Nga urdhërdhënësit deri te ekzekutorët, shpata e drejtësisë shpejt do t`i godas përgjegjësit e vrasjeve politike

Politika

Nga urdhërdhënësit deri te ekzekutorët, shpata e drejtësisë shpejt do t`i godas përgjegjësit e vrasjeve politike

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 4 nëntor 2019 Në ora: 08:47
Vrasjet politike, foto ilustrim nga "Bota sot"

Mos zbardhja e vrasjeve politike të pasluftës, po vazhdon të jetë një plagë e rëndë e shoqërisë dhe mbi të gjitha një njollë e zezë mbi organet e drejtësisë vendore.

Ndërrimi qeverisjeve në Kosovë nuk është se ka ndërruar diçka në drejtim të zbulimit të vrasjeve të shumë veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Qeveria e re nuk është formuar ende, por partitë politike që kanë për synim ta formojnë atë pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit, kanë premtuar formimin e Zyrës Shtetërore të Hetimit, e cila do të merrej me këtë çështje.

Zemaj: Ka pak dëshmitar për këto raste

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se partia e tij është duke u angazhuar që të marrë rrugë të duhur zbardhja dhe gjykimi i vrasjeve politike.

Zemaj, duke folur për krijimin e Zyrës Shtetërore të Hetimit që është shpalosur si pjesë e programit në fushatën zgjedhore ka folur edhe për vrasjet politike që parashihen të jenë subjekt hetimi i kësaj zyre.

Image
Armend Zemaj

“Pas shumë tentativave që jo rrallë herë ka pasur për zbulimin dhe ndjekjen potencialisht të kryerësve të këtyre veprave makabre, gjatë rrugëtimit dhe viteve të fundit edhe Prokurori i Shtetit dhe kryeprokurori kanë ndarë përgjegjësi”, tha ai.

Ai ka thënë se ka goxha fakte relevante, por pak dëshmitarë për këto raste.

“Pretendimet për të gjetur dëshmitarë shtesë është nëse ka trajtim serioz dhe nëse ju krijohet siguri sepse e dini se shumë dëshmitarë në hetime të caktuara edhe janë eliminuar”, tha Zemaj.

Por, a mund të besojnë familjarët se në këtë bashkëqeverisje të mundshme VV-LDK vrasjet politike do ta marrin vëmendjen e duhur të Qeverisë së Kosovës?

“Fakti që janë të ndjeshme tregon edhe sensivitetin e këtyre rasteve, por mendoj që një angazhim serioz dhe mbi të gjitha një vullnet për t’i trajtuar është mundësia që të bëhet. Në të kaluarën kemi pasë raste të tilla të ndjeshme ku një rast i caktuar është bartur në një gjykatë në Gjakovë kur edhe gjyqtari edhe trupi gjykues kanë qenë në presion ku nuk kanë mundur të trajtojnë”, përfundoi Zemaj.

Gecaj: Kriminelët të cilët kanë kryer këto krime nuk do të duhej të flinin të qetë asnjëherë

Image
Bajram Gecaj

Në përkrahje të Zemajt, është edhe Bajram Gecaj, i cili për “Bota sot”, ka thënë se të dy partitë fituese të këtyre zgjedhjeve, LDK dhe LVV kishin proklamuar gjatë fushatës zgjedhore se sundimi i rendit dhe i ligjit do të ishte një ndër prioritetet e tyre kryesore.

“Rend e ligj nuk mund të ketë asnjëherë pa u zbardhur të gjitha krimet, posaçërisht ato të natyrës politike, të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Nuk mund të fillohet me rend e ligj nga zeroja, sepse nuk do të ishim të ndershëm dhe ndërgjegjshëm ndaj shtetit dhe qytetarëve, në veçanti ndaj viktimave të krimit politik dhe familjareve të tyre. Edhe pse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nga koha e kryerjes së këtyre krimeve, dhe deri më sot nuk kemi pasur rezultate të kënaqshme në këtë segment, unë besoj fuqishëm se me një përkushtueshmëri dhe profesionalizëm të organeve hetuese e gjyqësore, mund të bëhet shumëçka në ndriçimin e vrasjeve politike, plagë kjo e cila, nëse nuk ndriçohen, do të na mbesë mbi kokë përherë si shpata e Demokleut”, tha ai.

Më tej, Gecaj, theksoj se beson se zbulimi i vrasjeve politike se nga erdhën dhe nga kush o porositën, do të ndodh shumë shpejt.

“Unë dua të besoj, por edhe duhet të punojmë shumë, që kjo të ndodhë, se do te filloj ndriçimi i këtyre rasteve një nga një, dhe kështu familjet e këtyre viktimave t'u jepet një shpresë dhe së paku një satisfaksion dhe vetëbesim se dora e drejtësisë, edhe pse mund të vonoi, megjithatë, një ditë do të ndriçojë edhe këto raste mjaft të ndjeshme dhe të dhimbshme njëkohësisht. Kriminelët të cilët kanë kryer këto krime nuk do të duhej të flinin të qetë asnjëherë”, tha Gecaj.

Koci: Nuk ka qetësi pa u zbardh vrasjet e pasluftës

Image
Arianit Koci

Avokati Arianit Koci, në një prononcim për “Bota sot”, shkurtimisht ka thënë se nuk do të ketë qetësi deri sa nuk zbardhen të gjitha rastet e vrasjeve politike, që nga paslufta e këndej.

Ai, ka thënë se qeveria e re, do të duhej që ta ndihmoj dhe t’i liroj rrugë institucioneve të drejtësisë të kryejnë punën e vet.

“Nuk do të ketë qetësi deri sa nuk zbardhen vrasjet e të gjitha llojeve, e sidomos ato politike. Qeveria e re, do të duhet që t’i ndihmoj dhe t’i liroj rrugë institucioneve të drejtësisë ta kryejnë punën e vet.”, tha ai.

Ndryshe, deri më sot, nuk ka ndodh asnjë zbulim i asnjë prej vrasjeve apo tentimvrasjeve politike.

Miftaraj: Nuk kishte vullnet dhe guxim në zbardhjen e këtyre rasteve

Image
Ehat Miftaraj

Ndërkohë, nga ana tjetër, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Drejtësisë për Kosovë, për “Bota sot”, ka thënë se ndër dështimet më të mëdha të politikës dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë, është mungesa e vullnetit politikë për të hetuar dhe ndjekur rastet e vrasjeve të pas-luftës.

Miftaraj, nuk e përjashton faktin që në këtë situatë qëndron edhe frika.

“Ndër dështimet më të mëdha të politikës dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë që nga paslufta mbetet mungesa e vullnetit politik për të zbardhur vrasjet politike, si dhe mungesa e guximit dhe vullnetit të institucioneve të drejtësisë për të hetuar dhe ndjekur këto raste”, ka thënë ai.

Miftaraj, theksoi se hetimi, ndjekja dhe gjykimi i rasteve penale më serioze në Kosovë që nga shpallja e pavarësise është duke u varur nga politika dhe grupet e interesit.

“Në këtë drejtim çdo qeveri që dërgon mesazh të fuqishëm se përkrah institucionet e drejtësisë për të kryer mandatin e tyre në bazë të ligjit, në mënyrë të pavarur, pandikuar dhe të drejtë, duke promovuar pavarësinë e tyre mund të jap shpresë së edhe këto raste të jenë në agjendën e Prokurorisë”, tha Miftaraj.

Dauti: Duhet të jemi optimist

Image
Daut Dauti

Publicisti Daut Dauti, theksoi për “Bota sot” se, ajo çfarë duhet është optimizmi që situata të ndryshojë për të mirë, e për rrjedhojë edhe në aspektin e drejtësisë.

Shkurtimisht për “Bota sot”, Dauti, tha se nëse s’kemi sistem të mirëfilltë të drejtësisë, nuk do të kemi sistem politik stabil dhe të qëndrueshëm.

“Duhet të jemi optimist, natyrisht. Vënia e drejtësisë në vend është shumë e rëndësishme dhe ndër premtimet kryesore të fushatës. Pa vënien e sistemit të drejtësisë në binarë, nuk pritet të kemi sistem politik stabil dhe të suksesshëm”, tha Dauti.

Nga ana tjetër, publicisti Rexhep Shahu, dyshon se qeveria Kurti do të bëj diçka në këtë drejtim.

Image
Rexhep Shahu

Ai, për “Bota sot” tregoi se nuk pritshmëri prej Kurtit.

Madje, siç tha Shahu, nëse Kurti ndërhynë në sistemin e drejtësisë nuk është shenjë e mirë për qeverinë e ardhshme.

“Nuk kam asnjë pritshmëri për këtë gjë prej Kurtit sepse nuk është punë e Kurtit. Ai do të jetë kryeministër, pra pushtet ekzekutiv që nuk ka lidhje me drejtësinë që është pushtet me vete. Nëse Kurti do të merret edhe me pushtetin e drejtësisë, atëherë është lajm i keq, nuk do të ketë demokraci ne Kosove, por qeveria do t`i kontrollojë të gjitha”, tha ai.

Sipas tij, Kurti dhe mazhoranca e re, mund të nxjerrin ligjet e duhura që të bëhet drejtësi, mundën që të mos diktojnë institucionet e specializuara të hetimit e drejtësisë, të mos diktojnë e urdhërojnë gjykatën e prokurorinë.

Haziri: Duhet vullnet politik për të nisur proceset e zbardhjes së vrasjeve politike

Image
Nexhat Haziri

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri, për “Bota sot”, shprehet se edhe përkundër që kanë kaluar gati 20 vite dhe po ashtu që një numër i dëshmitarëve edhe janë vrarë, disa kanë vdekur në rrethana mjaftë të dyshimta, gjë që ka vështirësuar tej mase zbardhjen vrasjeve politike të pasluftës.

“Unë shpresoj se qeveria e koalicionit LVV-LDK, kanë mundësi për zbardhjen e këtyre rasteve, të vrasjeve politike duke ndërtuar një sistem të pavarur të drejtësisë, me njerëz kredibil dhe të pa kapur e të pa ndikuar nga politika. Edhe më parë ka mundur të punohet shumë më shumë për zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë që ndodhën në vitet e para të pasluftës në Kosovë, por nuk ka egzistuar një vullnet politik as të institucionet vendore e as te ato ndërkombëtare, e për këto të fundit shumë më rëndësi ka qenë të mbahej një stabilitet politik, sa do qoftë i brishtë se sa të bëhej zbardhja e vrasjes së Xhemajl Mustafës, Shaban Manajt, Smajl Hajdarajt, e personaliteteve të tjera politike, që pas vrasjes së tyre qëndrojnë organizata kriminale të lidhura me parti të caktuara politike dhe lider të fuqishëm politik nga i ashtuquajturi “krahu i luftës””, tha ai.

Sipas tij, ka ende dëshmitar të gjallë, disa janë siguruar duke i larguar nga vendi me statusin e dëshmitarit të mbrojtur si pjesë e punës së Gjykatës Speciale.

“Mendoj se vetëm duhet vullnet politik për të nisur proceset e zbardhjes së vrasjeve politike të pasluftës dhe kryesit e këtyre krimeve të nxirren para drejtësisë, dhe po ashtu qeveria e re duhet të punoj ngushtë më institucione ndërkombëtare të sigurisë, partnere të Kosovës, të cilat mund të ndihmojnë shumë në këtë aspekt, pasi për shumë nga këto vrasje politike, faktori ndërkombëtar ka dëshmi të mjaftueshme dhe të sigurta që do të qonin drejtë zbardhjes së vrasjeve politike dhe nxjerrjen e kryesve para drejtësisë”, tha Haziri.

Më tej, Haziri shtoi se punën e qeverisë së re të Kosovës do t`ia lehtësoj edhe puna që po e bën aktualisht Gjykata Speciale, e cila do t’i trajtoj një numër të madh të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat