Grenell në krye të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së, ogur i mirë për Kosovën

Politika

Grenell në krye të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së, ogur i mirë për Kosovën

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 shkurt 2020 Në ora: 18:53
Richard Grenell

“Zgjedhja e ambasadorit Richard Grenell në krye të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së pritet të këtë ndikime me dinamikën që po e manifeston Grenell në agjendën e tij për Ballkanin Perëndimorë dhe Kosovën në veçanti. Bazuar në njohurit që zoti Grenell ka për Rajonin, pozicionimi i tij në krye të Inteligjencës amerikane do të shtojë aktivitetet edhe në këtë fushë, dhe besoj shumë se do t’i ndihmojë Agjencionit Inteligjent të Kosovës”, ka shtuar anëtarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Lirije Kajtazi, për gazetën “Bota sot”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ditë më parë ka emëruar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani dhe të dërguarin e posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

Grenell ka pranuar pozitën që i është ofruar nga presidenti Trump. Ndërkohë që presidenti Trump ka ritheksuar edhe njëherë besimin e madh që ka në ambasadorin Grenell.

Emërimi i të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në pozitën e lartcekur, po konsiderohet si një element mjaftë i fuqishëm për fushën e sigurisë në Kosovë.

Anëtar të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë konsiderojnë se zgjedhja e ambasadorit Richard Grenell në krye të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së pritet të këtë ndikime me dinamikën që po e manifeston Grenell në agjendën e tij për Ballkanin Perëndimorë dhe Kosovën në veçanti.

Ndërsa, njohësit e kësaj fushe, parashohin se duke e parë lidhjen natyrale në mes të CIA-së dhe AKI-së, së shpejti Agjencia e Kosovës për Inteligjencë do bëhet lidere në rajonin e Ballkanit, e cila përgjatë kësaj dekade të re do të atakohet nga format e ndryshme jo konvencional të sulmeve.

Gazeta “Bota sot”, gjatë këtyre ditëve ka provuar në vazhdimësi që të marrë informacione shtesë edhe nga Ambasada e Amerikës, si dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), për rolin e mundshëm që do të ketë ambasadori Richard Grenell në fushën e sigurisë në Kosovë, mirëpo këta të fundit edhe me tej nuk janë përgjigjur thirrjeve të gazetës.

Lirije Kajtazi: Zgjedhja e Grenell pritet të këtë ndikime

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherit anëtarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Lirije Kajtazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka treguar se takimin e parë ky komision do ta ketë gjatë kësaj jave.

Kajtazi ka deklaruar se siguria mbetet një segment i rëndësishëm për vendin, por jo edhe që ka asociuar në suksese.

Image
Lirije Kajtazi

“Unë ende nuk e kam filluar punën në këtë komision, takimi i parë do të jetë javën e ardhshme. Megjithatë, konsideroj se ky komision është i rëndësishëm, pasi që ka të bëjë me një segment mjaft të rëndësishëm të sistemit tonë të sigurisë e cili sa herë përmendet nuk është se na ka asocuar në suksese”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Tutje, deputetja e LDK-së shton se bazuar në njohurit që ka ambasadori Grenell, pozicionimi i tij në krye të Inteligjencës amerikane do të shtojë aktivitetet edhe në fushën e sigurisë.

“Zgjedhja e ambasadorit Richard Grenell në krye të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së pritet të këtë ndikime me dinamikën që po e manifeston Grenell në agjendën e tij për Ballkanin Perëndimorë dhe Kosovën në veçanti. Bazuar në njohurit që zoti Grenell ka për Rajonin, pozicionimi i tij në krye të Inteligjencës amerikane do të shtojë aktivitetet edhe në këtë fushë, dhe besoj shumë se do t’i ndihmojë Agjencionit Inteligjent të Kosovës”, ka shtuar anëtarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Lirije Kajtazi, për gazetën “Bota sot”.

Tali: ShBA e ka agjendën e vet sa i përket sigurisë

Ndërsa, Driton Tali, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, tani anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partitë në vend janë deklaruar se siguria e Kosovës është e lidhur ngushtë me sigurinë e ShBA-së.

Me tej, Tali ka theksuar se pamarre parasysh se kush udhëheqë Inteligjencën Kombëtare të ShBA-së, kjo nuk është çështje individi apo individësh.

Image
Driton Tali

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë agjendën e vet sa i përket sigurisë. Partitë tona, pa përjashtim, janë deklaruar se siguria e Kosovës është e lidhur ngushtë me sigurinë e ShBA-së. Andaj, pamarre parasysh se kush tani udhëheqë dhe kush do të udhëheqë në të ardhmen ‘Inteligjencën Kombëtare të ShBA-së’, në këtë aspekt s’kemi çka diskutojmë sepse nuk është çështje individi apo individësh”, ka theksuar Tali, për “Bota sot”.

Eksperti Shala: Agjencia e Kosovës për Inteligjencë do bëhet lidere në rajonin e Ballkanit

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një bisedë dhënë gazetës “Bota sot”, është shprehur se emërimi i Grenellit në krye të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së do të ketë reflektim si në aspektin politik, ashtu edhe në atë të sigurisë.

Image
Drizan Shala

“Emërimi i Ambasadorit të SHBA-ve në Gjermani në funksionin e ushtrimit të detyrës se drejtorit të inteligjencës kombëtare të Amerikës kjo në rend të parë do të reflekton në dy drejtime duke filluar në atë politik dhe sigurisë. Sepse procesi i bisedimeve Beograd-Prishtine patë ngecje si pasojë e taksës dhe në këtë pikë Richard G. konsiderohet si person me një vendosmëri i cili planifikon që ky proces të përmbyllet përgjatë vitit 2020”, është shprehur Shala.

Ai ka nënvizuar se duke e parë këtë lidhje natyrale në mes të CIA-së dhe AKI-së, pas ardhjes së ambasadorit Grenell ky bashkëpunim do ekspanzohet në një bashkëveprim më të gjerë.

Derisa, edhe ka bërë me dije se me ketë ekspanzim Agjencia e Kosovës për Inteligjencë do bëhet edhe lidere në rajonin e Ballkanit, e cila sipas tij, përgjatë kësaj dekade të re do të atakohet nga format e ndryshme jo konvencionale.

“Ndërsa, në lidhje si do reflekton ky vendim në bashkëveprimin-bashkëpunimin në mes të AKI-së dhe Inteligjencës Kombëtare të Amerikës, mendoj që AKI-ja që nga themelimi i saj e tutje në vazhdën e partneritetit kryesor në fushën e mbledhjes së informacioneve të cilat e cenojnë sigurinë e Kosovës dhe më gjerë, ka dëshmuar që ka CIA-në e cila është njëra nga 16 shërbimet informative-inteligjente që veprojnë dhe operojnë nën mandatin e inteligjencës kombëtare”.

“Duke e parë këtë lidhje natyrale në mes të CIA-së dhe AKI-së, mendojë që pas ardhjes se Richardit (Rikit) ky bashkëpunim do ekspanzohet në një bashkëveprim më të gjerë në fushat siç janë; terrorizmi global, krimi i organizuar ndërkombëtar dhe trasnational dhe me ketë ekspanzim Agjencia e Kosovës për Inteligjencë do bëhet lidere në rajonin e Ballkanit, e cila përgjatë kësaj dekade të re do të atakohet nga format e ndryshme jo konvencional të sulmeve nga grupet kriminale të ndërlidhur më celula terroriste të mbetur nga ISIS-i dhe të ri-formuar në bërthama të reja terroriste”, ka nënvizuar ai.

Eksperti Shala gjithashtu thekson se nga një bashkëpunim që ka ekzistuar deri më tani në fushën e inteligjencës, Kosova, përkatsisht AKI-ja ka hyrë në dekadën më të veçantë që nga themelimi i saj në fushën e bashkëveprimit rajonal dhe global duke ofruar siguri.

Mehmeti: ‘Qeveria Kurti’ duhet t’i merr më seriozisht thirrjet ShBA-së

E, analisti politik, Faton Mehmeti, është i mendimit se me këtë emërim, po tregohet edhe njëherë fuqia dhe besimi që ka presidenti Donald Trump, ndaj ambasadorit Richard Grenell.

Sipas analistit, ‘Qeveria Kurti’ duhet t’i merr më seriozisht thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës.

Image
Faton Mehmeti

“Me emërimin e ambasadorit Richard Grenell në krye të Inteligjencës amerikane tregon besimin e madh që presidenti Trump ka ndaj ambasadorit Grenell. Kjo dëshmon edhe njëherë për fuqinë e madhe që ky ambasador në administratën amerikane, andaj Qeveria në Kosovë duhet të merr më seriozisht thirrjen e tij për të hequr taksën”, ka thënë ai.

Krejt në fund, Mehmeti potencon se fuqizimi më i madh i Richard Grenell do të jetë në negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe nuk beson se do të ketë ndikim në fushën e sigurisë së Kosovës.

“Nuk besoj se emërimi i ambasadorit Grenell ka ndikim në sigurinë e Kosovës, për të cilën kujdeset KFOR-i dhe shërbimet tona të inteligjencës. Më tepër ka të bëjë me fuqizimin e tij në raport me negociatat Kosovë-Serbi”, ka përfunduar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat