Presidenti rus i Bullgarisë dhe një rrezik i heshtur për NATO-n që përfshin edhe Shqipërinë

Opinione

Presidenti rus i Bullgarisë dhe një rrezik i heshtur për NATO-n që përfshin edhe Shqipërinë

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 21 korrik 2023 Në ora: 10:23
Foto ilustrim

Tani që Rusia ndodhet në një izolim të madh ndërkombëtar për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, po aktivizohen më fort se kurrë celulat e mbjella elektoralisht prej saj në krye të njerit apo tjetrit shtet apo qeveri në njerin apo tjetrin vend ish-komunist të NATO-s.

Blloku “miqtë e Kremlinit” brenda NATO-s është bërë më aktiv se kurrë në nbrojtjen e qendrimeve dhe të interesave të Rusisë nëpërmjet veprimtarisë diversioniste dhe përçarëse brenda NATO-s.

Shembulli më tipik i këtij lloj aktivizimi prorus është veprimtaria aktuale antiatlantike e presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev. Që kur u zgjodh për herë të parë president në 2016 me ndihmën e Partisë Socialiste filoruse dhe të shërbimeve të posaçme ruse, dihej që Radev ishte njeri i Kremlinit, dhe nuk kishte aspak një profil të njohur politik dhe të përshtatshëm për kryetar shteti.

Edhe kur u zgjodh për herë të dytë në vitin 2021, përsëri ishte rezultat i një angazhimi të jashtëzakonshëm të shërbimeve të posaçme ruse për rizgjedhjen e tij. Radev e çfaqi shpejt veten në gjithë karrierën e tij presidenciale përkatësinë shpirtërore dhe ideologjike si njeri i Kremlinit në Bullgari me mision në gjirin e NATO-s dhe të BE.

Madje në vitin 2021 ai arriti një kulminacion filorus me deklaratën se Krimea është e Rusisë, duke përkrahur agresionin e parë rus dhe aneksimin e dhunshëm të Krimesë nga Rusia.

Por sidomos pas agresionit të dytë ushtarak rus kundër Ukrainës, Radev ka demostruar një filorusizëm ekstrem. Kulmin e ri presidenti bullgar e arriti në 14 korrik 2023, kur mori haptas në mbrojtje agresionin fashist rus dhe fajësoi Ukrainën dhe jo Rusinë për këtë agresion, me deklaratën e çmendur se “Është Ukraina që këmbëngul për vazhdimin e luftës”.

Ishte nje apologji skandaloze personale e gjeneralit bullgar, që me uniformën e presidentit të Bullgarisë po fliste si gjeneral rus. Një qendrim flagrant në kundërshtim të plotë me qendrimin dhe vijën zyrtare të qeverisë së Bullgarisë, e cila sipas Kushtetutës si republikë parlamentare  vendos për politikën e jashtme. Është një qendrim flagrant në kundërshtim me të gjitha qendrimet dhe vendimet përkatëse të NATO-s dhe të BE, të cilat kanë dënuar me ashpërsi Rusinë për agresionin ushtarak të paprovokuar kundër Ukrainës.

Kjo sfidë antiatlantike e presidentit bullgar u bë tre ditë pas samitit të fundit të NATO-s në Vilnius në 11 korrik, ku u morën unanimisht vendime të rëndësishme për ndihmë ushtarake për popullin e Ukrainës për të përballuar agresionin dhe pushtimin rus.

Me të drejtë kryeministri i Bullgarisë, Nikolaj Denkov, reagoi ashpër në 14 korrik, duke deklaruar: “Sot presidenti përsëriti deklaratat ruse, që nuk kanë asgjë të përbashkët me qendrimet e BE dhe të NATO-s. Ka provokacione të vazhdueshme nga ana e institucionit të presidencës. Ata, që këmbëngulin në vazhdimin e luftës janë qarqet rreth Putinit”.

Ambasada e Ukrainës në Sofie në 15 korrik me një komunikatë të posaçme hodhi poshtë me forcë insinuatat provokuese të presidentit bullgar: “Të akuzosh për zhvillimin e luftës Ukrainën, e cila tradhëtisht u sulmua nga fqinji i saj i Veriut, është një nga tezat më të njohura të propagandës së Rusisë dhe të luftës së saj hibride në Europë”.

Në fakt ky ishte provokacioni i dytë zyrtar prorus i presidentit bullgar këtë verë. Provokacionin e parë zyrtar prorus dhe antiukrainas Radev e ndërmori në 6 korrik në takimin e kortezisë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që ndodhej në Sofie për vizitë, i ftuar nga kryeministri i Bullgarisë, Nikolaj Denkov.

Në këtë takim presidenti bullgar doli hapur kundër vendimit të qeverisë së Bullgarisë, e cila si gjithë aleatët e saj në NATO vendosi të bashkohet me vendimin atlantik për të ndihmuar me armatime Ukrainën, dhe deklaroi në takim se jo vetëm është kundër, por arriti deri atje sa që agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës e quajti “konflikt”.

Presidenti i Ukrainës Zelenskij në mbrojtje të së drejtës së vendit të tij viktimë, e ndërpreu presidentin bullgar, duke u shprehur: ”Ju thatë se nuk mbështesni furnizimet me municione për ne. A është kjo që ju nuk mbështesni mbrojtjen e Ukrainës? Nëse ju nuk mbështesni ndihmën për popullin që ndan të njejtat vlera me ju, çfarë do të bëni ju? A do t’i thoni Putinit: merrni territoret bullgare?”

Kemi ashpërsimin e raporteve dhe betejë zyrtare në skenën politike dhe shtetërore bullgare, përplasje midis dy vijave në shtetin bullgar. Njera është vija zyrtare e qeverisë, që mbështet fort politikën, vendimet dhe detyrimet e Bullgarisë si anëtare e BE dhe e NATO-s, dhe vija tjetër personale e kryetarit të shtetit bullgar, i cili po zbaton hapur vijën antiatlantike, antieuropiane dhe antibullgare të diktuar nga interesat e Kremlinit, që e bëri president.

Është shumë e rëndësishme për interesat e gjithë vendeve të NATO-s që qeveria e Nikolaj Denkovit i qendron fort dhe besnikërisht vendimeve dhe interesave të BE dhe të NATO-s. Në 13 korrik qeveria e Bullgarisë vendosi të bahkohet me nismën e BE për ndihmë ushtarake për Ukrainën. Deri tani vetëm Bullgaria, nga të gjitha vendet e BE, nuk ishte bashkuar me nismën e Agjencisë së Mbrojtjes të BE për furnizimin e përbashkët të vendeve të BE me armatime për Ukrainën. Në 14 korrik qeveria e Bullgarisë njoftoi vendimin për të furnizuar Ukrainën me 100 autoblinda në ndihmë të Ukrainës për mbrojtjen e saj.

Në mesin e këtyre provokacioneve të presidentit bullgar kundër interesave të NATO-s dhe të BE, Moska hyri në skenë duke marrë në mbrojtje beniaminin bullgar të Kremlinit. Në 6 korrik Dmitri Peskov, sekretari i shtypit i presidentit rus Putin, në mënyrë absurde dënoi vizitën e presidentit të Ukrainës në Sofie si “përpjekje për të tërhequr Bullgarinë në luftë”.

Media shtetërore ruse “Balkanist” shprehte në 12 korrik kënaqësinë që “Përplasja politike e degës presidenciale të pushtetit me qeverinë u ashpërsua tani më tepër se kurrë me parë”.

Manifestohet qartë se në këtë konflikt të madh në Europë, që po zhvillohet midis kampit të së drejtës dhe të lirisë, të përfaqësuar nga BE dhe NATO, dhe kampit të agresionit fashist, që përfaqëson Rusia, presidenti bullgar kthehet në një ushtar të artë të agresionit dhe të politikës ruse. Dhe natyrisht i bën dëm të madh politikës së unitetit dhe të kohezionit europian dhe atlantik.

Në fakt presidenti bullgar po i shpërblen Kremlinit ndihmën e jashtëzakonëshme, që i dha për ta zgjedhur dy herë në postin e presidentit. Dhe ai e ka ndjekur me verbëri kursin e interesave ruse në Bullgari.

Elementi i parë i kësaj linje ruse të presidentit bullgar është angazhimi i tij në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare kundër NATO-s dhe BE-së për agresionin rus në Ukrainë. Elementi i dytë është veprimtaria e tij subversive për destabilizimin e jetës dhe skenës politike në Bullgari. Ky element ka qenë një drejtim shumë i rëndësishëm i luftës hibride të shërbimeve të posaçme dhe të diplomacisë ruse, me qëllimin që Bullgaria, si anëtare e NATO-s dhe e BE, të mos ketë stabilitet dhe që forcat politike proatlantike dhe proeuropiane të humbin terrenin politik dhe qeverisës.

Si rezultat i kësaj veprimtarie intensive diversioniste ruse është krijuar vitet e fundit në Bullgari një situatë e pastabilizuar politike, ku vendi në dy vjet ka bërë pesë palë zgjedhje. Qëllimi strategjik i Rusisë ka qenë që në këtë dobësim total të forcave demokratike bullgare të ngrihet me shpejtësi në publik figura e presidentit Radev si figura dominuese e politikës.

Nga ana tjetër Moska dhe presidenti Radev janë përpjekur të krijojnë kushtet për forcimin e partive të hapta filoruse si partia “Vazrazhdane”, e cila u krijua nga shërbimi sekret rus jo ratësisht menjëherë pas agresionit të parë ushtarak rus në Ukrainë në vitin 2014. Befas kjo parti ultra ekstremiste anti-BE, anti-NATO dhe anti-SHBA, në zgjedhjet e fundit të parakohëshme parlamentare të prillt 2023 del forca e tretë politike dhe parlamentare në vend.

Hap pas hapi, pasi e shtiu në dorë postin e presidentit në dy mandatet presidenciale rradhazi, Moska po lufton me të gjitha forcat dhe mjetet që të hapë rrugën drejt ekzekutivit për parti ruse si “Vazrazhdane”.

Nga këto lloj situatash të trazuara politike bullgare del një problem shumë i madh, që ka të bëjë me rrezikun, që përfaqëson lufta hibride e Rusisë për stabiitetin e vendeve të NATO-s dhe sidomos rreziku nga operacionet diversioniste ruse në frotin elektoral. Kremlini është i ndërgjegjshëm që nuk mund të guxojë të sulmojë apo të aneksojë me forcë një shtet anëtar të NATO-s, sepse do të përballej me një përgjigje shkatërruese për të, kolektive nga ana NATO-s.

Me dinakëri bizantine Kremlini ka zgjedhur metodën e sabotimit të nëndheshëm nga brenda të institucioneve shtetërore, qeveritare dhe politike në vendet e NATO-s, për të sjellë në pushtet dhe për ta vënë para faktit të kryer NATO-n dhe ajo të pranojë ardhjen në pushtet në vendet anëtare të forcave dhe individëve të sposorizuar nga shërbimet e posaçme ruse. Kështu ndodhi në Bullgari me postin e presidentit, që e mori Kremlini. Kështu ndodhi në Malin e Zi, që qeverinë në vitin 2020 e mori Kremlini.

Rruga ligjore e arritjes së këtij objektivi strategjik dhe gjeopolitik rus janë zgjedhjet, të cilat nuk mund të kontestohen nga Perëndimi, sepse zgjedhjet janë parim i demokracisë. Në saj të këtij diversioni elektoral të nëndheshëm Moska ka qenë në gjendje të sjellë në fuqi si presidentët e saj si presidenti bullgar Rumen Radev, presidenti anormal çek Milosh Zeman, presidenti moldav Igor Dodon dhe deri kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Ky produkt i luftës hibride ruse në vendet e NATO-s dhe të BE duhet konsideruar fitore strategjike e Moskës dhe e veprimeve të saj subversive elektorale në nivelet më të larta. E njejta gjë duhet thënë edhe për forcimin e pozitave politike dhe elektorale të partive filoruse në disa vende antare të NATO-s dhe të BE. Ndjehet një rrezik, që mund të klasifikohet ekzistencial për interesat jetike të BE dhe të NATO-s, i cili mund t’i vërë dy aleancat perëndimore përpara situatave kritike dhe të papritura strategjike dhe gjepolitike.

Suksesi i luftës hibride të Rusisë në planin elektoral dhe politik në disa vende të NATO-s tregon se NATO nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur këtij rreziku të heshtur apo restaurimi të heshtur të influencës dhe të diktatit rus në disa shtete të NATO-s, ish pjesë e perandorisë komuniste sovjetike.

Fushatat elektorale dhe zgjedhore nuk duhen parë si më pak sensitive se fushat e armatimeve, të sigurisë apo të infratrukturës kritike të vendeve anëtare. Fushatat elektorale dhe zgjedhore në vendet e NATO-s nuk janë procese të pastërta autoktone. Nëse Rusia arrin të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale në SHBA apo në referendumin për Brexitin në Britaninë e Madhe, është lehtë të imagjinohet hapësira e madhe e ndërhyrjes së saj të nëndheshme në vendet e dobta ish-komuniste, sot anëtare të NATO-s, përfshirë edhe Shqipërinë.

Përvoja e hidhur me të cilën po përballet sot NATO me presidentin e një shteti anëtar si Bullgaria, nuk është e fundit. Nëse nuk merret profilaksia e domosdoshme për të krijuar një “mburojë antiraketë” për ndërhyrjet e nëndheshme ruse në zgjedhjet dhe në fushatat elektorale të vendeve të NATO-s, nuk duhet habitur që nesër të shohim në një shtet tjetër atlantik një president rus si ai i Bullgarisë.

Në këtë situatë kritike një vëmendje të veçantë NATO duhet t’i kushtojë edhe Shqipërisë, sepse është naive të mendohet se vend ynë është i imunizuar nga ndërhyrja e nëndheshme ruse në jetën e tij politike dhe elektorale.

Që në 2016 në një intervistë me “Zërin e Amerikës” kam paralajmëruar se Rusia po ndërhyn në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare shqiptare dhe se Moska po punon për krijimin e një rryme të fortë antiamerikane dhe antiatlantike në dy partitë kryesore politike. (Shih “Rusët po vijnë”, 2022, fq. 138).

Sot është fakt i kryer antiamerikanizmi i hapur ose i fshehur si te e majta, ashtu dhe te e djathta. Shqipëria vetë nuk është as e pjekur dhe as e aftë që vetë të ruhet nga ky rrezik i madh politik dhe elektoral rus. Ndaj duhet të jetë NATO që të ndërhyjë me format dhe me institucionet e saj në fushën e politikës dhe të proceseve elektorale shqiptare për të krijuar brezin mbrojtës të integritetit atlantik dhe europian të Shqipërisë nga lufta hibride e Rusisë./Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat