“Ballkanin e Hapur” e mbylli ky shtet, diplomati shqiptar: Ja përse ndodhi ndryshimi i papritur i Ramës

Opinione

“Ballkanin e Hapur” e mbylli ky shtet, diplomati shqiptar: Ja përse ndodhi ndryshimi i papritur i Ramës

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 13 korrik 2023 Në ora: 10:01
Liderët e Ballkanit të Hapur

Një burim diplomatik perëndimor i tha gazetës “Dita” se shteti, që e detyroi kryeministrin e Shqipërisë të shpallë zyrtarisht në 1 korrik fundin e “Ballkanit të hapur”, është Gjermania. Kjo shpjegon më në fund enigmën, që u ngrit me rastin e largimit të Shqipërisë nga projekti serb i “Ballkanit të hapur”, se përse ndodhi ky ndryshim i papritur i kryeministrit të Shqipërisë nga pozicioni i propagandistit më zhdanovian të ”Ballkanit të hapur” befas në lajmës i largimit të Shqipërisë nga projekti serb.

Në fakt kameleonizmi shtetëror dhe diplomatik brenda 24 orësh është një tradita e vjetër dipomatike e drejtuesve të Shqipërisë. Kështu veproi Ahmet Zogu me kalimin e Shqipërisë nga aleanca me Serbinë në aleancën me Italinë para luftës së dytë boterore.

Kështu veproi Enver Hoxha me kalimin brenda ditës nga miqësa e përjetëshme në armiqësinë e përjetëshme me Serbinë, me kalimin nga miqësia e përjetëshme në  armiqësinë e përjetëshme me Rusinë, me kalimin nga miqësia e përjetëshme në armiqësinë e përjetëshme me Kinën. Kështu veproi Sali Berisha me kalimin brenda ditës nga miqësia e pathyeshme në armiqësinë e pathyeshme me SHBA.

Pra ndryshimi kameleonik diplomatik brenda ditës për “Balkanin e hapur” serb nuk të habit as tek Edi Rama, pavarësisht se jemi ende larg divorcit të tij me Serbinë dhe me presidentin serb. Për rastet, që përmedëm më lart, drejtuesit e Shqipërisë i kanë bërë ndryshimet e tyre kameleonike të shtyrë nga interesat personale të kolltukut të sundimit të Shqipërisë, pra nga një faktor i brendshëm.

Kurse në rastin e tanishëm të kryeministrit Rama kemi një kameleonizëm diplomatik të detyruar nga faktori i jashtëm. Ngjashmëria e kryeministrit të tanishëm të Shqipërisë me kryeministrat paraardhës, që përmendëm, është se të gjithë nuk kanë pyetur kurrë për kthesat e tyre të papritura të brendaditëshme në politikën e jashtëme as parlamentet, as popullin dhe madje as partitë e tyre.

Rama njësoj si gjithë kryeministrat autokratë, që përmendëm, nuk e pyeti as parlamentin, as presidentin dhe as partinë socialiste, qoftë kur nënshkroi hyrjen e Shqipërisë në minialeancën serbe të “Ballkanit të hapur” në 2019, qoftë tani që njoftoi mbylljen e pjesëmarrjes së Shqipërisë në atë projekt.

Burimi ynë diplomatik perëndimor thekson gjithashtu se presioni i Gjermanisë mbi kryeministrin e Shqipërisë për të mbyllur pjesëmarrjen në “Ballkanin e hapur” serb mund të cilësohet si hapi i parë i masave ose i sanksioneneve të planifikuara të Gjermanisë ndaj Serbisë.

Në qarqet diplomatike qarkullon informacioni se qeveria gjermane e kancelarit Sholc ka përgatitur një rrjet sanksionesh për t’u ndërmarrë nga BE dhe nga Gjermania kundër Serbisë. Në datën 10 korrik 2023 radio shtetërore gjermane “Dojçe Vele” transmetoi deklaratat e një zyrtari të lartë të kabinetit të kancelarit gjerman Sholc:

“Në prag të samitit të tanishëm të NATO-s në Vilnius qarqet qeveritare të Gjermanisë deklaruan se ata po konsiderojnë mundësinë e masave kundër Beogradit. Gjatë një takimi me mediat në prag të samitit të NATO-s një zyrtar i lartë i kancelarit gjerman i tha “Dojçe Veles” pikërisht këtë:

“Ne po konsiderojë masa jo vetëm nga BE, por edhe në planin dypalësh masa kundër Serbisë, për shembull duke pezulluar projektet dhe format e bashkëpunimit”.

Deklaratat e tanishme qeveritare nga Berlini konfirmojnë se Gjermania e ka bërë gati rrjetin e masave dhe të sanksioneve ndaj Serbisë si ndëshkim për kursin e saj agresiv të ngritjes së tensioneve në Veriun e Kosovës dhe në Bosnje-Hercegovinë, me veprimet e reja separatiste të “serpska republikës”.

Natyrisht paralajmërimet gjermane nuk janë metaforë si paralajmërimet e dikurshme kineze. Dhe duket goditja e parë direkte kundër interesave të Serbisë vjen nga Gjermania në formën e detyrimit të Shqipërisë për daljen nga projekti apo aleanca serbe e “Ballkanit të hapur”, gjë që dobëson Serbinë dhe influencën e saj në Ballkanin Perëndimor. Çthurja e aleancës serbe të “Ballkanit të hapur” përbën goditjen më të madhe ndaj Serbisë, sepse i neutralizon projektin e madh të hegjemonisë së saj në Ballkanin Perëndimor, projekt i cili, siç ka deklaruar vetë presidenti serb Vuçiç, “është rikrijimi i Jugosllavisë së vjetër plus Shqipërinë”.

Në qarqet diplomatike theksohet se Gjermania e detyroi kryeministrin e Shqipërisë për ndërmarrjen e hapit të dhimbshëm për të të daljes nga “Ballkani i hapur”, me kërcënimin e anullimit të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë në 16 tetor 2023, nëse ai nuk zbaton kërkesën gjermane.

Paralajmërimi tjetër gjerman ndaj Ramës përfshinte edhe ngrirjen dhe anullimin e projekteve gjermanenë Shqipëri dhe të mundësisë së avancimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kjo do të ishte vdekje politike për kryeministrin dhe për Shqipërinë. Ndaj dhe kryeministri i Shqipërisë me zemër të thyer u detyrua që të deklarojë në mënyrë të njëanëshme, pa njoftuar fare mikun e tij të ngushtë personal Aleksandër Vuçiç, se për Shqipërinë “Ballkani i hapur“ e ka përfunduar dhe e kryer misionin e tij.

E parë në një këndvështrim serb “Ballkani i hapur” megjithatë nuk është mbyllur, sepse ai është një projekt i vjetër i Serbisë, që nga shembja e Federatës Komuniste Jugosllave, për të rikrijuar Jugosllavinë të sunduar nga Serbia.

Edhe presidenti i Serbisë Vuçiç në 7 korrik në Beograd, edhe kryemnistri filoserb maqedonoverior Kovaçevski në 6 korrik në Shkup, ia thanë në sy kryeministrit Rama se për ta misioni i “Ballkanit të hapur” nuk ka mbaruar dhe vazhdon.

E parë në planin diplomatik dhe kombëtar shqiptar “Ballkani i hapur serb” vërtetë e kreu me sukses misionin e tij të përçarjes katastrofike të faktorit shqiptar në rajon, të hapjes së një humnere të madhe midis Shqipërisë dhe Kosovës, ku më keq se në kohën e Titos Tirana u bë aleate e Beogradit kundër Kosovës dhe kryeqendër e sulmeve të paprincipta kryeministrore kundër Kosovës, dhe ku armiqësia shtetërore e Tiranës afroi pikën kritike afër prerjes së marrëdhënieve diplomatike.

Vendimi i Gjermanisë për të goditur në këtë forme dhe mënyrë projektin serb të “Ballkanit të hapur” ndërmerret për arsyen e drejtë strategjike dhe gjeopolitike që “Ballkani i hapur”, i lindur si kundërvënie ndaj Procesit të Berlinit, po bëhej çdo ditë e më shumë një pengesë e madhe për integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Serbia nëpërmjet “Ballkanit të hapur” e sabotoi direkt në terren Procesin e Berlinit dhe në këtë mision ajo pati një ndihmë efikase nga përdorimi i Shqipërisë si aleate aktive e projektit antieuropian serb. Gjermania nuk e ka përkrahur asnjëherë projektin serb të “Ballkanit të hapur”, sepse ai u krijua qysh në fillim si kundërvënie ndaj BE dhe ndaj Procesit të Berlinit.

Asnjë dokument zyrtar i BE gjatë katër viteve që nga krijimi i “Ballkanit të hapur” nuk e ka përkrahur dhe madje nuk e ka përmendur kurrë projektin serb, sepse ai u konceptua dhe veproi si kundërvënie ndaj integrimit europian dhe BE. Qysh në 10 tetor 2019, kur firmosën themelimin e “Ballkanit të hapur”, edhe Rama, edhe Vuçiç, afishuan karakterin antieuropian të saj. Vuçiç deklaroi: ”Unë jam i lumtur që ne filluam të kemi kujdes për veten tonë dhe ne nuk kemi nevojë për një tutor”.

Edi Rama deklaroi: “Ky takim është ndër rastet e rralla që liderët e Ballkanit mblidhen pa mentorët e Bashkimit Europian”. Aty ishin vetëm tre liderë nga 12 lidera, që ka Ballkani. (Shih “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, 2021, fq. 154)

“Ballkani i hapur” në mënyrë mashtruese reklamoi të njejtin objektiv të Procesit të Berlinit për të ashtuquajturat “katër liritë”, të cilat në variatin serb ishin katër liritë e Jugosllavisë së dikurshme të drejtuar nga Serbia. Projekti i Beogradit për integrimin serb të Ballkanit Perëndimor i shkaktoi dëm integrimit euroian të Ballkanit Perëndimor, duke provokuar përçarjen e madhe brenda rajonit, sepse tre shtetet të rajonit me të drejtë nuk iu bashkuan kurrë “Ballkanit të hapur” serb dhe u krijua një front i lodhshëm lufte politike dhe diplomatike midis shteteve pro dhe shteteve kundra. Vetëm kryeministri Rama nuk dihet pse iu nënshtrua Serbisë dhe hyri pa u menduar në kurthin serb dhe për më tepër u bë promotori fanatik i projektit serb të “Ballkanit të Hapur”.

Projekti i “Ballkanit të hapur” goditi sovranitetin dhe stabilitetin e shteteve kundërshtuese si Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, të planifikuara nga Beogradi si faza e parë e planit për t’i aneksuar ato shtete nëpërmjet të ashtuquajturës “botë serbe”.

“Ballkani i hapur” synonte hapur rikthimin antihistorik të Kosovës si koloni serbe, sepse e shpalli pranimin e Kosovës në të vetëm si një provincë serbe. Në të njejtën kohë që Procesi i Berlinit është e vetmja inisiativë, ku të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimo kanë të njejtin status si shtete të barabarta. Duhet konsideruar si një nga mëkatet e mëdha historike dhe diplomatike të qeverisë aktuale të Shqipërisë, e cila pranoi të hynte në projektin serb të “Ballkanit të hapur”, megjithë se Serbia refuzonte të njihte Kosovën si shtet të pavarur në projektin serb.

Një fenomen, i cili shpjegon qartë se Serbia i sheh Procesin e Berlinit dhe vetë Gjermaninë si kërcënim për ambicet e saj hegjemoniste në Ballkanin  Perëndimor është antigjermanizmi zyrtar i Serbisë. Nuk ka shtet tjetër në Ballkan dhe në Europë që të ketë sulmuar sistematikisht Gjermaninë në mënyrë të vazhdueshme dhe zyrtare si Serbia e presidentit Vuçiç. Në 4 korrik Vuçiç akuzoi Gjermaninë se ajo po financon protestat e përjavëshme të opozitës serbe në Beograd për rrëzimin e qeverisë së tij.

Ai deklaroi se “Partia e Gjelbër Gjermane” dhe organizata nga Gjermania “Fondacioni Henrich Boll” po financojnë protestat antiqeveritare në Serbi dhe qeveria serbe ka prova për këtë”. Parta e Gjelbër Gjermane është anëtare e koalicionit qeveritar të kancelarit Sholc dhe ministrja e jashtëme gjermane, Annalena Baerbock, është përfaqsuesja e kësaj partie.

Pra lëshohet nga presidenti Vuçiç një akuzë direkte zyrtare e Serbisë për qeverinë gjermane dhe për politikën e jashtëme të Gjermanisë, sikur po financojnë dhe po nxisin valën e madhe të protestave të opozitës serbe. Është një idiotizëm nacionalist zyrtar serb, që synon të justifikojë antigjermanizmin e presidentit serb dhe të qeverisë së tij. Raportuesja për Serbinë në parlamentin europian, deputeteja gjermane Viola von Cramon e cilësoi akuzën e presidentit serb “një budallallëk absurd”. Në 12 dhjetor 2022 ndërmoi një sulm kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, e cila akuzoi Gjermaninë për politikën e saj në rajon, me deklaratën se “Pozicioni i Gjermanisë për situatën në Veriun e Kosovës, dhe veçanërisht i ministres së jashtëme Baerbock, është absurd”.

Në 11 nëntor 2022 presidenti serb Vuçiç hodhi akuzën se “kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, mund të bëjë çfarë të dojë, sepse ka mbështetjen e Gjermanisë”.

Urrejtja zyrtare e Serbisë ndaj Gjermanisë buron nga fakti se Gjermania është pengesë e pathyeshme për planet hegjemoniste serbe në Ballkanin Perëndimor dhe sidomos sepse Gjermania është pengesa kryesore për ambicjen serbe të rikolonizimit të Kosovës. Është e qartë se nëse nuk do të ishte intransigjenca e duhur e Gjermanisë, Serbia do ta kishte marrë falas hyrjen në BE.

Një arsye tjetër e antigjermanizmit serb është se Gjermania përbën një pengesë të pakapërxyeshme për planet separatiste të “serpska republikës” dhe të Serbisë për të prishur shtetin e Bosnje-Hercegovinës dhe për ta aneksuar atë. Këtë dëshmon qendrimi obstruksionist i Serbisë ndaj vendimeve të drejta antiseparatiste të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje-Hercegovinë, diplomatit gjerman Kristian Shmidt.

Qendrimi parimor konsekuent i Gjermanisë në mbrojtje të ligjit ndërkombëtar dhe të drejtës së Kosovës si shtet i pavarur, e ka nxjerrë veçanërisht nga binarët presidentin serb. Mbrojtja e Kosovës si shtet i pavarur ka qenë vijë konsekuente e gjithë kancelarëve të Gjermanisë. Në 13 shtator 2021 në vizitën e saj të fundit në Beograd kancelarja historike gjermane Angela Merkel deklaroi në konferencën e përbashkët me presidentin Vuçiç se “Çeshtja është nëse jeni të ndërgjegjshëm se nuk hyni në BE pa njohur Kosovën dhe kjo është absolutisht e qartë”.

Këtë qendrim parimor ia përsëriti në 11 qershor 2022 në Beograd presidentit serb kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Sholc, në konferencën e përbashkët të shtypit, se “Serbia duhet të njohë Kosovën para se të hyjë në BE dhe është e natyrshme që vendet që duan të hyjnë në BE duhet të njohin njeri-tjetrin”.

Ndaj Serbia ka urrejtje zyrtare ndaj Gjermanisë dhe e ka bërë antigjermanizmin dimension të politikës së saj të jashtëme. Ndaj Serbia e urren Procesin e Berlinit, dhe u përpoq ta sabotojë me projektin e integrimit serb të rajonit me emrin “Ballkan i hapur”.

Në këtë aks antigjerman Beogradi synon të zvarrisë pas vetes edhe dy shtetet, që përqafuan projektin e presidentit serb. Shqipëria duket se shpëtoi tani nga kurthi diabolik serb i “Ballkanit të hapur”. Në këtë kuadër ndërhyrja e vendosur e Gjermanisë për të detyruar kryeministrin e Shqipërisë që të dalë nga “Ballkani i hapur” duhet konsideruar një zhvillim pozitiv dhe akt miqësor i Gjermanisë ndaj Shqipërisë, Kosovës, dhe gjithë faktorit shqiptar në Ballkan.

Mirënjohje Gjermanisë!/Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat