Rruga ndërkombëtare e ndërkufitare Kam-Qafë Prushi, e vetmja rrugë në Shqipëri, 81 vjet në pritje për t’u asfaltuar…!?

Opinione

Rruga ndërkombëtare e ndërkufitare Kam-Qafë Prushi, e vetmja rrugë në Shqipëri, 81 vjet në pritje për t’u asfaltuar…!?

Nga: Ramiz Lushaj Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 07:11
Ramiz Lushaj

Letër e Hapur drejtuar dy kryeministrave të dy shteteve shqiptare, Mbledhjes së Përbashkët të dy Qeverive Shqiptare në qytetin e Pejës më 26 nëntor 2018.

-Kjo Letër i drejtohet dhe Delegacionit të BE, Sh. T. ambasadorit Luigi SORECA – Tiranë si dhe për dijeni: Kryetarëve të Bashkive Tropojë e Has (Shqipëri) e komunës Gjakovë (Kosovë); Kryetarit të Këshillit të Qarkut Kukës dhe Perfektit të Qarkut Kukës; Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, ambasadores Susanne SCHÜTZ–Tiranë; Ambasadës së Republikës së Italisë, ambasadorit Alberto CUTILLO–Tiranë; Deputetëve të Qarkut Kukës: znj. Mimi KODHELI, z. Isuf ÇELAJ, z. Flamur NOKA.

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Z. Edi RAMA,

Sot, po e gjej rastin fatlum në kohën e Buxhetit të Shtetit 2019 për me iu shkrue mirësisht me shqetësim kombëtar, qytetar e vetjak për çështjen e pazgjidhur në 9 dekada të 2 shekujve të fundit, për rikonstruksion plotor bashkëkohor e me asfaltim të Rrugës Kombëtare, Ndërkombëtare e ndërkufitare KAM – QAFË PRUSHI, sepse:

1.- Kjo Rrugë Kam-Qafë Prushi është ndër të parat Rrugë Ndër-Kombëtare e ndërtuar në Shqipëri, qysh 81 vite ma herët, nga Italia, për shfrytëzimin e kromeve të zonës së Bytyçit e Hasit (1938-‘43) si dhe tevona nga Gjermania (1943-’44) etj.

2.- Kjo Rrugë gëzon drejtësisht statusin e Rrugës Ndërkombëtare, pasi lidh dy shtetet shqiptare: Shqipërinë me Kosovën.

3.- Kjo Rrugë gëzon drejtësisht statusin e Rrugës Ndërkufitare, pasi kalon në Pikën Kufitare e Pikën Doganore të Qafë Prushit.

4.- Kjo Rrugë gëzon drejtësisht statusin e Rrugës Kombëtare, pasi kalon në dy bashki të Shqipërisë, në Tropojë e Has dhe lidhet me Rrugën Kombëtare Tropojë-Kukës (pjesë e “Unazës Kombëtare Verilindore të Shqipërisë”).

5.- Kjo Rrugë është e vetmja rrugë në Shqipëri që prêt ma së gjati në kohëra (tash 9 dekadada) rikonstruksion plotor bashkëkohor, pa iu shtrue asnji kilometër i saj nga asnji qeveri shqiptare (1944-2018) apo e huaj (1938-’44).

I nderuar kryeministër i Kosovës, z. Ramush HARADINAJ,

Gjej rastin ta ngre si shqetësim kombëtar, qytetar e vetjak edhe para Jush e Qeverisë Tuaj të Kosovës, çështjen e Rrugës Kam-Qafë Prushi, pasi mund të merret në shqyrtesë (dhe me nismen Tuaj) nga Mbledhja e Përbashkët e dy Qeverive Shqipëri-Kosovë në qytetin e Pejës me 26 nëntor 2018, sepse:

1.- Rruga Kam-Qafë Prushi është Rrugë Ndërkombëtare e Ndërkufitare, që lidh Shqipërinë me Kosovën e anasjelltas, prandaj si e tillë për nga statusi i saj dhe sipas Legjislacionit Nderkombëtar të dy qeveritë kanë detyrime të përbashkëta. Si fjala vjen, së fundit, së vonit, Rruga Han i Hotit-Tamarë-Vermosh-Guci, segmenti i saj rrugor ndërkufitar e ndërkombëtar Grabom - Cem i Trieshit Cijevna Zatrijebacka, e raste të tjera.

2.- Rruga Kam-Qafë Prushi (sikurse dhe shembulli elitar “Rruga e Lirisë” nga Tropojë e Vjetër-Buçaj-Gegaj-Koshare) janë Rrugë të Luftës së fundit të Kosovës, Rrugë të Eksodit të Shqiptarëve të Kosovës, etj., ndaj meritojnë vemendjen konkrete edhe investuese Tuajen si Kryemiinistër e të Qeverisë Tuaj të Kosovës dardane.

3.- Zona minerare e kromeve përgjatë Rrugës Kam-Qafë Prushi (që kalon në bashkitë Tropojë e Has) gjatë dekadave të tana në kohën e komunizmit dhe në fillime të Tranzicionit Shqiptar është shfrytëzue shtetërisht (kontraktues) nga Qeveria e Serbisë, e, ndaj moralisht e kombëtarisht dhe Kosova ka disi detyrime pasi kromet kanë shkue në fabrikën e Devës në Gjakovë e janë kthye një pjesë e tyre në të ardhuna për Kosovën.

4.- Zona përgjatë Rrugës Kam-Qafë Prushi (Tropoja e Hasi) është nga zonat kufitare ma të damtueme nga minat e luftës, nga pasojat e Luftës së Serbisë ndaj Kosovës, ndaj në kuadrin e damshperblimeve të Luftës dhe të investimeve ndërkombëtare për zhdukjen e pasojave të saj dhe në territorin kufitar shqiptar i takon dhe Qeverisë Tuaj interesimi direkt për rikonstruksionin e asfaltimin e kësaj rruge ndërkombëtare e ndërkufitare brenda vitit 2019.

5.- Rruga nga qyteti i Gjakovës deri në Qafë të Prushit është asfaltue prej dekadash dhe në mandatin tuaj ka pasë rikonstruksion të saj (sikurse dhe Rrugët drejt Qafës së Morinës), ndaj duke mirëkuptue dashamirësinë e kontributin tuaj për “Rrugët Ndërkombëtare të Dukagjinit”, lutemi mos e lejoni që kjo Rruga Kam-Qafë Prushi krahasue me atë Gjakovë-Qafë Prushi të jenë si dy rrugë që dallojnë e “ndajnë” dy botë, si në Kohën e Luftës së Ftohtë.

Ndaj keni mirësinë e nismen Tuaj ta ngreni çështjen e rikonstruksionit e asfaltimit të Rrugës Kam-Qafë Prushi, ashtu sikurse atë nga Tropoja në Koshare (“Rruga e Lirisë”) edhe në Mbledhjen e Përbashkët të Dy Qeverive Shqiptare në Pejën fqinjë të Tropojës, në Pejën historike të tropojasit Haxhi Zekë Byberi, në Pejën e Kosovës.

I nderuar Shkelqësia Juaj, Z. Luigi SORECA,

ambasador i Delegacionit të BE në Tiranë,

Ndjehem i detyruar shqiptarisht ta ngrej çështjen e rikonstruksionit e asfaltimit të Rrugës prej 20 km gjatësi nga Kami në Qafë Prushi (në bashkitë Tropojë e Has).

 Kam bindjen time të thellë e me shpresë të madhe që të ndihmoni me statusin tuaj diplomatik, me dashamirësinë tuaj njerëzore e zyrtare, që të ndërhyni pranë institucioneve të Bashkimit Europian në Bruksel e në organizma të saj, që të mundësojnë dhënie fondesh për Qeverinë Shqiptare, për Qeverinë e Vendit Tim, që të kryhet në vitin 2019 rikonstruksioni e asfaltimi i saj.

1.- Sepse kjo Rrugë ka mbetur pothuaj si në “Kohën e Italisë” të LDB (1938-1943), pasi italianët e ndërtuan me taban të fortë rrugor dhe urat e saj qëndrojnë prapë të forta. Gjendja e tillë e saj, sipas specialistëve, ndihmon në rikonstruksion e asfaltim të saj me standard e me fonde ma të pakta krahasue me të tjera raste rrugësh të tilla malore.

2.- Sepse kjo Rrugë është  një nga Rrugët Kombëtare të Shqipërisë, një nga Rrugët Ndërkombëtare e Ndërkufitare që nëpermjet Pikës Kufitare e Doganore të Qafë Prushit i lidh Shqipërinë me Kosovën.

3.- Sepse Qeveria Italiane dhe Qeveria Gjermane e Kohës së Luftës të Dytë Botërore ka pasë përfitime në miliona euro nga shfrytëzimi i pasurive minerare të kromit përgjatë fshatrave tropojane e hasjane të Rrugës Kam-Qafë Prushi,  ndaj sikur një përqindje krejt e vogël e kësaj shume milionëshe të investohej nga qeveri të këtyre vendeve do të kryhej rikonstruksioni e asfaltimi i kësaj rruge, do të bahej nji nga rrugët ma të mira të Europës Alpine.

4.- Sepse Rruga Kam-Qafë Prushi shtrihet dhe në zonën e Bytyçit e cila është djegë e damtueme në njerëz, shtëpia e pasuni gjatë LDB nga Gjermania e asaj kohe. Shumat e damshperblimeve shkojnë në miliona euro. Shteti Gjerman e ka damshperblye Shtetin Shqiptar në forma të ndryshme me investime e donacione, po astenji DM apo Euro nuk ka shkue për rikonstruksion plotor e asfaltim të kësaj rruge.

5.- Sepse kjo Rrugë Kam-Qafë Prushi ka 81 vite pa rikonstruksion plotor dhe pa u asfaltue asnji km i saj, çka nuk ka ndodh me asnjë rrugë tjetër kombëtare, ndërkombëtare e ndërkufitare në Shqipëri dhe me asnji rrugë të tillë e me status të tillë në vendet e BE-së e NATO-s.

I nderuar kryeministër i Shqipërisë, z. Edi RAMA,

Kjo Rrugë Kam-Qafë Prushi si një rrugë me status meritor si Rrugë Kombëtare, Ndërkombëtare, Ndërkufitare, si rrugë malore vetëm 20 km e gjatë, që prêt tash 81 vite rikonstruksionin e saj (asfaltimin e vet), mendojmë se hyn ndër detyrimet e Qeverisë Shqiptare në buxhetin e vitit 2019, pasi:

1.- Kjo Rrugë ka Projektin e përfunduar, (të kryer, të gatshëm) para disa vitesh. Ky Projekt (me aq sa dijmë) ndodhet tek FSHZH (Fondi Shqiptar i Zhvllimit), MIE (Ministria e Infrastrukturës e Energjisë), në Kryeministrinë e Shqipërisë, si dhe në Qarkun e Kukësit e bashkitë përkatëse.

2.- Kjo Rrugë është dhe premtim shtetëror i Qeverisë Tuaj, pasi ministre e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, në qershor 2017, pasi shpalosi objektivat që do të merren nga Qeveria Rama gjatë katër vjetëve 2017-2021 deklaroi në Zogaj të Tropojës: “... në të gjitha takimet që kam bërë në fshatra të Qarkut të Kukësit këto ditë, nuk kam premtuar, por ju, po ju premtoj se rruga Kam Qafë-Prushi do të asfaltohet nga Qeveria jonë brenda vitit 2018”.

3.- Burimet minerare të kromeve përgjatë e në afri të Rrugës Kam-Qafë Prushi janë të shumta e të pasura në sasi dhe në përmbajtje cilësie nga 30-40 %, si Tropoja me mbi 100 vendburime kromi e rreth 6 milionë tonë krom të zbuluar, si dhe Hasi me vendburime te shumta e mbi 3 milionë tonë rezerva kromi të zbuluara. Kjo zonë Bytyç-Has-Berishë ofron dhe minerale të tjera, ka pyje, gjen peshkim, kampionon me mjaltë trumze, etj.

4.- Shteti Shqiptar ka mbi 7 dekada që i shfrytëzon kromet e kësaj zone dhe ka fituar dhjetra miliona Euro nga eksportet e tij, çka vetëm me ma pak se 10 % të këtyre fitimeve madhore do ta bante Rrugën Kam-Qafë Prushi nga rrugët ma të mira të botës, me standarde nga ma të lartat në botë.

5.- Zona Tropojë-Has që lidhet me këtë Rrugë Kam-Qafë Prushi ka shtëpi, toka e prona të përmbytyra nga Liqeni i Fierzës, ndaj Ministria e Infrastrukturës e Energjisë (Kryeministria) ka detyrime shkaksore e rrjedhoje për të investuar në rikonstruksionin plotor e me asfaltimcilësor të saj.

 6.-Zona e Bytyçit me rrethina është djegur tre herë gjatë LDB nga Gjermania, duke pasë miliona euro dame të shumta në njerëz, shtëpia, bagëti e pasuri të tjera të ndryshme.  Shteti Shqiptar (sipas ambasadës gjermane, në korespondencë me Shoqatën Kombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren) i ka marrë damshpërblimet nga damet e LDB po ende nuk ka investue asgja e astenjiherë për Rrugën Kam-Qafë Prushi.

7.- Shteti Shqiptar ka marrë miliona euro investime e ndihma nga Italia gjatë viteve të Tranzicionit Shqiptar (1990-2018) po nuk ka investue asgja në Rrugën Kam-Qafë Prushi, pamvarësisht se Italia e LDB i ka shfrytëzue pasuritë minerare të kromit të kësaj zone e ka fituar miliona euro në buxhetin e saj të atëherit.

8.- Shteti Shqiptar i ka ba rikonstruksion e asfaltuar Rrugën Kombëtare Tropojë-Kam-Krumë-Kukës si dhe  Shteti i Kosovës e ka ba rikonstruksion dhe së vonit e asfaltue prek kohnash Rrugën Gjakovë-Qafë Prushi, ndërsa Rruga Kam-Qafë Prushi është krejt e damtueme si rrugët e zonave të ISIS-it në Siri, çka flet për qëndrime e veprime të komentueshme, të kritikueshme, të denueshme nga të gjitha qeveritë shqiptare në rreth 9 dekada kohore.

9.- Shpresojmë që të ndihmoni në rikonstruksionin plotor e asfaltimin cilësor të kësaj Rruge Kam-Qafë Prushi, sikurse keni veprue dhe për qytetin alpin të Bajramcurrit dhe raste të tjera të ngjashme gjatë viteve të mandatit tuaj kryeministror.

I nderuar Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi RAMA,

Në përfundim të kësaj Letre-Kërkesë po iu drejtohena me Lutjen ma njerëzore, shqiptarisht, me shpresë të thellë e bindje të lartë se Rruga Kam-Qafë Prushi do të jetë pjesë e Buxhetit të Shtetit të Vitit 2019 dhe do të fillojnë e përfundojnë në vitin e ardhshëm kalendarik e financiar si një Rrugë Kombëtare, Ndërkombëtare e Ndërkufitare, që prêt tash 81 vite rikosntruksion plotor e asfaltim të saj.

Të gjithëve iu shpreh mirënjohje shpirtërore e publike në rast kryerje të rikonstruksionit e asfaltimit të Rrugës Kam-Qafë Prushi që kalon në bashkitë e Tropojës e Hasit drejt Gjakovës e Kosovës, që të jetë një rrugë kombëtare e euro-atlantike e zhvillimit e integrimit panshqiptar e euro-atlantik.

Me Nderime. Me të Mira,

Kryeredaktori i gazetës lokale “TROPOJA”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat