Të shkarkohet kuislingu Thaçi

Opinione

Të shkarkohet kuislingu Thaçi

Gani Qarri Nga Gani Qarri Më 29 gusht 2018 Në ora: 07:11
Hashim Thaçi

Siç dihet tanimë botërisht, Republika e Kosovës në kufijtë aktual, është njohur dhe pranuar si shtet i pavarur nga 116 vende të botës. Këta janë kufijtë e ligjëshëm shtetëror në bazë të të cilëve edhe nga Gjykata ndërkombëtare, qysh më 2010 është vërtetuar legjitimiteti i pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të po këtyre kufijve, të pranuar ndërkombëtarisht, janë përcaktuar përkufizimet territoriale edhe me Serbinë, si dhe vendosë të gjitha pikë-kalimet kufitare dhe doganore të dy shteteve,që nga Albaniku e deri tek Dheu i Bardhë dhe kufiri me IRJM, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Si shtet i njohur me këta kufij, Kosova ka fituar të drejtën të bëjë edhe demarkimin me shtetet fqinje.

Çdo lëvizje apo ndryshim kufijsh vë në pikëpyetje të gjitha marrëveshjet e vlefshme për Kosovën dhe njohjet ndërkombëtare të saj.

Madje vet Kushtetuta e vendit, ndalon çfarëdo lëvizje kufijsh, ndarje, bashkim apo shkëmbim territori të Republikës së Kosovës me ndonjë shtet tjetër cilido qoftë ai.

Ndaj çfarëdo tendencë për shkeljen e të gjitha këtyre akteve, të vulosura me siglën ndërkombëtare, nuk është asgjë më pak se tradhti e lartë kombëtare e shtetërore dhe aventurë për shkatërrimin përfundimtar të shtetit të Kosovës.

Ideja pa asnjë plan, projekt konkret apo formësim të bërë publik e Hashim Thaçit për të ashtuquajturin korrigjim kufijsh, nuk nënkupton asgjë më pak se copëzimin e më tejmë të vendit dhe zhbërjen e tërësishme të shtetit të Kosovës.

 Aventura e tij e radhës, është jashtëzakonisht e rrezikshme për vendin,  shqiptarët dhe të ardhmen e Kosovës si shtet.

Ndaj populli i Kosovës duhet të zgjohet nga gjumi dhe ti jap përgjigjen e duhur këtij kuislingu i cili për mbrojtjen e vetes, bënë gjithçka që ta rrezikojë tërë qenien e popullit shqiptarë në këto troje e më gjerë si dhe të vejë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe problemin një herë të zgjidhur të saj,përfshi pavarësinë dhe integriteti territorial.

I vetmi lajm i mirë, nëse mund të quhet kështu, në këto momente, është paralajmërimi i opozitës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme më 4 shtator dhe nxjerrjen e një rezolute të veçantë në Kuvend, e cila do të rikonfirmojë se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka të drejtë as mandat për ndarjen e tij, shkëmbim as ndryshim të kufijve aktual të shtetit të Kosovës.

Rezolutë që bënë ndalimin e dallavereve të mëtejme të Hashim Thaçit, qartësimin e kompetencave dhe formalizimin e vijave të kuqe, në bisedime me Serbinë, vetëm tri ditë para se presidenti Thaçi të takohet sërish me bashkë-ortakun e tij për ndarjen e Kosovës, presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, i cili pas premtimeve të Thaçit për dhënien e 1/3-s, së vendit-Serbisë, ka nisë një fushatë të gjerë në takimet dypalëshe me liderët evropian me qëllim të sensibilizimit të tyre për ndarjen e Kosovës.

Ndaj përderisa në mbështetje të çmendurive të Hashim Thaçit kanë ngelë vetëm PDK si partia e vetme shqiptare në Kosovë, si dhe Lista Serbe e cila që nga fillimi tenton ndarjen e Kosovës, ndërsa edhe vet kryeministri i vendit z. Haradinaj i cili është në koalicion me partinë e Thaçit, në konferencën për media, premtoi se rezolutën për mos ndryshimin e kufijve të Kosovës do ta votoj edhe ai në çdo kohë, opozita këtë çështje nuk duhet ta lë në gjysmë, por punën e nisur duhet ta qojë deri në fund dhe inicioi menjëherë procedurën për shkarkimin e kuislingut Thaçi, nga posti i presidentit.

Vetëm me shkarkimin, shfuqizimin dhe zhveshjen e tërësishme nga çdo post politik të Hashim Thaçit, do të garantohen kufijtë e njohur ndërkombëtar të vendit, tërësia territoriale e tij dhe shpëtojë edhe vet shteti i Kosovës nga ndarja, që tash e sa kohë po i rri mbi kokë dhe çdo ditë e më tepër rrezikon të bëhet realitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat