Abuzimi me vëmendjen publike!

Opinione

Abuzimi me vëmendjen publike!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 29 janar 2024 Në ora: 20:12
Zejnullah Jakupi

Këtë temë interesante që po e trajtoj duhet ta lexojne avokatët, prokurorët, policia, mediet por edhe deputetët dhe Ministria e Drejtësisë, natyrisht pa harruar këtu edhe studentët e gazetarisë, Departamenti i Gazetarisë - UP.

Ky trajtim nuk mund ta shterrojë temën në tërësi, por vetëm aq sa lejohet në këtë kontekst.

E thash se duhet ta lexojnë edhe avokatët sepse me sa dij unë, përkundër faktit se ka shumë avokat në Kosovë që mbrojnë klientët e tyre në fusha të ndryshme, mungojnë ata në fushën e medieve. Avokatët në përgjithësi janë një specie në lulëzim e sipër në Kosovë. Një pjesë e madhe vijnë në profesion jo në baza meritore. E disa, ose një pjesë e madhe kanë pësuar transformime superlative; nga posti i policit, kanë kaluar në poste ministrore e dikur janë bërë edhe avokat etj. Nëse janë profesionist dhe e kanë mësuar mirë zanatin, atëherë është OK. Gjithashtu mungojnë avokat të specializuar në fushën e medieve.

Vëmendja publike

Termi „vëmendje publike“ (në gjermanisht njihet si "Aufmerksamkeitsökonomie") është një term gjerman që mund të përkthehet në shqip si "ekonomi e vëmendjes". Kjo është një çështje shumë komplekse dhe shumë pak e diskutuar në opinionin tonë publik. Ky koncept përdoret për të përshkruar një qasje në analizën e tregut dhe konsumit, duke e trajtuar vëmendjen si një burim të kufizuar dhe të vlerësuar dhe, i cili si një mall i vlefshëm mund transferohet pastaj në kapital monetar.

Në kontekstin e mediave, termi ka synimin të përdor strategji për të tërhequr vëmendjen e publikut duke përdorur tituj sensacional, imazhe të forta, bërjen publike të akterëve të inkriminuar në krime dhe të viktimave, gjithashtu për të mbajtur publikun e informuar duke mos respektuar privatësinë ngjatë raportimit të ngjarjeve nga kronika e zezë.

Raportimet për kronikën e zezë

Kanë ndodhur shumë ngjarje të rënda dhe raportime në media nga "Kronika e zezë" (crime report) dhe shumë rrallë ekspertët tanë kanë trajtuar temën, se si duhet media të regojë gjatë raportimit mbi ngjarje të rënda, (një të tillë këto ditë e lexova nga Musa Sabedini profesor në UBT) i cili thoshte se ja ka vlejtur raportimi i medieve, tregimi i pamjeve, identifikimi i dorasit por edhe i viktimës, sepse pa botimin e videos opinioni nuk do ta kuptonte se si ka ndodhur ngjarja. Gjithashtu ai potencoi me këtë rast se nuk pati „respektim të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion“.

Gjithsesi ideja është që të zbardhet krimi (mjafton ta bëjë ketë punë policia dhe krimineli ta merrë dënimin e merituar dhe jo „përmbushja“ ekzorciste mediale për të shuar ose zhdukur monotoninë e përditshmërisë të shumë njerëzve edhe nga kundërshtarët politik të establishmentit që të hedhin kritika pastaj në drejtim të qeverisë ose në drejtim të atyre që nuk ju mungon asgjë në jetë dhe përpiqen përmes lajmeve të tilla të largojnë një ndjenjë të paqartë, energji negative, ose ndonjë influencë ekzorciste në shpirtin e tyre.

Çfarë duhet të kihet parasysh gjatë raportimit për kronikën e zezë?

Nga faktorët e lajmit nga shkenca e komunikimit është vërtetuar tashmë në 40-të vitet e kaluar se mediet, në këtë lloj raportimi kanë tendencën të përqendrohen në detaje negative, sensacionale dhe tronditëse të një ngjarje, duke përdorur shpesh fjalor dhe imazhe të fuqishme për të tërhequr vëmendjen e publikut, duke përforcuar stereotipe negative, të sjellin frikë dhe të ndikonjë në perceptimin e tij ndaj një grupi shoqëror apo të një ngjarjeje të caktuar.

Raportimet e tilla mund të shkaktonjë ndikime të dëmshme, duke rritur frikën e publikut dhe duke çuar në paragjykime të padrejta. Megjithatë, gazetarët dhe mediat kanë përgjegjësi të informojnë publikun mbi ngjarjet e rënda, ndërsa vënë theks në drejtësi, objektivitet, dhe ndjenjën e përgjegjshmërisë ndaj tij. Një përdorim i moderuar dhe i ndjeshëm i informacionit duhet bëhet gjithsesi kur kemi të bëjmë me dhënien e identitetit me foto, me emër dhe mbiemër të dorasit, por edhe të viktimës dhe, siç është vërtetuar tashmë në shumë raste gjatë raportimit mediatik, edhe në rastin e fundit është prekur privatësia e personazheve dhe ajo nuk po rrespektohet nga mediet.

Gangsterizmi – etja për të fituar vëmendje

Një qasje e medieve duke raportuar dhe duke i bërë si vrasësin por edhe viktimën në opinion publik „fames“- të njohur, po u shpërben shumë të rinjve që të abuzojnë me vëmendjen e medias për të shpallur qëllimet e tyre prej gangsterizmit dhe për të frikësuar armiqtë e tyre. Ky fenomen ishte prenzent në vrasjen e një të riu nga skena e muzikës rep, por vlen edhe për individët (dorasit) të cilët në opinion duan të shpallen si heronj të ruajtjes së „burrnisë“ patriarkale duke vënë në skenë vetveten dhe duke vrarë gruan gjoja për ta mbrojtur „nderin“ e tij dhe të familjes prindërore!!!

Kritikohet kryeministri Albin Kurti për „të pamen“ tek familja e Lulzim Fejzullahut

U kritikua vizita për kryeshëndoshje që i bëri kryeministri Albin Kurti me ekipin e tij, me ministren e Drejtësisë z. Albulena Haxhiu dhe kryetarin e komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi familjes Fejzullahu. Kritika u bë ndër tjera në emisionin e Leonard Kerqukit Pressing T7 të datës 23.01.2024. Në debat nuk u cekë se pse është keq që të bëhen vizita të tilla (por u thanë se e pamja u përdor nga establishmenti për „çështje të tyre“).

Vizitat e tilla solidarizimi me viktimën bëhen në gjithe botën, sidomos në vendet e vogla. Ideja e të pames ka qenë për solidarizimin me familjen e viktimës dhe për të treguar se shteti është i përkushtuar dhe do marrë masa për të parandaluar vrasjet e tilla në të ardhmen. Por natyrisht këtë vëmendje institucionale po e keqpërdorin ata që vuajnë për vëmendje mediale.

Çka thotë shkenca e komunikimit për sensiblizimin mediatik?

Konkluzioni është me sa vijon: vizitat e tilla nuk do të duhej të bëhen, sepse dorasit duke qenë persona të panjohur në publik janë të interesuar për vetëdramatizim, për të ngjallur kështu interes të qëndrueshëm për veten dhe botëkuptimin e tyre. Kështu kanë vepruar edhe kryersit e akteve terroriste, siç i dijmë nga e kaluara, kudo në botë. P.sh. ata i kryenin veprimet e tyre në publik dhe shpeshherë jepnin edhe “materiale shtypit, medieve” d.m.th. qëllimi i tyre ishte edhe tërheqja e vëmendjes së publike dhe thirrnin për një trajtim mediatik të veprimeve të tyre. Por, cilat janë pasojat nëse autorët e vrasjeve si ajo e të riut Lulzim Fejzullahu, e cila ishte inçizuar nga kamerat e sigurisë e cila u shpërnda akoma pa e marrë këtë material të dëshmisë policia dhe prokuroria, ajo u shpërnda në mënyrë virale, e cila mandej e kompromitojë policinë dhe sistemin e drejtësisë? E udhës do të ishte të mos dramatizohen; gjarjet e tilla duke i lën aty ku e kanë vendin- në kronikën e zëzë terësisht pa i politizuar dhe pa i dramatizuar ato.

Me këtë rast sikur ta posedonte policia ketë video nga kamerat e sigurimit, atëherë ajo nuk do jepte identitetin e dorasëve, gjegjësisht do jepte vetëm inicialet si të dëshuar, që të mbeten në skenen e tyre pa u bërë famshëm (pa ju dhën ushqim) në media dhe opinion publik. Dhe natyrisht për ta do të jepte vendimin drejtësia- gjyqi. Kjo sjellje është e rekomanduar, sepse jemi dëshmitar viteve të fundit se ka pasur një rritje të rasteve të akteve të rënda të shënjestruar të dhunës në të cilat autorët me vetëdije kërkonin vëmendjen e mediave. Prandaj, akterët përdorin mediat si një skenë për inskenimin e krimeve të tyre.

Kjo është një sfidë e madhe për gazetarët që të mos lejojnë që të përdoren si mjete nga dorasit.

Nuk duhet të reklamohet popullariteti i një personi për të arritur vëmendje më të madhe. Kjo do të thotë se rasti i një ngjarje nga kronika e zezë duhet të jetë me interes mediatik, por pa shërbyer thjesht për të kënaqur kuriozitetin, as të publikut por as dorasit.

Prandaj, mund të jetë e nevojshme të anonimizohet imazhi i një të pandehuri që akuzohet për një krim të rëndë për sa kohë që ai nuk është dënuar. Nëse sjellja e dhunuesit shkaktoi raportim, kjo në përgjithësi nuk duhet të vlej për viktimën e tij.

Gjithashtu, në asnjë rrethanë nuk duhet të bëhet identifikimi i viktimës së një dhune seksuale, as të lejohet raportimi i cili duhet të ndodh vetëm me pëlqimin e viktimës ose të familjes së saj. Kjo është e rëndësishme për jetën e viktimave. Mund të ndodh që publikimi i fotove të tilla ndikon në shëndetin mendor dhe fizik të viktimës, por natyrisht kjo bëhet pengesë për rehabilitimin e saj, ose të tij.

Ky standard vlen edhe për dëshmitarët. Ata nuk duhet të identifikohet përmes paraqitjes së tyre publike në një seancë gjyqësore – pavarësisht se sjellja e tyre tërheq vëmendjen e veçantë të publikut. Pra, raportimi bie ndesh me mbrojtjen e privatësisë të personave të përfshirë nëse ata përmenden me emër dhe kur paraqiten në foto ose video.

Shkelje e privatësisë bëhet edhe atëherë kur dorasi ose viktima mund të njihen lehtësisht nga ata që i rrethojnë bazuar në informacione të tjera, qoftë edhe duke përdorur emrat me shkurtesat (iniciale). Anonimizimi prishet edhe nëse personi në fjalë mund të identifikohet nga informacione të mëtejshme si mosha, profesioni, vendbanimi, pamja, rrethanat familjare, rrethana të caktuara të krimit. Një person i prekur mundet lehtësisht ta bëjë këtë në emër të të njohurve të tyre të identifikohet nëse bëhet i ditur emri dhe shkronja e parë e mbiemrit të tij dhe përmendet vendbanimi dhe pozita e tij profesionale.

Ruajtja e anonimitetit

Ruajtja e anonimitetit të viktimave dhe dorasve në raportimet e mediave është një praktikë e rëndësishme për shkak të disa arsyeve etike dhe ligjore:

Viktimat dhe dorasit kanë të drejtën për të ruajtur privatësinë e tyre. Traumatizimi i përjetuar nga ngjarje të rënda mund të sjellë pasoja afatgjata për individët dhe familjet e tyre. Ruajtja e anonimitetit ndihmon në zbutjen e ndikimit të mundshëm negativ që mund të ketë publikimi i detajeve personale.

Gjithashtu, publikimi i detajeve personale të viktimave mund të sjellë stigmatizim dhe paragjykime të padrejta. Ruajtja e anonimitetit ndihmon në parandalimin e përforcimit të stereotipeve negative dhe në mbrojtjen e viktimave nga ndikimet negative në jetën e tyre të përditshme dhe shoqërore. Publikimi i detajeve personale mund të ketë ndikim gjithashtu në procesin gjyqësor dhe mund të krijojë sfida për të siguruar një gjykim të drejtë. Anonimiteti ndihmon në mbrojtjen e integritetit të procesit gjyqësor dhe të drejtave të personave të përfshirë në ngjarjen penale.

Në disa raste, viktimat mund të kishin frikë të raportonin ngjarjet nëse e dinë se detajet e tyre personale do të bëhen publike. Ruajtja e anonimitetit mund të ndihmojë në sigurimin e një mjedisi të hapur dhe mbështetës për viktimat dhe dëshmitarët.

Pse nuk po respektohet norma e privatësisë?

Në Kosovë ka rregulla dhe me kushtetutë garantohet privatësia, por nuk praktikohet ne praktikë. Gabimi po bëhet atëherë kur një media arrinë të botojë kronikën e zezë (duke dhënë identitetin e personave të përfshirë në vrasje) – e ky botim po e legjitimon veprimin e medieve tjera të cilat kanë raportuar tashmë dhe i kanë dhënë përdorimin e emërtimit.

Me këtë rast kërkohet një përmbajtje e veçantë kur raportohet për krimet e kryera nga të rinjtë për të mos rrezikuar procesin e tyre të socializimit, i cili ende nuk ka përfunduar. Dhe, derisa dënimi të mos jetë i shqiptuar nga gjykata, vlen i ashtuquajturi prezumimi i pafajësisë. Prandaj, raportimi duhet të jetë i përmbajtur kur paraqet dhe komenton hetimet dhe gjithashtu të marrë parasysh faktet dhe argumentet që shfajësojnë të akuzuarin (vlen me ketë rast ndalimi i paragjykimit). Duhet të jepen njohuri të sakta dhe të balancuar nga autoritetet e hetuesisë lidhur me të akuzuarin.

Përfund: Në shumicën e vendeve, ka ligje dhe rregulla të caktuara që kërkojnë respektimin e privatësisë dhe anonimitetit të personave të përfshirë në ngjarje të rënda, ku edhe respektohen. Në Kosovë ka shumë zbrazëti në këtë drejtim.

Në këtë kontekst, mediat kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e anonimitetit dhe në sigurimin e një raportimi të përgjegjshëm dhe etik. Kjo ndihmon në krijimin e një mjedisi të drejtë dhe të drejtë për të gjithë personat e përfshirë në ngjarje të ndjeshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat