A duhet të shtyhen zgjedhjet?!

Opinione

A duhet të shtyhen zgjedhjet?!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 8 shtator 2021 Në ora: 09:05
Foto ilustruese

Situata aktuale me pandeminë ka bërë që të rriten zërat për tkurrje të fushatës parazgjedhore nga tridhjetë ditë në dhjetë ditë, disa edhe në pesë. Kompetente për një gjë të tillë është KQZ, e cila mund të marrë vendim krahas kërkesës së IKSHPK-së. Natyrisht se nëse mbahet fushatë për zgjedhjet e 17 tetorit, do të kemi rritje të numrit të të infektuarve, njësoj siç ndodhi pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Edhe ata që kanë propozuar zvogëlim të fushatës e kanë pikërisht për fushatë këtë kërkesë që të rritet mazhi i tyre te populli, nën arsyetimin human të jetës së qytetarëve, sa hipokritë. Janë po të njëjtit që e kanë vjedhur këtë popull për 20 vjet, tani qenkan kujtuar se duhet mbrojtur jeta e tyre.

Sipas mendimit tim, zgjedhjet duhet të shtyhen për gjashtë muaj, të cilën gjë mund dhe e ka kompetencë presidentja Osmani, gjithnjë duke pasur parasysh situatën aktuale me pandemi. Pavarësisht se zgjedhjet me pandemi janë mbajtur edhe në shtete tjera, duke njohur kapacitete aktuale të vendit tonë, sidomos me spitalet e tejmbushura, gjykoj se shtyrja e zgjedhjeve është rruga më e mirë e mundshme. Me afrimin e stinës së vjeshtës, ftohja e motit do të ndikojë dukshëm që të ketë shtim edhe më të madh të të infektuarave, për më tepër edhe paralajmërimet se varianti i ri “MU” po troket në derë, një variant që thuhet se shpërndahet edhe më shpejtë se Delta, atëherë çdo veprim tjetër pos shtyrjes do të jetë fatale për qytetarët e vendit tonë. Besoj se zonja Osmani do ketë parasysh këto dhe shumë faktorë të tjerë për të vepruar në mbrojte të interesit të qytetarëve të vendit.

Tanimë fushata ka filluar, e bezdisshme të sodisësh se si mundohen të përfitojnë edhe me vdekjen e të tjerëve. Janë kaq fals, kaq të pështirë se s’mund të imagjinohet dot. Këta që thonë se duhet zvogëluar fushata, janë po të njëjtit që me muaj kanë filluar fushatat me salla plot e për plot, janë po të njëjtit që akuzojnë qeverinë për dështim derisa vet i mbushin sallat me qindra e qindra qytetarë.

S’ka asgjë për tu habitur nga ata që deri dje ishin në pushtet, janë po ata që kanë vjedhur edhe në varreza të dëshmorëve, janë të njëjtit që me vdekjet e të tjerëve mundohen të përfitojnë. E të tillët nuk i duhen vendit, fatmirësisht janë në opozitë. Për ca vota bëjnë fushatë më vdekjen e të tjerëve. Nëse do të kishin sado pak ndërgjegje, s’do flisnin fare për fushatë, do të bëheshin të gjithë një në luftë me pandeminë, të shpëtojmë nga vdekja, pastaj rivalitetit politik shihet, pastaj bëjnë fushata, deri atëherë të mbyllin gojën, nëse s’mund të bëjnë gjëra të mira, së paku mos të flasin. Kaq mund të bëjnë për qytetarët, më shumë nuk pritet nga ata që kanë vjedhur ditë e natë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat