Kryqëzimi i (pa)drejtë i Xhelal Sveçlës - Bota Sot
Kryqëzimi i (pa)drejtë i Xhelal Sveçlës

Politika

Kryqëzimi i (pa)drejtë i Xhelal Sveçlës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 9 dhjetor 2019 Në ora: 19:00
Xhelal Sveçla

“Ta linçosh ose kapësh për fyti z. Xhelal Sveçla, vetëm se paskësh marrë pjesë në një tubim në Tiranë (kryeqytetin shqiptar) me karakter ndërkombëtar, ku ka qenë prezent edhe përfaqësuesi i Beogradit zyrtar, M. Gjuriç, thënë më se buti, tingëllon si cinizëm dhe tendencë e kulluar, siç duket vetëm për shkakun se përfaqësuesi ynë z. Sveçla është funksionarë i Vetëvendosjes”, është shprehur Elezaj.

Një fotografi e anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla me drejtorin e të ashtuquajturës zyra serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ka bërë që të ngritët kështu shumë pluhur mbi të vërtetën e këtij takimi.

Edhe pse u dhanë shumë shpjegime e shumë arsyetime, ky takim ka bërë që të krijohen edhe shumë pyetje për partinë nga vije Sveçla, nga mos hezitimi i tij për t’u takuar me një përfaqësues serb, përkundër sfidave të mëdha që po e presin Kosovën.

Përfaqësues të Lëvizje Vetëvendosje për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se të gjitha reagimet e ashpra dhe pompoze që pasuan në media dhe rrjetet sociale lidhur me një takim indirekt të Xhelal Sveçlës në Tiranë me zyrtarin serb Marko Gjuriq, në një takim me karakter ndërkombëtar i organizuar nga Ministria për Punë të Jashtme e Gjermanisë, ishin krejtësisht banale, qëllimkëqija, tendencioze dhe të pakuptimta.

Ndërkaq, pjesa tjetër e politikës dhe shoqëria civile konsiderojnë se takimi i fundit Sveqla-Gjuriq është brenda kornizave të demagogjisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Arsyetimi i anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla menjëherë ka treguar edhe arsyen e takimit me drejtorin e të ashtuquajturës zyra serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

Ai ka treguar se, është pjesëmarrës në një konferencë për Bashkëpunim Rajonal, organizuar nga CIG dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

“Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues të shumë subjekteve politike parlamentare nga rajoni ynë. Sot ka qenë ceremonia e hapjes, dhe vendet dhe tavolinat se ku janë ulur pjesëmarrësit, i kanë caktuar organizatorët e jo pjesëmarrësit”, ka deklaruar Sveqla.

Tutje ai ka thënë se kundërshtarët kanë shpërndarë këtë foto me qëllim të keq.

Elezaj: Reagimet ishin banale, qëllimkëqija, tendencioze dhe të pakuptimta

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se reagimet që pasuan lidhur me një takim indirekt të Xhelal Sveçlës në Tiranë me zyrtarin serb Marko Gjuriç, ishin krejtësisht banale, qëllimkëqija, dhe tendencioze.

Sipas tij, takimet e zyrtarëve dhe përfaqësuesve të shtetit të Kosovës me zyrtarët e Serbisë, filluan nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq e deri tek ky çetniku, “mali Slloba” (Slloba i vogël) M. Gjuriçi, janë bërë të “natyrshme” si dhe të pashmangshme për shkak të rrjedhave politike dhe ekonomike në Ballkan dhe Evropë.

Image
Rexhep Elezaj

“Sipas mendimit tim të prerë, të gjitha reagimet e ashpra dhe pompoze që pasuan në media dhe rrjetet sociale lidhur me një takim indirekt të Xhelal Sveçlës në Tiranë me zyrtarin serb Marko Gjuriç, në një takim me karakter ndërkombëtar i organizuar nga Ministria për Punë të Jashtme e Gjermanisë, ishin krejtësisht banale, qëllimkëqija, tendencioze dhe të pakuptimta. Dhe, ta linçosh ose kapësh për fyti z. Xhelal Sveçla, vetëm se paskësh marrë pjesë në një tubim në Tiranë (kryeqytetin shqiptar) me karakter ndërkombëtar, ku ka qenë prezent edhe përfaqësuesi i Beogradit zyrtar, M. Gjuriç, thënë më se buti, tingëllon si cinizëm dhe tendencë e kulluar, siç duket vetëm për shkakun se përfaqësuesi ynë z. Sveçla është funksionarë i Vetëvendosjes”, është shprehur Elezaj.

Ai gjithashtu ka thënë se akuzat banale që u drejtuan ndaj tij janë fund e krye qëllim këqija si dhe në funksion të një fushate të ndytë politike kundër partisë së Albin Kurtit.

“Përndryshe, të gjitha takimet e Hashim Thaçit, Behgjet Pacollit, Ramush Haradinajt, ministrave tjerë të qeverisë së Kosovës si dhe ato të gjithë zyrtarëve tanë që kanë pasur me funksionarët e shumtë të Serbisë në takime dypalëshe ose ato ndërkombëtare, do duhej të vlerësoheshin si vrasje e shpresës ose tradhti kombëtare, ngase Sveçla është zyrtari i fundit i Kosovës i cili u takua me “çetnikët” e Serbisë, andaj akuzat banale që u drejtuan ndaj tij janë fund e krye qëllim këqija si dhe në funksion të një fushate të ndytë politike kundër Lëvizjes Vetëvendosje”, ka përfunduar për “Bota sot”, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Elezaj.

Rexhaj: Vetëvendosje i ka shkelë të gjitha parimet në luftë për pushtet

Ndërkaq, Sali Rexhaj, ish-aktivist politik në Kosovë, tani mërgimtarë në Zvicër, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e Albin Kurtit ka shkelë të gjitha parimet në luftën e saj për pushtet.

Ish-aktivisti politik, konsideron se takimi i fundit Sveqla-Gjuriq është brenda kornizave të demagogjisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Image
Sali Rexha

“Lëvizja Vetëvendosje i ka shkelë të gjitha parimet në luftë për pushtet. Ky takim i Xhelal Sveqlës me Marko Gjuriqin është brenda kornizave të demagogjisë së Albin Kurtit e falangave të tij”, ka deklaruar Rexhaj, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka bërë me dije dhe gjithashtu shpreson se tashmë qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar se kush është Lëvizja Vetëvendosje në të vërtetë.

“Tani shpresoj se qytetarët e Kosovës e vërejnë se kush është Lëvizja Vetëvendosje edhe pse shpëlarja e trurit dhe propaganda në stilin e Mira Markoviq-Milosheviçit po vazhdon më të madhe, kësaj radhe kundër LDK-së”, ka përfunduar ish-aktivist politik në Kosovë, Sali Rexhaj.

Duhanaj: Për asnjë çmim, nuk është dashur të ulej!

E, analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se për asnjë çmim, nuk është dashur të ulej Sveqla afër Gjuriqit, pas deklaratave të ardhura nga Serbia që mohuan masakrën e Reçakut dhe terrorin ndaj shqiptarëve.

“Takimi me zyrtarin serb, nuk kishte me qenë diçka e jashtëzakonshme, nëse paraprakisht do të konsideroheshin disa aspekte të rëndësishme. Në radhë të parë, LVV në gjithë ekzistencën e saj, sloganin kryesor në luftë kundër subjekteve tjera e ka patur “Jo negociata, Vetëvendosje”. Për ketë slogan madje i kemi dy të rinj të vrarë. Nën dy, për asnjë çmim, nuk është dashur të ulej, pas deklaratave që mohuan masakrën e Reçakut dhe terrorin ndaj shqiptarëve. Dhe nën tre, LVV- i ka vendosur vetë disa standarde, përmes të cilave s’ka lënë politikan as parti pa e luftuar, edhe me mjete të jashtëligjshme”, është shprehur Duhanaj.

Mes tjerash, ai shton se kjo parti tashmë e ka nuhatur pushtetin qendror dhe menjëherë është zbuluar edhe mungesa e vetive dalluese nga subjektet tjera politike në vend.

Image
Leon Duhanaj

“Tani, për herë të parë, VV-ja e ka nuhatur pushtetin qendror dhe, menjëherë del në pah, mungesa e vetive dalluese nga subjektet tjera politike. Pra, kemi të bëjmë me mentalitet të njëjtë. Kjo është dëshmuar edhe në politikat lokale në disa komuna ku Vetëvendosje ka qeverisur dhe po fillon edhe tash, madje ënde pa e marrë pushtetin. Natyrisht që në rast të marrjes së përgjegjësisë institucionale, është proces i patejkalueshëm takimi me përfaqësues të shtetit serb. Por, ngarendja që sa më parë me u treguar si pushtetarë, të bën të dyshosh fortë në seriozitetin e tyre. Madje, do thosha se, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe mos të kotemi, sepse nuk është larg mendsh që ta harrojmë Thaçin”, ka përfunduar ai.

Frashër Krasniqi zbërthen foton Sveçla-Gjuriq

Kurse, ish-kandidati për deputet nga radhët e PSD-së dhe ish-deputeti i VV-së, Frashër Krasniqi, ka reaguar pas fotografisë së publikuar në media ku shihej Xhelal Sveçla i Lëvizjes Vetëvendosje i ulur në një tavolinë me Marko Gjuriq.

Krasniqi thotë se, “ky është morali hipokrit popullist: Çka do që bëjnë ata është në ‘interes të popullit’, çka do që bëjnë të tjerët është ‘tradhti ndaj popullit’”.

“Ashtu qysh sot po e arsyetojnë takimin nëpër kafe me Gjuriqin – i cili po të ndodhte me këdo jashtë VV-së do të cilësohej si tradhti kombëtare e shitje e Kosovës, ashtu nesër do ta arsyetojnë ri-kapjen e shtetit, keq-qeverisjen dhe autoritarizmin e tyre”, ka deklaruar Krasniqi.

Mirëpo, ish-anëtari i VV-së po thotë se me foton e publikuar po demaskohet morali i dyfishtë i Vetëvendosjes që kanë shpallur njerëzit tradhtarë për sjellje të njëjta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat