Deklarata nervoze e Vulinit zbuloi aleatët e Beogradit që rrëzuan Qeverinë Kurti

Politika

Deklarata nervoze e Vulinit zbuloi aleatët e Beogradit që rrëzuan Qeverinë Kurti

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 maj 2020 Në ora: 16:25
Albin Kurti

Republika e Kosovës vazhdon të jetë në një rrugë qorre, kjo për shkak të situatës politike që e ka kapluar vendin. Për të mos mjaftonte situata me pendimin në vend, politikanët i shkaktuan dëme Kosovës edhe me rrëzimin e Qeverisë, ku kjo çoi vendin në drejtë një krize të thellë politike.

Pas rrëzimit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, i cili doli fitues i zgjedhjeve të 6 tetor te vitit të kaluar, ish partneri i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës morri mandatarin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që ta krijoj qeverinë e re të Kosovës.

Por,  këtë vendim e kundërshtoi Lëvizja Vetëvendosje, ku e dërgoi në Gjykatën Kushtetues, ndërkaq, kjo gjykatë e pezulloi dekretin e Thaçit deri me 23 maj.

Tashmë, kjo datë është çështje ditësh, ndërkaq në pritje të këtij vendimit të kësaj Gjykate  është paralajmëruar edhe protesta në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Ndërkaq, ekspertët shprehen se muaji maj dhe ai qershor do të jenë vendimtarë për Kosovës, si dhe shprehen se vendimi më i mirë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte shpallja e zgjedhjeve.

Bytyçi: Thaçi mori përsipër organizimin për rrëzimin e Kurtit

Profesori Enver Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot” është shprehur se maji dhe qershor do të jetë vendimtarë për Kosovën.

Image
Enver Bytyçi

“Për Kosovën e madje për rajonin ky muaj dhe qershori do të jenë deçizivë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës do t’i japë përgjigje dilemës nëse rrëzimi i qeverisë më 25 mars ishte një kurth politik, apo një akt ligjor e kushtetues. Kam ndjekur këto zhvillime dhe mua më rezulton se kemi tashmë një barrikadë lufte midis Hashim Thaçit nga njëra anë dhe Albin Kurtit nga ana tjetër. Ky i fundit është shkarkuar me mocion dhe quhet tashmë si kryeministër në detyrë. Ndonëse kryeministri i Shqipërisë nuk e njeh as si të tillë. Hashim Thaçi mori përsipër organizimin e skemës jo vetëm për shkarkimin e Kurtit, por edhe për të sjellë në pushtet partnerin e Kurtit në qeverisje, Lidhjen Demokratike”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai është shprehur se është bërë e ditur se aleatët e Beogradit për shkak të kufijve u bashkuan për ta rrëzuar qeverinë e koalicionit VV.

Vulin nxori të palarat!

“Për qëllimin e Thaçit është folur. Por ministri serb i Mbrojtjes, Vulin, nxori në shesh plotësisht atë se çfarë fshihet pas këtij komploti. Vulin ishte shumë i nervozuar me presidentin e Maqedonisë, zotin Pendarovski, pse ky i fundit është shprehur kundër ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Madje i kërcënohet, duke i thënë se “Për këtë nuk do t’ju pyesim ju në Maqedoni, por pyesim vetëm Prishtinën”! Ishte kjo deklaratë nervoze e Aleksandër Vulin, e cila na bën me dije se në Prishtinë aleatët e Beogradit për shkak të kufijve u bashkuan për ta rrëzuar qeverinë e koalicionit VV-LDK. Prandaj dhe situata është shumë e ndërlikuar dhe e tensionuar. Kurti kërkon zgjedhje të reja me qëllim që qeverisjen në Kosovë ta vendosë sovrani. Thaçi në të gjitha intervistat e fundit i përmbahet suksesit të tij politik për rrëzimin e qeverisë si kusht për një vendimmarrje nga Kushtetuesja në favor të dekretit të tij. I vetmi “argument” që Thaçi përdor ka të bëjë me atë se “dy të tretat e parlamentit ka votuar rrëzimin e qeverisë, ndërkohë që ajo u zgjodh me 63 vota”! Por ky nuk është argument juridik. Është produkt i konspiracionit kundër territorit të Kosovës, konspiracion që e udhëheq vetë presidenti i vendit”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

Për më tepër, profesori ka theksuar se afati për vendimin e Gjykatës Kushtetuese po afrohet dhe nga ky vendim do të varet se çfarë do të ndodh në Kosovë.

“Varet nga vendimi i GJK ajo se çfarë do të ndodh në Kosovë. Afati i këtij vendimi po afron. Pozicionet janë të fortifikuara. Në këtë konflikt ka dorë dhe vetë kryeministri i Shqipërisë, e cila së bashku me qeverinë e Serbisë e kanë sponsorizuar edhe me mjete monetare rrëzimin e qeverisë së koalicionit VV-LDK! Po të kemi parasysh këtë fakt, duhet kuptuar sesa e rrezikshme do të ishte nëse do të lejohej krijimi i një qeverie pro ndarjes së Kosovës. Por tani jemi para një fakti. Gjykata Kushtetuese duhet ta zgjidhë krizën në Kosovë, jo ta thellojë dhe agravojë atë. Në shtetet demokratike krizat zgjidhen brenda sistemit dhe në sistem fjalën vendimtare e ka Gjykata Kushtetuese. Ata që përpiqen ta manipulojnë këtë gjykatë e çojnë Kosovën drejt përplasjes sociale dhe civile”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Profesori ka treguar se cila do të duhet të ishte detyra e presidentit të Kosovës në këtë rast.

“Normalisht presidenti ka detyrë kushtetuese që t’i zgjidhë krizat e vendit me qëndrime të paanshme dhe objektive, duke e ndihmuar Gjykatën Kushtetuese. Por në vend të bëjë këtë, ai po lëviz çdo gur politik për ta realizuar qëllimin dhe misionin proverb të shkëmbimit të territoreve. Kur e pyesin për këtë mohon kategorikisht, por shpesh herë po e zbulojnë aktin e tij anti-Kosovë aleatët e Beogradit, si në rastin konkret, Vulin!”, ka potencuar Bytyçi.

Aleatët e LDK-së s’po flasin për Qeverinë e re

Ai ka folur edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila po vazhdon të flas për Qeverinë e re.

“Ndërsa Lidhja Demokratike vazhdon të flasë për krijimin e një qeverie të re. E vërteta është se aleatët e rinj të kësaj partie nuk po flasin për këtë. Vetëm Pacolli dështoi së viktimizuar nën regjinë e Thaçit, me qëllim që të tensionohet situata politike”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Bytyçi ka shtuar se LDK-ja duhet të tërhiqet nga koalicioni, dhe se njerëzit që besojnë në vlerat e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, do të duhet patjetër të ulët përsëri me lidershipin e Vetëvendosjen.

“Është në nderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës të tërhiqet nga një koalicion i mundshëm i ri. Nëse LDK nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje, duhet të jetë e gatshme për të krijuar një qeveri të dytë me Vetëvendosjen. Vetëm zgjedhjet e reja ose një koalicion i dytë midis dy partive e çlirojnë Kosovën nga kriza e thellë politike. Nëse në LDK ka njerëz që besojnë në vlerat e Rugovës, nëse ajo dëshiron ta shpëtojë veten e saj nga shpërbërja dhe dështimi i plotë elektoral, pra, nëse dëshiron ta mbrojë edhe Kosovën e territorin e saj, do të duhet patjetër të ulet përsëri me lidershipin e Vetëvendosjen dhe të krijojnë jo vetëm një koalicion qeverisës, por edhe një marrëveshje besimi, për të cilin qytetarët duhen vënë në dijeni. Këtë gjest të saj do ta vlerësonin shumë votuesit, mbështetësit dhe anëtarët e saj!”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

Smaka: Zgjidhje e drejtë shpërbërja e Kuvendit

Ndërkaq, profesori dhe një prej hartueseve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se zgjidhja më e përshtatshme e Kushtetutës do të ishe shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të përgjithshme .

Image
Riza Smaka

“Zgjidhje e drejtë dhe e përshtatshme me Kushtetutën dhe rrethanat shoqërore, politike e shëndetësore do të ishte shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të përgjithshme me afat prolongues deri në konsolidimin nga pandemia”, ka deklaruar Smaka.

Gjithashtu, profesori ka folur edhe për qeverinë e re për të cilën është edhe nënshkruar marrëveshja e koalicionit nga partitë opozitare.

Për më tepër, ai ka thënë se mbajtja e protestave nuk do të ofronte zgjidhje të krizës politike.

“Formimi i Qeverisë së re nuk ka mbështetje në Kushtetutë. As mbajtja e protestave nuk do të ofronte zgjidhje të krizës politike aktuale në vendin tonë. Qeveria aktuale do t'i ushtronte funksionet e ekzekutivit deri në formimin e Qeverise nga zgjedhjet e përgjithshme”, ka deklaruar Smaka për “Bota sot”.

Po ashtu, Smaka ka paralajmëruar se mund të ketë turbulenca shoqërore e politike të cilat do të dëmtonin  gjendjen socio,- ekonomike e politike.

“Ndryshe mund të pritën turbulenca shoqërore e politike të cilat do të dëmtonin  gjendjen socio,- ekonomike e politike me refleksione të këqija në arenën ndërkombëtare edhe ashtu të goditur rëndë me tërheqje të njohjeve dhe me karantinim politik të ndalimit të qarkullimeve të lirshme të qytetarëve të vendit tonë të privuar edhe nga kjo e drejtë themelore”, ka përfunduar Smaka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat