Profesori i turpit shqiptar

Opinione

Profesori i turpit shqiptar

Fahri Xharra Nga Fahri Xharra Më 11 shtator 2021 Në ora: 16:58
Rigels Halili

“Këngët epike të Ballkanit shpesh kanë qenë kryesore në ndërtimin e ideve të diskutueshme nacionaliste. Në fakt, ata këndojnë një histori të përbashkët”- nuk është e vërtetë që këngët epike të Ballkanit t‘ishin çelësi i ideve nacionaliste tek banorët e saj. Nuk është e vërtetë që ato e këndojnë një histori të përbashkët.

Nuk e di se pse ia fillova me atë fjali në anglisht, por ajo ishte rezymeja e punës së Z. Rigels Halilit, antropolog, historian, filolog dhe profesor në Qendrën për Studime të Evropës Lindore në Universitetin e Varshavës dhe në Institutin e Filologjisë Sllave në Univeristetin e Torunit në Poloni.

Një djalë i zgjuar i lindur në Gjirokastër dhe tani jeton dhe vepron në Poloni, por….

Një gjë e kam konstatuar gjatë leximit dhe konsultimit të shtypit, librave dhe çdo gjëje të shkruar tek serbët, se nëse ata të lavdërojnë, ngrinin himne për dikë (ndonjë shqiptar), atëherë duhesh të kesh një rezervë të madhe ndaj punës dhe veprimtarisë së të përmendurit. Ashtu edhe ndodhi për Rigelsin. Unë lavdet dhe shkrimet për shqiptarët nga serbët i marr me plotë rezervë.

Profesori Rigels Halili nga Gjirokastra nuk më pëlqeu aspak me librin e tij “Narod i njegove pesme” (Populli dhe këngët e tij, e botuar në edicionin shek. XX. një libër me hulumtime krahasuese të epikës serbe dhe shqiptare në kontekstin historik, politik dhe letrar. Kur thotë që në epiken e serbëve dhe shqiptarëve nuk janë vetëm lahutat e përbashkëta, profesorit i them një gjë që serbët nuk kanë lahutë të veten, e nëse e ka dëgjuar ndonjë këngë me lahutë të kënduar serbisht atëherë ajo është malazeze, por edhe malazezët lahutën e kanë nga ne.

I pyetur nga gazetarët që një shqiptar i Shqipërisë të merret me studimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare, ai përgjigjet : “Dikush duhet ta bëjë këtë studim dhe e vendosa. Ne me serbët jemi fqinj, i kemi problemet tona e kemi historinë e rëndë ndër veti, e kemi dramën, e kemi komedinë dhe tragjedinë në mes veti; dhe ja të fillojmë të shkruajmë diçka ndryshe. Nuk desha të jam publicist e as gazetar se pse unë jam shkencëtar dhe dua të punojë në mënyrë shkencore.”

Unë e përgëzoj profesorin për dëshirën e tij pajtuese me serbët, por shkenca nuk ka shpirtbardhësi (gjenerozitet ), shkenca e ka të vërtetën dhe asaj duhet t`i përmbahemi kurse profesori thotë «Gjithsesi, kushdo që i mori këto instrumente në dorë me siguri nuk ishte as shqiptar as serb siç i njohim sot«. Pra, sipas tij Lahuta nuk është as shqiptare e as serbe.

Në intervista e ndryshme të mediumeve serbe që Rigels Halili flet, shihet që ai e kërkon një afrim miqësor me serbët jo në bazë shkencore duke e ndarë të bardhën nga e zeza por e luan “qengjin e butë që i thithë dy nëna”.

Kur gazetari i portalit “Kosova për Sanxhakun” e pyet se pse ishte kritik kundër Kadaresë dhe librit të tij « Dosja H«, ai përgjigjet se nuk e di se “a kam qenë kritik, problemi qëndron aty që ai roman lexohet si punim shkencor, çka nuk është e vërtetë për romanin”.

Rigelsin e pengon dhe e kritikon Kadarenë sepse porosia e librit të tij është se “këngët shqiptare janë më të mira dhe se janë homerike, kurse krijimet e të tjerëve (në këtë rast serbëve fxh) janë kopje të gjalla.

Rigelsi thotë se Kadare e ka shkruar librin në vitet e tetëdhjeta, se sikur të e shkruante sërish do të thoshte “se një serb dhe një shqiptar do të shkruanin këngën e tyre në mënyrë të njëjtë”.

Pra, profesor Rigels Halimi nuk e pranon të vërtetën shqiptare qe jemi popull homerik, por e barazon epikën (vjetërsinë e kombit) shqiptare me atë serbe.

Pika më e nxehtë për serbët është “Eposi i Kreshnikëve” që serbët mundohen në çdo mënyrë ta përvetësojnë si të tyre, profesori është shumë i pa definuar dhe jo i prerë në këtë tematikë.

Serbët e kanë edhe problemin tjetër historik, që me anën “shkencore” të shqiptarëve të fitojnë në lashtësinë e tyre historike dhe të jenë bile edhe më të vjetër se ne.

Profesori e merr edhe një rol tjetër të arbitrit në gjykimin e planeve të dy akademive, të asaj shqiptare dhe asaj serbe dhe thotë: Akademikët nuk janë përgjegjës për krime lufte.

Profesor, më duket që nuk e paske lexuar asnjë dokument të SANU-s serbe dhe të lutem mos i barazo gjërat. E sa i përket akademisë shqiptare të them se ndër ta nuk kishte kurrë shpirt shqiptari. .

(Profesori i Varshavës i paska analizuar këto dy dokumente: (Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (1986) dhe Platforma për Zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare (botuar nga Akademia Shqiptare e Shkencave në 1998).)

Nejse, të mos e zgjas; është krenari të kesh një profesor shqiptar në dy Universitete polake, por mundësisht që ai të punojë ashtu që bota sllave ta kuptojë drejt çështjen shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat