Në testimin PISA ndër të fundit - përse?

Opinione

Në testimin PISA ndër të fundit - përse?

Nga: Xhelal Zejneli Më: 16 janar 2024 Në ora: 13:39
Xhelal Zejneli

Që nga fillimi i pluralizmit, në Maqedoni është folur për reforma në arsim. Deri më sot nuk është bërë kurrfarë reformë. Reforma s’do të bëhen as sot e tutje. Reformat duhet t’i bëjnë institucionet e arsimit. Këto institucione nuk dinë t’i bëjnë reformat, nuk kanë aftësi, nuk janë të përgatitura. Këto institucione apo organe të arsimit janë: Ministria e Arsimit, Biroja për Zhvillimin e Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve (merret me realizimin e maturës shtetërore), Inspektorati i Arsimit, këshilltarët e arsimit. Disa prej këtyre organeve apo institucioneve janë të shkallës qendrore dhe të shkallës vendore, d.m.th. komunale. Këto farë institucione të lëmit të arsimit s’kanë njohuri të duhura, as në shkallën qendrore, as në atë vendore. Personi i cili s’ka mbajtur regjistër në duar, nuk mund të bëhet ministër i mirë. Ai nuk i di mirëfilli problemet që ekzistojnë në arsim. Fushën e arsimit duhet ta njohin në hollësi anëtarët e kabineteve të ministrave. As këta s’e dinë dhe kurrë s’kanë për ta ditur.

Kur një popull, bashkësi etnike apo shtet në testimin Pisa del ndër të fundit në botë, atëherë del se kanë ngelur në klasë të gjitha verigat e zinxhirit që e përbëjnë sistemin arsimor. Kanë dështuar Ministria e Arsimit, Biroja për Zhvillimin e Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve, inspektorët e arsimit, këshilltarët e arsimit, drejtoritë e shkollave fillore dhe ato të shkollave të mesme, përfshi edhe arsimin universitar dhe pasuniversitar.

Çështja e arsimit është punë e politikës së shtetit. Me fjalë të tjera, çështja e arsimit nuk është vetëm punë e Ministrisë së Arsimit. Politika dhe strategjia arsimore e shtetit është mbi ministrinë. Ministria nuk ndërton politikë arsimore. Ajo zbaton politikë arsimore. E zbaton politikën arsimore të shtetit. Shteti këtu s’ka politikë arsimore, ministria aq më pak. Prandaj s’ka reforma dhe s’ka për të pasur.

Në shtetin ku arsimi është i politizuar dhe i kapur prej partisë, arsim cilësor s’ka. Në shtetin e tillë për reforma as që mund të flitet. Politizimi apo partizimi i arsimit nuk është shkaktari i vetëm i rënies së cilësisë në arsim. Cilësia në arsim varet nga shumë faktorë.

Kur shkolla apo sistemi i arsimit, që nga foshnjorja deri në universitet, shndërrohet në ent për punësim, aty s’mund të flitet për arsim cilësor. Aty kemi zhvlerësimin, devalvimin dhe degradimin e tërë ciklit arsimor.

Projektin e reformës në arsim nuk mund ta bëjnë kuadrot pedagogjike të shkollës së Josip Brozit. Këta pseudo-pedagogë brenda periudhës së tranzicionit fare s’kanë kontribuar për përcaktimin e diagnozës së arsimit. Demagogët kanë për synim ruajtjen e interesave të vet meskinë dhe jo të kërkojnë ndryshime. Kuazi-pedagogët dhe demagogët as që e dinë saktë lëngatën e shkollave. Shpesh flitet për ekspertë të një lëmi të caktuar. Po ku t’i gjejmë këta farë ekspertë?! Ku e kanë varrin t’u çojmë lule? Në vendet e prapambetura secili e merr veten për ekspert.

Duhet dalluar shkollën në sistemin komunist nga ajo e sistemit kapitalist apo kuazi-kapitalist. Arsimi në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk dallohet fort nga ai i qindvjeçarit XIX. Thuhet se, krahasuar me arsimin në kohën e monizmit, ky i periudhës së pluralizmit shënon rënie.

Projektin e reformës në arsim, në bashkëpunim me subjektet praktike të arsimit, duhet ta paraqesin institucionet shkencore dhe arsimore më të larta të kombit. Reforma duhet bërë duke u bazuar në praktikat e vendeve me arsimim cilësor. Reforma duhet t’u përshtatet kushteve dhe rrethanave të vendit. Nuk mjafton t’i kopjosh modelet japoneze të arsimit, kur s’i ke kushtet dhe rrethanat e Japonisë. Nëpër institucione arsimore punojnë njerëz të cilët mezi e shkruajnë gjuhën amtare. Një popull e fiton lirinë atëherë kur mëson ta shkruajë drejtë gjuhën amtare.

Ka shumë që flasin për testimin apo për testin Pisa, por të paktë janë ata që dinë se si duket ai. Ndonëse ndër të fundit në testimin Pisa, përgjegjësi s’mban askush. Përgjegjësit arsyetohen me justifikime të pabazuara. Rezultatet ishin të këqija për shkak të pandemisë Covid-19. Maqedonia ishte ndër të fundit në botë edhe atëherë kur s’kishte kovid. Nuk duhet hedhur hi syve të publikut. Dobësinë duhet shikuar drejt në sy. Duhet ballafaquar me të. Ndryshe, ndër të fundit, në mos të fundit do të jemi edhe radhën tjetër. Në mesin e 80 shteteve të testuara, e katërta në botë nga fundi. Mirë që Qendra Shtetërore e Provimeve nuk i publikon rezultatet sipas bashkësive etnike. Ndryshe, rezultatet për njërën sosh do të kishin qenë akoma më dëshpëruese.

Ç’është reforma? Është prerje. Është e dhimbshme. Reformë do të thotë mbi njëzet për qind të kuadrit arsimor ta largosh nga puna. Cila qeveri e Ballkanit kodrinor mund ta bëjë një gjë të tillë? Cila parti parapolitike e gadishullit e bën një gjë të tillë dhe i humb votat, e humb pushtetin, i humb kolltukët, privilegjet, tenderët. Si t’i lërë pa punë partizanët e partisë dhe militantët e saj?! Një shtet i pazhvilluar si Maqedonia nuk mund t’i lërë pa punë dhe pa bukë mijëra mësues, arsimtarë, profesorë dhe pedagogë.

Ka shkolla ku artin muzikore ligjërojnë tre arsimtarë, ndërsa punë s’ka as për dy. Si kompensohen këta? Kompensohen duke u dhënë aktivitete të lira. Me fjalë të tjera, ata kanë gjysmë fondi të orëve. Gjysmën tjetër e kompensojnë me të ashtuquajturat aktivitete. Ka arsimtarë, në mos të gjithë, që s’e dinë dot se me ç’aktivitet janë të ngarkuar. Për aktivitetin e lirë ata mësojnë ditën e fundit të vitit shkollor, kur duhet të plotësohet ditari.

Reforma në arsim i jep fund nepotizmit. Nepotizëm, që nga çerdhja e fëmijëve deri në universitet. Arsimi cilësor njeh profesionalizëm dhe jo politikë, parti, partizan partiakë, militantë partiakë, nepotizëm, korrupsion, mitë, ryshfet dhe imoralitet.

Në shtetin që vlon nga korrupsioni në nivelet më të larta, mos prit arsimim cilësor. Në shtetin e tillë mjetet financiare në vend që të destinohen për shkolla dhe universitete, përfundojnë në xhepat e pushtetarëve, si të nivelit qendror ashtu edhe të atij vendor. Sidomos në xhepat dhe në llogaritë e fshehta të pushtetarëve të pushtetit qendror. Ç’pret prej një shteti si Maqedonia e cila në fillim të viti shkollor nuk është në gjendje t’u sigurojë nxënësve tekste shkollore për të gjitha lëndët. Çfarë arsimi pret aty?!

Nxënësit, me përjashtim të atyre pa të ardhura apo me të ardhura të kufizuara, vetë duhet t’i blejnë librat në librari. Dhënia e teksteve falas nuk paraqet kurrfarë ndihme për nxënësit. Ndërkaq nxënësve me të ardhura të ulëta shteti duhet t’u kompensojë një shumë përkatëse mjetesh financiare me të cilat tekstet do t’i blinin në librari. S’bëhet dot shkolla me libra të grisur, të vjetruar, të përlyer, të shkarravitur dhe me mungesë faqesh!

Shkollat kanë këshill prindërish dhe këshill shkolle ose pleqësi shkolle. Këta të ashtuquajtura këshilla të prindërve apo këshilla shkollorë nuk luajnë kurrfarë roli në shkollë. Dhe kurrë s’kanë për të luajtur. Po të kishin luajtur ndonjë farë roli, gjendja në arsim nuk do të ishte në këtë derexhe. Po të suprimoheshin këshillat e prindërve apo këshillat shkollorë, procesi edukativo-arsimor do të zhvillohej normalisht.

E di ti se në qytetin universitar ende ka shkolla pa sallë fizkulture?! Pa sallë edukate fizike në qindvjeçarin XX, në shtetin evropian, e që synon integrimin në BE?! Mjerim dhe mëkat!

Arsimi nuk duron eksperimente dhe pseudoreforma. Shpesh kanë ndodhur do ndryshime. Të gjitha, për një, kanë dalë shterpe, s’kanë sjellë rezultate. S’ka reformë dhe ndryshim pa e përcaktuar diagnozën e sëmundjes në arsim!

Kush shkon në fakultetet e arsimit?! Në Fakultetin Filozofik, në atë të filologjisë, të matematikës dhe të shkencave të natyrës? Prej tyre dalin mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e arsimit të mesëm. Nxënësit e dalluar të një gjimnazi apo të shkollës së mesme të mjekësisë shkojnë në Fakultetin e Mjekësisë, në stomatologji, në informatikë. Ata që kalojnë me dysh apo me tresh ndjekin kryesisht fakultetet e mësuesisë. E nxënësi me dysh apo me tresh s’bëhet dot mësues, arsimtar apo profesor i mirë. Nuk mund të marrësh diplomë universitare, kurse profesionin ta mësosh gjatë përvojës në punë. Një dijetar i madh i qindvjeçarit XX thotë: “Shkolla shërben për t’u pajisur me informata, kurse dituria mësohet gjatë përvojës në punë”. Por ky dijetar i madh kur ka thënë kështu nuk ka menduar për nxënësin i cili mezi kalon mjaftueshëm.

Përse të dalluarit apo ekselentët (të shkëlqyeshmit) parapëlqejnë mjekësinë?! S’ka dyshim se një prej arsyeve është edhe ana financiare apo materiale. Nxënësit dhe prindërit e dinë mirëfilli se një mjek ka të ardhura dhe të hyra më të mëdha se një mësues, se një arsimtar apo se një profesor shkolle të mesme. Si mjek apo si stomatolog ai mund të punojë edhe privatisht në ambulancën e vet. Mund të gjejë punë edhe në Gjermani. Rrjedhimisht, fakultetet e mësuesisë u mbeten nxënësve me sukses të dobët, për të mos thënë nxënësve të dobët.

Nga kjo del se reforma në arsim duhet të përfshijë edhe pagën apo rrogën e mësuesit, të arsimtarit apo të profesorit të shkollës së mesme. Paga apo rroga e mjekut duhet t’i jepet mësuesit në mënyrë që nxënësi i dalluar apo ekselent të ketë motiv të ndjekë studimet e mësuesisë dhe jo vetëm mjekësinë. Paga mujor sot e një mësuesi, arsimtari apo profesori të matematikës, të fizikës, të kimisë, të informatikës duhet të jetë të paktën njëmijë euro, në mos dhe më shumë. Këto janë degë deficitare. Për fat të keq, numri i nxënësve që dinë matematikë dhe fizikë është i vogël.

Nxënësi me dysh regjistrohet në degën e pedagogjisë. Në afat rekord merr diplomë fakulteti. Ky mësues apo arsimtar si do t’ua mësojë nxënësve matematikën në katër vitet e para të shkollës fillore?! Si pasojë, mungesa e njohurive në matematikë, përcillet gjatë tërë ciklit arsimor, që nga fillorja deri në të mesmen.

Vitet e fundit janë organizuar dhe janë mbajtur të ashtuquajturat trajnime të arsimtarëve. Nuk rritet cilësia në arsim me trajnime mësuesish apo profesorësh. Në shumë raste, për të mos thënë në të gjitha rastet, trajnuesi është shumë më i dobët se mësuesi apo se arsimtari që trajnohet. Trajnim i thonë kësaj?! Trajnim na qenkësh kjo?! Diploma universitare nuk është leje drejtimi apo patentë shoferi që ta trajnosh një person që ka të kryer fakultet. Atëherë del se institucioni që e ka certifikuar me diplomë universitare nuk qenkësh në krye të detyrës. Trajnimi i kuadrit arsimor, tërthorazi apo drejtpërsëdrejti vë në dyshim vlerat e universitetit. Nuk përkryhet profesioni me trajnim, por me lexim dhe studim të ditëpërditshëm të përjetshëm.

A thua ç’do të kishte ndodhur sikur testit të maturës shtetërore t’i nënshtroheshin së pari profesorët e pastaj nxënësit?! Po sikur provimet e maturës shtetërore të mbaheshin me kamera dhe pa telefona mobilë?! Po sikur ditën e provimeve të maturës shtetërore valët e internetit të eliminohen?! A thua ç’do të kishte ndodhur?! Vitet e fundit maturën shtetërore nuk e kalojnë më pak se një për qind e nxënësve. Po të merreshin masat e sipërthëna, ngelja do të arrinte mbi 20 për qind.

Regjistrimi në gjimnaze duhet të bëhet me provime pranuese. Për t’iu shmangur shpërdorimeve, provimet pranuese duhet t’i realizojë Qendra Shtetërore e Provimeve. Prej gjimnazeve duhet të hiqen lëndët që janë pjesë e plan-programeve të shkollave të tjera, si: biznesi, menaxhmenti, ekonomia, hyrje në drejtësi. Vlerësimi në lëndë të caktuara duhet të bëhet në mënyrë përshkruese dhe pa nota. Vlerësimet në ato lëndë nuk duhet të llogariten në mesataren e nxënësve. Prej gjimnazeve duhet të hiqet sa më parë mundësia për të qenë nxënës i çrregullt.

që nuk e forcon arsimin profesional të mesëm nuk mund të ketë arsimim cilësor. Për ta forcuar arsimin profesional, shteti duhet të ketë industri dhe ekonomi të zhvilluar. që mbytet në korrupsion nuk mund të ketë ekonomi dhe industri të zhvilluar. Shteti, gjyqësorit të të cilit i besojnë jo më shumë se 4 për qind e shtetasve të vet, është larg integrimit në BE.

Në fakultetet që përgatisin kuadër për degët e arsimit, të drejtë regjistrimi duhet të kenë kryesisht nxënësit e gjimnazeve. Regjistrimi në ato degë duhet të bëhet me provim pranues, pavarësisht nga diploma e maturës shtetërore. Në shtetin ku ngelja në maturën shtetërore është rreth një për qind, më mirë është që në atë shtet matura shtetërore të hiqet. Por kjo nuk është punë e lehtë se pa maturë shtetërore nuk mund t’i ndjekësh studimet jashtë vendit.

eventuale në arsim duhet të bazohen edhe në sistemet arsimore të vendeve të suksesshme, përshtatur kushteve dhe rrethanave tona. Nuk është mirë të mësohet kimia pa laborator apo fizika dhe biologjia pa kabinet. Në vendet e suksesshme, në vend të laboratorëve dhe të kabineteve ka kohë që përdoren edhe pajisjet audio-vizuale, video-bimet etj. Shkollat tona s’kanë as laboratorë e kabinete, as pajisje tekniko-teknologjike bashkëkohore. Në rrethana të tilla s’duhet të habitemi se testimin Pisa dalim ndër të fundit dhe në krahasim me atë të vitit 2018 shënojmë rënie si asnjë shtet tjetër bë rruzull.

Shkollat duhet ta respektojnë disiplinën, rendin dhe rregullin. Humbja e orëve nëpër shkolla, përpos në raste të veçanta, duhet të eliminohet si mundësi. Kriteri nëpër shkolla nuk duhet të banalizohet apo të nëpërkëmbet.

Shkollat dhe arsimi në përgjithësi duhet të depolitizohen dhe të departizohen. Kriter i vetëm për pranimin e kuadrit arsimor duhet të jetë aftësia profesionale, virtytet njerëzore dhe vlerat morale. Kush është ai që i mat këto parametra dhe vlera? Personin e diplomuar nuk mund ta pranosh në punë me testim.

i trashë një metër nuk është bërë për një natë – thonë kinezët. Problemet në arsim nuk janë krijuar sot as dje. Ato trashëgohen nëpër dhjetëvjeçarë. Arsimi nuk është propagandë dhe reklamë. As mashtrim partiak i lemerishëm i bërë para fushatës zgjedhore. Kjo lemeri zgjatë që nga viti 1991. Trashëgohet edhe nga periudha bolshevike e Josip Brozit. Kështu do ta çojnë edhe politikanët dhe udhëheqësit e mëdhenj që do të vinin pas kësaj qeverie.

Përmirësimi i cilësisë në arsim është proces që mund të zgjasë tridhjetë vjet. Pra, sot ta fillosh, pas tri dekadave t’i vjelësh frytet. Procesi i formimit të inteligjencies së një kombi zgjat njëqind vjet.

më të voglin dyshim, në trojet tona shqiptare ka fëmijë, nxënës dhe studentë që mund të ndeshen edhe në arena kriteresh të ashpra. Askush nuk ka të drejtë t’i marrë në qafë të tillët. Ata janë fatosa, shpresa të shqiptarisë dhe të njerëzisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat