Dy modele: Haradinaj si Rugova, ndërsa Thaçi si Milosheviçi - Bota Sot
Dy modele: Haradinaj si Rugova, ndërsa Thaçi si Milosheviçi

Opinione

Dy modele: Haradinaj si Rugova, ndërsa Thaçi si Milosheviçi

Nga: Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 10:48
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Kur para disa ditësh Ramush Haradinaj me qeverinë e tij vendosi taksën prej 10 përqind të mallrave serbe e boshnjake që do të hynin në Kosovë shumë prej nesh menduan se ai do të sprapsej nga presioni serbo-europian. Por ndodhi e kundërta: Dje qeveria Haradinaj vendosi të pamendueshmen, të paparashikueshmen, rritjen e kësaj takse nga 10 në 100 përqind. Kur themi se ky vendim ishte i paparashikueshëm, kjo nuk përkthehet se ishte i palogjikshëm. Ishte i paparashikueshën në kontrast me qëndrimin e Hashim Thaçit. Sepse prej dje në Kosovë do të kemi dy simbole të reja.

Nga njëra anë një ndjekës të Ibrahim Rugovës, i vendosur, i përkushtuar, këmbngulës, atdhetar e shtetar si Ramush Haradinaj dhe nga ana tjetër një Milosheviç, që beson e lufton për zgjerimin e territoreve të Serbisë, si Hashim Thaçi. Kam shkruar dhe kam thënë se "Vetëm Ramush Haradinaj mund ta mposhtë Hashim Thaçin"! E nëse mposhtet Thaçi, mposhtet dhe Beogradi! Dje kryeministri i Kosovës ka hapur varrin e idesë së Thaçit për ndarjen e Kosovës. Duhet të caktohet vetëm disa dhe ora e varriit të kësaj ideje. Por ai nuk ishte I vetëm. E ndihmuan Kadri Veselit, Fatmir Limajt dhe ministrat e PDK-së në qeveri. Kjo ndoshta është fitorja më e madhe e Kosovës në këto 20 vite. Megjithatë "gjarpërit" nuk i shihen këmbët! Duhet kujdes për lëvizjet e tij! Reagimi ishte i ashpër edhe në Beograd, edhe nga shërbëtorët e Beogradit në Bruksel. Këta burokratë dhe cinikë të profesionit politik që përfaqësojnë nuk reaguan as ashpër, as butë ndaj destruktivizmit serb në Kosovë. Ka pasur njëmijë arësye për ta bërë këtë.

Po përmend vetëm një prej tyre: Beogradi nënshkroi marrëveshjen për linjën e interkonjuksionit energjitik për Kosovën. Gjermania investoi në linjat energjitike qindra milionë euro. Por Beogradi e hodhi poshtë atë marrëveshje. Në Bruksel askush nuk u merakos për këtë. Askush nuk e qortoi qeverinë dhe presidentin e Serbisë. Ndërkohë vendimi I qeverisë së Haradinajt shkaktoi tërmet në Komisionin Europian. E përmendën Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, ndërkohë që as vetë nuk janë të bindur se kjo marrëveshje të ketë funksionuar ndonjëherë.

Por nuk përmendën liberalizimin e vizave, megjithëse e premtuan pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin en Zi. Vendimi për taksimin e mallrave serbe në fakt është marrë në Beograd dhe në Bruksel. Haradinaj thjesht ka formuluar dhe firmosur tekstin e atij vendimi. Pra ky vendim është refleksion I qëndrimeve destruktive të Beogradit e të Brukselit ndaj Kosovës. Qëllimi i tij është vendosja e ekulibrave politikë e diplomatikë në marrëdhëniet me Serbinë, por edhe me Bashkimin Europian. Gjithçka në këtë botë zhvillohet e duhet të zhvillohet në ekuilibër. Kjo taksë është refuzim i padrejtësive që i janë bërë Kosovës. Eshtë produkt i padrejtësisë më të madhe në historinë e saj e planifikuar të bëhej keta muajt e ardhshëm me ndarjen e Kosovës në favor të Serbisë. Kjo taksë i jep fund dilemës së varësisë së verbër të politikës së Kosovës ndaj politikës së Beogradit dhe të Moskës.

Kjo masë e kthen në logjikën e sjelljes normale Beogradin dhe kësisoj do ta ndihëmojë edhe vetë Mogherinin e zotin Hahn, të cilët janë shndërruar në propagandues të mashtrimeve të radhës sa i përket integrimeve europiane të Kosovës dhe përkujdesen vetëm për fatin e serbëve, duke mos lloogaritur se në Kosovë jetojnë edhe shqiptarë, edhe boshnjakë, edhe kroatë apo malazezë. Pra taksa vendos thjesht balancën e munguar deri më sot. Si e tillë nuk ka pse qortohet! Taksa për mallrat serbe në Kosovë i bën mirë dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Mbi të gjitha jep mesazhin se autokratët që udhëheqin të dy vendet nuk mund të marrin vendime në emër të popujve që ata përfaqësojnë. Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq prej dje nuk kanë më ëndërr të marrin ndonjë Çmim Nobel për Paqe si shpërblim për ndarjen e Kosovës. Nëse e duan këtë çmim të dy këta duhet t'i kërkojnë falje viktimave të Milosheviçit në Kosovë dhe duhet ta njohin përfundimisht shtetësinë e saj në kufijtë dhe territorin aktual të saj. Po kështu dhe Mogherini.

Ndërsa Haradinaj ka obligim që të qëndrojë fort, madje të planifikojë dhe masa tjera antiserbe, sa herë që Serbia dhe Thaçi veprojnë kundër Kosovës. Shtetësinë dhe pavarësinë Kosova e ka fituar me sakriifica të jashtëzakonshme. Nuk mundet që këto sakrifica të fshihen nga memorja e shqiptarëve me një firmë të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq nën mbikëqyrjen e Mogherinit. Kurse opozita nuk duhet të marroset pas fushatave për zgjedhje të reja. Eshtë e turpshme për opozitën në Kosovë që iniciativave të tilla t'i bashkohen politikanët e partisë që ka themeluar Hashim Thaçi dhe të kundërshtohen ose stigmatizohen nga ata që quhen opozitarë. Opozitarët e vërtetë në Kosovë janë ata që mbrojnë së pari territorin e vendit, shtetësinë e Kosovës dhe i japin asaj dinjitetin dhe integritetin e munguar. Këtë bëri dje Ramush Haradinaj dhe për këtë meriton përkrahjen e të gjithë Kosovës!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera