Detaje të reja për raportet Bukoshi-Rugova: Për çka i shfrytëzonte paratë e luftës Bujar Bukoshi

Politika

Detaje të reja për raportet Bukoshi-Rugova: Për çka i shfrytëzonte paratë e luftës Bujar Bukoshi

Nga: D.RR Më: 21 gusht 2019 Në ora: 15:44
Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, në një intervistë të martën mbrëma, tha se Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi nuk kanë pasur raporte fort të mira në mes vete. Madje Selimi tha se Bukoshi kishte kërkuar nga UÇK-ja bashkëpunim kundër presidentit historik, Ibrahim Rugovës.

“Shumë më i keq ka qenë raporti në mes Bukoshit dhe Rugovës sesa i këtyre dyve me UÇK-në. Bukoshi ka kërkuar prej nesh njëfarë bashkëveprimi kundër Rugovës. Mënyra ka qenë jo fort etike”, ka thënë Selimi.

E për publicistin Gazmend Islami, Bujar Bukoshi ishte kundërshtar më i fuqishëm i linjës së presidentit Rugova dhe ishte njeriu i cili përçau spektrin ushtarak në Kosovë, madje mendon se duhet të hetohet për vjedhjen e parasë së shtetit, por edhe mund të implikohet edhe në vrasjen e Ahmet Krasniqit dhe atentatin ndaj Rugovës.

Image
Gazmend Islami

“Bujar Bukoshi ishte kundërshtar më i fuqishëm i linjës së presidentit Rugova dhe ishte njeriu i cili përçau spektrin ushtarak në Kosovë, ku përdori mjetet e grumbulluara financiare nga bashkatdhetarët tanë, e përmes tyre dirigjonte edhe luftën në Kosovë, formonte dhe kontrollonte grupacione në Kosovë që të zëvendësonte Rugovën, e padyshim që po të kishim gjygjyësi dhe hetuesi të pavarur, do të ishte mirë që të nisin hetimet kundër tij, jo vetëm për vjedhjen e parasë së shtetit, por mund të implikohet edhe në vrasjen e Ahmet Krasniqit dhe atentatin ndaj Rugovës, pra gjithçka është e mundshme dhe këtë më së miri e theksoi edhe Rexhep Selimi”, tha Islami për "Bota sot".

Sipas tij, Bukoshi duhet të hetohet pasi ka edhe padi nga “Dardania Bank”.

“Përgjegjësia e Bukoshit në asnjë mënyrë nuk do të bie poshtë, përderisa të mos hetohet biografia dhe veprimtaria e tij sa ishte kryetar i qeverisë në ekzil. Mos intervenimi i prokurorisë i shtetit, pasi kemi fakte të mjaftueshme edhe nga padia e “Dardania Bankës”, ku Bukoshi vodhi rreth 15 milionë euro”, potencoi Gazmend Islami për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat