Marrëveshja finale, flet Zogaj, tregon kur mund të arrihet dhe përfshirjen e shkëmbimit të territoreve 

Politika

Marrëveshja finale, flet Zogaj, tregon kur mund të arrihet dhe përfshirjen e shkëmbimit të territoreve 

Nga: G.B Më: 16 qershor 2020 Në ora: 20:26
Ilustrim

Me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi,

Këtë e ka bërë të ditur i ngarkuari i SHBA-së për dialog, Richard Grenell të hënën mbrëma.

Lidhur me dialogun dhe mundësinë që të kemi së shpejti një marrëveshje me Serbinë, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj.

Ai ka thënë se konfirmimi se me 27 qershor do të ketë diskutime për dialogun është lajm i mirë, pasi janë gjasat që këtë herë të kemi marrëveshje finale me njohje reciproke.

“Konfirmimi se më 27 qershor në Washington do të ketë diskutime për vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi është lajm shumë i mirë sepse, të gjitha gjasat janë që, kësaj here bisedimet të rezultojnë me marrëveshjen finale të njohjes reciproke të Kosovës dhe Serbisë, që përfundimisht do të fillojnë të jetojnë si dy shtete fqinje, të lira dhe të pavarura”, është shprehur ai.

Image
Skënder Zogaj

Por, Zogaj thotë se nuk pret që marrëveshja të arrihet së shpejti, deri në vitin e ardhshëm dhe se nuk mendon se do të ketë ndryshim të kufijve.

“Mirëpo, nuk mendoj se kjo marrëveshje do të arrihet shpejt, pra jo sivjet, por në vitin e ardhshëm, sepse, janë bukur do "hashla" që do të shtrohen dhe do të ndikojnë në zgjatjen e bisedimeve. Nuk mendoj se do të ketë ndryshim të kufijve, sepse, nëse i hyhet kësaj udhe, do të kemi eskalime të fuqishme jo vetëm në Kosovë e Serbi, por shumë më gjerë! Prandaj, nuk ka këmbime territoresh”, ka vlerësuar Zogaj.

Sipas tij pala e Kosovës duhet ta dijë se prekja e kufijve është fatkeqësi e re, e dëmshme për të ardhmen, duke shtuar se pala e Kosovës do ta ruajë hapësirën territoriale që e ka Kosova.

“Këtë duhet ta ketë mirë të fiksuar pala kosovare, sepse prekja e kufijve është fatkeqësi e re, e dëmshme për sot por edhe për të ardhmen e vendit tonë dhe të gjithë problemit të shqiptarëve në Ballkan! Kosova duhet të jetë e qetë dhe e saktë: përkrah qëndrimin ndërkombëtar për hapësirën territoriale që aktualisht e ka Republika e Kosovës dhe pikë! Unë jam i bindur se pala kosovare kështu do të veprojë dhe Kosova do ta kryejë punën me suksesin e rrethanave aktuale historike, politike, diplomatike dhe të gjithmbarshme strategjike”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat