverist i cili pak ditë më parë deklaroi se partia që ai e kryeson ( Partia Popullore e Kosovës), "e mbështet luftën çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë". Pasi e dëgjoi këtë prononcim Pardew rrufeshëm ma ktheu: "Jo, SHBA nuk përkrahin ekstremistë. Ne përkrahim forcat e zgjedhura legjitime politike".
Vonë me Dr. Imerin u kthyem në  Tetovë dhe rrugës nuk këmbyem asnjë fjalë në lidhje me takimin. Të nesërmen, më 13 dhe 14 mars 2001 Pardew ka pasur takime me liderët politik në Kosovë, mes tjerash edhe me Emrush Xhemailin .

Korrespondenti i Radio Evropa e lirë ( RFE-RL) Jolyon Naegele  më 15 mars 2001 nga Prishtina , mes tjerash, pat raportuar si vijon: "...Këshilltari special për Ballkanin i presidentit të SHBA dhe Sekretarit të shtetit, Ambasadori James Pardew, natën që shkoi e shprehu dënimin e SHBA-ve për dhunën që dje  kaploi në dhe përreth Tetovës në veriperëndim të Maqedonisë..." Ekstremistët shqiptarë shkëmbyen zjarr me policinë në afërsi të kalasë dhe demostrantët në qendër të Tetovës e sulmuan kamerën e një TV stacioni maqedonas privat (A1).

Gazetari Naegele raporton se në konferencën për shtyp Pardew të ketë thënë: "...Ne ftojmë popullin shqiptar të Kosovës dhe atë në Maqedoni të bëjnë çmos që të ndalin këtë dhunë dhe t’i dënojnë ata që kanë marrur aksion dhe e kanë shkaktuar këtë… ne besojmë se ky është një grup i vogë ekstremist të cilët thjeshtë  bëjnë përpjekje të mbjellin frikë dhe përdorin dhunë për promovimin e (agjendës) politike..." 
Naegel raporton se Pardew në takimin e tij me Emrush Xhemailin i ka thënë se një parti që në Kosovë ka fituar 8%  të votave në zgjedhjet lokale nuk mund të përfaqsojë të drejtat e të gjithë shqiptarëve.

Pardew mbaroi misionin e tij disa ditësh dhe u kthye në SHBA por luftimet vazhduan.  
Më 26 mars 2001 pas lëshimit ë pozicioneve në Kala të Tetovës dy ditë më pare, Tetovën e vizituan Sekretari britanik për punë të jashtme Robin Cook dhe Havier Solana, diplomati spanjoll i ngarkuar për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së. Ata së pari erdhën në biseda në selinë e PPD-së që gjindej në qendër të Tetovës dhe pas kësaj sëbashku me ne më këmbë e bënë një xhiro në  qendër dhe hyrën në selië e PDSH-së.

Në takimin që e bëmë në PPD atyre ua dhamë një Memorandum se si PPD i sheh gjërat duke kërkuar hapjen e një dialogu politik shqiptaro-maqedonas në lidhje me pozitën kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni, barazinë e plotë të gjuhës shqipe me maqedonishten, përfaqsimin proporcional në institucionet e shtetit etj.

Më 27 mars në Reportweb botohet Qëndrimi i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për ngjarjet në Maqedoni ku Robin Cook drejtuar deputetëve në Dhomën e komunave të ketë thënë: "...Të dielën armata e Maqedonisë e ka zhvilluar një operacion ta rikthejë kodrën sipër Tetovës. Operacioni duket se ka pasur sukses dhe ekstremistët e armatosur i kanë lëshuar pozicionet e tyre. 

Të dielën në mëngjez bisedova me presidentin Trajkovski , vazhdon më tej Cook, dhe ia vura në dije rëndësinë që operacionet të jenë proporcionale me rrezikun dhe të përmbahen nga aksionet të cilat mund të shkaktojnë viktima civile. Më poshtë Cook referon se ka biseduar me Solanën të marrin një nismë për realizimin e aspiratave legjitime të shqiptarëve.

Ndërsa e përditshmja e njohur britanike e "The Guardian" e datës 27 mars 2001 shkruan se  Havier Solana "...ka riafirmuar mbështetjen për një zgjidhje paqësore të konfliktit duke i inkurajuar rebelët shqiptarë ta lejojnë procesin politikë të zhvillohet lirisht dhe ta bëjë rrugën e tij... Ju duhet të gjeni zgjidhje të problemeve jo me pushkë por me negociata" -ka thënë ai pas takimit me liderin etnik shqiptar Arben Xhaferi.
Bashkimi Evropian ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në ndaljen e eskalimit të mëtejmë të konfliktit.  Më 19 mars 2001 ministrat e jashtëm të BE-së sollën një pako vendimesh me qëllim të mbështetjes së qeverisë së Maqedonisë. Në këto masa përfshihenin kontrolli I kufinjëve dhe promovimi I marrëdhënieve ndëretnike. 

Më 19 prill 2001 Maqedonia nënshkruan Marrëveshtjen për stabilizim dhe asocim me BE-në (SAA) dhe bëhet vendi I pare në Evropën jug-lindore të ketë shkruar një marrëveshtje të tillë me Bashkimin Evropian. BE I akordon ndihmë prej 36 milion dollarë në vitin 2001. Në shtator 2001 komisioneri I BE -së  Chris Patten nënshkruan një marrëveshtje finansiare me Maqedoninë në vlerë prej 39 milion dollarësh. Bashkimi Evropian disa here konstatoi se do ta mbështes fuqimisht Maqedoninë pas arrijtjes së marrëveshtjes për ndaljen e konfliktit.
Pasi e përshëndeti nënshkrimin e marrëveshtjes më 13 gusht midis partive politike në Maqedoni BE premtoi organizimin e një konfefrence donator në gjysmën e dytë të tetorit 2021 pasi të implementohen amandamentet në kushtetutë. Konferenca u mbajtë më 12  mars 2002 dhe u grumbulluan 500 milion euro që duhej të shërbejnë për balancin në shpenzimet buxhetore, proejekte të rindërtimit, projekte të zhvillimit dhe implementimit të marrëveshtjes kornizë.

Gjatë konfliktit dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit Havier Solana, përfaqsues I lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian pati disa misione diplomatike në Shkup dhe kjo u cilësua si rezultat I lartë I politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. BE e emroi François Leotard për Përfaqsues special në Maqedoni, I cili më vonë zavendësohet nga Alain Le Roy.

"Platforma frowik" dhe ndërprerja e bisedimeve

Muaji mars i vitit 2001 ishte muaji i intensifikimeve të luftimeve posaçërisht në regjionin Kumanovë-Likovë. Bombardime të shumta të vendanimeve shqiptare bëheshin çdo ditë nga artileria e rëndë e ARM-së ndihmuar me ndihma ushtarake të Bullgarisë dhe posaçërisht Ukrainës. Nga këto bombardime më së shumti pësuan civilët. Establishmenti ushtarak i ARM-së kërkonte nga popullata që ata ti braktisin vatrat e tyre që pastaj të merrnin aksione ushtarake kundër UÇK-së por popullata me ngulm e refuzonte këtë  dhe ata qëndronin në vatrat e tyre. Komuniteti ndërkombëtar duke parë se situata eskalon gjithnjë e më tepër e bëri planin e tij për ndërmjetësim paqësor. Në këtë kohë dy partitë politike shqiptare PDSH dhe PPD ende mbanin pozita diametralisht të kundërta në lidhje me luftën.

Pas gjithë këtyre aktiviteteve të diplomacisë evropiane  dhe  të  SHBA edhe OSBE kishte vendosur ta jep kontributin e saj për rivendosjen e paqës dhe me 21 mars 2001 nga qendra e saj në Vienë kumtojnë se kryesuesi i OSBE-së, ministri i jashtëm rumun Mirçea Xhoana kishte caktuar diplomatin amerikan Robert Frowik për ndërmjetësim mes liderëve politik në Maqedoni për të gjetur një  zgjidhje paqësore të konfliktit.
Në një intervistë për Deutche Welle ( Susan Allen Nan and Andrea Strimling,2003) Robert  Frowik pat deklaruar : "...Gjithashtu unë pata tre udhëtime në Maqedoni sepse tashmë dy vite mua më thirrën në rrethana. ekstremisht të vështira kur filloi të ashpërsohet lufta midis shqiptarëve etnik dhe maqedonasve, si përfaqsues personal i kryesuesit të OSBE-së, një pozicion ky që ndron me rotacion çdo vit dhe pozitë kjo e cila kryesohej nga ministri i jashtëm rumun Mircea Xhoana. Unë pata mbështetje të lartë nga Vashingtoni të promovojë dhe t’ju jap fund luftimeve dhe fillimit të procesit të paqës. Si shembull është letra e presidentit Bush dërguar presidentit të Maqedonisë Boris  Trajkovski. Unë isha involvuar dhe bëja presion të fortë ndaj liderëve legjitim politikë në anën shqiptare qofshin ata nga Maqedonia, Shqipëria apo Kosova ata t’i ndalin luftimet dhe t’i bindi të angazhohen nën lidershipin politik të Trajkovskit në këtë proces, Collin Powel (Sekretari i jashtëm amerikan-shënimi ynë) dërgoi letër duke i mbështetur përpjekjet e mia, që nxiti vëmendjen e popullit posaçërisht në palën shqiptare".

Pasi kishte ardhur në Maqedoni e nisi misioni e tij me takime të ndara me përfaqsues të PPD-së, PDSH-së dhe presidentit Trajkovski. Një ditë me thirrjen e tij në Zyrën e OSBE-së në Shkup në bisedë u gjindem unë, Ismet Ramadani dhe Naser Zyberi. Ambasadori Frowik na informoi për mandatin e tij politik dhe qëllimet e ardhjes së tij. Duke e potencuar faktin se ai nuk guxon të takohet me terroristë e la mundësinë indirekte që këshilltari i tij politik David Foley të takohet me komandantë lokalë të UÇK-së e të bisedojnë për mundësinë e shpalljes së armëpushimit të dyanshën në aksin Kumanovë-Likovë ku bëheshin granatime të mëdha dhe luftime  të ashpra. Nga ana e jonë Ismet Ramadani i premtoi Frowik-ut se ai mund ti bëjë një lidhje këshilltarit të tij politik me komandantë lokalë, gjë që më vonë e kishte bërë.

Gjatë prillit dhe fillimi i majit ne bëmë tre takime pune me Ambasadorin Frowik.  Nga ato takime në bazë të informacioneve dhe kërkesave tona Frowik  e bëri një plan prej dhjetë pikash për ndalimin e luftimeve, me të cilin plan ishte njoftuar rregullisht presidenti Trajkovski por jo edhe partitë politike maqedonase. Plani Frowik parashihte ndërprerjen dyanëshe të luftimeve, intervenimin e organizatave humanitare dhe shëndetsore nëpërmjet  Kryqit të kuq ndërkombëtar dhe gjysëmhënës së kuqe, demobilizimin e ushtarëve vendas duke i nxjerrur uniformat ushtarake dhe vazhduar lirshëm si civil, ushtarët që vinin nga Kosova t’i nxjerrin uniformat e tyre dhe ta lënë armatimin në istikame dhe në grupe të organizuara të ktheheshin në Kosovë  në rutat që i mbante KFOR nën kontroll, të shpallej amnestia e përgjithëshme e ushtarëve të UÇK-së, forcat e OSBE-së dhe KFOR-it javën e parë ta kontrollojnë Zonën ndërsa pas  dhjetë ditëve policia e Maqedonisë e përforcuar me policë shqiptarë që ishin të paktë në numër të marrin kujdesin ndaj këtyre fshatrave. 

Pakoja e dytë e Planit Frowik përmbante fillimin e bisedimeve politike në lëmitë ashtu siç i përcaktuam bashkë si statusi kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni (Preambulla) statusi zyrtar i gjuhës shqipe, përfaqsimi i barabartë në organet dhe institucionet e shtetit, regjistrimi i popullatës të gjitha këto të lidhura me ndryshimet kushtetutare për të cilën gjë politikanët maqedonas ishin alergjikë dhe kundërshtonin.

Pas hartimit të Planit Frowik gazetarët maqedonas zbuluan se janë bërë biseda mes presidentit Trajkovski dhe partive politike shqiptare për ndërprerjen e luftës, këtë gjë e politizuan skajshmërishrt dhe ashpër reaguan edhe partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM. Kjo ishte koha kur ishte java e parë e punës së Koalicionit të zgjëruar kur ministrja e jashtme Ilinka Mitreva kërkoi nga Frowik ta lëshoj vendin, gjë që ai e bëri me elegancë.

Para se te merr vendim ta lëshojë vendin Frowik qe akuzuar nga OSBE dhe Departamenti i shtetit se ai kishte punuar kokë më vete dhe nuk kishte përfaqsuar as OSBE-në e as Departamentin e shtetit. Kjo u bë me qëllim që të ulen gjakrat te maqedonasit të cilët akuzonin SHBA-të dhe botën perëndimore se u ndihmojnë shqiptarët.

Kolumnisti I njohur I gazetës britanike  “The Guardian”, Jonathan Steel në numrin e 29 majit 2001 pat shkruar se “nuk është e qartë athua Frowick, i cili është i dërguar special i OSBE-së, ka vepruar kokë më vete, ose ajo që është më e besueshme, në emër të qeverive të cilat mund ta hudhnin atë poqese gjërat e mernin të mbrapshtën”.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat