Shkrimtari politikan - Bota Sot
Shkrimtari politikan

Opinione

Shkrimtari politikan

Nga: Ilir Muharremi Më: 29 gusht 2018 Në ora: 14:22
Ilir Muharremi

Fuqia e shkrimtarit të mirë është atëherë teksa ai rrëfen e ne dëgjojmë veten tonë. Madhështia e tij shfaqet atëherë kur ngre urë mes botës së lexuesit (imagjinative) dhe ngjarjes (reale) që e kemi përballë.

Kur shkruan një shkrimtar, në fillim është si punë e heshtur pastaj i qëndron përballë zënkave dhe grindjeve të shekullit tonë. Vargjet ngadalë duhet të krijojnë debat me botën.

Nëse shkrimtari mohon politikën, atëherë pështyma i kthehet teposhtë. Pas zbardhjes së mëngjesit, shkrimtari mund të takojë shumë njerëz, nëse takon politikan të pasjellshëm, të pabesë, ajo prapë është raca e tij, krijesa si ai, është gjaku, eshtrat, mishi dhe tuli i tij, janë “pjesë të hyjnisë”, sepse njeriu u lind për të bashkëpunuar me njeriun. Më lehtë ecim me dy këmbë, më lehtë i lajmë duart me dy duar, shumë lehtë i lëvizim dy sy dhe dy qepalla, po ashtu edhe dhëmbët e poshtme me ato të sipërme i lëvizin më lehtë kur janë dy.

Njeriu nuk mundet pa njeriun. Bashkëjetesa, dialogu, konflikti janë forma më të larta kozmike te njeriu. Shoqëria, politika janë akoma më të rëndësishme për bashkëpunimin ndërmjet shkrimtarit dhe politikanit. Ja disa vargje interesante të Oktavio Paz: “Dy trupa ballë për ballë/ janë shpeshherë dy dallgë/ dhe nata është oqean/ dy trupa ballë për ballë/ janë dy trupa qiellorë që bien/ në një qiell të zbrazët…” Pastaj vazhdon: “Duart e mia/ hapin perdet e qenies tënde/të veshin me një tjetër lakuriqësi/ zbulojnë trupat e trupit tënd. Duart e mia/i shpikin një trup tjetër trupit tënd…”. Arti është burrë politika është grua, por burri tenton të inkuadroj burrëri në politikë. Por, nëse bën politikë burri-arti, atëherë bëhet grua, politizohet. Nëse arti-burri tenton ta vesh gruan-politikën me një tjetër lakuriqësi, atëherë bën mirë, sepse mbjellë sinqeritet dhe forcë. Këtu fillojnë gradualisht ta zbulojnë njëri-tjetrin.

Si mund një artist të jetë politikan, ose një politikan të jetë artist i mirë? Ose te jetë i përkushtuar në letërsi. Unë besoj që mundet, por nuk mund t’i zmadhoj sukseset e tija. Do ngelet, as njëra e as tjetra. Shkrimit cilësor i duhet dhjetë orë në ditë punë intensive, ndërsa politikës njëzet orë punë intensive. Këtë askush s’mund ta bëj. Ai në fakt mund të jetë të dyja, por asnjëra në veçanti. Mund të themi se kishim politikan të fortë dhe shkrimtarë të mirë, lexues të sjellshëm dhe vlerësues të shkrimit, por jo ndërkombëtarisht shkrimtar të fortë dhe politikan të fortë.

Shkrimtari-politik nëse qëndron shumë pranë librit, ai nxitë ide kulturore, por prapë shtypet nga rrethanat politike, e rezultati ku na shpie? Dikund po: politikan mediokër, letrar i dështuar. Edhe nëse e përdorë politikën me metoda tjera, prapë jeta letrare nuk shfaqet ashtu e fuqishme. Është i dobët në të dyja dhe populli vuan pasojat.

Nëse shteti rrezikohet artisti-politikan nuk mund të rri duarkryq pranë librit, ai kyçet në aksion dhe mbrapa lë letërsinë. Njohurit politike nuk janë në nivel si ato letrare. Ky njeri jeton dikund në mes të dyjave asnjërën nuk e përkryen.

Libri i tij çfarë mund të jetë? Zbulim, udhërrëfim, diçka që e kulturon popullin? Natyrisht se jo sepse të jetë zbulim duhet dhjetë orë punë, e këtë nuk e ka artisti-politikan. Cili libër i tij arriti në përmasa botërore? Asnjëri. “Punoj dhjetë orë në ditë”, shkruan shkrimtari i madhe Orhan Pamuk.

Artisti-politikan në fushën e letërsisë nuk mund të ketë ndonjë shenjë dalluese, veçanti ose të shkruarit tërheqshim. Pastaj cilat janë ato tekste letrare që mund t’i shquajmë për ndonjë thellësi mendimi, estetikë, trajtim të veçantë, fjali me peshë si gurët? Bile një roman, një poezi, një ese që njihet ndërkombtarisht. Jo nuk ekziston kjo. Ose veprat letrare të tija të kenë frymë moderne. Ose studimet e tija të bëheshin si referenca për studiuesit vendor dhe të huaj. As kjo nuk ndodhi.

Kishte ndoshta fuqinë politike të ngjiste letërsinë tonë jashtë kufijve dhe ta zhvillonte. Por, as kjo nuk  ndodhi. Kam një përshtypje se veprat letrare i lexoi vetëm në forma të fragmentuara. Nuk mundi ta ngjis fuqinë estetike të të shprehurit në një horizont të së bukurës. Letërsia shqipe u pasurua vetëm me Ismail Kadarenë.

Asnjëherë nuk arriti ta kultivonte ndonjë vepër origjinale, ose prurje të reja dhe zbulim. Kjo letërsi nuk i përket aspak avancimit cilësor e cila i ndihmon shtegut letrarë dhe atij global. Jo për fat të keq nuk ndodhi.

Sekreti të jesh shkrimtar i mirë

Duhet vetmi shumë vetmi. Të shkruash me gjak, të zbulosh një person tjetër brenda teje. “Shkrimi më sjell ndërmend në radhë të parë, jo romanet, poezinë, traditën letrare, por njeriun që, i mbyllur në dhomën e tij, mbyllet në vetvete, i vetëm me fjalët, dhe duke bërë këtë, hedh themelet e një bote të re.”, shkruan Orhan Pamuk. Gjithmonë një prurje e re, ndërsa letrari-politikan nuk ka kohë, durim të qëndroj pranë kompjuterit e të niset me makinë drejtë një rruge me mjegull nga e cila nuk mund të kthehet, por vetëm të vazhdoj para. “Duke shkruar, ai mund të tymosë, të pijë kafe ose çaj. Herë pas here mund të hedhë një sy jashtë, nga dritarja, mbi fëmijët që luajnë në rrugë – nëse e ka këtë fat, mbi pemët, mbi një peizazh – ose dhe mbi një mur qorr. Ai mund të shkruajë poezi, teatër ose siç unë, romane.”, tregon Pamuk. Sipas tij, Të gjitha këto larmi janë dytësore në lidhje me aktin thelbësor të të ulurit në një tavolinë, dhe të të zhyturit në vetvete.

Unë kam shkruar poezi, shkruaj drama, ese dhe romane dhe e ndjej në vete se shpirti nuk ka gjuhë, por ne i kemi fjalët që e përkthejnë vështrimin e brendshëm. Duhet durim të madh nëse tentojmë të hulumtojmë në brendësinë tonë, këmbëngulje, pastaj mendimi i të krijuarit i një bote të re.

Shkrimtari ulet në tavolinën tij të punës, përpara në word ka fletën e bardh, ose vazhdon fragmentet e më hershme, këtë e bën me ditë, muaj, edhe vite derisa nuk e bind veten se ka ndërtuar një godinë ose urë të re e cila na mungon, pastaj gradualisht fillon të ndjejë diçka magjike në veten e tij, një kontakt me perënditë, ose sikur dikush tjetër jeton në shpirtin e tij dhe fillon të rreshtoj vargje.

Shkrimtarët kanë fuqinë e shprehjes së fjalës, ndërsa politikanët janë prostituta të ndershme. “Vetëm duke i marrë në dorë, duke i vlerësuar njëra me tjetrën, duke i hetuar nganjëherë së largu, nganjëherë përkundrazi duke i peshuar dhe përkëdhelur me majën e gishtave dhe të stilografit, është kjo që ne e vëmë secilën në vendin e vet, për të ndërtuar përgjatë vitit, pa humbur shpresë, pa u ndalur dhe me durim.” Shpjegon Pamuk.

Shkrimtarët shpesh ankohen se nuk kanë frymëzim, dhe ky art nuk qëndron te frymëzimi, por te inati, durimi dhe këmbëngulja. Nëse i aplikojmë këto, bëhemi shkrimtar të suksesshëm dhe veprat tona nuk pluhurosen në rafte. Nëse përpjekkemi, edhe universi bashkëvepron dhe na ndihmon në sukseset tona.

Shumë herë kur isha i lumtur me disa faqe të romanit tim, e ndjeja në brendësi se fjalitë kishin ardhur nga fuqia jashtë meje. Por, kur doja ta paraqisja komplet shpirtin tim, nuk munda të gërmoja saktë në thellësitë e fshehura, sepse përkthimi nuk ishte ai siç ishte në brendësi të shpirtit.

Megjithatë, shkrimtari i mirë e respekton vetminë në dhomën e tij. Ai çdo herë është i rrethuar nga librat, përvojat e të tjerëve, batuta ekstreme, të shkreta, të dhimbshme.. Shkrimtari i mirë duhet të besoj se letërsia është vepra më e çmuar e dhënë për ta kuptuar veten.

Kombet dhe shoqëritë njerëzore ngritën vetëm kur e marrin seriozisht letërsinë e tyre,ndërsa në Kosovë ne çfarë letërsia ofrojmë lexuesve. I ngritim politikanët e dështuar duke i shpallur si letrar të shquar. Gabim!

Duhet shumë kohë për këtë: Shkrimtari të mbyllet në dhomën e tij, i rrethuar me librat, pastaj gradualisht fillon udhëtimi i tij i brendshëm drejt shpirtit. Atëherë, letërsia bëhet si art i të diturit të flasësh për popullin tënd, historitë globale, dhe kjo arrihet pasi lexojmë mirë historitë e tyre.

Të bëhesh shkrimtar i mirë duhet punë dhe vetëm punë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...