Mimoza Kusari – politikania më e shkathtë në Kosovë

Politika

Mimoza Kusari – politikania më e shkathtë në Kosovë

Nga Më 6 nëntor 2019 Në ora: 18:28
Mimoza Kusari

Shpesh thonë se politika është maratonë dhe se nuk duhet ngutur që në fillim. Karriera politike e zonjës Mimoza Kusari Lila është bash e tillë – drithëruese dhe e jashtëzakonshme.

E kush e kishte besuar, o të dashur lexues, që Mimoza Kusari Lila do t’i fitonte 22 mijë e 100 vota në këto zgjedhje brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ky është një rezultat që e rikthen fuqishëm në majë të politikës tonë politikanen e nderuar, dhe atë me plot meritë. Kur politikës tonë i vinte era djersë burrash, erë çorapesh burrash, erë tekesh burrash, Mimoza Kusari na u shfaq në televizorët tanë si një freski e jashtëzakonshme.

U bë zëdhënëse e kryeministrit tonë të ndjerë, Bajram Rexhepit. Por, Mimoza nuk ishte aty për një rrogë. Ishte ambicioze. Për veten e për interesin tonë. Ajo i grahu punës dhe me oratorinë e stërvitur e të pikasur, na bëri t’i besojmë e ta dashurojmë.

Disa fshehurazi e disa haptazi. Në cilëndo parti politike që mund të besonim, Mimozës nuk mund t’i thurnim ndonjë fjalë të keqe.  Ja që, ajo vetë i besoi Pacollit. Ishte e re dhe e pa se në partitë e atëhershme nuk kishte hapësirë. Dhe, te partia e Pacollit e bëri namin.

U bë nënkryetare. U emërua ministre e Tregtisë dhe Industrisë – dhe ia doli me sukses të punonte, duhet ta themi. Pas punës së mirë e sukseseve, ajo u emërua kandidate për kryeministre nga AKR-ja. Por, kjo parti ishte aq e dobët, punoi aq gjatë me Thaçin dhe ishte e pasinqertë, sa reputacioni i Mimozës ra. Pa fajin e saj. Paramendoni se ku do të ishte Mimoza pa Behgjet Pacollin? Ndoshta, do ta kishim në vend të Albin Kurtit si kryeministre.

Sidoqoftë, Mimoza i grahu punës. Shkoi e fitoi në një komunë të Kosovës, në Gjakovë. Pasi u bë kandidatja e parë grua për kryeministre, ajo e çeli edhe një rrugë, duke u bërë gruaja e parë që e fitonte një komunë, që bëhej kryetare e komunës. Nëse dikush më thotë se këto nuk janë arritje të jashtëzakonshme, unë nuk e marrë seriozisht, e konsideroj që nuk është mirë me mend. Pse? Sepse po flasim për Kosovën, po flasim për një vend që i rreh e i shtyp gratë, që deri para dhjetë vitesh s’mund ta merrte me mend se do t’i shihte me kaq pozitivitet sot gratë.

E Mimoza, më shumë se çdo grua tjetër e çeli atë rrugë të vështirë. Sot, ajo mund të jetë në Vetëvendosje. Por guximin e ambicien, oratorinë dhe shkathtësinë e veprimit, nuk mund t’ia mohojë askush. Dhe, bile, edhe më mirë që është në Vetëvendosje. Në një parti pushteti që më në fund nuk do të lodhet duke na treguar se sa keq janë punët, por do t’i përvjelë mëngët e do të punojë. Kështu e mbaj mend Mimozën, të përvjelur në punë.

Duke folur për punë. Duke i çuar gjërat përpara. Dhe, sipas mendimit tim, jo vetëm në mesin e grave. Ajo është politikania më e shkathtë në Kosovë te të dyja gjinitë. Nëse të tjera politikane të pakorruptuara kanë qenë tepër delikate të përlyhen me fëlliqësitë e pushtetit, Mimoza e ka bërë të kundërtën, ajo e dinte se vetëm duke qenë në pushtet mund të kesh mundësinë që të punosh konkretisht për qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat