Shpalosje kujtimesh të 11 marsit të vitit 1981

Opinione

Shpalosje kujtimesh të 11 marsit të vitit 1981

Izet Abdyli Nga Izet Abdyli Më 11 mars 2022 Në ora: 08:35
Demonstrata studentore e 11 marsit

Mbase ishte një nga ditët e zakonshme të vitit. Ende ftohtësia e acarit të dimrit ishte e pranishme. Me cimerat e mi në konviktin nr. 4 po pinim çaj mali dhe po dëgjonim këngë patriotike nga kasetofoni që e kisha sjellë nga shtëpia. Po bisedonim për çështje të zakonshme të aktualitetit, gjendjen e rëndë në Kosovë si pasojë e papunësisë, ngritjen e çmimeve, problemet sociale, kushtet e studenteve etj. Ishin pra një nga bisedat e zakonshme që bënim pothuaj çdo natë.

Kishte rastisur që atë natë kishim mysafir dhëndrin tim Jonuzin i cili diku afër orës 20 kërkoi leje ngase do udhëtonte për shtëpi dhe kishte autobusin e fundit. Si e do trendi dola ta përcjellë deri te mensa e studentëve. Sapo dolëm u dëgjua një zhurme jo e zakonshme, lëvizje të studenteve në grupe dhe papritur takoi Ismail Sylen (shok i gjeneratës së gjimnazit) i cili me thotë: Izet u kallë dhe menjëherë kuptova nëntekstin e kësaj fjale se kishte shpërthyer demonstrata e cila të thuash ishte e pritur, ngase kishte kohe që nder studentë vlonin pakënaqësitë dhe pritej vetëm momenti kur të shpërthenin me ndonjë revoltë.

Me të shpejt përshëndetemi me mikun duke sugjeruar të këtë kujdes gjatë rrugës dhe kthehem në konvikt për t’i njoftuar cimerat që të dalin se diçka po vlonte në oborrin e konvikteve. Nisem drejt barakës 3 ku takoi shokun tim te gjeneratës nga shkolla fillore Ramë Prenkun, dhe aty mësojmë se në mensë ka shpërthyer revolta e studenteve të cilët kanë mësyer drejt qytetit me kërkesat për kushte më të mira për student.

Turma sa vjen e rritet dhe kërkesat përveç kushteve rriten edhe në kërkesa politike për status politik të Kosovës, për grabitjen që i bëhen ekonomisë së Kosovës, për shqiptaret që mbahen në burgje. Pasi që turma veç fillon të rritet del kërkesa nga organizatoret që të nisemi drejt qytetit(kishte kaluar diku ora 21), por nën mensën e studenteve na pret kordoni i policeve të cilët kanë bllokuar rrugën.

Një ndjenje e papërshkrueshme është në ato momente kur sheh tërë atë turmë e gatshme për tu sakrifikua pavarësisht masave represive që i kërcënojnë. Vijnë një serë politikanesh për kinse ta qetësuar turmën dhe për të biseduar, madje edhe me taktizimë për tu tërhequr në brendi të Qendrës por vendosmëria e studentëve është të marshojnë drejt qytetit. Në trafon e vogël që gjendej nën mensë shquhet një djalosh me mjekër (Ali Lajçi) ishte siç mësuam më vonë) i cili i drejtohet turmës me një fjalim atdhedashurie dhe turma ndezët edhe me shume.

Fillojnë brohoritjet: Duam kushte, Lironi shokët, Trepça punon Beogradi ndërton, duam liri, etj. Të kota janë përpjekjet e disa politikaneve për të iu drejtuar turmës ata refuzohen kategorikisht. Kalon dhe mesnata dhe studentet janë të vendosur për të marshuar drejt qytetit. Diku rreth orës 3.00 të mëngjesit bëhet përpjekje për shpërthim të kordonit të policisë, por aty pason gjuajtja me gaz lotsjellës nga ana e policisë dhe u detyruam të tërhiqemi lart drejt palestrës se sporteve. Ishte përvoja e parë me gazin lotsjellës e ndonjëri ,,hëngri” edhe ndonjë shkop gome e kishte edhe të lënduar.

Të stërlodhur pas një qëndrimi disa orësh në rrugë diku rreth orës 4.00 të mëngjesit u kthyem në konvikte. Të nesërmen shkuam si zakonisht në ligjërata ku mungonin shumë studentë ndërsa ata që i njoftonim për ndodhinë e mbrëmjes së kaluar shprehnin habi ngase asnjë informatë nuk ishte dhënë në media, madje as shtypi ditor nuk dha asnjë lajm.

Sidoqoftë sinjali i parë i pakënaqësisë ishte dhënë dhe revolta e popullit do te shpërthej edhe me fuqishëm me 26 mars në Prishtinë dhe me 1 e 2 prill në të gjitha qytetet e Kosovës. Këto demonstrata ishin goditja e parë që i tundi themelet e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi dhe ngjarjet e mëpastajme që rrodhen dëshmuan se ato demonstrata ishin të drejta dhe në vitet 90-ta kulmuan me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

P.s. Autori ishte pjesëmarrës i këtyre demonstratave si student

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat