Tango në orarin e demonstratave

Opinione

Tango në orarin e demonstratave

Nga: Gëzim Loka Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 09:21
Gëzim Loka

Komunikimi thonë psikologët është po aq i nevojshëm për njeriun sa ujë dhe ushqimi. Kur humbet komunikimi, humbet harmonia dhe gjithçka kthehet në orën e ngrirë të instinktit.

Këto ditë në Tiranë demonstratat nuk kanë pasur të sosur, sa mbaron njëra ia nis tjetra dhe duket se gjindja ka shumë nevojë të nxjerrë jashtë instinktet e saj të ndrydhura.

Nuk është gjë e re të themi se punët e kësaj nahijes sonë me emrin Shqipëri kanë shkuar për lesh e presh dhe rrokopuja është e vetmja që bën ligjin kudo.

unë mendoj, se më shumë se me hallet e njerëzave, këto demonstrime kanë të bëjnë me nevojën urgjente të njeriut shpellar për t’u shprehur në turmë, pasi nuk ka me kë të komunikojë, ashtu i zënë me veveten.

Nevoja për të komunikuar është nevoja më urgjente e njeriut modern dhe ai që nuk ka mundësi të komunikojë, afrohet gjithnjë e më shumë, në mënyrë të pakthyehme, me kafshën.

Në një nga këto ditë pra, kur eksitimi i turmës ishte në zenitin e saj, u ndodha diku në një cep që të vëzhgoja këtë zallamahi.

Aty më zunë sytë një çift që po kërcente, duke fishkëllyer nën buzë një melodi të shfrenuar bluzi.

Nuk marr vesh shumë nga kërcimi modern, por sipas kësaj rradakes (kaplloqes) sime, ai soj vallëzimi duhet të qe një tango.

Ishte si një pikturë impresioniste, si e nxjerrë nga pikturat e Salvadore Dalisë.

Turma hidhej e përhidhej duke ulërirë “ik, ik”, ndërsa çifti kërcente rreth saj në qejf të vet, pa pasur nevojë për muzikë, pasi si muzikë i shërbenin vikamat e turmës së eksistuar.

Dola në cepin tjetër dhe u duk se e gjithë protesta, ashtu e valëzuar dhe me kurbë emocionale hareje, i ngante këtij kërcimi të çuditshëm, të këtij çifti të huaj, që gëzonte në atë mjedis rrokopujë.

E gjithë demonstrata m’u duk si një tango e madhe, në orën e revoltave.

Mirë shkojnë punët në këtë vend, thashë me vete, të huajt kërcejnë tango, shqiptarët vikasin rroftë e poshtë!

Le të ecim njëshkolonë përpara pa u ndalur, gjer në prag të humnerës…

Uroj e lutem nga zemra, me zemër ne dorë, që humnera të jetë sa më larg!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat