Arben Vitia ministër i mirë por po keq qeverisë, edhe çka duhet të bëjë ai ta kuptojmë se kush është

Opinione

Arben Vitia ministër i mirë por po keq qeverisë, edhe çka duhet të bëjë ai ta kuptojmë se kush është

Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota Sot Nga Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota Sot Më 4 shtator 2021 Në ora: 15:32
Arben Vitia

Gjithnjë në njëfarë amullie dhe pa u këndellur, shoqëria kosovare edhe sot e kësaj dite po vazhdon të hesht kur duhet të flas, ndërsa flet kur duhet të hesht. Janë shumë gjëra që do të doja t’i shihja ndryshe te shoqëria e vendit tim, por kësaj radhe do të merrem me njërën nga shëmtitë më të çoroditura që ndodh këto ditë, pra me një ministër të mirë siç po tentojnë ta shesin disa në Prishtinë, ndërsa ky far ministri vërtet po keqqeverisë, për të mos thënë shkurt e shqip ‘po qeverisë për faqe t’zezë’.

Në një vend dhe te një popull normal, as që do të bëhej fjalë për këso hipokrizish, sepse gjëra të tilla nuk i duron populli, edhe nëse politika ua servir, thjesht populli ka masa për ta larguar një keqbërës. Pas dështimit të sigurimit të vaksinave me kohë, sikur krejt vendet tjera ose thënë më thjeshtë, pas refuzimit të vaksinave të cilat i kishte nënshkruar kontratat paraardhësi i tij, këtu haptazi u pa se ky ministër nuk do të duhej të qëndronte më në atë detyrë, edhe përkundër se shefi i tij i madh e ka simpatik, por puna shkoi edhe më tej, kur ky far ministri e bëri vendin, pra shtetin e ri më të fundit që të fillojë vaksinimin, pastaj edhe kur filloi vaksinimi, ky person, sigurisht me sejmenët e tij, bënë që Republika e Kosovës të jetë vendi me më së paku të vaksinuar në botë. Edhe kjo ju duk pak dhe shëmtia vazhdoi deri aty ku, mbi 130 mijë vaksina u desh të hidhen, sepse u skadoi afati dhe kjo madje më befasoi, pse shoqëria civile heshti pothuajse krejt dhe as që u mor kush me ketë problem aq të madh, në kohën kur vaksinat i duhen popullit tejet shumë.

Ministër i mirë thanë se është, por çuditërisht ky njeri jo se nuk po di të qeverisë, por sikur e ka marrë për detyrë që qëllimisht ta degradojë shëndetin publik dhe si rrjedhojë ta dëmtojë të ardhmen e popullit. Shih numrin e vdekjeve dhe rasteve të reja, ku shënohen rekorde të zeza, teksa Kosova është futur në vendet me më së shumti rrezik dhe edhe kjo shikohet qetë dhe pa iu rrudhur syri këtij ministri të mirë dhe as shokëve të tij në qeveri dhe në pari, e cila po qeverisë vendin. Nuk di vend tjetër i cili ka një ministër të mirë, por që rastësisht, apo edhe qëllimisht po qeverisë për faqe të zezë, sikur ne e kemi Vitinë, mirëpo edhe kjo do të kalojë, fundja do të dëmtohemi shumë nga pandemia, por dikush do të shpëtojë, mirëpo krejt halli është se çka të bëjmë me ketë person, sepse ky far njeriu-ministër e ka punën edhe më thellë, pra se si të bëhet kryetar i kryeqytetit, Zot mos e shkruaj të ndodhë.

Puna e ministrit ju duket pak për të partiashëve të tij, prandaj këtu edhe na del krejt esenca e një ministri të mirë, i cili nuk po do të qeverisë mirë, besa edhe nuk di, ngase edhe për shkollimin e tij ka goxha dilema, po kjo pak është me rendësi, mirëpo rezultati definitivisht po del tragjik. Kosova po trajtohet si pikë e zezë, sa i përket rasteve të reja të te infektuarve nga vendet e BE-së, por kjo duket se nuk po e shqetëson as shefin e ministrit, pra ministrin e madh Albin Kurtin, sepse edhe ai nga ana e tij, sipas detyrave që duket se i ka marrë nga dikush, përditë po gërmon në raportet me Shqipërinë, për ç’gjë për shumë vite ishte bytrinur. Ai nuk përmbush as detyrimet ndërkombëtare, as ato kombëtare dhe si rrjedhojë po vazhdon të tallet me popullin fatkeq, i cili kësaj radhe i besoi pa masë. Meqenëse po flasim vetëm për njërën nga shkaqet e situatës shëndetësore, që sot paraqet një rëndësi të madhe, ose thënë më mirë kryengjarja për popullin e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë për disa kohë nuk kishte as termine për vaksinimin e popullatës, ndërsa ky far ministri dhe madje edhe eksponentë të qeverisë së tyre, pa asnjë keqardhje dalin dhe propagandojnë për ketë njeri, e vendi po kalon një përiudhë shumë tragjike, me vdekje të shumta dhe kur ndonjë vend mik premton se do të jep donacion disa vaksina, ata dhe ato mburren. Tallja me popullin vazhdon, ndërsa ministri del dhe pa i ardhur fare turp thotë se i kemi refuzuar disa vaksina. E pakuptueshme kjo punë nëse shikojmë nga aspekti parimor, por këtu as që bëhet fjalë për parime, e besa as për frikë, sepse po të kishin frikë ose nga ligji, ose nga populli, këta persona së bashku me ministrin e tyre krejt më ndryshe do vepronin, prandaj njerëzit që vdesin na dhimbsen shumë se janë pjesë e jona, ndërsa ata dhe ato që do të shpëtojnë është më mirë që ta kuptojnë sa më herët se duhet larguar ky ministër me shokët e tij dhe duhet dërguar ku e kanë vendin, pra në burg.

Fundja nuk e di edhe çka i ka mbetur për t’i bërë më zi këtij popullit që ta kuptojë se ministri ‘i mirë’ po keqqeverisë, ndërsa populli ditë për ditë po dëmtohet si pasojë e kapriçove të tij dhe shefave politik që vetëm zi i bënë që kur erdhën në pushtet këtij populli dhe vendi. Dhe krejt për fund, për hir të opinionit dhe lexuesve, unë nuk e njoh dhe kurrë nuk e kam takuar ministrin në fjalë dhe as që kam të bëjë me të, por kur duhet të mbrohet interesi i përgjithshëm, detyrohem të shkruaj dhe flas, prandaj nuk e kam me ministrin por parimisht me parimet dhe mbi të gjitha në mbrojtje të interesave të popullit tim dhe vendit të cilit i kemi borxh çdo gjë që na dha Zoti. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin shqiptarë. Me besimin në Zotin edhe këto sfida do t’i kalojmë dhe edhe ne të jemi si popujt tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat