Botimi i gazetave dhe revistave është standard i shtetit

Opinione

Botimi i gazetave dhe revistave është standard i shtetit

Nga: Milazim Zeqiraj Më: 17 shtator 2021 Në ora: 14:38
Milazim Zeqiraj

Në javën e parë të gushtit udhëtova në Kosovë më familje për pushime. Të nesërmen pasi u zgjova, vendosa ta blej shtypin ditor dhe ta pi kafen në kafenenë afër banesës. Zbrita dhe u afrova afër shtandit të gazetave dhe revistave ku më parë i kam blerë. Punëtori që bënte shitjen ishte duke pirë kafe. U përshëndetëm, ai më përgëzoi për mirëseardhje dhe më tha urdhëroni. E përshëndeta dhe ju përgjigja, desha ta blej gazetën. Ai çuditshëm ma ktheu përgjigjen: Zotëri, nuk ka gazetë. Unë prapë e pyeta, ende nuk ka ardhur? Ai mu përgjigj: Zotëri, ka dy vite që nuk botohet gazetë dhe revistë në gjuhën shqipe.

Çuditshëm, thash, si është e mundur që në Kosovë nuk botohen gazeta dhe revista në gjuhën shqipe, është dikush në këtë vend kundër shkrimit dhe gjuhës shqipe. Ai mu përgjigj: Mos u çudit fare se këtu ka plot çudira, për ty e madhe kurse për ne normale. Po mendojnë së është e panevojshme dhe harxhim i kotë botimi i gazetave dhe revistave pasi ato mund të lexohen online. Më shitësin nuk e zgjata shumë, e përshëndeta dhe u largova. Ashtu i shqetësuar u ktheva në banesë. Më të kthyer në banesë, gruaja më pyeti, a bleve gazetën Bota Sot. Ju përgjigja nuk ka gazetë. Si, nuk ka gazetë. Po nuk ka, shitësi më tha se ka dy vite që nuk botohen gazetë dhe revistë në gjuhën shqipe në Kosovë. Këtë shqetësim filluam ta diskutojmë së bashku më fëmijët, që të tre intelektualë të rritur më gazetën Bota Sot në mërgim.

Pas diskutimeve nga vitrina e biblioteke mora disa numra të gazetës Bota Sot, të botuara në vitin 2018 dhe 2019 në kohën kur isha për pushime në Kosovë. I shfletova, i lexova dhe i rilexova disa informacione të asaj kohë dhe disa artikuj mjaft interesant.

Unë gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe asnjëherë nuk i kam humb. Rilindjet dhe Zëri i Rinisë dhe një pjesë e bibliotekës nuk i shpëtuan luftës kur u kall shtëpia në fshat, por një pjesë e bibliotekës sime mbijetoi që tani për to përkujdeset motra ime arsimtare, tani në pension. Këtu në Gjermani i kam të ruajtur gati të gjithë numrat e gazetës Bota Sot që nga botimi i saj, shumë revista që janë botuar këtu ose kanë ardhur nga Kosova dhe Shqipëria.

Sa qëndrova në Kosovë, këtë shqetësim e diskutova më shumë miq. Disa nga ata pas diskutimeve filluan të shqetësohen.

Në Kosovë tradita e botimit të gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe ka filluar pas luftës së dytë Botërore. Më kohë numri i botimit të tyre rritej deri në fillim të viteve 90 kur Kosova riokupohet nga Serbia.

Në vitet 90 regjimi Milloviqjan bëri terrin mediatik duke ndalur botimin e gazetës Rilindja të vetmen gazetë në gjuhën shqipe si dhe mbylljen e radios dhe televizionit të Prishtinës. Gazetarët u maltretuan dhe më dhunë u larguan nga vendet e punës më të vetmin qëllimin që më terrin mediatik regjimi serbo-sllav të jetë më i dhunshëm sepse shkrimi dhe gjuha shqipe ishin armiq.

Gazetarët ishin ndër të parët që ju kundërvënë veprimit anti shqiptar. Ata gjetën hapësirë dhe filluan botimin e gazetës Bujku, filluan emetimin e TV jashtë Kosovës në fillim në Slloveni e më vonë në Shqipëri. Disa vite më vonë në Zvicër filloi botimi i gazetës kombëtare Bota Sot.

Me këtë punë të madhe të gazetarëve u krijua një standard i shtetësisë se Kosovës, kurse terri mediatik Millovishjan nuk pati sukses. Gjatë kohës para, gjatë dhe pas luftës se fundit në Kosovë falë gazetës Bota Sot mërgata informohej mirë dhe drejt në vijën kombëtare, kurse rinia në mërgatë takonte shkrim shqip.

Tani ky mos botim i gazetave dhe revistave në Kosovë dashtë Zoti nuk ka prapavijë politike kundër gjuhës dhe shkrimit shqipe.

Qeveria e Kosovës duhet ta kuptoj se botimi i gazetave dhe revistave është standard i shtetit, prandaj duhet gjetur rrugë për sigurimin e mjeteve për botimin e gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe në Kosovë dhe mërgatë. Shteti ka mundësi për subvencionimin e botimit të gazetave dhe revistave nga buxheti i shtetit dhe nga kompanitë e mëdha në Kosovë dhe në mërgatë.

Qeveri ju lutem gjeni mjete që të botohen gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe në Kosovë dhe mërgatë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat