Komunikata për Hamëz Jasharin u lëshua me dijeninë e Thaçit, Veselit, Halitit dhe Sylës

Politika

Komunikata për Hamëz Jasharin u lëshua me dijeninë e Thaçit, Veselit, Halitit dhe Sylës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 18 qershor 2019 Në ora: 12:51
Foto ilustrim Bota sot

Veprimtari dhe ish-anëtari i Kryesisë së Partisë Parlamentare, Sali Rexhaj, në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Bota sot”, ka treguar se në kohën e luftës në Kosovë, gjatë viteve të 90-ta, komandantët që tash i kemi në pushtet, e që dikur lëshonin komunikata në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një Komunikatë të tillë e kanë lëshuar edhe për Familjen Jashari, konkretisht për Hamëz Jasharin.

“Komunikata me numër 2 apo 3 nuk e di saktë, është shumë interesant e lëshuar nga këta komandantët. Ata distancohen nga familja Jashari. Kur jep intervistë Hamëz Jashari për mjete të informimit, ata dalin se një person atje në Drenicë po fletë dhe nuk ka lidhje me UÇK-në”, pohon Rexhaj për gazetën “Bota sot”.

Akuzat e Rexhajt kanë shokuar gjithë opinionin e gjerë, pasi ishte pikërisht kjo familje, e orëve të para, e cila ia ktheu pushkën Serbisë.

Profesori i njohur lidhur me këtë mendon se komandantët e “Rognerit” që tani janë në pushtet, gjatë luftës kanë lëshuar shumë komunikata në emër të shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vetëm për nevoja dhe qëllime personale. Derisa, edhe ka bërë thirrje publike për Rifat Jasharin që të deklarohet dhe ta thotë të vërtetën e luftës.

Ndërsa, nga ana tjetër, ish-ushtari i UÇK-së ka zbuluar se të gjitha komunikatat në emër të UÇK-së janë lëshuar me dijeninë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit dhe Azem Sylës.

Maxharraj thirrje për Rifat Jasharin: Është koha ta thotë të vërtetën!

Image
Prof. dr. Binak Maxharraj

Prof. dr. Binak Maxharraj, duke e komentuar deklaratën e Rexhajt, ka thënë se gjatë luftës janë lëshuar komunikata të emër të shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për nevojat dhe qëllime personale.

Ai përmend komunikatën numër 59 ndaj Gani Gecit që sipas tij ishte lëshuar vetëm për ta njollosur luftën e lavdishme.

“Komandantët e “Rognerit” që tani janë në pushtet, dikur gjatë luftës kanë lëshuar shumë komunikata në emër të shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për nevojat dhe qëllimet e tyre. Por, shumica e këtyre Komunikatave janë lëshuar ad-hok për ta njollosur ose etiketuar ndokënd. Njëra nga Komunikatat ishte edhe ajo numër 59 e cila e atakonte Gani Gecin. Nuk dihet autorin e kësaj komunikate, por kjo komunikatë e pati efektin e vet, sepse u bë atentat në veturën ku gjendej Gani Geci, Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku. Besimi e Bekimi u vranë, kurse Ganiu u plagos. Dorasit në këtë mjegulli politike dhe kapje të shtetit nga ana e komandantëve, me një drejtësi dhe prokurori të kapur nga politika, ende nuk kanë dalë para drejtësisë”, ka thënë Maxharraj.

Maxharraj shpjegon se si deklarata e Rexhajt shokoi gjithë opinionin e gjerë.

“Por, veprimtari i çështjes kombëtare dhe anëtar i kryesisë Parlamentare Sali Rexhaj, përndryshe shok i ngushtë i Hashim Thaçit gjatë studimeve këto ditë e shokoi opinionin e gjerë publik duke theksuar së në kohën e luftës në Kosovë, kryesisht gjatë viteve të 90-ta ishte lëshuar një komunikatë e këtillë edhe për Familjen Jashari të Prekazit, familje kjo e orëve të para e cila ia ktheu pushkën Serbisë. Pikërisht bëhet fjalë për komunikatën 2 ose 3. Është shumë interesante sipas Sali Rexhaj e lëshuar nga këta komandant. Thjeshtë ata më këtë komunikatë distancohen nga familja Jasharaj, posaçërisht nga Hamëz Jashari i cili e kishte dhanë një intervistë për mjetet e informimit”.

Mes tjerash ai ka theksuar se kjo komunikatë është e llojit të veçantë, shumë e çuditshme dhe e poshtër.

“Komandantët e kishin ndjerë vetën aq keq sa që e kishin injoruar këtë familje e sidomos Hamzën duke thane se paska fol dikush atje në Drenicë, i cili nuk ka lidhje më UÇK-në. Kjo komunikatë është e llojit të veçantë dhe shumë e çuditshme, anakronike e poshtër se si është e mundur të lëshohet një komunikatë e tillë për njerëzit e familjes Jasharaj të cilët njiheshin si themelues të Ushtrisë Çlirimtare”, është shprehur Maxharraj.

Tutje, ai ka treguar edhe se si ishte sabotuar gjatë luftës familja Jashari.

“Diçka këtu nuk shkon, por nuk është aspak e çuditshme duke ditë faktin se kush ishte në Shtabin e “Rognerit” të cilët, jo që nuk bënin luftë të mirëfilltë më forcat serbe, por me këso komunikatash tentonin t’i sabotonin dhe diskreditonin luftëtarët e vërtetë të UÇK-së, ti pengonin për të marrë vet në dorë fatin e popullit, rrëmbimin e pushtetit, siç edhe ndodhi pas luftë, që nuk përdorën mjete dhe metoda për ta rrëmbyer pushtetin. Dihet, por edhe është folur shumë injorimin e kësaj familje edhe gjatë luftës së UÇK-së. Është sabotuar nga këta komandantë në dërgimin e armeve, apo “ju kanë humbur diku rrugës”, parat e dërguara nga diaspora për qëllimet e luftës të cilat kurrë nuk kishin arritur në destinacion. Më fjalë tjera kjo familje ishte sabotuar dhe penguar të bënte luftën të cilën Jasharajt e kishin nisë që në orët e para të luftës çlirimtare, më ç’rast kjo familje ishte në shënjestër të forcave paramilitare dhe çetnikëve serbë”, shprehet ai.

Maxharraj tregon gjithashtu se si kjo familje luftoi heroikisht pa i ardhur askush në ndihmë.

“Ajo e luftoi më një ushtri jo mirë e armatosur, sepse armatimi sikur “humbiste diku rrugës” për të mos arritur kurrë të kjo familje. Më 5 e 6 mars të vitit 1998 familja Jashari e nisi epopenë e luftës Çlirimtare. U kacafytën një familje me një ushtri të armatosur rendë. Qëndroi më armatim të dobët plotë tri ditë e tri net. Në fund ajo u sakrifikua për lirinë e Kosovës, duke ia fal gjakun kësaj lirie të 56 anëtarëve të familjes, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe pleq. Luftoi heroikisht pa i ardhur askush në ndihmë, ani pse thuhet se aty përreth maleve të Prekazit zhuriteshin ushtarë të UÇK-së. Kështu kjo familje ra në altarin e lirisë për çlirimin e Kosovës martire. Ishte kjo një sakrificë e kësaj familje e cila e flijoj familjen pa e ndihmuar askush”, shton profesori i njohur.

Profesori i ka bërë thirrje Rifat Jasharit që edhe pas 20 vjetëve lirie të thotë të vërtetën, se pse kjo familje sublime për lirin e Kosovës po injorohet si gjatë dhe pasluftës.

“Por, këta komandantë pasluftës nuk pranonin duke e “lavdëruar” luftën dhe flijimin e familjes Jasharaj të cilat duke u hirrë në këtë familje e mashtronin popullin për qëllimet e veta personale, me ç’rast u ngritën në pushtet me dredhi duke vjedhë, plaçkitë çdo gjë derisa u bënë milionerë. Familja Jasharaj disi u injorua nga këta komandantët e “Rognerit” edhe pas luftës, nënçmohej deri në pakufi. Pse Hashim Thaçi nuk guxon ta takon fytyrë për fytyrë Rifat Jasharin?! Kjo shihej më së miri gjatë vizitave që këta komandantë i bënin kompleksit memorial të familjes Jashari, e injoronin udhëheqësin e kësaj familje, Rifat Jasharin, të cilët kurrë nuk u kthyen për një “kafe”në Oden e Jasharëve, por e uleshin bishtin dhe si të pafytyrë ikshin shpejtë e shpejtë me mbarimin e ceremonisë. Kjo është e vërtetë, këtë e dine krejt populli, e dinë edhe vet Hashim Thaçi i cili as në luftë e as në paçe nuk pati kurajën dhe guximin qytetar të ballafaqohet fytyrë për fytyrë më Rifat Jasharin. Nuk e bënte këtë, sepse me siguri e brente ndërgjegjja për të bëmat e tij me këtë familje. Këtë e dinë më së miri edhe vet Rifati, të cilin e thërras publikisht që edhe pas 20 vjetëve lirie të thotë të vërtetën, se pse kjo familje sublime për lirin e Kosovës po injorohet si gjatë dhe pasluftës”, ka potencuar ai.

Njohësi i zhvillimeve në vend ka nënvizuar se populli nuk mund të durojë injorimin që kësaj familje po i bëjnë këta komandantë.

Miftari: Komunikatat janë lëshuar me dijeninë e Thaçit, Veselit, Halitit dhe Sylës

Image
Naim Miftari

Ndërsa, ish-ushtari i UÇK-së, Naim Miftari ka thënë se Sali Rexhaj me deklaratat e tij ka shumë të drejt me atë se çfarë është bërë lidhur me luftën, organizimin dhe me keqpërdorimet që janë bërë nga Hashim Thaçi me shokë

“Nuk është fare jo e vërtet se i ashtuquajturi nga vetvetja shtabi i përgjithshëm e ka përvesu luftën e luftëtarëve, ushtarëve çlirimtar të Kosovës, dhe Rexhaj të cilin nuk e njoh fare, por ka shumë të drejt për shumë deklarata të dhëna lidhur me luftën, organizimin e luftës dhe me keqpërdorimin e luftës nga Hashim Thaçi me shokë. Por, as Bujar Bukoshi me shokë nuk e kanë lan keq me keqpërdorime, sidomos të fondeve të emergjencave të Kosovës. Mirëpo, Bujar Bukoshi dallon nga Hashim Thaçi vetëm nga ajo se Bukoshi nuk ka vrarë njerëz me ardhë në pushtet dhe mi përvetësu fondet e luftës”, ka deklaruar Miftari.

Miftari për “Bota sot”, ka theksuar se komunikatat e lëshuara gjithmonë kanë qenë me dijeninë e krerëve të shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Sa i përket komunikatave se ato komunikata janë lëshuar nga Banhof, por gjithmonë me dijen miratimin përpilimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit dhe Azem Sylës. Ata çka e deklaron veprimtari Salih Rexhaj në 2019, personalisht në dhjetor të 1998 ia kam thënë në Munchen të Gjermanisë, Rifat Jasharit, aty ka qenë prezent edhe Murati dhe djali i Ademit, Lulzim Jashari, unë vetëm ju kam thënë të vërtetën se si është gjendja në Kosovë në luftë. Në atë kohë Jasharët çka kishin mbetur jashtë po gënjeheshin fortë keq nga këta komandantët e Hashimit. Shumë e vërtet se kjo familje u keqpërdor u tradhtua si para si gjatë luftës, por edhe si pasluftës nga njerëzit e “shtabit përgjithshëm”, sidomos nga vet Hashim Thaçi me shokë, që e shfrytëzuan e materializuan afrinë me familjen e shenjtë të Jasharëve”, thekson ai.

Ndër të tjera, ai ka pyetur se ku ishin këta bashkëluftëtarë, kur u vra Adem Jashari, Hamzë Jashari, Zahir Pajaziri e Sali Çekaj.

“Shumicën e rasteve duke e shpallur vetën kinse bashkëluftëtarë të Hamzës, e Adem Jasharit e Zahirit e Salihit, duke i marrë pothuajse gjitha meritat e luftës, por bëhet pyetja ku ishin këta “bashkëluftëtarë”, kur u vra Adem Jashari, Hamza, Zahiri, Salihi e shumë dëshmorë tjerë si ndodhi këta “bashkëluftëtarë e liderë” kinse formues të UÇK-së u bënë gjatë luftës, dhe pasluftës milionerë, si munden me qenë bashkëluftëtarë njerëzit që kurrë në jetën e vet nuk shkrepen as edhe një plumb as përpjetë kundër okupatorit serbë, ushtrisë, policisë serbe? Si munden të njëjtit të jenë bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete armiqësore ndaj Kosovës, si mundet po të njëjtit “bashkëluftëtarë” të Adem Jasharit janë të akuzuar dhe akuzohen se kanë pasur me UDB-në serbe, me DGSE franceze që është pro-serbe, se po të njëjtit kanë vrarë vetëm shqiptarë ata atdhetar e komandantë të vërtet të luftës herë duke i dërguar nëpër prita, e herë dhe duke i vrarë vet pas shpinës”, shpjegon ai.

Në fund ai ka potencuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një, kur themelues shpirtëror të saj janë Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çeku.

“UÇK ka qenë një kur themelues shpirtëror janë Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çeku, të tretë dëshmor, kurse kjo UÇK tjetër e Banhofave, e hoteleve, e vjedhjeve të fondit vendlindja thërret të Hashim Thaçit tani shendosh e mirë të gjithë milionerë dhe krah për krah me Serbinë me Vuçiqin me Putinin turrë me nda Kosovën”, ka përfunduar Naim Miftari.

Mehmeti: Këta janë kanceri i shoqërisë

Image
Faton Mehemti

Ndërsa, në anën tjetër, analisti politik Faton Mehemti ka thënë se edhe UÇK ka qenë e kapur nga njerëzit që sot e kanë kapur shtetin.

Ai për “Bota sot”, ka treguar se si është vepruar edhe për t’i eliminuar njerëzit më të denjë të UÇK-së.

“Tashme dihet se edhe UÇK ka qenë e kapur nga njerëzit që sot e kanë kapur shtetin, janë po të njëjtit njerëz. Këta matrapazë pa luftuar asnjë ditë, dhe të financuar nga qarqe serbo-ruse-franceze kanë pasur qëllim diskreditimin e luftës. Kështu kane vepruar duke eliminuar njerëzit më të denjë të UÇK-së, duke përfshirë edhe familjen Jashari”, ka thënë Mehmeti

Ai shton se Kosova duhet të çlirohet sa më parë nga kjo bandë kriminale, që si në luftë edhe në paqe po i bënë dëme të mëdha vendit.

“Janë po të njëjtit njerëz si Thaçi, Veseli etj, që nuk kanë fytyrë sot të shkelin në familjen Jashari dhe thirren në emër të tyre për poenë politike. Kosova duhet të çlirohet sa më parë nga kjo bandë kriminale, që si në luftë edhe në paqe po i bënë dëme të mëdha vendit”, ka theksuar ai.

Krejt në fund, Mehmeti ka theksuar se këta njerëz nuk kanë pasur qëllim çlirimin e vendit, por përfitimin e tyre për tu pasuruar vet.

“Natyrisht, se këta njerëz nuk kanë pasur qëllim çlirimin e vendit, por përfitimin e tyre për tu pasuruar vet, dhe për t’i e bërë nder armiqve të vendit. Këta janë kanceri i shoqërisë, sikur që ishin edhe plaga më e madhe për luftën e drejtë të UÇK-së”, ka përfunduar analisti politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat